Editorial
Ardian Ramadani: U vranë për herë të dytë...
E diele, 20.01.2013, 11:07 PM
U VRANË PËR SË DYTI HERË, E U TRADHËTUAN PËR TË SATËN HERË…
NGA
ARDIAN RAMADANI
Lajmi i
keq, por që pritej mori dhenë dhe u bë realitet. Dridhen nga tërmetet
Manastiri, Ohri, Prespa, Krusheva, Shtipi, Vellandova.... Po cilit shqiptar i
kërsiti nga ky lajm ?
U hoq
lapidari i dëshmorëve të UÇPMBsë. U vranë dëshmorët e lirisë për së dyti herë.
Një herë nga soldateska e Millosheviqit, e tani së dyti herë nga soldateska e
Daciqit. Bashkëdialoguesit të Hashim Thaçit. Në prani të shumë forcave
policore, të cilët manifestonin forcën dhe fuqinë e kahershme u realizua ajo që
paralajmërohej. Zaten edhe pritej, kjo. Pse çka pritëm ne ? U harrua
Marrëveshja e Konçulit, u vra Ridvan Qazimi (Komandant Lleshi) në pabesi, u
burgosën dhe u rrahën shqiptarët nga xhandarmëria serbe, iu shqiptruan dënime
drakonike, e tani vallë do të prisnim që serbët të vinin të na vendosnin kurora
me lule ? Jo.
E
politikanët shqiptarë të tenderokracisë, gjetiu ku i kemi, përsëri kuietizëm,
heshtje (deri në këto momente që po shkruaj) përveç Pandeli Majkos, politikanit
Më të arsyeshëm dhe më proshqiptar në Shqipërinë londineze. Por, ata që iu
kërcënuan Serbisë, heshtën dhe ende po heshtin. Heshtje që të vret dhe të plas
zemrën, jo vetëm mua po secilit shqiptar, gjerisa imazhi i vendosjes së thesit
lapidarit të lirisë në praninë e shumë forcave policore që demonstronin dhe na
tregonin muskujt, na nxorri lotët.
Kjo flet
që shqiptarët, të interesuar për ballo, spektakle dhe mbrëmje gazmore, për
dehje në pakufi dhe për çoroditje, për asgjëizëm dhe për dhënie rëndësi gjërave
të parëndësishme, u vonuan si kaherë. U vonuan ngase nxituan. Pse a nuk është
ashtu a ? U kërcënuan Daciqi dhe soldateska serbe që të mos hjekin lapidarin, e
ai u hoq. Edhe atë pa iu trembur syri. Shqiptarët në gjumë. Derisa po flinin,
përpos atyre që u gjendën në raritet, e që shkonin për të bërë namazin e
lutjeve të mëngjesit. Po edhe atë nuk e bënën dot, ngase nuk u lejuan.
E Delta
(BARDHYL OSMANI ME SHOKË) na u vranë për së dyti herë, ndërsa na u tradhëtuan
për të satën herë me radhë. Jo rastësisht studiuesi Hysamedin Ferraj në librin
e tij më të fundit shprehet se shqiptarët duhet të dalin nga gëzhoja e të
qenunit popullatë, e të bëhen popull e komb. Por, dëshmuam se ende jemi rob të
të qenunit popullatë, edhe pse politikanët që na udhëheqin na shohin sikur të
jemi komb i madh si kinezët.
Me të
drejtë shpreha pezmin tim me një fjalë që besoj se do të përdoret si proverb «
Shqiptarët, janë të vetmit në botë që ngulin përmendore që të tjerët t`ua
shkulin ato, e ne të jemi vrojtues ».
E
lapidari nuk është më. Na u hoq edhe ajo pak krenari që kishim, që na pat
mbetur, e që tani nuk ka asgjë. E vetmja krenari e shqiptarëve të harruar të
asaj ane. Me shumë parti e partiçka, thuaja se jemi kombi më numeroz në planet.
U hoq edhe ajo pak pjesë e Shqipërisë që ishte. U hoq edhe Shqipëria edhe
Kosova, edhe tërë shqiptarët. Mbeti vetëm vrraga dhe plaga që po na dhemb dhe
po na bën të vdesim nga dënesja prej lotëve. Pse e sollëm punën deri këtu ?
Vallë a nuk dinin prijësit tanë, që në diplomaci, ambiciet duhet të jenë të
limituara dhe të justifikueshme. Që duhet shtrirë këmbët sa e kemi jorganin. Që
jorgan nuk kemi fare, e këmbët i kemi shumë të gjata. E gjuhët e politikanëve
edhe më të gjata, si kameleoni që e ka gjuhën 1.5 herë më të gjatë se trupi.
Pse kjo
felonori (pabesi) ndaj dëshmorëve ? Cilit komb, popull, popullate apo fis në
botë i hiqet lapidari, e kësisoj krenaria ?
Vetëm neve. Po pse, ngase udhëheqemi nga kolltugofagët e Fan Nolit,
Palaçot e dheut të Faik Konicës, rrugaçët, sallahanat, vagabondët,
shakllabanat e Gjergj Fishtës. Ndërsa kryefajkonja serbe Ivica Daciq (sqarim,
fajkonj janë njerëzit që duan luftën), atë çka e pështyu nuk e lëpiu. E ne përjetuam nebulozën dhe flagjelacionin e
radhës (vetkamxhikimin), por zemrat tona përjetuan edhe PIKANËN (torturën
elektrike) edhe FALLAGNËN (torturën kamxhikuese).
E ardhmja
jonë e hapur, por e pa perspektivë nuk dihet se çka do të na sjell ? Po e
sotmja, na solli zhgënjim, pezm, nënshtrim, humbje, nëpërkëmbje, zvetënim,
poshtërim…… të këqia, pikërisht pasi u ngazëllyem me 100 vjetorin e
(pa)varësisë së territoreve shqiptare nën pushtimin e huaj dhe nën pushtimin e
tenderokratëve barkëmëdhenj.
Nata është dita jonë. Do të thoshte Rexhep Qosja. Po, une do të thoja pak më ndryshe. Lëre që s`kemi ditë, por edhe nata më nuk është e jona. Edhe atë pak natë që e kishim na e vodhën të tjerët.