Editorial » Entela
Entela Binjaku: A jemi më pranë frymës evropiane?
E merkure, 19.09.2012, 07:05 PM
A jemi më pranë frymës evropiane?
Nga Entela Binjaku
Çdo herë që
bie në kontakt me diskutime që kanë në qendër marrjen apo jo të statusit
kandidat, e pyes veten sa pranë Evropës jemi ne si shoqëri shqiptare me kulturën
tonë të të menduarit dhe të vepruarit.
Për aq
kohë sa nuk anashkalon kontekstet e ndryshme të tipit antropologjik,
psikologjik, historik, ekonomik dhe politik të një shoqërie, sociologjia mund të
përkufizohet lirisht edhe si një disiplinë sintezash. Parë në këtë këndvështrim,
ajo jep një ndihmesë shumë të madhe përballë pikëpyetjeve që ngremë lidhur me mënyrën
sesi jemi ndërtuar ne si shqiptarë dhe si shoqëri.
Sigurisht
pikëpyetje të tilla nuk mund të gjejnë përgjigje në këtë “shkrim të lirë” të cilin
më së shumti e kam ndeshur të përdoret si teknikë e të çliruarit të mendjes.
Një sërë figurash
të mendimit sociologjik shqiptar janë njëherazi edhe kontribues të rëndësishëm
në fusha të ndryshme të kulturës sonë si historia, antropologjia, sociologjia
duke na mrekulluar me analizën reale dhe njohjen e thellë të shoqërisë shqiptare.
Çdo herë që i lexon këto mendje të çmuara, nuk mund të mos pranosh padyshim
aktualitetin e mendimit.
“Buja është
mjeshtria jonë” kështu pohonte Branko Merxhani më 1936 (“
Dekada më
vonë, në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit që kemi ndërtuar ne si
shqiptarë, përcaktime të tilla, ende janë me vend dhe ndihmojnë për të kuptuar
më mirë situatën në të cilën ndodhemi.
Në përvojën
tonë si qënie shoqërore, ne si njerëz jetojmë vazhdimisht “në botë” të ndryshme.
Kjo ndërthurje
duhet të na vijë në ndihmë sa herë kërkojmë të kuptojmë realitetin ku jetojmë,
ndryshe do të mbetemi në analiza të kufizuara.
Mikrokozmosi
jonë si shqiptarë dhe makrokozmosi që ndërtojmë ne si shoqëri, me të cilën
synojmë të gëzojmë edhe statusin e një vendi anëtar të Bashkësisë Evropiane mund të kuptohet edhe më mirë nëse zotëron “vetinë për të të kaluar nga një perspektivë në
tjetrën, nga një perspektivë politike në një perspektivë psikologjike...” siç e
përcaktonte Çarls Rait Mills, imagjinatën sociologjike.
Kështu
muajin që vjen, presim të fitojmë statusin e vendit kandidat të Bashkimit
Evropian për të cilin, zakonisht, sytë i kemi nga politika, por pa bërë vetë një
lloj analize të situatës ku gjendemi vetë si shoqëri.
Ne presim
të marrim statusin e vendit kandidat në kushtet kur filozofia jonë shoqërore e
të jetuarit mund të përmblidhet me pak fjalë në: gjetjen me çdo mënyrë të parasë, apo të ndonjë
lloj pushteti, i cilitdo nivel qoftë ky, duke siguruar kështu veten dhe
familjen. Fundja, a nuk përpiqen të gjithë të fitojnë sa më shumë?
Por në këtë
shoqëri ku jetojmë ne, me të cilën synojmë të jemi pjesë e familjes evropiane,
sëbashku me francezët, belgët, austriakët etj., me identitetin tonë si shqiptarë,
koncepte të tilla “të vjetruara” si parimet, ndershmëria, dinjiteti e gjëra si
këto nuk kanë asnjë rëndësi.
Madje për
të ilustruar vjetrimin dhe parëndësishmërinë e tyre, mund të them se
personalisht e gjej shpesh veten në vështirësi kur i shpjegoj këto koncepte të cilat
më së shumti po shndërrohen në moral thjesht vetjak dhe të atillë që nuk ka
aspak lidhje me atë që gjen përreth.
Në opioninin
tonë shoqëror, shtatori ka marrë statusin e një muajt të shumëpritur
ndryshimesh të rëndësishme. Falë këtij statusi, ai është kthyer njëkohësisht
edhe në një muaj të dobishëm për ta kuptuar më mirë shoqërinë tonë, sepse gjatë
këtij muaji mund të mësosh shumë sesi mund të bëhesh dikushi, si mund të shtypet
me këmbë kushdo, sesi zhvlerësohen disa njerëz sado të kulturuar të jenë, sado
të përkushtuar dhe sado të vullnetshëm, mëson sesi hidhen në rrugë disa, për t’u
punësuar përkohësisht disa, mëson sesi ai që nuk ka asnjë arsimim të përshatshëm
vlerësohet dhe promovohet falë të vetmes vlerë, atij të afiliacionit politik
etj..
Në situata
të tilla, imagjinatës sociologjike të sipërpërmendur, i vjen në ndihmë mençuria
popullore jona e cila edhe pse në dukje me “një moral të vjetëruar”, të mëson
shumë sesi mund të gjesh ekulibrin në këtë shoqëri.
Veçanërisht
në këtë muaj, mençuria popullore jona rijetëson shprehje të tilla si: Bëje si ta bësh, pa e bërë mos e lësh!
Ose “mos e prish gjakun për punën, do të
jetë gjithmonë dikush që do ta bëjë punën. Puna ecën vetë.
Sigurisht
fryma evropiane e të jetuarit dhe punuarit është larg kësaj panorame që paraqesim
ne si shoqëri me një proces shumë të komplikuar shoqërizues ku nderi,
dinjiteti, krenaria, janë cilësi të njerëzve
inferiorë dhe ku dukja merr një rëndësi aq të madhe sa mund të eklipsojë cdo
lloj fryme modeste të qëndrimit ndaj saj, karakteristë e shumë prej shoqërive
evropiane të sipërpërmendura.
Në këtë prag
të 100 vjetorit të shtetit që ndërtuam ne si shqiptarë, kur marrja e statusit të
vendit kandidat është kthyer kryesisht në një retorikë kryesisht të disa aktorëve
që më shumë sikur i lidh puna sesa përkushtimi për të përfaqësuar një aspiratë të
të gjithë shqiptarëve, edhe fryma mobilizuese shoqërore është shumë e zbehtë.
Shoqëria,
e preokupuar për hallet e përditshme,
duket sikur nuk ka asnjë lidhje me këtë status dhe padurimi për të, më së shumti
është i lidhur me disa aktorë të politikës të cilët, duke i ndjekur në retorikën
politike, të dëshpërojnë edhe më tepër duke e ndjerë këtë frymën kaq shumë të dëshiruar
evropiane edhe më larg.
Duke ju
rikthyer imagjinatës sociologjike, mundohem edhe të krijoj një profil të ardhshëm
mbi europarlamentarët tanë, ashtu si njëherazi
mundohem të imagjinoj me ç’psikologji do të sillen në tregun evropian të punës qytetarët
shqiptarë, ç’kontribut do t’i japë kjo shoqëria jonë ekonomisë evropiane.
Të imagjinosh
deputetët tanë evropianë të dalin nga kjo klasë politike, duhet një guxim i
madh! Disa prej tyre, as mendja nuk arrin t’i rrokë!
Nëse shoqëria
nuk do të luftojë me mekanizmat e saj këtë frymë indiferente të qëndrimit ndaj
punës, nëse do të trajtojë me
inferioritet njeriun që punon, atëherë vështirë se do ta gjejë veten më pranë këtij
statusi.
Por nëse
shoqëria do të stimulojë qëndrime vlerësuese ndaj dinjitetit, si cilësia që ndërthur
tërësinë e vlerave morale të njeriut duke ndërtuar, sëbashku me nderin,
krenarinë vetjake dhe kombëtare profilin e një qytetari evropian,
Nëse vetëdija e mikrokozmosit tonë si individë për këto vlera do të ndryshonte falë kultivimit të edukatës intelektuale, nëse nderimi për vetveten do të jetë larg pedantizmit të kudogjendur; nëse makrokozmosi jonë shoqëror do të përqafonte ato cilësitë të mira apo vlera të larta që e bëjnë njeriun të çmohet dhe jo të përçmohet, atëherë edhe realiteti jonë shoqëror do të jetë larg këtij që kemi dhe aspiratat tona për marrjen e statusit të vendit kandidat do të gjendeshin në një frymë më pozitive, shumë më pranë asaj evropiane.