Editorial
Shefik Shkodra: Pavarësia e Shqipërisë
E hene, 26.11.2012, 08:30 PM
PAVARËSIA
E SHQIPËRISË
NGA SHEFIK SHKODRA
Është
bërë e jehonë e madhe në Kosovë dhe pjesët tjera të shqiptarëve për 28 Nëntor –
Ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Me pamje impozante nëpër sheshe, ndërtesa
institucionale e të bizneseve. Me flamuj e dekorime, me parulla. Diku shënonte:
“Urime 100 vjet të Pavarësisë!” etj. Megjithatë, krejt kjo shënon një krenari
në pamje të parë. Një diçka që të josh, por edhe të jep kurajë me gjithë
gjakftohtësinë. Jemi shumë të ngazëllyer e të hareshëm për këtë dhe
manifestimet gjithnjë si zakonisht jemi të gatshëm t’i bëjmë. Sigurisht që kjo
mund të ndodhë te ata që një diçka nuk e kanë, ose që duan ta kenë sipas
ëndrrës së tyre. Me emocione e një farë euforie si dhe një politikë ditore, të
përziera me ndjenjat historike me nostalgji. E me të gjitha këto që po ecim ka
diçka që mund të ndihet si vlim qenësor e të shihen nuanca peizazhi këtij
horizonti shqiptar. Do të thotë, në këtë jubile ndihet një impuls te shqiptarët
kudo se, mund të provohet edhe integrimi i tyre. Gjithsesi janë shenja të mira praktikisht
si, kthimi i eshtrave në atdhe të personaliteteve të ndryshme. Ngritja e
lapidarëve për heronj nga periudha të ndryshme historike kombëtare e deri në
këto kohë. Organizimi i takimeve kulturore e artistike kushtuar figurave
historike e kulturore në përvjetorin e tyre. Organizimi i debateve për ngjarje
dhe personalitete me rëndësi kombëtare, organizimi i qytetarëve dhe i të
rinjve, nëpër shkolla e institucione tjera, duke shënuar enkas këtë pjesë të
historisë. Do të thotë, se, shqiptarët po mendojnë për diçka të përbashkët.
Dhe, këtu qëndron fakti për atë që është
esenciale.
Sa i
përket figurave historike kombëtare, ato janë
si personazhet në një roman, dramë, film që secili prej tyre luan rolin
e vet. Dhe në fund japin kuptim të rrumbullakosur me episode të ndryshme në
ngjarje.
*
Sa
regjimi ka kaluar mbi kokat e shqiptarëve, historia ka pësuar ndryshime. Në
secilin ndryshim janë vu korniza të reja politike me ngjyra e nuanca
ideologjike. Nëpër mes dritareve të përkufizimeve të interesit pushtetmbajtës,
janë kënduar tiranët dhe heronjtë janë sharë. Është lavdëruar mjerimi dhe është
kritikuar ajo që ishte e mirë dhe ajo e begatshmja e njerëzorja që do të duhej
të ishte deri më sot. Është stigmatizuar ajo që nuk ishte në kornizat e atij
aparati sundues shtetëror.
Nuk e
dimë a janë të vërteta të gjitha ato që janë thënë për historinë tonë të
dikurshme. Do të shihen, “kush është gjallë” dhe verifikohen...faktorët parësor
pse shqiptarët nuk janë në një shtet të përbashkët.
Veprimet kundër shqiptarëve permanente
Nuk ka
letër as makinë që të thuhen të gjitha sa janë thënë kundër shqiptarëve nga
fqinjët. Dhe jo veç që janë thënë, por edhe janë ushtruar, duke luftuar me
mjete psikologjike dhe fizike pa zgjedhje e masë e mjete, deri në likuidim individual e edhe kolektiv. Do të thotë,
etnia shqiptare ka qenë e ekspozuar disa herë rreziqeve për eliminim.
Ndjekja
ushtarake e organizuar, në historinë më të re, prej vatrave të veta, nga
rrethina e Nishit dhe rrethet tjera, tashmë të mbetura brenda kufijve
administrativ të Serbisë, me qëllim që t’i shfarosin shqiptarët dhe të mos lënë
askund një të gjallë, e as në Shqipërinë para pavarësisë, por edhe pas. Futja e
ushtrisë okupuese deri te Durrësi e vende të tjera të Shqipërisë gjatë LPB,
djegia e vendbanimeve shqiptare, vrasjet dhe plaçkitja janë elemente që kanë
ushtruar qeveritë e Serbisë mbi këtë popull pa ndërprerë.
Para LDB
shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera nën sundimin e Mbretërisë SKS mbetën të
gjithë analfabet. Me trysni që të asimilohen e asgjësohen. Edhe gjatë LD dhe
pas saj, krimet dhe ndjekjet kanë qenë të tmerrshme, veç në një mënyrë tjetër.
Duke ushtruar dhunën mbi popullatën e duke ia hedhur “fajin”, se, shqiptarët nuk
janë të qytetëruar. Ata janë kriminelë etj.
