E shtune, 03.05.2025, 09:52 PM (GMT+1)

Editorial

Marjan Sebaj-Sopi: Me varfërinë e vet Jezu Krishti rilindi botën

E diele, 23.12.2012, 07:21 PM


Me varfërinë e vet /Jezu Krishti/ rilindi botën

Nga Marjan Sebaj-Sopi, Rostock

- Shpella e Betlehemit

Gjatë ditëve të Kërshëndellave nëpër Kishat, kapelat, e shtëpitë tona shqiptare shiqojmë shpellat e Betlehemit. Në qendër të shpellave shohim foshnjën, Jezu Krishtin, i cili qëndron mbi kashtë. Nuk pati vend në ndonjë bujtinë në qytetin e Betlehemit, kështuqë, Maria nëna e tij, me të fejuarin Jozefin ishin të detyruar të gjejnë vend dhe të strehohen në një shpellë, afër Betlehemit. Pikërisht këtu shnëdriti rrezja qiellore kur Maria lindi birin e vet.

Ai solli mësim të ri, e në mes tjerash qëndron se varfëria është një virtyt që i pëlqen Hyjit.

- Lindja e Jezusit

Lindja e Jezu Krishtit ndodhi në rrethana të jashtëzakonshme. Dhomën e ngrohtë, të shnëdritshme dhe të këndshme e ndërroi shpella e ftohtë, e errët dhe me lagështi. Jezu Krishti ka mundur të lindë në mesin e pasur dhe në ndonjë ambient e vend të këndshëm. Por, megjithatë ngjau e kundërta. U lind në varfëri dhe skamje, i përjashtuar nga të gjithë bashkëkombasit e vet. Perëndimi i atëhershëm /Roma dhe Greqia/ ishte në kulminacionin e fuqisë së vet dhe në lulëzim të shkencës dhe artit, kurse Lindja jetonte në komoditet e pasuri të tepëruar. E Jezu Krishti të gjitha këto i përjashtoi dhe përqafoi pikërisht varfërinë, e cila atëbotë ishte e nënqmuar dhe e poshtëruar si dhe aq më tepër e urrejtur.

E përse Jezu Krishti vepron kështu? Në këtë pyetje na përgjigjet Shën Pali: „Jezu Krishti duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij.“ /2Kor 8. 9-10/

Varfëria dënimi i Hyjit?

Varfëria sipas botëkuptimit të atëhershëm konsiderohej si „dënim Hyjnor“ . E njëjta gjë ishte edhe tek farizenjtë dhe hebrenjtë në përgjithësi. Që ta plotësojnë Ligjin e Besëlidhjes së Vjetër në tërësi, këtë kishte mundësi ta realizojë vetëm i pasuri, sepse këta, pra të pasurit shpesh tuboheshin dhe botërisht jepnin lëmoshë, dhurata tempullit. Kurse i varfëri nuk kishte mundësi t’i plotësojë këto kërkesa /ligje/ dhe pikërisht për këtë shkak edhe ishte më pak i nderuar dhe respektuar. Për këtë arsye tek hebrenjtë nderohej pasuria.

- Jezusi lavdëronte varfërinë

Në vërshimin e poloteizmit /besimi në shumë zotëra/ të asaj kohe nderohej edhe MAMONI, dmth zoti i pasurisë. Ndërsa, Jezusi edhe kundër së gjithash e lavdëronte varfërinë dhe të vejat. Jezu Krishti me apostuj ishte prezent në tempull duke shikuar se si populli ipte të ardhurat e veta, lëmoshë për tempull. Të pasurit jepnin shumë /edhe atë me krenari dhe kryenaltësi duke shiquar e përcjellë se a po i sheh kush se sa po japin/. Ja, erdhi një e vejë e varfër dhe la /dha/ vetëm dy denarë. Atëherë Jezusi tha: „Kjo vejushë skamnore qiti /dha/ më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. Sepse, të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka që pati për jetesën e vet“/Mt 12. 41-44/.

