E hene, 09.12.2024, 07:16 PM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Disa zhvillime të familjes shqiptare

E premte, 24.08.2012, 07:43 PM


Disa zhvillime të familjes shqiptare

Nga Entela Binjaku - Fondacioni “Harriet Martineau”

Stina e verës në shoqërinë tonë, veç pushimeve në plazh, aksidenteve rrugore, kthimit në Shqipëri të të afërmve emigrantë, dallon veçanërisht për  numrin e lartë të dasmave. Rituali i dasmës shqiptare, i dashur dhe intensiv për të gjithë të përfshirët në të, nënkupton ndër të tjera, edhe krijimin e qelizave të reja familjare. Entuziazmi për këto celula shkon përherë bashkë me urimin për jetë të gjatë dhe të lumtur. Nëse familja shqiptare nuk do të përballej me situatën e krizës, atëherë nuk do të kishte arsye për t’u shqetësuar.

Numri në rritje i martesave të zgjidhura, kryesisht në radhët e atyre institucioneve që kanë pak vite jetë, të nxit të mendosh se disa prej tyre përballen shpejt me traumën e zgjidhjes, e cila mund të ketë shkaqe nga më të ndryshmet duke bërë që këto familje të reja të mos mbijetojnë. Konflikti brenda familjes ndonjëherë njeh një intensitet të atillë sa bëhet shumë i vështirë për t’u mbajtur nën kontroll.

Jo vetëm kaq, por shpesh herë përmasat e këtyre konflikteve janë të atilla sa shkojnë deri në veprime ekstreme, duke u bërë objekt të lajmeve nga kronika. Vetëm ditët e fundit njëra ndër këto ngjarje po befason qytetarët për veprimin fatal të një të reje, numrin e lartë të protagonistëve, shtrirjen në kohë të situatës dramatike etj.

Në këtë rast, mund të themi se humbja e jetës së një qytetari, i cili kryente njëkohësisht edhe rolet e kryefamiljarit, bashkëshortit, prindit po zbehet krejt si rezultat i diskutimeve që po ndezin të tjerë elementë të këtij krimi që po furnizojnë mediat tona të shkruara apo pamore.

Vatra familjare jo gjithmonë përshkohet nga lumturia, mirëkuptimi, ngrohtësia, dypranimi, edhe pse këto mbeten përherë ndër elementët e shumëdëshiruar për të gjithë në çastin e formimit të këtij institucioni  të rëndësishëm të shoqërisë.

Familja është e rëndësishme sepse përfaqëson bërthamën thelbësore ku vendosen lidhjet e para emotive, vendi ku mësohet fjalori dhe ku ngërthehen vlerat e kulturës së shoqërisë, në të cilën bën pjesë çdo individ. Për cilëndo shoqëri familja është institucioni kryesor për shoqërizimin parësor dhe për transmetimin e normave dhe të vlerave shoqërore.

Në shoqëritë moderne, një pjesë e madhe e shoqërizimit të hershëm ndodh brenda kontekstit të një familjeje të ngushtë, të krijuar nga pak anëtarë. Në shoqëritë bashkëkohore janë të njohura modelet e njësive familjare edhe më të reduktuara sesa kaq, siç janë ato të krijuara nga vetëm një prind dhe fëmijët. Në shoqërinë aktuale shqiptare, një pjesë e madhe e fëmijëve i kalon vitet e para në një familje të tipit bërthamë, që do të thotë në një njësi familjare të krijuar nga nëna, nga babai dhe nga një apo dy fëmijë. Ndërkohë që numri në rritje i divorceve ka bërë që këto kohë të rritet edhe numri i familjeve me një prind të cilat në këto kohë tranzicioni kalojnë jo pak vështirësi veç atyre që i kanë drejtuar drejt zgjidhjes.

Gjatë këtyre dy dekadave, shoqëria bashkëkohore shqiptare po përballet seriozisht me tërësi çështjesh që  flasin për çfarë ndodh brenda familjes. Bashkëjetesa, divorci me disa aspekte specifike të tij, krimi brenda familjes etj, përbëjnë disa çështje të reja për botëkuptimin tonë tradicional mbi familjen krahas të tjerave që flasin për shpërndarjen e pushtetit në familje, rrugët e zgjedhjes së partnerit, prioritetet e reja në përzgjedhjen e tij, varësia dhe pavarësia ekonomike e partnerëve të lidhur në çift etj.

Kur një çift shkon drejt zgjidhjes së martesës vetëkuptohet se familja e krijuar prej tyre nuk ka përmbushur ndonjë apo disa funksione të saj.

Kështu, që të jetë e shëndetshme dhe afatgjatë, familja duhet të kryejë disa funksione  të rëndësishme duke përmendur këtu mbështetjen emocionale dhe psikologjike të pjestarëve të saj, funksionet biologjike apo të riprodhimit të çiftit, shoqërizimin e pjestarëve të  familjes etj., të gjitha këto funksione me shumë vlerë. Ndër këto që përmendëm, njëri prej funksioneve, ai ekonomik po merr dita ditës një rol qëndror. Ky funksioni ekonomik i familjes shqiptare ka një historik të vetin që lidhet  edhe me këndvështrimin tradicional të shoqërisë sonë për këtë funksion pa harruar sigurisht kushtet historike të zhvillimit të shoqërisë sonë. Numri i lartë i divorceve si shprehje e krizës së familjes, po njeh si një ndër shkaqet mospërmbushjen e funksionit ekonomik.

Më tej akoma, divorci dhe  krimi brenda familjes si dukuri shoqërore që përbëjnë sjellje deviacionale të këtij institucioni shoqëror, kanë bërë të kuptojmë se shpesh kanë si shkak faktorin ekonomik. Për këtë mjaft të mbështetemi edhe në shumë prej dëshmive të të divorcuarve në Gjykatën e Tiranës ku një pjesë e konsiderueshme e tyre pohojnë disfunksionin ekonomik të familjeve që kishin krijuar.

Në shoqërinë tonë përgjegjësia e sigurisë ekonomike për pjestarët e familjes i ka takuar burrit; duke pasur parasysh linjën vertikale të organizimit të familjes shqiptare, përgjegjësia dhe vështirësia për të, në përmbushje të funksionit të sigurisë ekonomike, rritej edhe më shumë.

Por zhvillimet e reja brenda kulturës sonë, i kanë dhënë kësaj situate një formë të re. Një pjesë e përgjegjësisë së sigurisë ekonomike e ka marrë dhe gruaja, por sërish kjo mbetet në nivele shumë të ulëta, për shumë arsye që tranzicioni i shoqërisë sonë i solli me vete. Rastet e përmirësimit të statusit ekonomik të gruas nuk i mungojnë shoqërisë pavarësisht numrit shumë të kufizuar.

Në shoqërinë e pas viteve ’90 ekzistojnë situata ku është përmirësuar dukshëm statusi ekonomik i gruas.  Por po kaq të njohura janë edhe ato situata ku  pamundësia e integrimit të burrit në tregun e punës ka bërë që në shumë prej familjeve burri gjendet i varur ekonomikisht prej gruas.

Duke  gjurmuar prejardhjen e dukurisë së divorcit dhe rritjen e kësaj dukurie, mund të analizohet ndikimi i kësaj situate mbi vetë institucionin e familjes. Kur burri gjendet në situatën e pamundësisë së pavarësisë vetjake ekonomike, dhe të varësisë prej gruas, në psikologjinë e tij kjo lloj përmbysjeje nga tradicionalja mund të  vërë në dyshim edhe idetë e “së mirës” dhe të “së drejtës”. E mira lidhet me këndvështrimin e tij mbi ekzistencën e vet individuale por edhe si pjesëtar i familjes. Ndërkohë që e drejta është ajo për të cilën të gjithë duhet të binden në mënyrë të arsyeshme se një situatë e tillë mund të jetë një situatë normale dhe jo kaq traumatike.

Për të trajtuar një dukuri të caktuar mund të mbështetemi tek disa prej studiuesve që i kanë dhënë shumë mendimit sociologjik.  Sipas Niklas Lahmen, “që një shoqëri të mirëfunksionojë duhet të bazohet më tepër mbi komunikimin shoqëror sesa mbi raportet shoqërore”. Në kushtet kur në shoqërinë tonë, botëkuptimi tradicional i shoqërisë i jep burrit rolin e udhëheqësit ekonomik por situata konkrete nuk e përmbush këtë, si dhe në kushtet kur komunikimi në çift mungon, lehtësisht disfunksioni ekonomik i familjes mund të çojë në zgjidhje.

