E shtune, 03.05.2025, 10:08 PM (GMT+1)

Editorial

Qazim Shehu: Sizmika e një raporti

E hene, 14.01.2013, 09:30 PM


SIZMIKA E NJË RAPORTI

Nga Qazim D.  Shehu

Krimi në Shqipëri duke marrë trajta dhe forma të ndryshme bëhet i tillë që të sofistikohet duke u mbuluar në emërtime të ndryshme,  si gjakmarrje,  pronësi,  hakmarrje, bërja e të forttit, egocentrizëm dhe përcillet jo pa jehonë në ndërgjegjen qytetare,  e cila,  kohët e fundit gjithnjë e më shumë po del nga topitja dhe anashkalimi i të vërtetave tronditëse dhe po e formëzon veten e saj në rritjen e perceptimit ndaj së keqes.  Nuk është vështirë për të hequr maskën e justifikimit të krimit ,  e vështirë mbetet metodika e parandalimit të tij,  kordinimi i punëve dhe rritja e vramendjes për të gjetur rrugët më efikase në parandalimin e tij. Liria e sotme dhe shfrytëzimi i mundësive që jep ajo,  është keqkuptuar keq nga disa individë apo qarqe të krimit,  ajo është kuptuar si tejkalimi i çdo të drejte dhe mundësie për të bërë ç`të duash pa pasur frikë për ndëshkim,  ndonëse organet e ndëshkimit ekzistojnë,  duke arritur deri tek ndëshkimi shpirtëror para hyjnisë siç ishte Akti i Kishës Katolike, e cila kërcënoi me Shkishërim. Sesi mund të kërcënojë Kisha,  kjo mund të duket paradoksale,  po është një veprim i drejtë i gjendur në kohë dhe më se i pritshëm. Arritja deri tek ky akt tregon se deri ku ka arritur përmasa e krimit dhe e sofistikimit të tij,  hipokrizisë dhe frustimit. Vetë asistova në një mbledhje të Ansamblesë së Komitetit të Pajtimit Mbarë Kombëtar me kryetar Gjin Markun, një nga personalitetet e padiskutueshme të shoqërisë civile dhe dëgjova me vëmendje raportin e tij ngjethës,  duke u ndjerë nën frushullin e shifrave befasuese të cilat të mbledhura me kujdes e të verifikuara nga ky Komitet,  sillnin një panoramë të zymtë të një realiteti asfiksues.  Njëri nga diskutantët,  Preng Cara,  solli një fakt tronditës: në Lezhë një familje e ngujuar kishte frikë të lindte fëmijë,  sepse fëmijtë e ardhshëm do të ishin trashëgimtarë të ngujimit. Kjo frazë më dha ndjesinë se krimi do vazhdojë gjatë,  i nominuar ethshëm si gjakmarrje,  ngujim ,  terma që dalin nga Mesjeta feudale dhe kanë mbërthyer si çengel shoqërinë tonë. Mos vallë kjo frazë që përcell një fakt tronditës e mbyll çdo perspektivë të horizonteve për të dalë nga kjo mizerje e krimit dhe e vrasjeve të pakuptimta ku siguria njerëzore të bëhet një fjalë e rrallë si e gjetur në një pllakë guri nga zbulimet arkeologjike? Dhe më tutje shifrat e përforconin këtë dukshëm: Në Shqipëri për vitin 2012 janë 1208 familje të ngujuara,  nga këta rreth 900 fëmijë,  çka flet për shifra të tmerrshme ,  të cilat i ngjasojnë një lufte të vërtetë të heshtur po të vazhdueshme ,  zinxhir dhe kokëfortë që bëhet sot në zona të caktuara kryesisht në Veri po me shpërndarje të mjaftë edhe në Jug,  duke e sjellë hartën e krimit të konfiguruar tmerrshëm në atë imazh që nuk mund të fiksosh një herë e mirë përmasat e saj. Dhe këto shifra asnjëherë nuk mund të perceptohen ne kufij të saktë sepse ato herë ngrihen papritur e herë ulen ,  po jo aq sa duhet. Sipas Gjin Markut shifrat kanë qenë më të larta,  më të frikshme dhe rastet duke u marrë në analizë një për një, flasin për një shfaqje të llojllojshme të tij,  shfaqje që kontraston dukshëm me indiferencën e organeve të policisë apo gjykimin herë herë jo të drejtë të gjykatave që lirojnë kriminelët për “mungesë” provash apo gjëra të tjera të ulta. Dhe krimineli i liruar ose i dënuar butësisht vazhdon të kryejë ritualin mortor të krimit e të vrasjes duke u rifutur në burg ose sërish duke u liruar për mungesë provash. Ndjesia e një sizmike dhe të një toke të paqtë që rrëshqet krijohet në këtë çast ,  ndonëse gjithë shoqëria e dënon krimin dhe kërkon paqtimin e saj  të drejtë ashtu siç ajo e meriton të jetojë dhe siç i ka hije një shoqërie që në demokraci mundohet të gjejë vetveten dhe të kapë kohën e humbur. Vetëm për vitin 2012 janë 140 të vrarë,  54 të vetvrarë,  252 të aksidentuar,  çka janë shifra të larta për një popullsi të paktë që është kjo e jona në një cep të Ballkanit  problematik. Dhe gjithnjë këto shifra vazhdojnë të kenë luhatjen e tyre,  për shkak të verbërisë së tij dhe topitjes së institucioneve që