Jezu Krishti, pra, u bë banorë i kësaj toke që ne të mundem të bëhemi banorë të qiellit, konkretisht, që ta arrijmë gëzimin e amshuar pas kësaj jete tokësore. Jezusi erdhi në botë që të na mësojë se si duhet të sillemi ndaj Zotit, ndaj të afërmit dhe ndaj vetvetës, e gjithë  në dritën e së vërtetës, faktit, se njeriu është i krijuar në kohë, por për amshim. Ai solli mësim të ri, e në mes tjerash qëndron se varfëria është një virtyt që i pëlqen Hyjit. Po, së fundi edhe gjithë veprimtaria e Jezu Krishtit ishte në mesin e të varfërve dhe në mesin e shoqërisë së shtresës së ultë, në mesin e skamnorëve, fëmijve, të sëmuarve e të lënve pas dore etj etj…Siç edhe tha profeti i Besëlidhjes së Vjetër; „Shpëtimtari do të jetë Mesia i skamnorëve, i atyre që qajnë…/krhs. Is 61, 1/. E pikërisht në Jezu Krishtin u realizuan fjalët e psalmistit: Do t’i shpëtoj bijtë e skamnorit… /Ps. 71/72, 4/

- Të lumtë ju, o skamnorë

Jezu Krishti kur flet për skamnorë, nuk mendon së pari e vetëm në ata që nuk kanë, por Ai mendon edhe në shtresën e ulët, të cilët me duart e veta përgadisin atë çka i u nevojitet për mirëqenie, mendon pra, edhe për ata të cilët punojnë e kështu mund, djersë e gjak fitojnë aq sa për mirëqenie, e këta në përgjithësi nuk janë të ngarkuar me paragjykime, në të vërtetë të mashtruar sikur pasanikët dhe ata nga shtresa më e lartë. Skamnorët më lehtë e pranojnë fjalën Hyjnore. Këtë e shohim edhe nga vetë jeta e përditshme /sidomos në qytete/ ku skamnorët gjithmonë e më shumë i gjinden në ndihmë Kishës se sa të pasurit, kuptohet, sipas mundësive të tyre, por në çdo moment janë në shërbim për t’iu ofruar ndihmë. Pikërisht këtu plotësohen fjalët e Jezusit:“ Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin…“/Lk 4, 18/.

Skamnorët më lehtë e pranojnë fjalën Hyjnore. Pikërisht për këtë Jezusi i ngushëllon ata: „Të lumtë ju, o skamnorë sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!“ /Lk 6, 20/

Kurse të pasurve Jezusi do t’iu thotë: „Është më lehtë të përshkohet devja nëpër vrimë të gjilpërës sesa i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit“ /Mt 19, 24/. Edhe vetë apostujt në fillim ishin të befasuar me këtë deklaratë /mësim/ të Jezusit, sepse edhe ata mendonin se pasuria është shenjë e bekimit Hyjnor. Duke ardhur Jezusi që ta shpëtoj shoqërinë e atëhershme nga ky mashtrim Ai gjithë këtë e vërtetoi me shembullin e vet përsonal, me jetë. U lind, jetoi e veproi në varfëri e skamje dhe vdiç në kryq i poshtëruar si më i mjeri në botë, që vetëm e vetëm të t’ju tregojë apostujve, nxënësve të vet e gjithë neve rrugën të cilën duhet ndjekur për të fituar thesarin më të çmuar, pra jetën e përjetshme.

- Djaloshi i pasur

Por Jezusi shumë më i çartë dhe konkret në lidhje me të pasurit /pasanikët/ do të jetë atëherë kur iu përgjigj atij djaloshi të pasur i cili e pyeti se çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur. Jezusi iu përgjigj: „Urdhërimet i di; mos vra! Mos the kurorën!Mos vidh!Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!“ Ai iu përgjigj: „Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime!“. Atëherë Jezusi e shikoi emëbël, i pëlqeu dhe i tha: „Shko, shit çka ke, ndaju skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!“ /Mk 10, 19-21/.

- Barinjët erdhën të parët

Kur lindë fëmija, vijnë kusherinjët, miqtë, dashamirët, të afërmit e mbarë farefisi për ta parë foshnjën. Ata përplot gëzim e të lumtur i sjellin asaj familjeje dhurata duke iu uruar prindërvet. Kurse te lindja e Jezusit prapë hasim në diç të jashtëzakonshme; së pari vijnë barinjtë, sepse ata i zbukuron varfëria dhe përvujtëria, e këto janë themelore për të gjitha virtytet tjera. Këta barinj pra, ishin përfaqësuesit e popullit hebrej. Dhe pikërisht këta kishin fatin dhe nderin që të parët ta shohin Mesinë, Shëlbuesin e botës – atë të cilin shekuj me radhë e priste populli hebrej dhe mbarë bota. Ju përkulën dhe e adhuruan atë i cili me mësimin e vet nëpërmjet apostujve do ta rilindë botën moralisht dhe në aspektin social. Jezu Krishti nxorri botën nga errësira e shkandullit, të keqës e mëkatit në dritën e së vërtetës, të mirës e të dashurisë. Pikërisht krishterizmi solli dhe zbatoi barazinë e gjithë njerëzve, nderimin e jetës së njeriut /Kundër krishterizmit është përvoja mizore e degradimit të gruas, kur psh.gruaja pas vdekjës së burrit të saj ishte e detyruar që të shkojë „vullnetarisht“ në vdekje – kjo përvojë për fat të keq ende aplikohet në disa vende të Indisë/.