Duke analizuar rastet e paraqitura në Gjykatën e Tiranës, në shumicën e tyre, kur familja ndodhet në vështirësi ekonomike kërkesën për  divorc e paraqet gruaja dhe jo burri. Të dyja palët zakonisht mbeten në botëkuptimet e veta tradicionale: gruaja në atë që burri duhet të sjellë të ardhura në familje dhe kur nuk i sjell,  kjo nuk mund të jetë një shkak për divorc.

Ndërsa burri në qëndrimin e vetë se nuk është në detyrimin e gruas siguria ekonomike e familjes e kur ajo nuk sjell të ardhura në familje, ky nuk mund të jetë një shkak për zgjidhje të martesës.

Në familjen tradicionale shqiptare, gruaja dhe fëmijët duhen të sillen në një mënyrë të caktuar dhe mbi të gjitha, duke ushqyer një tip të caktuar pritmënie nga i ati sa i takon sigurisë ekonomike.

Ky i fundit  nga ana e vet, do të presë që edhe fëmijët të kenë një tip të caktuar sjelljeje, sipas një rregullsie të mësuar por këto role me kalimin e kohës vijnë e  kufizohen, nga shoqëria në të cilën individi ka lindur dhe rritet, derisa ai arrin pjekurinë dhe merr vendimet e veta. Në familjen e re që krijon individi megjithatë, falë procesit të shoqërizimit paraprin rolet që do të zërë në të ardhmen përfshirë këtu edhe të përshtaturit me raportet ekonomike.

Në familje mësohen rolet edhe rolet e ardhshme dhe në përgjithësi në shoqërinë tonë duke qenë se një pjesë e madhe e këtij procesi kryhet brenda familjes, shumë prej dukurive ndodhin sepse si rezultat  i këtij procesi në familje mësohen disa role, por aktualiteti që jetojmë shtron kërkesa të cilat shpesh nuk lejojnë që këto të përmbushen.

Çdo shoqëri ka zhvillimet e saj të brendshme. Shoqëria moderne e shpërfaq veten nëpërmjet nënsistemeve të ndryshme, të cilat zhvillojnë funksione gjithmonë e më të specializuara.  Si më kryesoret ndër këto nënsisteme përmendim ekonominë dhe familjen. Secili prej tyre ka një instrument të veçantë komunikimi: ekonomia ka paratë, familja ka dashurinë. Në këto kushte kur në familje këto instrumenta mungojnë familja e ka të vështirë të mbijetojë.

Në shoqërinë tonë ekziston një sistem kulturor i ndërtuar mbi modele sjelljesh, të cilat janë të qëndrueshme në kohë dhe janë të pranishme në të gjitha hapësirat gjeografike shqiptare, edhe pse me tipare e karakteristika të ndryshme. Çdo familje shqiptare ka role  të caktuara brenda saj si dhe një tërësi rregullash që lidhen me raportet martesore dhe familjare por në shoqërinë moderne, roli shoqëror i individit u detyrohet kryesisht aftësive individuale për të mbërritur në një status social dhe ekonomik që të zhvillojë një model familjar të qëndrueshëm. Tek disa, tranzicioni i shoqërisë i ka tronditur këto aftësi, duke bërë që të mos  mundin të realizojnë këto modele të dëshiruara.

Nga ana tjetër edhe familja, shkolla, organizimet vullnetare në dobi të jetesës civile do të ndihmonin shumë në parandalimin e këtyre ngjarjeve të pazakonta për cilëndo shoqëri.

Së fundmi, edhe në tonën, si në çdo shoqëri tjetër, ekzistojnë modele të caktuara sjelljesh që lidhen me familjen dhe funksionet e saj, të cilat përsëriten në kohë me një rregullsi të pranuar dhe formojnë bazën e një organizimi të madh që është vetë shoqëria ku ne jetojmë.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora