Editorial » Entela
Entela Binjaku: Harresa jonë kolektive
E diele, 13.01.2013, 10:51 AM
Harresa
jonë kolektive
Nga Entela Binjaku, sociologe
Pak kohë
më parë, në qendër të Tiranës, pranë Pallatit të Kulturës, pranë meje ecte me
hap të ngadaltë një figurë e gjatë, pak e përkulur, një burrë i thyer në moshë.
Përballë tij dy mesoburra ndërsa ecnin ju drejtuan me zë të lartë: “Spiun, sa
njerëz ke marrë më qafë ti”! Zotëria vazhdoi rrugën, ndërsa unë mbeta me
tronditjen e këtyre fjalëve si në skenën e një filmi. Nuk përcaktohej më cili
ishte viktima dhe cili agresori. Ajo që dëgjova jo vetëm që nuk ishte e bukur,
edukative dhe civile, por shëmtonte ata dy njerëz të cilët sistemi i kaluar i
kishte përçudnuar edhe moralisht. Por
siç duket, edhe ky sistem në vend që të arrinte të shuante plagët e së kaluarës,
i kishte lënë ato të gjalla brenda ndërgjegjes së dikujt. Çështja e kujtesës
kolektive ka mbetur shumë pas dore në shoqërinë tonë të sfilitur nga problemet
e post totalitarizëm, kur ndërkohë do të duhej të ishte e pranishme në shumë
nivele të shoqërisë. Po të ishte trajtuar nga shoqëria me seriozitetin e duhur,
një përballje e tillë, publike dhe individuale me siguri nuk do të kishte
ndodhur. Kriminelët dhe ekstremistët e atij regjimi totalitar do të merrnin
secili dënimin e merituar dhe nga ana tjetër viktimat e këtij regjimi do të riaftësoheshin
fizikisht dhe shpirtëtrisht për të hyrë në rrjedhën e një shoqërie normale.
Trajtimi
i së kaluarës së regjimit totalitar me objektivitetin e duhur, do të ndihmonte
shumë në vendosjen në vend të së vërtetës shoqërore, do të përshpejtonte
emancipimin shoqëror dhe do ta çlironte shoqërinë tonë nga qëndrime
paragjykuese për ngjarjet e asaj periudhe.
Dihet se
çdo shoqëri njerëzore, pavarësisht shkallës së zhvillimit në të cilën ndodhet,
ruan në kujtesën e vet përvoja, praktika sociale apo ngjarje sipas një mënyre
të caktuar. Shoqëritë post totalitare evropiane i shërbyen kujtesës së tyre
edhe me qëndrimet dhe trajtimin që i bënë periudhës së regjimit totalitar ku
ish bashkëpunëtorët e regjimit u denoncuan, u deklaruan, u dënuan për fajet e
kryera, dhe shoqëria mbajti një qëndrim.
Nga ana tjetër, brenda mënyrës kolektive individët kanë edhe një mënyrë
personale të depozitimit të informacioneve dhe
të vënies në veprim të tyre i
cili ndikohet nga formimi, edukimi,
shkalla e pjekurisë, botëkuptimi si dhe interesat personale. Imagjinata
sociologjike në këtë rast më solli në mendje disa skenarë të mundshëm që
lidhnin në ndërveprim disa njerëz më përvoja jetësore të ndryshme, të jetuara
në kohë të ndryshme. Falë saj nisa të mendoj sesi do të kishte qenë kjo skenë
nëse këta individë do të ishin më të
rinj. Në rastin konkret, mosha e thyer e zotërisë më bëri të nënkuptoja se ai
kishte qenë një shërbyes i devotshëm dhe ndoshta ekstrem i atij sistemi të
kaluar, por po të kishte qenë më i ri, shërbimi ndaj regjimit mund të
shpjegohej me papjekurinë e mjaftueshme por sidoqoftë devotshmëria ndaj tij do të kërkonte një analizë që
shoqëria jonë duhej ta kishte kryer
tashmë.
Nëse dy
mesoburrat do të ishin pak më të rinj, do të mund të vetëpërmbaheshin më shumë,
e nëse do të ishin fare të rinj, ndoshta as nuk do të mendonin për këto
çështje.
Provova
të imagjinoj nëse ata do të kishin qenë politikanë; me siguri këtë skenë nuk do
ta shihja pasi ata do të udhëtonin me makina luksoze.
Kujtesa kolektive e cilësdo shoqëri është në thelb
kujtesë shoqërore, sepse ajo zhvillohet brenda disa përvojave shoqërore dhe
sipas rregullave të caktuara. Por çdo herë që diskutohet kujtesa kolektive,
natyrisht me të duhet të diskutohet edhe harresa kolektive, pra kundërpesha e
saj. Harresa apo shkatërrimi i
kujtesës shoqërore mund të vijë si
rezultat i kohës, i ngjarjeve tronditëse që ka përjetuar një shoqëri, i
presionit politik dhe ideologjik. Në plan individual ne harrojmë për të
shpëtuar nga lëndimet, nga sekretet që na torturojnë kujtesën, harrojmë për të
ndërtuar një të vërtetë tonën. Në plan
shoqëror, shkatërrimi i kujtesës zakonisht është produkt dhe pasojë i regjimeve
totalitare. Megjithatë shoqëritë post totalitare evropiane falë katarsisit sot
janë të çliruara nga pesha e mëkateve dhe raportet ndërnjerëzore janë më të
lehtësuara nga veprimet e së kaluarës.
Sot,
pesha e halleve të reja shoqërore përveç atyre të kujtesës, mungesa e një
katarsisi tërësor të të gjithë shoqërisë që ka ardhur nga udhëheqës me këmbë të
në dyja regjimet, bën që edhe sot shoqëria të vuajë pasojat e këtij regjimi.
Nga ana tjetër, në shoqërinë tonë
harresa kolektive për çështje të
ndryshme është shumë e pranishme dhe shfaqet me shkatërrimin e dokumenteve dhe
dëshmive nga fusha të ndryshme, më zhdukjen ose eleminimin e vlerave të së
kaluarës e vecanërisht me instalimin i injorancës që minoi qytetarinë, e cila
kohët e fundit është kthyer në
mjetin kryesor që po kontrollon të
tashmen tonë shoqërore. Falë kësaj harrese shoqërore figura të ndryshme politike, të
ashtuquajturat “xhaketat të kthyera”
mbijetojnë dhe flirtojnë me pushtetin, kur koha ka sjellë në vëmendje një brez
të ri, të shkolluar mirë dhe të papërlyer me mëkatet e regjimit.