Krishterizmi ndërpreu politeizmin /nderimin e shumë zotërave/ e çfarë e keqje ishte kjo shohim nga ajo se edhe të këqijat i kishin hyjnitë e veta. Krishterizmi lufonte dhe edhe sot lufton kundër këtyre dukurive, ritualeve, flijimeve me gjak etj…

Barinjtë, pra, nuk erdhën për ta adhuruar foshnjën e Betlehemit sipas vullnesës /dëshirës/ së vet dhe rastësisht. Ata erdhën sipas fjalës, porosisë së engjëllit të cilin e dërgoi vetë Hyji /Lk 2, 9/. Ishte, pra, vullnesa e Hyjit, Atit qiellor që adhuruesit e parë të jenë pikërisht barinjtë. Varfëria i erdhi në adhurim varfërisë. Skamja i erdhi skamjës, përvujtëria përvujtërisë. Ishte dëshira e vetë Atit qiellor që Biri i tij i cili egziston si Fjalë e përjetshme para gjithë shekujve, të lajmërohet si foshnjë e dobët dhe e mbshtjellur me varfëri, skamje. E gjithë kjo tregon se para Zotit varfëria ka vlerë të madhe. Vlerën e madhe të varfërisë në sy të Zotit e tregon edhe tërë jeta e Jezu Krishtit. Me këtë Jezusi i kundërshton mentalitetit dhe rrethit të atëhershëm i cili favorizonte pasurinë, kurse urrente varfërinë, skamjen. Jezu Krishti hyri në historinë njerëzore pikërisht atëherë kur helenizmi përfshiu kënd, mbretëronte në Perëndim e Lindje, kështuqë edhe tek hebrenjtë filloi të dobësohet feja me moszbatimin e Ligjit të Moisiut. Të gjithë këta „profetë“ i përmblodhi me këto fjalë të Isaisë; „Princat e tu të pabesë, shokë me braca, të gjithë dhuratat po i lakmojnë, se si po vrapojnë pas interesit. S’i japin të drejtën bonjakut, padia e vejushës as s’del para tyre.“/ Is 1, 23/.

Gjersa Shën Pali prishjen /morale/ të asaj kohe e përshkruan me këto fjalë: „ Janë plot me çdo lloj padrejtësie, zemërkeqësie, lakmimi, shpirtligësie; plot smirë, vrasje, grindje, tradhti; plot qëllime të këqija; spiunë, shpifës, urrejtës të Hyjit…të pamëshirshëm“ /Rom 1, 29-31/.

- Kënga e Betlehemit – himni i varfërisë!

Siç kemi cekur më parë, pra, pamë se një nga karakteristikat kryesore të shpellës së Betlehemit është pikërisht varfëria, kjo e përcolli Jezu Krishtin gjatë tërë jetës së tij. Krishtilindja, pra. Është ditëpërkujtimorja e shumë të mirave të Jezusit që bëri për ne njerëzit.

Kërshëndellat janë festë e madhërisë, dinjitetit njerëzor, e barazisë së gjithë njerëzëve, nderimit të gruas dhe familjes, festë e punës /sepse para ardhjes së Jezusit, puna fizike ishte e caktuar vetëm për robër/. Kërshëndellat janë festë e dashurisë frytdhënëse ndaj të afërmit, festë e paqës dhe harmonisë etj. E neve këtu e pamë se është edhe festë e varfërisë. Kërshëndellat duhet të na përkujtojmë se nuk guxojmë të lidhemi për gjëra tokësore. Ai duhet të jetë nxitës për „Sursum corda“ /Ti lartësojmë zemrat/, kjo është nxitje dhe thirrje në veprimtari të dobisë së jetës sonë të amshuar, sepse të gjithë e dimë se me vdekje nuk mbaron gjithçka, porse, qysh atëherë hapet jeta e re, jeta e amshuar.

Në shpellën e Betlehemit mbretëronte varfëria, mjerimi, skamja, e pikërisht kjo shpellë duhet të na përkujtojë se ka njerëz të cilët jetojnë në varfëri, skamje, sëmundje e mjerim, por të cilët presin ndihmën tonë. Jezu Krishti, foshnjë e vogël, por Zot i madh, na nxitë dhe gjithmonë thërret nga kjo shpellë, që të japim dhurata për të varfër, për nevoja kishtare, për karitas, për vendet e pazhvilluara ku njerëzit vdesin nga uria.

Kisha e parë përkrahu dhe e zbatoi menjëherë varfërinë e Jezu Krishtit!

E dimë nga përvoja se nëse i kemi syzat e zhytura /papastëra/ atëherë nuk shohim kthjellët. Për atë që të shohim sa më mirë e qartë na është e nevojshme t’i marrim dhe ato ti pastrojmë. Para lindjes së Jezusit, por edhe në kohën e Tij, kishte aq deformacione mendjesh e zemrash saqë njeriu nuk dinte të gjejë farë rrugdalje. Po, edhe vetë prijësit e Antikës mendonin se vetë Hyji duhet të vijë për t’i mësuar njerëzit se si duhet jetuar e çfarë duhet të jenë. Kurse të gjithë e dijnë, se njeriut mund ti ndihmoj vetëm Hyji.

Dhe kjo dëshirë, kjo ndihmë aq e pritur erdhi, edhe atë pikërisht natën e parë të Kërshëndellave kur lindi Jezu Krishti, ai i cili do ta pastroj njerëzimin nga e keqja, mëkati dhe do të tregoj në vlera virtytesh; varfëri, përvujtëri, thjeshtësi, durim, butësi, mëshirë, dashuri etj…

Foshnja, fëmija i Betlehemit nuk fletë asgjë, dhe as që ka nevoj të flas, sepse mjaft flet rrethi dhe vetë kushtet në të cilat gjindet e mes tjerash flet edhe mbi vlerën e lartë të varfërisë.

Të meditojmë mbi fjalët e Jezusit drejtuar djaloshit të pasur: „Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, ndaju skamnorëve… Atëherë kthehu e eja pas meje!“/Mt 19. 21/ Këto fjalë të Jezusit nuk janë urdhëresë, por këshillë dhe porosi. Këto fjalë shumëkush i ka pranuar, shkuan dhe e ndoqën Jezu Krishtin. Këta janë meshtarët, rregulltarët e rregulltaret si dhe shumë njerëz të tjerë human. Edhe vet Jezusi apostujt /nxënësit/ e vet i zgjodhi pikërisht nga shtresa e varfër e shoqërisë; të shumtën ata ishin puntorë – peshkatarë. Po, edhe shën Pali jetonte dhe e mbante vetën nga puna e duarve të veta.

Këtë mësim të Jezu Krishtit e pranoi menjëherë Kisha e parë dhe përmes apostujve ky mësim u bart sikurse kandili i ndezuar në Ekumenin e atëhershëm /Mediterani antik me Detin e Zi/. Kisha e parë u themelua në Jerusalem. Të krishterët sillnin pasuritë e veta në kasën e përbashkët, kështu kur e kërkonte nevoja nga kjo kasë e përbashkët u ndihmonin skamnorëve dhe atyre që kishin nevoj /krhs. Vap 4. 32-35/. Të krishterët e parë vullnetarisht mohonin pasurinë, kurse e përkrahnin dhe përqafonin varfërinë. Si të tillë pra, kishin mundësi që pa farë frike ta dëshmojnë /të dëshmojnë/ Jezu Krishtin, por gjithësesi edhe me vdekje martire.

Jezusi porosit varfërinë Ungjillore

Duhet ta dallojmë varfërinë Ungjillore nga ajo ekstreme. Kisha na porosit dhe na thërret të ndjekim varfërinë Ungjillore, kurse lufton kundër varfërisë ekstreme.

Varfëria UNGJILLORE; është ajo varfëri e cila themelohet dhe bazohet në fjalët e Ungjillit: „Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, ndaju skamnorëve… Atëherë kthehu e eja pas meje!“/Mt 19. 21/. Këtë e aplikojnë /zbatojnë/ anëtarët dhe anëtaret e rregullave të ndryshëm, ku secili ka aq pasuri sa i nevojitet për mirëqenien, sipas fjalëve të shën Palit: „Këndej, në qoftë se kemi çka të hamë e të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.“/1Tim 6.8/.

