| E enjte, 06.12.2012, 10:05 PM |
Qeveri e
re, qeveri e vjetër
Nga Shaban Peraj
Parlamenti
i Malit të Zi, me 44 vota, votoi pro formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve
parlamentare të 14 Tetorit 2012. Qendron fakti se kjo qeveri e formuar nuk
ndryshon shumë nga ajo e kaluara në emërimin e kabinetit qeveritar, ku për
kryeministër të vendit u zgjodh M. Gjukanoviq, i ri (i vjetër), me çka është e
qartë se veprohet sipas parimit: unë ty, ti mua, por që gjithësesi ka vlerë për
qytetarët e këtij vendi duke pasur
parasysh rrugën që ka ndjekur, politikat dhe insitucionet vendore që ka
ndërtuar me shpalljen e pavarësisë së Mali të Zi, në vitin 2006.
Ajo që ka
rëndësi për ne shqiptarët në Mal të Zi qendron fakti se në këtë qeveri të re
(të vjetër) nuk u bë pjesë e kabinetit qeveritar asnjë politikan shqiptar,
pavarësisht se dikush don të lavdërohet se mori kaq e aq vende të rangut të
dytë qeveritar, e krahu tjetër fajson të parin për dështim në marrjen e ndonjë
posti ministror, çka dëshmon për të satën herë se shqiptarët në Mal të Zi po
dështojnë në maratonën për të zënë vende kyçe në qeveri, ndaj edhe refuzohen me
aq joshësi duke shkaktuar pakënaqësi te ata që i votuan. Si rezultat i
moskuptimit e mosbashkëpunimit midis dy koalicioneve shqiptare-Forca për
bashkim dhe Jemi bashkë, që përfaqësojnë
shqiptarët e Malit të Zi në parlamentin e ri malazias ndodhi ajo që është
pritur, ata do jenë dekor i qeverisë së re dhe asgjë më shumë. Kështu, duket se
këto dy koalicione kanë vendosur të mos i japin popullit llogaridhënie për atë
çfarë premtuan para zgjedhjeve, ndaj vazhdojnë ta fusin ate në dyshim e zemërim
për atë se në ç’pozitë ndodhen sot shqiptarët në Mal të Zi. Për të evituar të
këqijat që po kalon populli, krerët shqiptarë po përpiqen njëherë të rehatojnë
vetën e pastaj kush pyet për jetesën e masës, kushtet, zhvillimin ekonomik,
kulturor e arsimor të tyre. Disa nga këta duket se më tepër po bëjnë demagogji
sesa politikë për faktin se mënyra e veprimit të tyre aktualisht është joshëse
për masën.
Të
shtrohet sot çështja se kush janë shkaqet e arsyet pse nuk u përfshinë
shqiptarët në qeverinë e re me ndonjë post ministror është paksa e vonuar, pasi
dihet se kërkesat e tyre në bisedime për formimin e kabinetit të ri qeveritar
nuk kanë qenë të kushtëzuara e të afatzuara për të arritur diçka më shumë. Shikuar
nga ky aspekt duket se çështja e mospërfshirjes së përfaqësuesve të dy
koalicioneve shqiptare në kabinetin qeveritar duket si një prej problemeve që
kanë shqiptarët, por janë të pafund edhe problemet tjera dhe shqetësuese që u
bëhen qytetarëve sidomos në trojet etinke shqiptare, pavarësisht se disa nga
politikanët që i prijnë popullit dëgjohen herë pas here fraza e deklarata boshe
sa për të thënë diçka dhe e gjithë kjo mbetet në sirtarët e tyre. Kjo prekë
ndjeshëm interesin qytetar për sa kohë partitë politike shqiptare në Mal të Zi
nuk bashkëpunojnë e bashkëveprojnë me njëra tjetrën. Qytetarët kanë nevojë të
trajtohen me përkujdesje nga ato që u prijnë, kanë nevojë të shohin një
bashkëpunim të ngushtë me njëri tjetrin, ndaj rritja e kërkesave të qytetarëve
për përmirësimin e punës së qeverisë së re është diçka e arsyeshme. Optimizmi
dhe shqetësimi i qytetarëve në këtë drejtim bashkëjetojnë, por që politika e bërë nga prijësit e tyre është më
tepër sipas vendimeve personale që politikanët tanë arrijnë t’i projektojnë pa
menduar fare për pasojat kolektive, të shpërndarë e të përçarë kështu siç janë
vështirë të besohet se diçka e re ka për të ndodhur në të mirë të shqiptarëve
në Mal të Zi.