paguhen nga taksapaguesit shqiptare, pikërisht edhe për këtë. Natyrisht çdo fajësim për krimin duke bërë përgjegjëse institucionet e shtetit nuk do iste i plotë  nëse nuk do gjykonim disa element të tjerë që kanë të bëjnë me strukturat mentale të nje shoqërie e cila vjen nga sisteme shoqërore që kanë injektuar më tepër frikë sesa ndërgjegje, të një shoqërie e cila tani duhet të montojë shpejt e shpejt disa ingranazhe  për të kapur standartet e botës së civilizur. Dhe në këtë ngutje mungon një drejtpeshim i arsyeshëm në të kuptuarit drejt dhe në pritjen e gjërave të realizohen ato duke i marrë në kufijtë e arsyeshëm të realizimit pa u ngutur. Sipas Gjin Markut,  kjo duhet analizuar edhe si një veçori psikomotorike e karakterit mesdhetar të shqiptarit,  është edhe një farë hije geni,  sepse ka raste kur krimet ndodhin për një vijë ujë ose për një gardh apo për një shikim të ngulitur e teka të cilat bëhen vërtetë motive të një humori të zi. Komiteti me një numër të madh misionarësh që po shtohen çdo ditë në terren  ia ka arritur që të sjellë midis shumë familjeve pajtim ,  të evidentojë raste dhe të punojë në dobi të një komunikimi paqësor duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që jep njohja dhe komunikimi ,  duke shfrytëzuar disa kode të lashta zakonore si dhënia e fjalës,  mbajtja e saj,  e mbi të gjitha duke pasur për devizë moton se përsëritja dhe shumëfishimi i krimit nuk sjell asgjë vetëm shfarosje dhe një ankth që zhvlerëson jetën dhe e bën atë të padurueshme. Në mjaft zona si Dibër, Has, Kukës, Tropojë, Mirditë është arritur kjo, dhe mbetet për të punuar më shumë në Shkodër e disa zona të veçuara në Jug,  gjithnjë sipas parimit se sado i fuqishëm të jetë krimi nëse ai luftohet dhe punohet për shkuljen e rrënjëve të tij,  është çdo gjë e mundur në sjelljen e paqes sociale. Krimi merr një fillesë të fuqishme në vitin famëkeq 1997 dhe po t ë ndjekësh grafikët që jep Drejtoria e Përgjithshme e Policisë,  midis shifrave të tij do të gjesh konvulsione të çuditshme. Nëse ai në një vit ,  p. sh më 1988 shënohet me 88vrasje,  në vitin 2011 shënohet me 130 vrasje,  pra 50 vrasje më shumë. Kjo tregon se sëmundja e tij nuk po mbahet të paktën në stabilizim e nuk flitet më për shërim. Ajo i ngjan një dridhje sizmike që të mban gjithnë në alarm dhe krijon destabilitet psikologjik,  social ekonomik dhe sjell vetiu mendimin se krimi fiton përparësi nëkushtet e një shoqërie të dobët,  me instuticione fluide dhe në formëzim e çformëzim. Kjo sizmikë alarmuese duhet zbuluar nga mosmbushja e gropave të thella të një shoqërie që duhet të paguajë një trashëgimi të dobët në luftën kundër krimit ,  që ka ardhë nga krimet politike dhe modelet e krijimit të një shoqërie të padrejtë e kultivuar kjo dhe e pranuar në heshtje.  Këto gropa sizmike u hapën sot edhe në demokraci,  me thellimin e padrejtësive sociale,  mbivendosjen e pronave,  mbipolarizimin e shoqërisë dhe monopolet që çuan në jë oligarki financiare,  prej nga burojnë derivatet e një krimi të heshtur. Megjithatë ndenja duarkryq,  është fatale dhe nuk flet tjetër përveçse për hapjen e gropave të reja të sizmikës.  Ndaj,  shoqëria civile,  me pjesën më të shëndoshë të saj si reflektim i atyre traditve të mira të pajtimit e të besës,  duke zgjeruar rrethin e saj të njohjes e duke akaparuar vullnet e dëshirë,  ndodhet në radhë të parë të një ndihmese në përballimin e pasojave të krimit dhe të parandalimit të tij.  Raporti i fundit i Ansamblesë së Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar e sugjeron edhe këtë ide dhe jep rezultate të qarta në këtë përpjekje,  duke mos harruar se një përkrahje më të madhe kërkon ky Komitet nga institucionet shtetërore, sepse synimi i tyre nuk është t`i dublojë ato,  por në një unison me to të shkojë drejt një misioni të madh që është parandalimi i krimit dhe krijimi i kushteve paqësore për një shpoqëri të sigurtë,  ku njerëzit tëjenë të lirë,  në shtëpi rrugë,  punë,  gratë të mos dhunohen e të vriten,  po t ë dalin të qeta në arë,  fëmijtë të shkojnë në shkollë.  E për këtë duhet një punë sado që situatat e qeta ndërmjet dy ngjarjeve flasin për një armëpushim të krimit , por jo për një zbythje të tij….



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx