E shtune, 27.04.2024, 05:11 PM (GMT+1)

Editorial

Marjan Sebaj – Sopi: Njeriu i është njeriut ujk, por dashuri edhe ndaj armiqëve!

E merkure, 14.11.2012, 07:00 PM


Jo:“Homo homini lupus!“ – Njeriu i është njeriut ujk, por dashuri edhe ndaj armiqëve!

Nga Marjan Sebaj – Sopi

Vendosmërisht jemi të ftuar që ta gjykojmë vetëm vet-vetën, kurse të tjerët ti peshojmë me masë të dashurisë… Falni e do të gjeni falje!

’’Mos lejo të të mundë e keqja, por ngadhënje mbi të keqen me vepra të mira!’’  (Rom 12, 19-21)

Falja dhe dashuria, është rrugë e vetme e cila bartë në veti rastin për krijimin e botës së re, një botë pa armiqësi, një botë pa hakmarrje, një botë plotë mirëkuptim e dashuri.

Njeriu i robëruar me mëkat, shpeshherë është armik ndaj tjetrit. Kjo dukuri është e lashtë sa edhe vet raca njerëzore, kështuqë duke lexuar këtë histori tonë shpesh kemi përshtypjen se lexojmë pikërisht historinë e armiqësisë njerëzore, e cila më pas rezulton me luftë për prestigj, intriga të ndryshme, pshtjellime, konflikte, luftëra. Disi sikur vërtetohet thënia e filozofit Hobbes:“Homo homini lupus!“ – Njeriu i është njeriut ujk!

Nga në njeriun dëshira që t’i jetë armik njeriut tjetër, në vend që t’i jetë i afërt, që t’i jetë vëlla?! Shën Pali apostul thot se kjo është për shkak se në njeriun qëndron mëkati (krhs. Rom 7, 17), sa më i tjetërsuar që është njeriu shkaku i mëkatit, aq më tepër në te mbretëron egoizmi dhe krenaria, kurse këto janë rrënjët e të gjitha armiqësive. Njeriu në atë masë e vë vetjen e tij në rend të parë saqë në tjetrin më nuk njeh mundësinë e miqësisë, saqë në njeriun tjetër më nuk sheh e njeh vëllaun dhe të afërmin. Shpeshherë zemra e njeriut është e mbushur me urrejtje, të keqe deri në atë masë, kështuqë vendos që edhe tjetër kujt t’i bëjë keq.

Armiqësia e drejtuar kah unë, edhe në mua fillon (sepse poashtu jam nën mëkat) të shkaktoj armiqësi, dëshirën për hakmarrje, kështu që më pas edhe vet filloj të bëjë të këqija. Në këtë mënyrë krijohet rrethi i verbërët i të keqës sepse një e keqe vie pas tjetrës, e kjo e dyta prapë nxitë t’ia kthej të keqën me të keqe dhe kështu në pafundësi; armiqësia gjithë e më tepër përhapët dhe thellohet, ndërsa njeriu përmes saj gjithnjë e më pak bëhet e mbetët njeri.

Humanizëm mbi të gjithë humanizmat

Kur të lexojmë Shkrimin Shenjt – Biblën, atëherë shohim se Jezu Krishti dëshiron njeriun ta shëroj edhe nga armiqësia! Humanizmin të cilin e shpalli ai dallohet nga humanizmat tjerë bile edhe nga ata më të lartësuar, pikërisht për atë se humanizmi i Jezusit nuk njeh armiq, nuk përjashton njeriun. Ai ftoi dhe shpalli dashurinë dhe falje për të gjithë pa dallime. Të gjithë njerëzit duhet pranuar, të gjithë t’i falim, me të gjithë të jemi të lidhur përmes dashurisë. Edhe me armiq?! Po, pikërisht edhe me armiq! Dhe ndoshta pikërisht dashuria ndaj armiqëve është pika „më kritike“ dhe tundimi më i madh i jetës sonë, i krishtërimit tonë konkret të përditëshëm. Në parim të gjithë pajtohemi, mirëpo dashuria ndaj armiqëve nuk është vetëm kërkesë parimore porse kërkohet akti konkret. Kështuqë, Jezusi inziston në dashurinë e sinçertë efektive!

Mirëpo, në rend të parë nuk duhet harruar se të gjithë kundërshtarët tanë nuk do të thot se janë edhe armiqë tanë. Këtu duhet të dallojmë kundërshtarët dhe armiqët. Për kundërshtarë në rend të parë mendojmë në ata të cilët mendojnë dhe punojnë (veprojnë) ndryshe nga unë, pamvarësisht lëmive apo fushave siç janë ato shoqërore, politike, sociale, fetare etj, apo në jetën e tij, atë private. Shpeshherë jemi në tundim që të gjithë ata njerëz të cilët nuk pajtohen me ne, menjëherë t’i shpallim edhe armiq tanë. Është me rëndësi të veçant që të dallojmë kjartë dhe të mos lejojmë askurrë që kundërshtia të kaloj në armiqësi, sepse kjo do të thoshte të jesh aq shumë i dashuruar në qëndrimin tënd, të jesh aq i vetbesueshëm saqë automatikisht dhe thjesht e përjashton tjetrin.

Kundërshtarët, dhe nevoja për dialog-komunikim

Nëse Krishti kërkon dashurinë e sinçertë, efektive, ndaj armiqëve, atëherë sa më tepër vlen kjo ndaj kundërshtarëve! Kjo dashuri në rend të parë shfaqët në dëshirën dhe nevojën për dialog. Dhe pikërisht kjo duhet të jetë edhe mënyra themelore e sjelljës ndaj kundërshtarëve, dhe kjo njëkohësisht është edhe rruga e vetme dhe thelbore e afërsisë. Mirëpo, nuk guxojmë asesi të harrojmë se parakusht i çdo dialogu është besimi. Kjo mund të realizohet vetëm përmes dashurisë, sinçeritetit, duke respektuar maksimalisht të tjetrin, bindjen, lirinë dhe ndërgjegjen e tij.

Vetëm dialogu i sinçertë i rrethuar me njerëzinë e vërtetë ka gjasë të sjellë fryt, të ofroj njerëzit. Në dialog duhet të kemi kujdes që për shkak të dëshirës njerëzore apo ndonjë marrëveshjeje të pashme apo siç themi sa për sy e faqe, të mos tërhiqemi, të mos devijojmë, nga e vërteta dhe e mira, sepse atëherë në këtë rast ky dialog do të ishte dialog i rrejshëm dhe nuk do të mund të sillte, jepte, fryte të vërteta. Funksioni parimor i dialogut është që të mundësoj shkëmbimin e mendimeve, njohjën më të mirë të qëndrimeve, synimeve dhe pikpamjeve, që të na liroj nga paragjykimet apriore me të cilat jemi të mbushur përplot kur bie fjala për kundërshtarët.

Shpeshherë as nuk e njohim mirë njëri-tjetrin dhe pikëpamjet e qëndrimet të cilat i përfaqësojmë! Shpeshherë në dialogun e vërtetë dhe të sinçertë vie deri tek habia (çudia) e vërtetë, se si këto nuk i kemi patur të njohura më parë, se qysh nuk i kemi ditur këto, se si kemi menduar aq thjesht njëri ndaj tjetrit, thjesht njëri-tjetrin e kemi etiketuar me gjykime sipërfaqësore. Një nga dobitë e mëdha të dialogut është njohja apo zbulimi se nga tjetëri na ndajnë më pak gjëra saqë kemi menduar më parë, sepse në shumë raste fjala është vetëm në të kuptuarit ndryshe të koncepteve, formulimeve, gjuhës… Poashtu, në takim me kundërshtarin gjithmonë duhet të dallojmë shkandullin nga shkandallëuesi, ideologjinë nga ai i cili përfaqëson atë. Sepse, çdo njeri gjithmonë mbanë në veti dinjitetin e tij, po edhe atëherë kur është i ngarkuar me shkandull, fajësinë, ideologjinë tjetër, me mosnjohuri të mjaftueshme e të saktë të të kuptuarit e religjionit etj. Për dialogun e parë është e nevojshme edhe përvujtëria personale dhe gadishmëria për t’iu shmangur qëndrimeve përsonale nëse e shohim se ato nuk janë në rregull. Këtu gjithmonë vlen ajo thënia e Sokratit: „ Amicus Plato, sed magis amica veritas!“ (E dua Platonin, mirëpo më tepër e dua të vërtetën!). Sepse, njeriu i cili mendon se nuk duhet asgjë të rregullohet, të ndreqët, të përmirësohet, e që i dinë të gjithat dhe gjithçka, apo që mendon se në gjithçka ka të drejt, ai njeri nuk është i aftë për dialog.

Përveq kësaj duhet përgjithmonë ta kemi parasysh se gjykatësi i vetëm dhe i drejt i zemrës së njeriut është Zotit, dhe se kur është fjala për mbrendinë e njeriut (shpirtin e tij) aty askush nuk është kompetent të gjykoj përveq Zotit. Kjo në veçanti vlenë kur është fjala për kundërshtarët tanë në jetën e përditshme ku shembull nuk pajtohemi me bindjet apo sjellet e tyre. Për këtë Jezusi nuk dëshiron që nxënësit e tij të gjykojnë askënd. Ja fjalët e tij: “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni! Sepse me çfarë gjykimi të gjykoni, me atë do të gjykoheni! E me atë masë që matni, me atë edhe juve do t’ju matet. Pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd, kurse nuk e sheh traun në syrin tënd? Dhe, si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Prit të ta nxjerr lëmishten nga syri yt’, ndërsa ke traun në syrin tënd? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tend!” (Mt 7, 1-5)

Siç shohim nga kjo, vendosmërisht jemi të ftuar që ta gjykojmë vetëm vet-vetën, kurse të tjerët ti peshojmë me masë të dashurisë, gjithmonë duke qenë të vetdijshëm se ndoshta nuk jemi duke parë traun në syrin tonë. Nëse veprojmë sipas fjalëve të Mësuesit tonë, atëherë mesiguri do të jemi më të sinçertë ndaj njëri-tjetrit, do të ket më tepër dashuri në mes nesh, kurse më tepër raste që të njihemi mes veti, ta njohim dhe pranojmë njëri-tjetrin si vëlla e motër tonë.

Armiqët, dhe dashuria ndaj tyre

Në dallim nga kundërshtari, të cilët kundrej nesh kanë mendime e veprime të ndryshme, Armiqë janë ata të cilët të tjerëve iu dëshirojnë dhe bëjnë keq, të zeza. Në këso raste njeriu në vetvete bartë dëshirën për hakmarrje, që edhe ai të jetë i ngjajshëm, të kthej me masë të njejt. Mirëpo, Jezusi nga nxënësit e tij, nga ne, kërkon që të ndërpritet në vete ai zingjir i të keqës, kështuqë jo vetëm të mos e kthejmë të keqën me të keqe, por mbi të gjitha ta kthejmë me të mirë, me vepra të mira. Kjo është dashuria ndaj armiqëve, të cilën e kërkon Jezusi, dashuria e sinçertë, efektive. Të dëgjojmë Jezusin:

“Por po ju them juve që më dëgjoni:

Duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, bekojini ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë’. Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! Secilit që lyp prej teje, jepi, e atij që merr gjënë tënde, mos i kërko ta kthejë! Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre! Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. Edhe nëse, [pra] u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. E në qoftë se u huazoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t’ju kthejnë, ç’shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huazojnë mëkatarëve, por që t’u kthehet aq sa dhanë. Por ju duajini armiqtë tuaj, bëni mirë e huazoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve.”

“Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.” (Lk 6, 27-36)

Pra, nuk ka dyshim! Jezusi dëshiron dhe kërkon nga nxënësit e tij, nga të gjithë ne cilët dëshirojmë ta ndjekin që armiqtë e tanë t’i pranojnë me dashuri të sinçertë. Në këtë mënyrë ata trashëgojnë Atin e tyre, i cili i don dhe shpërblen me dhuratat e tij të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit janë të tij dhe nuk dëshiron ta humbë asnjë njeri! Këtu është interesant fakti se Jezusi në asnjë gjë tjetër nuk dëshiron e nuk kërkon nga nxënësit e tij të janë të përsosur si Ati qiellor, por këtë e dëshiron vetëm këtu kur është në pyetje dashuria ndaj armiqëve (Krhs. Mt 5, 48).

Dëshirojmë të ndalemi pakës në këto fjali të Jezusit e ti meditojmë dhe analizojmë me kujdes, fjali të cilat shpeshherë na dukën tejet të vështira, të rënda. Pra, t’ia kthej edhe faqën tjetër atij që më rrah në një faqe?! Mirëpo, mos të harrojmë se Jezusi shkon me këtë logjikë: unë nuk mund të ndaloj të keqën në tjetër kënd, por këtë mund ta bëj në vetvetën! Nuk mund të ndaloj që të mos më rrah ndokush, mirëpo mund të ndaloj vetën time që mos t’ia kthej njësoj. Dhe çka ndodh pastaj? Asgjë më tepër se ndërpritet zingjiri i të keqës! Paraqitët një botë, jetë e re! Sepse, deri sa të zgjas rregulli (zakoni): sy për sy, dhëmbë për dhëmbë, fishek për fishek (plumb për plumb), bombë për bombë, lëndim për lëndim…, bota nuk do të shkoj (ecë) përpara!

Aq sa urrejtjen e kthejmë me urrejtje, kjo botë nuk mund të jetë më e mirë. Hapi i parë dhe i vërtet për të shkuar e ecë përpara shfaqët vetëm kur të ndërpritet zingjiri i ferrit të së keqës dhe kur të kemi njerëz të cilët deri në atë masë do t’i besojnë Jezusit sa që të keqën do e kthejnë me të mirë kurse urrejtjen me dashuri! Pikërisht me këtë të vërtetë Jezusi edhe hyri në realitetin e ri të shëlbimit, kështuqë, kur e kryqëzuan, ai nuk i urrejti, por aq më tepër i deshti dhe fail, luti për ata të cilët vepruan kështu dhe i arsyetoi tek Ati qiellor!

Ndal (Stop) hakmarrjes

Në dashurinë ndaj armiqëve bënë pjesë edhe shmangja e fardo hakmarrjeje, këtë në mënyrë të vaçant e kërkon Jezusi nga nxënësit e tij:”… Falni e do të gjeni falje! (Mt 5, 38). Hakmarrja mbështetë zingjirin e të së keqës, dhe është më mirë që njeriu të jap edhe veshjën e të mbathurat e tij, më mirë është të shkoi edhe disa kilometra më tepër nëse e dëtyron ndokush, sesa të hakmirret. Sepse, është humbje e madhe ajo që shkaktohet me hakmarrje. Humbja më e madhe është të pësoi, të humbët e shkatërrohet jeta e njeriut. Në këtë apostulli i trojeve tona shën Pali, na jep një këshillë të mrekullueshëm kur shkruan; Mos u hakmerrni, o të dashur, po lini vend të veprojë hidhërimi i Hyjit, sepse është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mua më përket hakmarrja, unë do të hakmerrem, ’ thotë Zoti. Ti përkundrazi: ‘Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi të pijë! Po bëre kështu, gaca të ndezura do të grumbullosh mbi kokën e tij!’ Mos lejo të të mundë e keqja, por ngadhënje mbi të keqen me vepra të mira! (Rom 12, 19-21)

Vërtet asgjë nuk mund ta ndërrojë njeriun sa dashuria e sinqertë. Vetëm dashuria është në gjendje që armikun ta shndërrojë në mik. Kjo vërtetë është rrugë në shtigje të gjata, mirëpo edhe rruga e vetme e cila bartë në veti rastin për krijimin e botës së re, një botë pa armiqësi, një botë pa hakmarrje, një botë plotë mirëkuptim e dashuri. Çdo i krishterë, çdo njeri, është i ftuar të mos jetë humbës, pësimtarë, para të keqës, por që ai të ngadhnjejë ndaj të keqes, ta mposhtë të keqen me vepra të mira dashurie.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora