E shtune, 03.05.2025, 10:04 PM (GMT+1)

Editorial

Alban Voka: Krishtlindjet dhe shenjtëria e shpirtit shqiptar

E diele, 23.12.2012, 07:20 PM


Krishtlindjet dhe shenjtëria e shpirtit shqiptar

Nga Alban Voka

Valët e krizës janë reduktuar në heshtje. I përjetojmë ndërkaq, edhe këto kremte të shenjta, pas një periudhe kur çdo gjë dukej “armiqësore” përrreth nesh, dhe papritmas vjen një madhështi nga qielli duke e prurë mbi tokë Babëgjyshin e Kërshëndellave dhe Babëdimrin e Vitit të Ri, që shqiptarët të kremtojnë dy festa njëra pas tjetrës, për t’u pajtuar, për ta vizituar njëri-tjetrin dhe për të ngrënë më mirë. Të krishterët e sakrifikojnë thiun, ndërsa myslimanët qengjin, dy krijesa të pafajshme që s’e meritojnë thikën në qafë. Garat për shitje mishi e breu nuk kanë kurrfarë lidhjesh me betejat e kombeve, as me dhomat ku rri këmbëkryq teoria e Europës, dhe as me vetëshërbimet që humbin nga tereni, vit pas viti, në krahasim me tregjet me pajisje tradicionale të vendosura në qendra qytetesh. Çmimet janë të mëdha në tregje, kurse shqiptari ka nevojë për çmime të lira dhe ushqime të pastra, si dikurë.

Kriza duhet ushqyer me sarma dhe ushqime tjera të shijshme, era e të cilave arrin deri në fund të fshatit, në kohën kur dhomat kanë erëtimë breu e mirësie. Por si mund të shpjegohet krimi ritualik i thiut te të krishterët, apo i qengjit të myslimanët, që nuk kanë kurrfarë lidhjesh me ardhmërinë e Shqipërisë. Kanë guxim prifti apo hoxha ta demantojnë lëtë mendim! Etnografët dhe folkloristët theksojnë se në lashtësi, në pisk të dimnrit ishte një gjë e rëndomtë flijimi i thinjve për nderë të hyjnive, për t’i bindur t’i lënë ditët më të gjata se sa netët. Në ndërkohë, popujt e globit e shajnë njëri-tjetrin duke ia mveshur epitetin “thi”, dhe thiu nuk ka faj, por ka faj njeriu që ia ngul thikën në qafë. Mos vallë sharjet apo therjet e këtilla (të thiut apo qengjit), kanë virtyte terapeutike?

Mëkatarët që e ngrejnë armën apo thikën kundër njëri-tjetrit apo kafshëve të pafajshme, nuk i lanjnë as ujërat e Danubit në kufi të Trako-Ilirisë, dhe as ato të Jordanit në Izrael e Palestinë. Dhe as kontot bankare në euro, dollarë apo franga zvicëriane, ndaj më kot rrahin shtigjet deri në kishë apo xhami për të shpërlarë mëkatet. Ringjallja e Jezu Krishtit, arrin ta mobilizojë për çdo vit krejt frymën njerëzore. Me rëndësi është mos ta humbim besimin te Zoti, në këto çaste të çrregullimit të botës! Shqiptari duke i mbetur besnik traditës kristiane, ka kultivuar me shekuj, si një gjë të vlefshme, qëndresën dhe besnikëronë ndaj Kishës. Krishtlindjet dhe Bajrami duhet të mbeten përsëritshmërisht çaste shenjtërie, tani e përgjithmonë, por pa sakrifikimin e do qenjeve të gjalla që nuk kanë kurrfarë faji. Ky është mendimi ynë, pa kurrfarë prapavijë e dyshim, duke apeluar në lutjet e shenjta, ku nuk ka vend as për dyshim dhe as për hije.

Krishtlindjet si një mrekulli hyjnore e njerëzimit

Shqiptarët, përveç fesë kristiane, nuk kanë asgjë të përbashkët me botën turko/arabe. Sipas Zija Jacajt, ka dëshmi gojore të transmetuara brez pas brezi (por me siguri edhe të shkruara), që kishat dhe manastiret orthodokse të sotme në  territorin e Kosovës dhe Malit të Zi, janë ngritur mbi themelet e kishave katolike shqiptare, para dhe gjatë periudhës shumëshekullore te pushtimit osman dhe  kolonializmit serb. Ishte kjo një strategji dinake e Kishës Orthodokse serbiane për të pushtuar  territore. Në këtë natë të shenjtë të Krishtlindjve nuk na ka hije të shkruajmë për maskarallëqet e Forumit Islamik të Kosovës që e keqpërdori fushatën elektorale duke ngjitur parolla antishqiptare kundër disa shqiptarëve të përsosur që braktisën islamizmin duke e përqafuar krishtërimin, por duam të themi se ndër gjuhët e Gadishullit Ballkanik, është vënë re prej kohësh se rumanishtja e shqipja kanë lidhje fort të ngushta midis tyre.

Historia e këtyre lidhjeve, sipas dijetarit të famshëm Eqerem Çabej, ka mbetur deri më sot e pasqaruar, ndërsa shpjegimi i tyre përbën një nga problemet kryesore të gjuhësisë ballkanike. Rumania nuk është Shqipëri dhe as Shqipëria nuk është Rumani, por janë mentaliteti dhe fizionomia, fjalët e përbashkëta e të përafërta, traditat dhe zakonet identike, emrat, mbiemrat dhe toponimia. Janë disa nga elementet  prezente sot e kësaj dite në gjirin e këtyre dy popujve, që të shtyjnë të krijosh përshtypjen se kur vjen fjala për rumunët dhe shqiptarët, konstaton se ke të bësh me dy popuj që kishin jetuar në një fqinjësi të ngushtë në periudhën parasllave dhe paraosmane, në periudhën trako/ilire, kur kishin huazuar fjalë prej njëri/tjetrit, në kohën e Dardanisë historike kur Shqipërinë dhe Dakorumaninë i ndante një kufi i përbashkët: lumi Morava, në njërën anë me shqiptarët autoktonë të Kosovës, ndërsa në anën tjetër me rumunët e Luginës së Timokut.

Derisa Serbisë me shqiptarët i hasi sharra në gozhdë, me rumunët e Timokut ia arriti qëllimit prefid për t’i sërbizuar masovikisht, duke mos u dhënë kurrfarë të drejtash arsimore dhe fetare, ndaj s’kanë faj rumunët e Timokut që pranë kufomës në arkivolin e të vdekurit e vënë një shtagë druri për t’u mbrojtur nga serbët edhe në botën tjetër.  Në bazë të konstatimeve faktografike, i vetmi vend në botë ku mbi njëzet milionë banorë  i urojnë njëri tjetrit Krishtlindjet shqip, është Rumania. Me një fjalë, derisa shqiptarët e popujt tjerë e përdorin sintagmën Krishtlindje, rumunët që s/e dinë asnjë fjalë shqipe, e përgëzojnë njëri/tjetrin me sintagmën identike shqipe: Cr?ciun Fericit! (Krëçun i Gëzuar), që me fjalë të tjera don të thotë “Gëzuar Krishtlindjet”! Si shpjegohet kjo? Ja se si! Derisa shqiptarët i thonë kërcurit kërcunë, rumunët i thonë buturuga. Fjala është për buzmin. Buzmi (kërcuri i Kërshëndellave), është një nga fjalët më të vjetra të gjuhës shqipe. Fjala kërcu (cung, kërçep, rrënjë e drurit nxjerrë nga dheu), të cilën e përdor edhe Budi në shkrimet e tij, nuk vjen as nga greqishtja, e as nga sllavishtja, por është një sintagmë autoktone që buron prej shqipes dhe rumanishtes.

Farefisnia me rumanishten e kësaj fjale shqipe ka konotacione morfologjike dhe fonetike. Sipas një studimi të Çabejt në gjuhën rumune (1961), fjala është për një formë të shqipes së vjetër nga e cila rrjedh rum. Craciun “Kërshëndelle”, e cila ruan po atë formë. “Kjo festë te Shqiptarët, te Rumunët, te Sllavët jugorë si dhe gjetkë ka marrë emrin nga buzmi o kërcuri që ndizet atë natë feste në vatër: shq. Nata e Buzmit, rum. Noaptea de Craciun. Me këtë bien në ujë gjitha shpjegimet e deritanishme të fjalës respektive, duke e flakur hamendjen gjoja se qenka huazim nga sllavishtja apo nga ndonjë gjuhë tjetër. Po këtë e thot edhe Çabej: “Përkundrazi, Krëçun apo “Kërshëndelle” e gjuhëve sllave buron prej shqipes nëpërmjet rumanishtes”. Ja pra një nga argumentet me të cilat mund qëndiset një studim analitik mbi Krishtlindjet rumuno/shqiptare si një mrekulli hyjnore e njerëzimit!

