Editorial » Entela
Entela Binjaku: Në ditën e parë të shkollës...
E diele, 09.09.2012, 08:05 PM
Në ditën
e parë të shkollës...
Nga Entela Binjaku
Më 10
shtator pritet të nisë mësimi në shkollat e arsimit parauniversitar në vendin
tonë. Shoqëria në përgjithësi, me institucionet përkatëse, ka një ndjeshmëri të
lartë ndaj kësaj dite gjë e cila reflektohet kryesisht tek përgatitjet
intensive që bëhen deri në çastin e fundit për pajisjen e fëmijëve me bazën e
nevojshme materiale. Përgatitja psikologjike për këtë ditë është ende një koncept
pak i njohur, por edhe kur njihet,mbetet larg aplikimit në praktikë.
Vëmendja
ndaj procesit të arsimimit duhet të jetë e madhe, sepse siç pohonte Safet
Butka, që më 1922, në punimin me titull “Kemi
nevojë për mësues”, “shkollat janë kondita
më e parë e përparimit të kombit dhe “në qoftë se duam të kujdesemi për organizim
dhe reforma, duhet të fillojmë me arsimin”. Rijetësimi i këtij shqetësimi që ngre
kjo figurë e mendimit shqip, do t’i vinte në ndihmë të gjithë shoqërisë.
Në tërësinë
e kujtimeve të secilit prej nesh, gjendet
padyshim edhe dita e parë e shkollës. Mësuesja e parë, shkolla e parë,
mbresat e asaj dite zënë një vend të sigurtë në kujtesën individuale. Edhe pse
nga pikëpamja kalendarike kjo është një nga ditët e jetës, shkalla e lartë e
intensitetit emocional që e përshkon, e bën të marrë një rëndësi të madhe. Për
të më ardhur në ndihmë të këtij shkrimi pyeta një fëmijë, Vilmën, sesi e kishte
përjetuar ditën e parë të shkollës.
Paraprakisht
kisha mësuar se tre ditët e para të shkollës kishin qenë një dramë e vërtetë: shkolla
nuk ishte ashtu si e priste, as si e kishte imagjinuar. Klasa nuk ishte aq e
bukur!
Por, kur
ju luta të ma përshkruante, mora të shkruara këto fjalë prej saj: “Vjet isha për
herë të parë në shkollë. Në fillim mora librat, mua më pëlqyen shumë se kishin
shumë ngjyra. Para ditës së parë të shkollës kisha shumë emocione. Doja të dija
si ishte shkolla, shoqët dhe mësuesja. U futa në oborr. U habita sepse shumicën
nuk e njihja. Shkova tek rreshti, takova mësuesen. M’u duk e mirë. U futëm në klasë.
Kisha emocione por kurrë nuk i tregova. Besoj se dhe të tjerët kanë qenë kështu
si unë”. Siç shihet, të shprehura me shkrim, emocionet negative mugojnë.
Për shumë
prej fëmijëve që shkojnë për herë të parë në shkollë, kjo është një ditë e
mbushur me gëzim, por për të tjerë është një “torturë” e vërtetë. Kontakti me shkollën, takimi me mësuesen dhe
shokët e ardhshëm të klasës mund të krijojnë një situatë shumë të ngarkuar dhe
stresi të vërtetë; emocionet mund të jenë të atilla sa të krijojnë një gjendje
shumë të vështirë psikologjike.
Nga ana
tjetër kjo ditë merr një rëndësi të madhe jo vetëm për fëmijët, por edhe për
prindërit për të cilët kjo ditë nënkupton se “fëmija u rrit”.
Megjithatë,
pavarësisht përjetimit të veçantë emocional, si për prindërit ashtu edhe për fëmijët,
dita e parë e shkollës shënon mbi të gjitha fillimin e një etape të re në jetën
e fëmijës. Duke filluar nga kjo ditë, ai mëson dhe përfton dije dhe aftësi,
dita ditës, që e përgatisin atë për jetën si i rritur. Njihet sa e rëndësishme është
familja në formimin e personalitetit, por pjesa më e madhe e ideve, e
opinioneve dhe e bindjeve të një të njeriu, zhvillohen në shkollë, pikërisht përmes
njohjeve të këndvështrimeve të ndryshme, që lidhen mes tyre. Shkolla është një agjent
formues dhe edukues, që luan një rol shumë të rëndësishëm shoqërizues për individët në moshën e rritjes. E ndodhur
midis familjes nga njëra anë dhe shoqërisë nga ana tjetër, ajo përgatit fëmijën
për rolin e tij si i rritur i ardhshëm. Sigurisht, shkolla nuk përfaqëson vetëm
një institucion që zhvillon detyrën e të mësuarit të aftësive dhe të dijeve,
por ajo është edhe një agjenci shoqërizimi, e cila edukon vlera të caktuara dhe
rregulla të bashkëjetesës civile në komunitet. Impakti që ka shkolla në jetën e fëmijës ndjehet edhe
në mënyrën e sjelljes së tij. Nëse në shtëpi fëmija është i llastuar, ndjehet i
sigurtë, e duan të gjithë, është në qendër të vëmendjes, të gjithë janë të përkushtuar
pas tij, në shkollë i duhet tw veprojw pwr t’ja dalë i vetëm, të krijojë shoqëri të re, të përpiqet të gëzojë edhe pëlqimin e
mësueses.
Zhvillimi
i aftësive shoqërizuese përpara se fëmija të shkojë në shkollë, është thelbësor
për ecurinë e mëtejshme të tij. Por që dita
e parë e shkollës të jetë një përvojë sa më e këndshme, me sa më pak stres, kjo
varet edhe nga prindërit. Për këtë do të ishte e udhës sidomos për fëmijët e
klasës së parë që prindërit t’i njihnin me shkollën që gjatë ditëve të pushimit,
duke i çuar në shkollë, duke i familjarizuar me rrugën, madje duke e njohur
edhe me vetë mësuesen.
Fëmija përfshihet
në një raport afatgjatë me shkollën dhe me studimin, por nëse ai do ta fillonte
këtë rrugëtim me një përjetim pozitiv, atëherë për kryerjen e tij, koha e
kaluar në shkollë do të jetë më e pëlqyeshme dhe më eficiente. Procesi i
shkollimit i cili nis me këtë ditë, është një proces i gjatë edhe për
transformimet psikologjike që ndikojnë në formimin e personalitetit të fëmijës.
Përmes
procesit të shkollimit, shoqëria garanton një nivel të caktuar solidariteti dhe
njësimi shoqëror, duke transmetuar ndjenjën e përkatësisë dhe të besnikërisë tek
e njëjta kulturë dhe tek i njëjti grup. Përveç kësaj, përmes procesit edukativ,
shkolla u mëson fëmijëve se si t´u
binden rregullave të lëna pas dore nga mësimet prindërore, i aftëson në identifikimin
e roleve që lidhen me autoritetin (mësuesi, drejtori), me përpikërinë (orari i
mësimeve, testimet, dorëzimi i detyrave etj.), me vetëvlerësimin (vlerësimi i
vetes me të njëjtat kritere që aplikohen tek të tjerët), me respektin ndaj të tjerëve
etj.
Parë nën
një këndvështrim sociologjik, vlerat e shkollës janë stimuj për forcën e
brendshme të individëve dhe për intelektin e tyre. Normat që e udhëheqin janë frekuentimi
dhe aktivitetet brenda tij, pozicionet dhe rolet në këtë institucion janë ato të
mësuesit, nxënësit, drejtuesit etj., kurse grupet janë ato të nxënësve, të mësuesve
etj.
Shumë shpesh
raportet midis fëmijëve, që ndërtohen brenda shkollës mbeten të rëndësishme përgjatë
të gjithë jetës, veçanërisht në rastet kur lëvizshmëria është e paktë dhe
individët ruajnë të njëjtin grup miqsh përgjithmonë. Përvojat e fëmijëve në shkollë
shoqëria duhet t’i shohë si ndërthurje të modeleve të solidaritetit dhe të konkurencës
sepse dhe marrëdhëniet që ata krijojnë, por edhe vetë efekti i shoqërizimit mbi
ta zhvillohet midis dy poleve: atij të solidaritetit
dhe të konkurrencës.
Që në ditën
e parë të shkollës, të inkurajuara nga shoqëria, solidariteti dhe
individualiteti mes fëmijëve që përforcon atë që i bashkon dhe atë që i bën të barabartë,
dhe që synon t´i dallojë ata ndërmjet tyre, do ta bënte vijueshmërinë në shkollë
më të pëlqyeshme dhe më mbresëlënëse.