Editorial
Veneta Çallpani: Kush e ka radhën nesër?!
E diele, 28.10.2012, 10:23 AM
Nga Veneta Çallpani – shkrimtare
Kam frikë
të ndez televizorin, madje edhe kur ndërroj stacionet më dridhet dora kur
kalojnë kanalet e lajmeve. Nga çasti në çast pres të dëgjoj ndonjë lajm tjetër
për vrasjen e ndonjë gruaje, vajze apo foshnje... Shpeshherë e lumtur kam
menduar me vete "Sa mirë që kam lindur dhe po jetoj këtë kohë, po jetoj në
Demokraci. Tani që gruaja nuk është më e dhunuar, nuk është më e detyruar të
qëndrojë vetëm në shtëpi e të jetë thjesht një shërbëtore e burrit dhe
familjes" Do doja të vazhdoja përsëri të mendoja kështu, të ëndërroja, të
zgjohesha e lumtur, e lirë dhe e kënaqur me ditët e bukura që mund të më
presin. Por fatkeqësisht diçka u pre në mes dhe nënvetëdija ime është zgjuar
rrëmbyeshëm e trembur nga nje uragan që e ndien shumë afër...Papritur ato dëshira
u ndeshën me realitetin.
Të gjithë
thonë se duhet të përballemi me Realitetin, të jetojmë me të. Edhe unë kështu
mendoja derisa tani realiteti po më bllokon çdo mendim, po më bën të ndihem e
pafuqishme. Çfarë po ndodh?! Vërtetë kohë më parë burrat i mbanin gratë të
mbyllura në shtëpi, të nënshtruara, nuk i linin të ngrinin zërin për asgjë, por
sot…Realiteti po ua shuan zërin përgjithmonë. Çuditërisht të gjitha ato femra
që duan të jetojnë, të krijonë familje, po vriten pa mëshirë.
Sa gra e
vajza u vranë? Kush e kishte fajin? Realiteti, koha, burrat.. Apo të gjithë ne?
Kush fshihet pas gjithë këtyre ngjarjeve? Vallë a do të mund të prehet në paqe
shpirti i Ajshes, Kozetës e shumë të tjerave që padrejtësisht iu ndërprenë
ëndrrat në mes? A do të mund ti mbajë varri ato trupa të pajetë shpirti i
cilave përpëlitet i lodhur për të thënë atë që iu mohua? Kush po mendon për to?
Nuk mjaftojnë lotët e nënave të cilat të pafuqishme vajtojnë fatin e fëmijëve, por
edhe vet fatin e tyre. Ata lotë nuk shprehin vetëm dhimbjen e humbjes së
vajzave, por shprehin dhimbjen e pafuqisë për t’iu kundërvënë këtij realiteti e
për të vënë drejtësi. Por kujt duhet ti drejtohen? Ku duhet të kërkojnë
drejtësi? Kush është fajtori, kush i vrau?!...Heshtje…Deri kur?... Ndoshta
derisa numri i këtyre ngjarjeve të rritet dhe të bëhet pjesë e jona, pjesë e
realitetit që duhet të mësohemi me të e ta pranojmë kështu siç është. Jo, Jo!
Mjaft më me këto fjalë “Ky është realiteti duhet ta pranojmë”. Realitetin e
krijojmë ne, njerëzit, Mos u pajtoni me diçka që nesër mund t’ju ndodhë edhe
ju. Çdo njeri ka të drejtën e tij për të jetuar… Edhe nje femër!
Më
dridhet zemra kur mendoj se kush mund ta ketë radhën nesër?!