Dëshmi tjera historike të krishtërimit shqiptar

Sipas një dokumenti të motshëm (Thirrje Shqiptarëve të Bukureshtit), lëshuar nga Zyra e Komunitetit (Pleqësia e Shqiptarëve Orthodhoksë), datuar në Bukuresht më  “14 Vjeshtë 1911”, kuptojmë: Me rastin e ardhjes së At Fan Nolit në qytetin tonë, muarmë leje prej zëvendësit të mitropolitit (të) Ungaro-Vllahisë, Hirësisë së Tij Imzot Theodos, dhe prej ministrit të kulteve, Shquarësisë së Tij Z. C. Arion, për të meshuar shqip në Biserica Doamnei, Calea Victoriei, Palatul Nifon, një nga kishërat më qentrale të Bukureshtit. At Fan Noli do të meshojë pesë herë në qytetin tonë. E para meshë do të mbahet të Dielën që vjen, më 18 Vieshtë e I-rë (shtator), më 9.30 orë të mëngjezit. (Mbrëmësorja do të bëhet të shunë më 6 mbrëmane. Një kor, i drejtuar prej meshkujve të muzikës Z. Thanas Dimitrescu, do të këndojë hymniet liturgjike shqip. Pas Ungjillit, At F. S. Noli do të predikojë mi këto subjekte: Të Dielën që vjen, “Porosit’ e Krishtit”; të Dielë, 25 Vjeshtë I, “Prifti i lik”; të Dielën, 2 Vjeshtë II (tetor), “Man i Zaktheut”; të Dielën, 9 Vjeshtë II, “Zëri në shkretëtirë”; të Dielën, 16 Vjeshtë II, “Vdekja e të çmendurit”. E ftuam prej Amerike priftin e parë dhe themeltarin e Kishës Shqipe që të dëgjojmë dhe në Bukuresht meshë dhe predikim në gjuhën tonë kombëtare. Eni pra të gjithë, burra, gra e fëmijë, të dëgjoni! Nga shumica që do të vijë të Dielën në kishë, bota do të kuptojë sa Shqiptarë në Bukuresht duan t’i falen Zotit në gjuhë të tyre.”

Nga një dokument tjetër (Bashkatdhetar i Nderuar, fletërrufe në gjuhën rumune drejtuar edhe Nikolla Naços në adresën Calea Moshilor Nr. 388), qysh në mars të vitit 1911, Komuniteti Ortodoks Shqiptar i Bukureshtit nxjerr në pah të vërtetën se “Pas përçapjeve të Eforo-Epitropisë shqiptare, e zgjedhur nga Zotërinjtë Tuaj, Mitropolia e Rumanisë i ka akorduar këtij Komuniteti autorizimim zyrtar për të patur një lokal të vetin për lutje, në të cilin priftërinjtë shqiptarë kanë rastin të zhvillojnë tërë shërbimin e shenjtë në gjuhën shqipe. Ky favor i veçantë na është lejuar falë njerëzve të shtetit rumun dhe përmes kësaj mënyre ka ardhur koha për kombin shqiptar që të organizohet themelisht në truallin mikpritës të Rumanisë dhe të ketë vatra kombëtare autonome, absolutisht të nevojshme për afirmimin dhe përforcimin paqësor të vetëdijes kombëtare shqiptare. I bëjmë një apel, pra, atdhetarizmit Tuaj të zjarrtë për të cilin keni dhënë dëshmi në të gjitha momentet vendimtare për kauzën nacionale shqiptare, që të keni mirësinë që si Ju, poashtu edhe miqtë Tuaj, krahas atyre që i lusim të intervenojnë me këmbëngulje, të merrni pjesë në mbledhjen e madhe kombëtare që do të mbahet të Dielën, më 13 Mars të këtij viti, në Sallën Eforiei, në orën 2 pas dite, në rend të ditës duke qenë çështja urgjente për të marrë qëndrim lidhur me lokalin e parë për lutje të këtij komuniteti”.

Nga një fletërrufe tjetër (në gjuhën rumune), datuar në Bukuresht më 21 Dhjetor 1909, nga ana e Komunitetiut Ortodoks Shqiptar, kuptojmë se “U bëhet e njohur Anëtarëve të Nderuar të Komunitetit tonë, se Eforo-epitropia në mbledhjen e saj më 20 Dhjetor të këtij viti, është mbajtur nga Zotërinjtë Kristu A. Zhapa (kryetar), Erakle Duro dhe Thoma I. Çami (nënkryetarë), Nikolae M. Koçiu, Vasile Tarpo, Pandele I. Evangjeli, Tënase Kantili, Gjeorgje A. Ciko dhe Nikolae Ionesku (këshilltarë), Andrei Ion Boria (arkëtar) dhe Vasile Zografi (sekretar). Me këtë rast, pranë mijëra falënderimeve drejtuar anëtarëve të Komunitetit dhe një apeli të ngrohtë, që të kenë mirësinë për të marrë pjesë në shërbimet e shenjta të kremteve të mëdha kristiane që po afrohen, në Kishën Shën Gjergji i Vjetër (Calea Moshilor), ku të gjithë do të lartësojmë lutjet tona të bashkuara ndaj Gjithëtëfuqishmit në gjuhën tonë kombëtare.” Çka don të thotë kjo? Kjo don të thotë se dy vjet para mbajtjes së meshës së parë në gjuhën shqipe nga ana e Fan Nolit (1911), në Bukuresht është mbajtur më 1909, liturgjia e parë në gjuhën shqipe nga ana e një prifti vllah (Harallambie Ballamaçi), fakt që dëshmohet edhe përmes tre letrave të tij që ia ka dërguar Nikolla Naços në Bukuresht, në të cilat e njofton edhe për një fakt tjetër: se 5 vjet para hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë (1886), krahas nxënësve arumunë, në paralele të përzjera, Ballamaçi ua ka mësuar gjuhën shqipe edhe bashkëkombasve të tij shqiptarë (1881).



(Vota: 76 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx