Editorial
Safet Hyseni: Si na vlerësoi i madhi lordi Bajron?!!
E premte, 19.10.2012, 07:29 PM
Si na vlerësoi i madhi lordi Bajron?!!
Populli është një gurrë e pashtershme, aty zgjidhen shumë probleme bile, aty ka mësues dhe këshilltar. Vuajtjet e kanë bërë që nga përvoja të marr mësime që do t’i shërbenin edhe profesorit, mësuesit e politikanit
Nga Safet Hyseni
Kohët
e fundit jam ndodhur shpesh në mes të
njerëzve të shtresave të ndryshme. Aty ku bisedohej pa protokoll dhe pa
hierarki, por, ku çmohet pesha e fjalës, mendimit, këshillës,... Dhe gjithherë
një shqetësim që po bartet nga anëtarë e simpatizant të subjekteve tona
politike të cilët e hedhin topin atje ku mendojnë, apo atje ku edhe janë të
detyruar apo të udhëzuar. Me këtë rast në mungesë të argumenteve ato shprehin
nervozizëm të theksuar ndaj njërit apo subjektit tjetër. Në këto ndeja e biseda
pleqtë me pak fjalë duke përdorur urtësinë popullore që disa
popuj i thonë fjalë filozofike kanë përgjigje që do t’ua kishin lakmi jo vetëm
të zgjedhurit tanë por edhe dijetarët. Këto mendime do duhej që të zbërthehen pasi që qëllimin e thonë në
mënyrë të tërthortë, por pak kush ua var veshin. Por sa janë prezent dhe sa i
dëgjojnë të zgjedhurit tanë këto mendime, dikush ndoshta do thotë se s’ka
rëndësi, dhe kjo s’ka rëndësi e ka përgjigjen tek fjala e urtë që e tha njëri
nga të pranishmit “mësoje të madhin se i vogëli edukohet vetë”.
Opinioni
shqiptarë në ndarë në aq pjesë sa dhe shqiptarët është ndeshur me shumë
paqartësi nga diskursi politikë i subjekteve shqiptare në “100 vjetorin e
mëvetësisë së Shqipërisë”. Në të gjithë hapësirën shqiptare më shumë flitet për
subjekte e zgjedhje se sa për një jubile kaq të madh, për një datë dhe ditë
historike. Në vend të bashkimit këto subjekte si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni
me fjalorin e tyre që janë duke përdorur qojnë në armiqësim dhe mos durim. Nga
veprimet e tilla të subjektit tonë politik shqiptari si duket e ka humbur edhe
atë pak shpresë se do vije dita e bashkimit, duke parë sjelljet dhe veprimet e
fundit të të zgjedhurve të vetë karshi taborit tjetër (fqinjëve që 100 vjet më
parë zgjeruan shtetet e tyre në dëm të shqiptarëve), bile ndihesh edhe i
turpëruar me atë që dëgjon e sheh (në Maqedoni bëhet teatër me ligjet për
branitellat, në Kosovë diç tjetër por që nuk ka lidhje me shqiptarizëm në
Shqipëri me greva e nënkëmbëza). Në Maqedoni derisa ata sjellin Ligje për
branitellat pala shqiptare pret që dikush nga përfaqësuesit shqiptarë të
“pjesës së popullit” të flas për një Ligj për të dënuarit, të dëmtuarit dhe të
persekutuarit nga ish sistemi komunist.
Ngjarja
është e vërtetë dhe bisedat e polemikat ndodhën në një odë shqiptare në një
fshat të IRJM-së ku tani më janë nxehur gjakrat se cili subjekt do dal fitues
në zgjedhjet lokale të pranverës. Një plak që rrinte në krye të odës, edhe pse
nuk i jepej fjala se ata anëtarët partiak e vlerësonin veten më të përgatitur,
ai (plaku) herë pas here lëshonte nga një mendim, anekdotë apo fjalë të urtë,
por palët e subjekteve as që ia vendonin veshin. Por ai plaku i urtë në një
bisedë kur gjakrat ishin nxehur në mes të dy taborëve të anëtarëve të
subjekteve tona në temën tashmë të nxehtë,
se cila nga partitë është më e ndershme, citojë vetëm dy vargje të një
kënge të moçme popullore. Kjo këngë i
këndohej Sulltanit kur ne për atdhe kishim Perandorin osmane dhe thoshim “si të
jesh turk”, dhe jo Jugosllavinë apo IRMJ-në. Kur është fjala tek okupatorët,
vërtetë është nderë të të sundojë një perandori e sa për sot është vështirë ta
zbërthejnë edhe shkencëtarë e rangut botëror se akademikët janë të lidhur diku
për kapistre. Dhe plaku me gjuhën brisk
që pak më parë tha “Edukoje të
madhin se i vogëli mësohet vetë” vazhdojë:
“Në
Stamboll na u bë nami
Për
dy gisht vend u shit vatani”.
Është
kjo një këngë që i kushtohet Sulltanit (kuptohet nga arnautët-shqiptarët) i
cili ra nën shalët (vithet) e Katerinës
(“caricës ruse”) dhe lëshoi carin (Petrin) e zënë rob me gjithë ushtri në luftën e Krimesë, por që plaku e
aktualizoj si përgjigje për moralin aktual politik. Por sulltani shiste toka të huaja, e të tanët
në “100 vjetorin e mëvetësisë” provojnë kush sa më besnikërisht t’i shërbej
IRMJ-së që është formuar në gjysmën e tokave shqiptare para 22 vitesh. Ata që
ishin në kulmin e zemërimit me njëri tjetrin sikur u qeshi fytyra nga fjalët e
plakut por u krijua përshtypja se asgjë nuk kuptuan. Kur këtë e vërejti plaku
lëshojë një qyfyre tjetër “Çdo gjë thyhet për shkak të hollësisë, por njeriu
për shkak të trashësisë”. Ata që ishin zhytë në dialog as kjo thënie nuk iu
bëri përshtypje edhe pse ishte hedhur enkas për ta, dhe për ato që u japin
detyra, por si duket as vargjet e këngës e as mendimin e fundit nuk ditën që
t’i zbërthejnë dhe as për cilët bëhet fjalë. Biseda hidhej me nervozizëm herë
nga njëra e herë nga ana tjetër e plaku i qetë thithte duhanin dhe i dëgjonte.
Ku me ditë se çka bluante por në një moment tha se “ata nuk e njohin veten”,
si duket e kishte për partiakët tanë. Dhe mua më shkoj ndërmend një mendim i të
madhit Gëte kur thotë: “Ç’duhet bërë për ta njohur veten? Ta sodisim?
Përkundrazi lypset të veprojmë. Përpiqu të kryesh detyrën tënde e do të kuptosh
se cili je!”
Kur
më ra ndërmend ky mendim shikimin nuk e ndaja nga plaku i cili dëgjonte me
vëmendje bisedën e të pranishmëve me shikimin e
hedhur për tokë. Deri sa të rinjtë lëvdoheshin e akuzonin njërin apo
tjetrin subjekt për trimëri e tradhti, ai fjalëpaku plak, pasi e ngriti pak
kryet dhe i shikojë të rinjtë, ndezi sërish një duhan e tha: “Ai që pi ujë
nga grushti i tjetrit nuk ngopet kurrë”. Biseda vazhdonte por fjalës së
plakut pak kush i kushtoj rëndësi. Derisa të tjerët gjuheshin me fjalë që nuk
kishin ndonjë rëndësi unë mendoja me keqardhje se; çdo njeri ka nevojë që të
braktis veset e këqija që vinë si pasojë e botës materiale dhe egoiste. Për të
ndaluar epshet e ndryshme dhe dëshirat e parealizuar në saje të mundësive të
pakta njeriu duhet të njoh veten. Njeriu duhet që sa më shumë të lexojë të
pasurohet me një guxim duke krijuar një besim të shëndoshë në vete dhe të
ndikojë të krijoj mes të shëndosh dhe të çliruar nga bota e veseve. Por çdo gjë
si duket është pasojë e shkaqeve që vinë nga lartë. Se në çfarë halli i kanë
hedhur klanet e interesit vërehej nga
biseda që zhvillohej me tone të
nxehta “se kush cilin ka mik”, sa që disa u akuzuan si pro komunistë e
ca u lavdëruan si pro perëndimor, por që
rrugën e kishin humbur në oborr dhe kërkonin shpëtim nga aleatët e tyre të
taborit tjetër.
Plaku
duke dashur që t’ua heqë vërejtjen për të mos vazhduar me ato tone u kollit dhe
me zë pak më të trash (lart) tha; “Fëmija që rritet pa libra, është si pema
që rritet pa ujë”, dhe pasi i shikoj pak të dy palët mos po janë ofenduar
shtojë: “ Mos e kujto mik, atë që është me Ty në kohë të mirë. Mik është ai
që mban dorën në kohë të keqe” duke shtuar se “njeriu më i pafat është
ai i cili nuk kërkon miq. Por ka edhe më keq se ai... Është ai i cili nuk di
t’i mbaj miqtë e tij”. Ky mendim i plakut disi e ndali dialogun e nxehtë
ngase ai u kishte dhënë një shuplak të dy palëve. Kjo u vërejt me heshtjen që
ra. E mua mu kujtua fjala e plakut që nuk deshi të ofendojë asnjë nga të
pranishmit por e tha me qëllim të mirë “Fëmija që rritet pa libra është si
pema që rritet pa ujë”.
As
unë tani nuk dija se ku e ka pasur plaku
te të zgjedhurit-të emëruarit apo te pasardhësit e tyre që ishin nxehur
në dialog. Nëse e ka te të zgjedhurit-të emëruarit mendova se kalon shpejt (se
ata ndërrohen), por nëse e ka te pasardhësit vaj halli për ne. Plogështia,
inferioriteti është faktor i rrezikshëm dhe ai e kishte vërejt atë te bashkëbiseduesit. Ajo e largon njeriun nga të
lexuarit, e nëse nuk lexon...... Për shkak të plogështisë njerëzit bëjnë çdo
gjë ashtu siç e kanë parë të bëhet çdo ditë, dhe këto njerëz shikojnë vetëm
mundësin e plotësimit të çdo dëshire. Çdo fjali që thoshte plaku kishte mendim të thellë. Por e gjithë
ajo sillej rreth edukimit, mikut dhe moralit. E edukimi është ushqim i përditshëm,
ashtu siç është buka dhe uji.
Por
të rinjtë (anëtarët e subjekteve) e kishin
të gabuar gjykimin kur kërkonin miq në anën e atyre që më me dëshirë i
mashtrojnë për t’i nënshtruar, apo ishin lajthitur dhe koalicionet e interesave
i paraqisnin si miq të njëri-tjetrit, dhe kjo është tepër se e vërtetë
përderisa të gjitha marrëzitë të zgjedhurit, të emëruarit tanë i nxjerrin me
vese e rrapëllima. Por plaku duke i dëgjuar
me kujdes edhe njëherë foli sa për t’ua kthjell mendjen “E vërteta është si
fara nën dhe. Nuk pëson gjë nga pritja. Kur vjen dita, ajo nxjerr kokën dhe
tregon veten! Duke vazhduar....Të thuash për çdo gjë “e drejtë” është
budallallëk, të thuash për çdo gjë “e gabuar” është padrejtësi.” Plaku
deshi të tregojë se subjektet tona politike deri tani na kanë mbajt
ligjërata patriotike por ja që e treguan
vlerën e vetë dhe se sa janë të gatshëm për popull dhe çka janë në gjendje të
bëjnë dhe sakrifikojnë për kolltukun e
ëndërruar.
Parlamenti (që shpërblen vetëm qytetarin sllavo-maqedonas) dhe ngjarjet tjera që po ndodhin në mes subjekteve shqiptare si dhe mendimet e plakut dhe dialogu i të rinjve sikur i japin të drejtë Bajronit kur vizitojë viset shqiptare dhe ishte mysafir edhe në Sarajet e Ali Pashë Tepelenës. Kur Lordi Bajron mbërriti në Londër u pritë nga Klubi i shkrimtarëve dhe intelektualëve anglez. Kur e pyetën për vetitë e popullit shqiptarë Bajroni tha: “janë mikpritës, me karakter të fortë, kanë besë dhe fjalë”, por kur e pyetën se a kanë shtet të tyre Bajroni u përgjigj; “jo, ato luftojnë për ushtri të huaja”, por kur nuk ka luftëra?!! I madhi Bajron tha se; “vriten në mes veti”. Si duket Bajroni është i pavdekshëm në vlerësimin e tij, por çudit fakti se sa jemi ne në gjendje të shfrytëzojmë filozofinë e popullit tonë kur gërditkemi nga librat, nga trashëgimia, kultura dhe historia jonë (te tjerët mundohen të na e zhbëjnë, vjedhin, uzurpojnë). Populli është një gurrë e pashtershme, aty zgjidhen shumë probleme bile aty ka mësues dhe këshilltar. Vuajtjet e kanë bërë që nga përvoja të marr mësime që do t’i shërbenin edhe profesorit, mësuesit e politikanit për çdo situatë e vend.