Varfëria EKSTREME; është ajo varfëri ku njeriu nuk ka as gjëra më elementare për jetë, dhe kështu gjindet në skaj të ekzistencës, ndryshe kjo quhet edhe varfëri e skajshme. Kjo dukuri ende është karakteristikë e disa vendeve të së ashtuquajturës botës së tretë, ku njerëzit vuajnë për kafshatën e gojës, bile edhe vdesin nga uria.

Kisha pra, si pasardhëse e Jezu Krishtit, lufton kundër varfërisë ekstreme duke u munduar që me përpikëri ta zbatojë dhe realizojë në vepër urdhërin e Jezusit, urdhërin e dashurisë ndaj të afërmit: „Duaje Zotin, Hyjin tënd…Duaje të afërmin tënde porsi vetvetën!“/Mt 22. 38, 39/.

Kisha gjithnjë është duke themeluar organizata të llojllojshme karitative e kështu përmes tyre t’iu dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë. Është urdhër i Zotit që secili të ndihmojë të afërmin sipas mundësisë që ka. Përndryshe do të gjykohen ata që nuk i përmbahen këtij urdhëri, do të gjykohen ditën e gjyqit, kur do të thot Jezusi: „ Ikni prej meje të mallkuar, në zjarr të pasosur të përgaditur për djallin e për engjujt e tij! Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk  më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.“ /Mt 25. 41-43/

Nga kjo na është plotësisht e qartë se njeriu i sotëm patjetër duhet të lirohet nga egoizmi, vetjakia, në të vërtetë na duhet të shikojmë gjerë e gjatë përreth vetës, kështuqë sipas mundësisë që kemi t’u dalim në ndihmë atyre që nuk kanë, që vuajnë e janë të sëmuarë. Pra, të gjithë pa dallim, jemi të ftuar të ndihmojmë veprimtaritë karitative që të zvogëlojmë varfërinë ekstreme.

Shumë njerëz të nxitur nga varfëria dhe jeta e Jezu Krishtit mohojnë gjithçka dhe ndjekin atë!

Shumë persona të njërës apo tjetrës gjini, duke i pasur parasysh fjalët e Jezusit; „Eja pas meje!“ /Mt 10, 21/ mohojnë të gjitha kënaqësitë e kësaj bote, komoditetin, jetën e lehtë, e përqafojnë thirrjen shpirtërore /meshtarinë dhe rregulltarinë/ ku disa shkojnë edhe në vise /vendet/ më të largëta, neve ndoshta vende të panjohura, në misione që të punojnë e veprojnë atje në fushëveprimtari medicinale, pedagogjike, bujqësore e shumë lëmi tjera.

Lirisht mund të themi edhe pse sot është duke u përhapur dekristianizimi /shtypja e Jezusit nga jeta e përditshme/ prapëseprapë jeta dhe shembulli i Jezusit trondit shpirtërat njerëzorë dhe i nxit që vullnetarisht të nisen në vende të largëta, tek njerëzit me ngjyrë lëkure tjetër, me qëllim të caktuar se atje ku e kërkon nevoja të flakin vuajtjet e shumë njerëzve kështuqë sadopak t’iu ofrojnë një pikë drite qiriu të ndezur.

Këta njerëz shpeshëherë nuk janë të përjashtuar prej rrezikut të jetës në valët e kryengritjeve e luftërave të llojllojshme qytetare. Të cekim këtu bijën tonë Shqiptare Nënë tonë Tereze e cila flijoi tërë jetën e vet në shërbim të të sëmuarve, të varfërve, të braktisurve, të persekutuarve…

Jezu Krishti dhe pasanikët

Nga Jezu Krishti kemi dëgjuar fjalë shumë serioze në llogari të pasanikëve: „ Është më lehtë të përshkohet devja nëpër vrimë të gjëlpërës sesa i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit!“ /Mt 19, 24/

Kurse shën Pali thot: „ Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në kurthë dhe në shumë prirje të paarsyeshme dhe të dëmshme, të cilat i plandosin njerëzit në rrënim dhe në bjerrje. Rrënja e të gjitha të këqijave është lakmimi i të hollave…/1 Tim 6, 9-10/.

Në fjalët e cekura të Jezu Krishtit dhe shën Palit mendohet në ata pasanikë të cilët janë plotë egoizëm/vetjaki/ e përtaci, ku të cilët harruan altruizmin, e u bënë të shurdhër ndaj urdhërit që kërkon të ndihmohen ata që gjinden në ngushtica, vështirësi e skamje.

Jezusi parimisht nuk është kundër të pasurve, as që është me këmbëngulje për varfëri, ka parasysh fjalët nga Besëlidhja e vjetër: „ E mirë është pasuria për ata që s’kanë mëkat në ndërgjegje…/Sir 13, 30/

Të përsërisim: Jezu Krishti porosit varfërinë Ungjillore, por njëkohësisht tregon në rrezikun e pasurisë, sepse i pasuri mund të harroj se atdheu ynë është në qiell, jeta e amshuar /Krhs. Fil 3, 20/, në të vërtetë të mirat tokësore kishin mundur aq t’ia robërojnë pasanikut shpirtin saqë mund të harrojnë jetën e amshuar dhe dashurinë dhe dashurinë ndaj të afërmit. Jezusi nuk i përjashtoi të pasurit as tagrambledhësit, aq më shumë bile një tagrambledhës /shën Mateun/ e zgjodhi për apostull të vet. /Mt 9,9/

Shën Frana i Asisit ripërtëriu shpirtin e varfërisë në Kishë!

E pamë se Kishën e parë e karakterizon varfëria Ungjillore. Në shekujt e mëvonshem erdhi deri te një gjendje e lakmuar lidhje me këtë. Shumë të krishterë ia dhuruan vullnetarisht pasuritë e veta Kishës, për shëlbimin e shpirtit. Mirëpo, kështu Kisha dalngadalë filloi të pasurohet, thënë të vërtetën në mënyrë  të rregullt dhe të drejtë, por gjithnjë e më shumë fundosej në pasuri, e kjo kishte pasoja të mëdha për shpirtë dhe disciplinë kishtare.

Atëherë në skenën e shekullit të mesëm doli /u ngrit/ fytyra grandioze, Shën Frana i Asizit /1181-1226/.

Shën Frana rrjedhte nga një familje tregtare italiane, ishte familje shumë e pasur, kështuqë ky djalosh kishte në disponim gjithë komoditetin dhe pasuritë tokësore. Megjithatë i tërhequr nga varfëria mohoi të gjitha dhe përqafoi skamjen, varfërinë. Nga pasaniku i madh tokësor vullnetarisht u bë i „varfëri /skamnori/ i Hyjit“. Shën Frana shkoi edhe më tutje duke iu vënë në shërbim të sëmuarëve rëndë, e gjithë këtë e bëri për shpërblim të jetës së përjetshme në qiell.

Edhe bashkëvëllezërit e vet i dërgoi nëpër botë që të predikojnë Jezu Krishtin, por jo vetëm me fjalë, por me jetë dhe me vepra të mira të dëshmojnë Jezusin dhe veprën e Tij të shëlbimit. Dhe pikërisht Ai i urdhëroi vëllezërit e vet /françeskanët/ se nuk guxojnë të posedojnë të mira tokësore, por i urdhëroi se duhet jetuar /ata/ vetëm nga lëmosha. Kështu pra, të liruar nga gjërat tokësore vëllezërit françeskanë do të mund të dorëzojnë tërësisht vetvetën /vetjen e tyre/ në shërbim të të afërmit, vëllaut e motrës njeri.

Një profesor pati thënë: „Shën Frana ishte i revoltuar me gjendjen sociale dhe padrejtësitë që ekzistonin; sepse në njërën anë kishte pasuri të tepruar, kurse në anën tjetër ishte varfëria ekstreme e paskaj, dhe pikërisht në shenjë proteste ndaj gjendjes së tillë, ai mohoi pasurinë dhe përqafoi varfërinë”.

- Sot?

Sot shumë Kërshëndella e kanë humbur kuptimin e plotë religjioz. Por, besojmë se pas të gjithave çka është duke ndodhur në botë e që ka ngjarë për rreth nesh e në shtetin dhe me popullin tonë, ato pra prapë do të shnëdrrohen në festën e Kërshëndellave të mëparshme, ku do të ketë mirëkuptim, harmoni, paqe, ndihmë reciproke dhe dashuri në mes njerëzve.

Mbi shpellën e Betlehemit dëgjojmë fjalët Ungjillore: „ Lavdi Hyjit në lartësi qiellore, e paqë njerëzve vullnet të mirë në tokë“. Mirëpo, këtu ekziston edhe një porosi e papashme, kjo është: Mos i harro ata që janë në ngushtica, në mjerim, sëmundje e duke vuajtur. E pastaj drita e Kërshëndellave do të shnëdrisë gjithmonë e nuk do të fiket kurrë.



(Vota: 35 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx