E merkure, 11.12.2024, 11:56 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Të jesh i papunë në Shqipëri

E enjte, 27.12.2012, 09:18 AM


Të jesh i papunë në Shqipëri

Nga Entela Binjaku, sociologe

Në vijim të shkrimit të mëparshëm, në qendër të këtij shkrimi do të jetë përjetimi i papunësisë në shoqërinë tonë. Papunësia është një ndër dukuritë e mundimshme dhe  aktualisht e  pranishme në shumë familje shqiptarësh.

Dikush mund të mendojë se nuk ja vlen të merresh me problem që dihen, por trajtimi i dukurive të jetës sociale është pjesë e reflektimeve të domosdoshme të sociologëve.

Në çdo rast papunësia vëzhgohet konsiderohet si një vatër e vërtetë problemesh, si një nyje nga e cila lindin problematika komplekse; jo më kot në shoqërinë tonë thuhet se “papunësia është nëna e të gjitha të ligave”. Të jesh i papunë nënkupton të jetosh në një ankth të vazhdueshëm, me dëshira vetjake dhe familjare të paplotësuara, me nevoja që rrezikojnë të mos materializohen asnjëherë. Të jesh i papunë nënkupton që koha nuk ka asnjë vlerë, sheh sesi izolohesh duke u rrudhur aq shumë në konktakte sociale, kaq tipike për shoqërinë tone. Të jesh i papunë do të thotë të humbasësh besimin edhe tek vlerat që mbart për veten, familjen dhe shoqërinë. Papunësinë mund ta përjetosh në disa mënyra, duke qenë në kërkim, duke hequr dorë fare nga kërkimi, duke qenë i punësuar më parë, duke mos qenë asnjëherë i punësuar, etj.

Të jesh i papunë dhe në kërkim në shoqërinë tonë do të thotë të shohësh edhe sesi besimi të vetja fiket, sesi familjes i shtrëngohet jetesa, sesi krenaria jote e materializuar edhe në diplomë, nuk të përfaqëson më.  Të jesh i papunë dhe në kërkim do të thotë të shohësh sesi çdo përpjekje që bën nuk ka asnjë vlerë, nëse nuk ke referencat politike apo nepotike të duhura. Por, të jesh i papunë, në kërkim dhe pa pasur këto referenca, kjo është tërësisht dëshpëruese sepse do të thotë të mos shpresosh asnjëherë askund.

Ndërkohë të jesh i papunë kur ke njohur punësimin është një përjetim edhe më shkatërrues  sepse punësimi është shumë i rëndësishëm, veçanërisht në ruajtjen e vlerave dhe  të vlerësimit të njeriut për veten. Edhe kur kushtet e punës nuk janë më të mirat, apo të dëshiruarat, edhe kur puna është monotone e nuk të jep kurrfarë kënaqësie, ajo është sërish shumë e rëndësishme sepse kontribuon në rritjen e besimit tek vetja.

Por përtej këtyre ndjesive, që janë të përgjithshme tek të gjithë të papunët, të jesh i papunë në vendin tonë do  të të duhet të gjesh forcë  të posacme  e të përballesh edhe me një mendësinë olektive që të rretho. Për këtë arsz shpesh nuk e pohojme dhe nuk e denoncojme shoqërisht se jemi të papunë. Prandaj, në shoqërinë tonë papunësia është një peshë shumë më e madhe pasi një individ i papunë duhet të përjetojë edhe paragjykimin e të qenët i tillë.  Madje, shoqëria mban hera-herës edhe një qëndrim kufizues ndaj të papunëve duke rikthyer në kujtesë moton: “ndalohet hyrja për të papunët”. Ndërkohë shprehje të tilla si: “e ç´merresh me atë..ai pa punë është..se mos ka ndonjë punë ai..etj., përforcojnë edhe njëherë këto qëndrime paragjykuese.

Shoqëria shqiptare ka një qëndrim të trashëguar edhe nga periudha e kaluar, gjatë së cilës papunësia trajtohej si një dukuri karakteristikë vetëm e vendeve kapitaliste e revizioniste, në të cilat ishte shumë e vështirë të gjendej punë për të siguruar mjetet e jetesës. Në mentalitetin e shoqërisë sonë të asaj periudhe, papunësia ishte një fjalë e munguar ose një dukuri e dënuar nga qëndrimi kolektiv ndërkohë që qëndrimi  ndaj njeriut të papunë ishte shumë i prerë. I papuni ishte njeriu që endej kot, ai që s'kishte për të zgjidhur ndonjë çështje në një zyrë etj. ose s'kishte ndonjë punë diku. Madje kështë perifrazohej papunësia në fjalorët e kohës. Një pjesë e këtij qëndrimi u trashëgua dhe përdoret edhe sot, kur thuhet se i papunë është njeriu që rri kot apo që nuk I sjell ndonjë dobi a përfitim vetes, familjes e shoqërisë.

Në këto dy dekada të fundit, një sërë dukurish deviacionale të lidhura edhe  me ato të mungesës së referencave, apo të krizës së motivimit dhe të besimit tek institucionet shtetërore,  janë kaq të përhapura sa i ka bërë disa koncepte të kuptueshme nga të gjithë. Papunësia është një ndër to, edhe pse shpërndarja e kësaj dukurie sipas grupmoshave, nivelit të arsimimit, zonave gjeografike, gjinisë etj. është një fushë interesi për studiues të shkencave shoqërore. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës i papunë është çdokush që mbi 15 vjeç dhe që përmbush kushtet e mëposhtme: është i aftë për punë, nuk punon, është i gatshëm për një punë të paguar dhe në kërkim të një vendi pune. Papunësia në vendin tonë është  rritur ndjeshëm veçanërisht me humbjen e vendit të punës nga ana e  asaj pjese të popullsisë së punësuar, si dhe me rritjen e ofertës për punë nga ana e asaj pjese të popullsisë që prek moshën ligjore për punësim.  Duke shtuar këtu edhe një kategori individësh tashmë më të shkolluar.

Shumë shoqëri studiojnë pasojat e papunësisë dhe hartojnë terapi individuale dhe në grup për tejkalimin e tyre. Në se do të hidhnim një vështrim të shkurtër mbi shoqëritë evopiano-veriore, pra vendeve shumë të zhvilluara si Finlanda, Norvegjia e Suedia etj. do të vërejmë se papunësia konsiderohet një çështje e gjithë shoqërisë. Wshtw shteti, si organizuesi mbarëshoqëror i cili perms institucioneve sociale të shtrira në gjithë vendin që merret me studimin e kërkesave për punë, me karakteristikat e çdo individi, pra krijimin e një baze të saktë të dhënash dhe informimin e vazhdueshëm të subjekteve për t´u punësuar. Ndërkohë këto struktura sociale, hyjnë në studimin edhe të dukurive të tjera sociale duke u shndërruar në amortizatorë të tyre.

Ndërkohë tek ne, pasojat e papunësisë mbeten vetëm në nivele përjetimesh personale e familjare edhe pse ato shtrihen në shumë nivele të shoqërisë duke u bërë shpesh herë shkak i shumë dukurive deviacionale në vend.



(Vota: 38 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora