E merkure, 07.05.2025, 05:30 AM (GMT+1)

Editorial

Shaban Peraj: Qeveri e re, qeveri e vjetër

E enjte, 06.12.2012, 10:05 PM


Qeveri e re, qeveri e vjetër

Nga Shaban Peraj

Parlamenti i Malit të Zi, me 44 vota, votoi pro formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 14 Tetorit 2012. Qendron fakti se kjo qeveri e formuar nuk ndryshon shumë nga ajo e kaluara në emërimin e kabinetit qeveritar, ku për kryeministër të vendit u zgjodh M. Gjukanoviq, i ri (i vjetër), me çka është e qartë se veprohet sipas parimit: unë ty, ti mua, por që gjithësesi ka vlerë për qytetarët e këtij vendi  duke pasur parasysh rrugën që ka ndjekur, politikat dhe insitucionet vendore që ka ndërtuar me shpalljen e pavarësisë së Mali të Zi, në vitin 2006.

Ajo që ka rëndësi për ne shqiptarët në Mal të Zi qendron fakti se në këtë qeveri të re (të vjetër) nuk u bë pjesë e kabinetit qeveritar asnjë politikan shqiptar, pavarësisht se dikush don të lavdërohet se mori kaq e aq vende të rangut të dytë qeveritar, e krahu tjetër fajson të parin për dështim në marrjen e ndonjë posti ministror, çka dëshmon për të satën herë se shqiptarët në Mal të Zi po dështojnë në maratonën për të zënë vende kyçe në qeveri, ndaj edhe refuzohen me aq joshësi duke shkaktuar pakënaqësi te ata që i votuan. Si rezultat i moskuptimit e mosbashkëpunimit midis dy koalicioneve shqiptare-Forca për bashkim dhe Jemi bashkë,  që përfaqësojnë shqiptarët e Malit të Zi në parlamentin e ri malazias ndodhi ajo që është pritur, ata do jenë dekor i qeverisë së re dhe asgjë më shumë. Kështu, duket se këto dy koalicione kanë vendosur të mos i japin popullit llogaridhënie për atë çfarë premtuan para zgjedhjeve, ndaj vazhdojnë ta fusin ate në dyshim e zemërim për atë se në ç’pozitë ndodhen sot shqiptarët në Mal të Zi. Për të evituar të këqijat që po kalon populli, krerët shqiptarë po përpiqen njëherë të rehatojnë vetën e pastaj kush pyet për jetesën e masës, kushtet, zhvillimin ekonomik, kulturor e arsimor të tyre. Disa nga këta duket se më tepër po bëjnë demagogji sesa politikë për faktin se mënyra e veprimit të tyre aktualisht është joshëse për masën.

Të shtrohet sot çështja se kush janë shkaqet e arsyet pse nuk u përfshinë shqiptarët në qeverinë e re me ndonjë post ministror është paksa e vonuar, pasi dihet se kërkesat e tyre në bisedime për formimin e kabinetit të ri qeveritar nuk kanë qenë të kushtëzuara e të afatzuara për të arritur diçka më shumë. Shikuar nga ky aspekt duket se çështja e mospërfshirjes së përfaqësuesve të dy koalicioneve shqiptare në kabinetin qeveritar duket si një prej problemeve që kanë shqiptarët, por janë të pafund edhe problemet tjera dhe shqetësuese që u bëhen qytetarëve sidomos në trojet etinke shqiptare, pavarësisht se disa nga politikanët që i prijnë popullit dëgjohen herë pas here fraza e deklarata boshe sa për të thënë diçka dhe e gjithë kjo mbetet në sirtarët e tyre. Kjo prekë ndjeshëm interesin qytetar për sa kohë partitë politike shqiptare në Mal të Zi nuk bashkëpunojnë e bashkëveprojnë me njëra tjetrën. Qytetarët kanë nevojë të trajtohen me përkujdesje nga ato që u prijnë, kanë nevojë të shohin një bashkëpunim të ngushtë me njëri tjetrin, ndaj rritja e kërkesave të qytetarëve për përmirësimin e punës së qeverisë së re është diçka e arsyeshme. Optimizmi dhe shqetësimi i qytetarëve në këtë drejtim bashkëjetojnë, por që  politika e bërë nga prijësit e tyre është më tepër sipas vendimeve personale që politikanët tanë arrijnë t’i projektojnë pa menduar fare për pasojat kolektive, të shpërndarë e të përçarë kështu siç janë vështirë të besohet se diçka e re ka për të ndodhur në të mirë të shqiptarëve në Mal të Zi.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx