Editorial » Entela
Entela Binjaku: Të jesh i varfër në Shqipëri...
E merkure, 12.12.2012, 07:26 PM
Të jesh i varfër në Shqipëri...
Nga Entela Binjaku, sociologe
Varfëria, papunësia,
paragjykimet, indiferenca ndaj njerëzve në nevojë, dhuna brenda familjes, etj.,
janë disa nga problemet shoqërore më të rëndësishme që mundojnë vendin tonë.
Tranzicioni i tejzgjatur drejt një shoqërie të vërtetë kapitaliste, shtoi
dukshëm edhe të tjera, demografike, urbane e shoqërore, si emigracioni i madh i
shqiptarëve e braktisja masive dhe krejt e pakontrolluar e fshatit, pasojat e
një edukimi jocilësor për shoqërinë, probleme me urbanizimin, etj. Gjatë trajtimit të tyre, natyrshëm lindin
edhe pyetje të tilla si: me se jetojnë disa njerëz, si e përballojnë
papunësinë, përse disa i pëlqejmë dhe të tjerët i nënvlerësojmë, si arrijnë
disa prej bashkëqytetarëve tanë të kryejnë krime? etj. Po gjatë kësaj periudhe,
morën jetë edhe konceptet e pabarazive shoqërore, përjashtimit shoqëror, nevoja
për politika sociale etj., që u bënë pjesë të pandara të fjalorit tonë. Një
pjesë e konsiderueshme e këtyre të fundit janë tërësisht të reja dhe për
dhjetravjeçarë me radhë, janë propoganduar si e keqja më e madhe e shoqërive
kapitaliste.
Shumëlloshmëria e këtyre
çështjeve, pyetjeve apo koncepteve, pasqyron nga njëra anë vështirësitë me të
cilat përballet shoqëria, ndërsa nga ana tjetër flet për indiferencën,
pamundësinë apo paaftësinë shtetërore për t’u dhënë rrugëzgjidhje, për aq kohë
sa një pjesë e madhe e shoqërisë gjendet në mënyrë të vazhdueshme në kushte
nevojash të paplotësuara dhe situatash të pazgjidhura. Vështirësitë në këtë
kohë, hera-herës kanë ardhur edhe si rezultat i rizgjimit të ndonjë dukurie e
konsideruar “e fjetur” për vite të tëra, siç është përshembull gjakmarrja.
Ky zakon i egër, i
prapambetur fisnor e feudal, sipas të cilit, për të marrë hakun e një të vrari,
duhet vrarë patjetër njëri prej anëtarëve të familjes a të fisit të vrasësit, u
ringjall si rrallë herë më parë, duke sfiduar hapur shteti e munguar ligjor ne
Shqipëri. Në të gjitha rastet, sëbashku me gjakmarrjen, në familjet e prekura
ka zënë vend menjëherë edhe varfëria.
Një ndër këto familje, e
prekur në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga varfëria, si pasojë e gjakmarrjes,
është edhe familja e zonjës M.H., nga një qytet verior i vendit. Me vrasjen e
kryefamiljarit, pas vitit 2000, jeta e kësaj familjeje ndryshoi tërësisht. Për
të larguar fëmijët nga rreziku i gjakmarrjes, M.H. u zhvendos drejt Tiranës, me
shpresën e madhe se jeta në kryeqytet do të ishte e ndryshme nga ajo që kishte
lënë pas. Me katër fëmijë për të rritur, kjo grua sot gjendet e papunë, në një
banesë me qera, tërësisht e pashpresë. Si të mos mjaftonin këto, edhe shëndeti
nuk i ka ardhur në ndihmë, duke paksuar shumë mundësinë për të punuar, ndërkohë
që mundësia për shpenzime në rritje thuajse nuk ekziston. Gjithnjë me shpresë
dhe besim, kjo grua u është drejtuar disa institucioneve të shtetit tonë, ku ka kërkuar punë e ndihmë, por dyert i janë mbyllur, madje shpesh i kanë
treguar rrugët e emigrimit.
Sot, familja e M.H është ndër
më të varfërat e qytetit të Tiranës. Në këtë familje bashkëjetojnë mungesa e
shpresës për jetën, frika për të ardhmen e katër fëmijëve, indiferenca
shtetërore dhe mbi të gjitha varfëria e skajshme. Përpjekjet e kësaj familjeje
për të dalë nga mjerimi i plotë, kanë rënë vazhdimisht në vesh të shurdhër dhe
kanë shuar edhe ato fije shprese që mund të gjendeshin për t'ia ndryshuar sado
pak jetesën e mjeruar.
Sipas rezolutës nr. 2626 të
Këshillit të Përgjithshëm të OKB-së, “të varfër janë ata njerëz, të cilët nuk
gëzojnë nivelin minimum jetik të nevojshëm e në përputhje me dinjitetin
njerëzor”. E karakterizuar nga mungesa apo pamjaftueshmëria e mjeteve të
nevojshme për jetën, varfëria është një ndër ato dukuri që ndikohet nga faktorë
të shumtë.
Zhvillimi ekonomik i vendit,
tregu i pamjaftueshëm i punës, mungesa e politikave të punësimit, korrupsioni,
veçoritë demografike dhe kulturore të zonave të caktuara të vendit, përbëjnë
disa prej faktorëve kryesorë që ndikojnë në këtë varfëri.
Sigurisht, lufta kundër
varfërisë është një sfidë e vështirë edhe për shoqëritë perëndimore. Por
qëndrimi i tyre ndaj saj ka njohur një zhvillim të vërtetë, që fillon me
iniciativat individuale të bamirësisë e deri te programet qeveritare, apo të
shoqërisë civile, përmes të cilave këto shoqëri i kanë deklaruar guximshëm
“luftë” varfërisë. Qasja e këtyre shoqërive është angazhuese, serioze,
sensibilizuese dhe gjithëpëfshirëse.
Ndërkohë, në vendin tonë,
varfëria trajtohet si një temë e largët e thuajse jo ekzistente. Shpeshherë
parapëlqehet të mos flitet për të. Të varfërit janë subjekte të margjinalizuar
nga shumë aspekte të jetës shoqërore. Iniciativat e bamirësisë individuale apo
kolektive, jo vetëm mungojnë, por edhe nëse ka të tilla, shfaqen të
organizuara, apo të inkurajuara nga ndonjë fushatë mediatike, e cila sërish
mbetet thuajse e vetme në këtë mision. Të jesh i varfër në Shqipëri do të thotë
të mos shpresosh askund, as te shteti, as te bamirësia e individëve, por, të
jesh i varfër, dhe të jetosh në Shqipëri…është si të mos ekzistosh.
Realiteti ynë, i
karakterizuar nga shpërthime problemesh shoqërore, ekonomike, kulturore dhe nga
pamundësia (ndoshta) e trashëguar për t’i zgjidhur dhe për t’u përballur me to,
sot, jo vetëm ka vendosur në vështirësi shumë qytetarë, por nuk po gjen as format
për të nxitur mënyra për t’u ardhur në ndihmë atyre.
Dihet se shteti është një nga
furnizuesit kryesorë të asaj që quhet mirëqënie sociale. Kështu, çdo përballje
me varfërinë, nënkupton angazhimin dhe mobilizimin e të gjithë aktorëve e
faktorëve shtetërorë në “luftë” ndaj saj. Ndërkohë te ne, përballesh me
indiferentizmin dhe paaftësinë e shtetit për ta lexuar varfërinë, pranuar atë,
por mbi të gjitha për të zbatuar politika sociale në drejtim të zbutjes së saj.
Madje, pjesë e indiferentizmit të shtetit, për të mos thënë paaftësi (e
qëllimshme) e tij, është mungesa e deklarimit të minimumit jetik të
shqiptarëve, edhe pse jemi në dhjetëvjecarin e tretë të kapitalizmit demokratik
në Shqipëri.
Politikat sociale në vetëvete
janë pjesë e politikave publike, që lidhen me programet dhe masat që synojnë
përmbushjen e nevojave njerëzore për mbrojtje shoqërore, edukim, kujdesi
shëndetësor, strehim etj. Për këtë është e nevojshme krijimi i klimës ekonomike
dhe sociale, të atillë që do të parandalonte margjinalizimin e qytetarëve, do
të shmangte trajtimin me inferioritet të njerëzve në nevojë, do të minimizonte
përjashtimin social. Krjimi i kësaj klime të shëndetshme, do të mundësonte edhe
iniciativat e përgezueshme të bamirësisë, por mbi të gjitha do të siguronte trajtimin
me dinjitetin e duhur qytetar të çdo individi.
Lidhur me sa më sipër, duke
qenë se jemi në pragfestën e 100 vjetorit të pavarësisë, po sjell në vëmendje
një ndër figurat e mençura të neoshqiptarizmës, Ismet Toton, i cili në fillimet
e viteve ’30, në “Bota e një djali kryengritës”, shkruante: …“Shkurt është
besimi ynë se qeveria jonë ka në dorë shumë. Mund të bëjë që brenda pak vjetëve
të rrojnë 2 milionë shqiptarë të shëndoshë, në vendin tonë. Me pak shpenzime të
kota për gjëra dhe vepra të pakuptimta dhe me tepër qejf për punë serioze…, kjo
është receta magjike për ata që duan të pavdekësojnë emrat e tyre”.