Editorial » Entela
Entela Binjaku: Impakti social i talk show-t
E hene, 03.09.2012, 06:58 PM
Impakti social i talk show-t
Nga Entela Binjaku
Në dhjetëvjeçarët
e fundit të shekullit XX pushteti i medies u rrit ndjeshëm falë revolucionit
teknologjik, i cili solli me vete një seri transformimesh në realitetin shoqëror
dhe në atë ekonomik. Teorikisht media, duhet të përfaqësojë një ndërmarrje të vërtetë
kulturore, në gjendje të zhvillojë një aktivitet të institucionalizuar, që pushton
të gjitha shtresat shoqërore, duke arritur tek një publik i gjerë, dhe
heterogjen. Ndër këto, aktualisht,
televizioni është media që ka rolin më të fuqishëm, dhe kësisoj, përbën një objekt
të rëndësishëm studimi për psikologët dhe studiuesit e shoqërisë. Figura të ndryshme,
përmes shkrimeve të shumta kanë mbajtur një qëndrim të caktuar ndaj efekteve të
medies në të ashtuquajturën “shoqëri e masës”. Kështu, teoricienët e shkollës së
Frankfurtit, si Theodor W. Adorno, Max Horkheimer dhe Herbert Marcuse
kanë denoncuar aspektin njëdimensional të prodhimeve të mediatike. Sipas
tyre “këto prodhime krijohen për t´iu përgjigjur një tregu të masës tek i
cili standarti, si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja, udhëhiqet më shumë nga
suksesi në treg, sesa nga puna e kujdesshme dhe nga cilësia”. Në këtë rast industria në vetëvehte nuk
mjaftohet vetëm në furnizimin me mallra, por kthen në mall çdo gjë, përfshirë edhe
median, kulturën e artin.
Ndryshimi
i sistemit e çoi tregun mediatik shqiptar në pozita të liberalizuara, ku disa
produkte mediatike morën jetë dhe janë konsoliduar në kohë. Shumë emisione të reja
të këtij lloji janë bërë pjesë e një numri të madh kanalesh televizive. Disa
prej tyre si “Opinion”, “Top show”, “Top story”, etj., tashmë janë kthyer në programet më të ndjekura
dhe me ndikim të madh në publik.
Nisur nga
shkalla e madhe e përfshirjes popullore, këto emisione, prezantuesit e tyre, të
ftuarit e deri edhe përfituesit e tyre
janë dhe duhet të bëhen objekt për studiuesit e sociologjisë, pasi
impakti mbi shoqërinë është i tillë sa që i kthen këto emisione-bisedë nga
mbartës të informacionit të thjeshtë në mbartës të kulturës, etikës, orientimit
politik dhe estetikës së një populli.
Talk
Show, në vetvehte, është një bisedim i cili ndërtohet rreth një teme të caktuar. Produkti i cili
mund të jetë informues apo dhe argëtues vjen tek publiku përmes
institucionalizimit të formatit, praktikave të transmetimit dhe sigurisht përmes teknologjisë së televizionit.
Zakonisht,
publiku, ka një varësi të madhe ndaj temave politike sepse ka kuptuar se
mungesa e një sigurie ekonomike i bën tërësisht të varur nga politika. Në këtë mënyrë
publiku i ndjek me zell këto emisione, të cilat arrijnë maksimumin e audiencës
gjatë kohës së transmetimit.
Tashmë në
kanalet tona televizive janë konfiguruar disa prezantues të programeve të këtij
formati, dikush më pak a më shumë simpatik, më pak a më shumë elokuent, më pak
a më shumë autoritar në kulturën e tij, por preferencat për ta përsëri varen
nga dasia politike e publikut më shumë se sa nga prezenca e karizmës së vetë prezantuesve.
Më të ndjekurit
janë ata që e kanë vendosur veten me kohë në syrin e ciklonit të diskutimeve
politike me orientim djathtas apo majtas. Pikërisht tek ata shkojnë, nga njera
anë analistët më të mirë e nga ana tjetër edhe politikanët më aktivë. Duket se
ashtu si dhe publiku edhe prezantuesi, për të ngritur figurën e tij i duhet të jetë
në shërbim të politikës, pasi është e vështirë, për të thënë e pamundur që të arrihet
një shikueshmëri e tillë jashtë saj.
Zakonisht,
të ftuarit janë të ndarë në dy grupe të cilët edhe ata induktohen nga dasitë politike, në vend që të ofrojnë mendime
alternative të mbështetura mbi kulturën e tyre personale dhe kësisoj të bëhen
bartës të mendimeve më progresive të shoqërisë. Shembuj të tillë nuk mungojnë dhe
pikërisht ata bëhen dhe biseduesit më simpatikë dhe përcaktues në bisedë.
Por ajo që
vihet re shpesh herë janë temat e mërzitshme, të ftuarit ose agresivë ose të plogët,
përballjet me figura të kristalizuara të skajeve të politikës, bisedat pa
fantazi dhe argumentet e pabaza. Një pjesë e emisioneve të tilla karakterizohen
nga fjalori i varfër, mungesa e etikës në komunikim, të ftuar që flasin shumë e
nuk thonë asgjë etj., duke i sjellë vetë emisionit efektin e kundërt të asaj që
dëshirohet. Ndërkohë, kur tema është interesante i jep prezantuesit një shans për
ta përgatitur e për ta paraqitur atë me kulturë, duke përçuar tek dëgjuesit
mendimin më të lartë të shoqërisë. Por, shumë shpesh, emisione të tilla ndërtohen
mbi tema të caktuara për të cilën gjithë
ditën, lajmet në televizione e kanë shteruar atë deri në atë pikë sa që në këto
raste lind pyetja: a duhet ende të flitet rreth saj? A ka ndonjë mendim gjithëpërfshirës edhe përfundimtar rreth asaj që ka ndodhur? A
ka akoma diçka për të thënë? Për këtë arsye autorët e këtyre emisioneve duhet të
mendojnë edhe sesi ndihet shikuesi, pas
trajtimit të një çështjeje apo ngjarjeje prej së cilës ai është tashmë i velur
dhe i lodhur.
Zakonisht
biseda udhëhiqet nga i ftuari dominant, që zakonisht është njeri me pushtet,
fjala e të cilit peshon edhe kur, në ndonjë rast nuk thotë të vërtetën, ndërkohë
që mendimet origjinale të një lloj niveli të avancuar intelektual akoma nuk janë
në qendër të vëmendjes dhe nuk zënë peshën që meritojnë. Në shumë prej emisioneve
pjesëmarrësit në bisedë përcjellin një frymë tensioni e konflikti, duke
ngarkuar emocionalisht spektatorët apo dëgjuesit,
dhe më e çuditshmja është se ky emision quhet edhe i ‘suksesshëm’. Ndërkohë shumë
prej emisioneve të tjera të këtij lloji nënvleftësohen kur në vend të konfliktualitetit
mbushen me informacion kulturor apo debate intelektuale të vlefshme për shoqërinë.
Shpesh në emisionet tona spontaniteti shndërrohet në vulgaritet, biseda ndërpritet
pa asnjë lloj etikete dhe mendimit të tjetrit i përgjigjen me profilin e
zhurmuesit.
Ndërkohë psikologët gjermanë Karl Buhler-i dhe Friedemann Schultz von Thun kanë përpunuar
koncepte që kanë në vëmendje jo vetëm
folësit por edhe dëgjuesit. Sipas tyre mund të flasim për një emision me shumë profesionalizëm
kur prezantuesi dhe pjesëmarrësit në bisedë nuk udhëhiqen nga paragjykimet, nga simpatitë dhe antipatitë dhe harrojnë konfliktet
për të mundësuar vijimin e një komunikimi të orientuar nga një qëllim i caktuar.
Edhe pse njerëzit në vetvete nuk janë plotësisht të lirë nga ndikimet e
ndjenjave, ata mund të mësojnë t´i qasen njëri-tjetrit mbi baza miqësore dhe jo
imponuese. Ky proces quhet “ndërtimi i marrëdhënieve funksionale” për të cilat
shoqëria ka shumë nevojë.
Si përfundim mund të pohojmë se mediat e kryesisht programe të tilla si “talk show” janë gjithmonë e më shumë ndikuese në shoqërinë tonë, qoftë si mjet informacioni, ashtu edhe si edukues të mendimeve dhe gjykime më të shëndosha, duke u shndërruar në motor të ripërtëritjes sociale. Ato duhet të konsiderohen si mjete të fuqishme edukuese dhe kulturore të të gjitha niveleve të shoqërisë mbi parimin e ngritjes së nivelit aktual drejt stadeve më të larta e jo në rënien e niveleve populiste.