Në luftën
e fundit (me ndihmën e aleatëve euro-perëndimor), u përpoqën ta pastrojnë
terrenin e Kosovës, duke i asgjësuar një pjesë të shqiptarëve të çfarëdo moshe,
pjesën tjetër ta shpërngulin me dhunë sërish edhe nga këto troje.
***
Pas
luftës së fundit erdhën njerëz nga vende të ndryshme nën hijen e Kombeve të
Bashkuara që ta zbatojnë rezolutën “famshme”1244 në Kosovë. Që të na ndihmojnë
në çdo pikëpamje. Janë gënjyer njerëzit, duke menduar se, demokracia është në
dorë të këtyre pjesëtarëve të kësaj Organizate botërore. Nuk kanë qenë të
gjithë të një vullneti të mirë. Nuk është bërë ajo që është menduar. Edhe
formacioni më i ri – EULEX, për të cilin në mënyrë naive është thënë, për një
zbatim të drejtësisë së vërtetë në Kosovë. Të shumtën ka dalë se ishte vetëm
formacion politik. Sa për të shpërpushë zjarrin në mes të kësaj vatre. Pa
ndonjë përmirësim në krimin e organizuar, korrupsionin dhe në respektimin e
ligjit.
Gabimet e
shqiptarëve dikur, suksesi i fqinjëve
Përgjigjet
janë të shumta e të ndryshme në pyetjet që mund të bëhen për çështjen e
bashkimit shqiptar dikur në një shtet. Por, njëra prej atyre që mund t’i
përfshijë edhe të tjerat është, paaftësia e elementit shqiptar në organizimin e
nivelit të duhur për shtet unik më 1912. Gabimet e shqiptarëve, ishte suksesi i
fqinjëve. Nuk është gjetur mundësia që të jenë së bashku para Evropës dhe
botës, as me diplomaci e as me luftë. E historikisht, sot, arsyetimet janë të
shumta me argumente nga rrethanat të ndryshme, po edhe me rrëshqitje të vetë
shqiptarëve. Ndarjet e shumta në mes tyre, me dëshirë e sëmundje për sundim të
një cope vendi, bëri që të mos dëgjohen aty e atje, ku duhet një zë.
Dhe tash, nuk duhet të jemi gjithmonë me një kurs, as me një ëndërr të vëzhgojmë e të meditojmë me krahasime me të sotmen, duke komentuar se ku ishim në të kaluarën, kështu të ecim të kënaqur me një ritëm, ndonjëri edhe pak skeptik, me folklorizma e fjalime populiste e në vendnumërim. Shqiptarët u janë mirënjohës dhe duhet t’u jenë për gjithmonë aleatëve deri te qëllimi jonë. Të drejtën tonë nuk duhet ta ndërrojmë me asgjë dhe nuk duhet t’i frikësohemi. Vështirësitë për riparimet e dëmeve janë të mëdha. Megjithatë, rruga duhet të vijojë. Nuk vlen që të dëshpërohemi...nëse dikush ka të drejtë të kërkoj okupimin e tokave shqiptare, ne kemi të drejtë t’i marrim tonat dhe t’i mbrojmë.
Opsioni i fundit që duhet të shërbehemi
“Bashkimi
bën fuqinë”, s’është kjo thënie pa domethënie. Sipas të gjitha gjasave, kjo po
mbetet e para ndër ne dhe e fundit për veprim.
Për bashkim, toleranca në mes veti dhe ngritja e moralit
Janë të
zorshme të bëhen integrimet e shqiptarëve. Disa njerëz veç “llaf” e bëjnë. Dhe
është e besueshme deri diku se, nuk është lehtë të ngjallet një dashuri, të
themi e “sinqertë” që të ndjehemi si qytetarë të barabartë këtu e atje. Njëherë
ekziston një farë mentaliteti i tillë ndër shqiptarë, sikur ka qytetarë të
rendit të parë dhe të dytë. Duke e menduar vetveten secili si më të suksesshëm
e më të mbiçmuar se njëri prej tjetrit. Duke shpreh skepticizëm e mosbesim në
vetvete më parë dhe duke mos e respektuar tjetrin sa e si duhet. Krejt kjo mund
të rrjedh nga interesa grupore me tendenca refuzuese. Dhe kjo tendencë
mospajtimi ishte dhe është e pranishme deri diku. Do të duhej të zhdukeshin
bajraktarët, më parë e krahinorizmat, mendjelehtit e ata laramanët (s’ka
rëndësi çfarë moshe) e përfituesit. Në të kundërtën, si këtë herë, do të duhej
me çdo kusht që të ngritët morali te masa e gjerë. Të organizohen edhe më
manifestime të përbashkëta. Debate në lëmenj të ndryshëm kulturor, historik,
letrar e artistik. Edhe estradat e koncertet e ndryshme e kanë efektin e vet,
sikur edhe sporti.