Editorial
Lis Bukuroca: Shtetet fisnore
E hene, 31.12.2012, 06:05 PM
Shtetet
fisnore
Nga Lis Bukuroca
As dhjetë
vjet nuk zgjati orientimi i drejt perëndimor dhe na falën një shtet. Mund të
thuhet na e falën, sepse ne vet nuk kemi çliruar vendin. Këtë fakt e dimë të
gjithë. UÇK u shfaq në kohën e duhur, Rugova pat mbjellë empatinë e nevojshme.
Njëra lëvizje ndihmoi tjetrën. As e para, as e dyta nuk janë të shenjta e pa
gabime. Mund të thuhet na e falën, sepse shtetet nuk meritohen, për këtë kemi
si kundërshembull Palestinën. Edhe ata duhet të kenë shtet, por nuk kanë. Edhe
kurdët. Këta dy popuj flijohen, edhe më shumë se ne, kryesisht palestinezët,
por shteti i tyre është larg realizimit. Dhe, për ta përmbyllur procesin
shtetëror, meritë ka edhe qëndrimi i drejtë i diasporës shqiptare, që merrej me
sensibilizimin, kultivimin e simpatisë dhe bashkëndjesisë kundrejt popullit
shqiptar. Sot, edhe kur shqiptarët e Kosovës kthehen nga pushimet, kthehen të
zhgënjyer, të indinjuar. Nuk kanë imagjinuar një shtet të tillë. Nuk njohin
shtetin e vet sepse është shpërfytyruar. Nuk po ndërtohet shtet ligjor:
korrupsioni në rritje, nepotizmi dhe kriminalitet në rritje të pa penguar, janë
fakte, që detyrojnë çdo shqiptarë të rezignojë dhe habitet me fuqinë dhe elanin
vetshkatërrues, me harakirin shqiptar.
Shqiptarët
jashtë shpresonin të kthehen në atdhe, që do të lulëzonte pas largimit të
pushtuesit, por shteti i tyre, nuk dinë
të bëjë gjë tjetër, pos përpjekjes për t’ i anuluar vizat dhe dëbojë edhe nja
gjysmë milioni jashtë, drejt Perëndimit. Tridhjetë e shtatë për qind kanë
braktisur Shqipërinë. Një Qeveri me mendje të shëndoshë, ky numër do ta kishte
alarmuar, do ta kishte lënë pa gjumë dhe do ta kishte trishtuar. Shumë të rinj
shqiptarë sorollaten nëpër rrugët e Perëndimit për të gjetur punë, në vend se
t’ i rrëzojnë Qeveritë, që nuk dinë të krijojnë vende pune. Maqedon nuk ka, por
shqiptarë nga Maqedonia. Serb nuk ka, por shqiptarë nga Serbia. Bindja e gati
çdo shqiptari, që kthehet nga Kosova është kjo: hajdutët serb u zëvendësuan me
hajdutë shqiptarë. Burokratët serb, u zëvendësuan me burokrat shqiptarë, që
edhe një certifikatë, edhe një vendim gjyqësor, nuk dinë ta shkruajnë pa
gabime. Kështu edhe nëMaqedoni, kështu edhe në Luginë. Pse ndodh kjo, kur dihet
se në pushtet janë patriotët? Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë: ata që
rrezikuan jetën për mëmëdhe, e bënë nga atdhedashuria, por problemi qëndron
diku tjetër. Problemi është se ata që janë të gatshëm të flijohen për atdheun,
nuk janë gjithmonë të aftë ta qeverisin vendin dhe nuk janë të gatshëm të
flijohen për shtetin. Po kërkohet shumë prej tyre. Gjenialitet dhe universalizëm.
Kjo ishte e para. E dyta është një patologji ballkanike. Ballkanasit janë
fanatikët më të mëdhenj kur është në pyetje atdheu, po me të njëjtin pasion
fanatik dhe këmbëngulës, vjedhin shtetin e vet. Ballkanasit, posaçërisht ne,
nuk luftojmë kurrë për shtet të drejtë, ashtu si krekosemi si gjel mbi pleh për
atdhe.
Kush i
ndërton rrugët? Shteti! Kush paguan policinë që siguron paqen publike? Shteti!
Kush paguan arsimin, ku fëmijët arsimohen falas? Shteti! Kush paguan ushtrinë,
që ruan atdheun fizik? Shteti! Kush paguan spitalet, që duhet të kujdesen për
mirëqenien shëndetësore? Shteti! Domethënë shteti tatimet e mbledhura, ia kthen
popullit për paqene nevojshme. Po a paguajmë ndershmërisht tatime? Jo! E pse?
Sepse edhe politikanët vjedhin. Edhe afaristët vjedhin, vjedh kush mundet. Edhe
populli për të mbijetuar, kurse ata që gjenden pranë qypit, pakica, për t’ u
pasuruar.Atdheu pa shtet të drejtë, është kështjellë rëre. Atdheun e përjetojmë
si tonin, shtetin si të huajin. Apo atdheun si mëmë, shtetin si njerk. Për ta
qeverisur vendin dhe për të krijuar një shtet me pushtetet të ndara sipas
modelit perëndimor, i rekomanduar qysh nga Revolucioni Francez nga elita
intelektuale kulturore, filozofike europiane dhe veri-amerikane- një vend ku
respektohet dinjiteti i njeriut, paprekshmëria e trupit, sedrës, një shtet i
arsyeshëm në shërbim të qytetarit, laik, që bazohet në interesa kombëtare -
duhen njerëz që din të qeverisin, jo njerëz që dinë të luftojnë dhe sundojnë.
Atyre si mirënjohje për sakrifica t’ u jepen edhe pensione të majme, por jo t’
u falet shteti. Deficiti më i madh në skenën politike shqiptare është mungesa e
kulturës, edukatës, përgjegjësisë dhe parapërgatitjes profesional për skenën
politike. Duhet kufizuar mandati i politikanëve dhe penguar shkatërrimi i
veprimtarisë së tyre. Një nxënës i klasës së parë bëhet mësues dhe bashkë me
nxënësit tjerë, mëson alfabetin. E tillë është ecuria jonë politike. Kështu
kanë mësuar politikën edhe politikanët shqiptarë, prandaj çdo gabim e përligjin
me procesin permanent didaktik. Ne mund të aprovojmë ligje europiane, ose ta
bëjmë formalisht nga interesi, por kjo nuk ndryshon mendësinë dhe qëndrimin
tonë. Përsëri mund të shfaqen njerëzit, që vihen mbi Kuvendin dhe ndalojnë me
shantazh, atë që na garanton kushtetuta.
Në
Perëndim hetohen politikanët për plagjiaturë, për ngacmime seksuale, tek ne nuk
ndiqen as vrasësit. E mos të mos flasim
për shitjen e diplomave pas luftës në Universitetin e Prishtinës shqiptarëve të
Maqedonisë. Ju kujtohet rasti i presidentit Clinton? Ju kujtohet rasti i shefit
të bankës botërore Strauss-Kahn ? Tek ne abuzimet janë të mundura, sepse nuk
ekziston ndarja e pushteteve, por nip pas nipi, dajë pas daje, kushëri pas
kushëriri, mik pas miku, hallë pas halle, kanë zaptuar vendet drejtuese
autodidaktë dhe kështu kemi kaluar nga shteti privat, në shtetin fisnor. Tek ne
lirisht mund të pohohet e konstatohet, se prokuroria dhe gjykata janë kushërinj
në mes vete, ose nip e dajë. Policia dhe gjykata dajë e nip. Qeveria dhe
prokuroria dhe gjykata kushërinj të afërt e të largët. Pra, tek ne, nuk ka
lidhje familjare vetëm në bazë të gjakut, por të njohshëm në mes vete janë me
lidhje gjaku edhe institucionet, administrata në përgjithësi. Krejt vertikalja
administrative nga pastruesi, deri në Qeveri, ka rrjetin e vet dhe problemet
zgjidhen nëpërmjet telefonit, edhe punësimet.
Ju
kujtohet si dëboi Berisha Ina Ramën? Ajo deshi ta ushtrojë detyrën sipas
kushtetutës, e përjashtuan. Ju kujtohet si u flakë nga vendi i punës Bamir
Topi? Nuk u përjashtua pse nuk ishte Kryetar i ndërgjegjshëm dhe me integritet,
por pse nuk pranonte depersonalizimin e
vet dhe diktatin e Berishës. Ju kujtohet si u zgjodh kryetari i Shqipërisë? Ju
kujtohet pse nuk ftoi Nishani bashkë me liderët e partive tjera edhe Bamir
Topin? Tani kemi lidhjen fisnore të qëndrueshme në mes Kryeministrit, Kryetarit
dhe Kryeprokurorit. Ky është shtet fisnor.
Në
Perëndim politikani nuk mund kurrë të intervenojë tek gjykatësi, ai është i
pavarur në punën e tij, as te prokuroria jo. Detyrat e tyre janë të
përkufizuara me ligj.
Në
Shqipëri në vitin 97 u vranë mbi 2000 veta, nuk u arrestua askush. A kishte
Shqipëria prokurorë, që duhej të hetonin krimet? Po, kishte prokurorë,
prokurorë zvarranikë, që nuk kanë bole për t’ i hetuar politikanët. Në Gërdec u
vranë 28 veta, nuk u arrestua askush. A kishte Shqipëria prokurorë? Po,
Shqipëria kishte prokurorë, por pa bole, që mbushin fjalëkryq të gazetave dhe
nuk merren me punën e vet dhe paguhen për mospunë. Në janar u vranë katër veta,
nuk u arrestua askush, madje Qeveria shqiptare, në vend se të ndihmojë në
zbardhjen, asgjësoi provat. U arsyetua me kësmet, fatalizëm. Fati deshi, ishte
shkruar dhe vdiqën nga plumbat e Qeverisë shqiptare. Edhe këtë herë Tirana
kishte prokurorë, e kryeprokurorë, por
të tredhur nga Qeveria. Enver Hoxha nuk mund të akuzohej, nuk mund të
akuzohet as Berisha. Tek ne nuk arrestohen as për korrupsion, as për krim, as
për nepotizëm. Populli shqiptar i sfilitur nuk është sovran si në demokracitë
perëndimore, por shteti është i meritokratëve, i zaptuesve. Shteti shqiptar
është i Berishës, shteti kosovar është i Hashimit, që publicisti Enver Robelli
e quajti “Shën Hashimi” duke i falur disa këshilla dhe rekomandime se si ta
shpëtojë Hashimin e madh nga Hashimi. Si të ndalë erozionin e shkëlqesisë. Një
artikull dramatik, trishtues, i ilustruar me sharlatanizmin dhe injorancën e
politikës kosovare. Ai përpiqej zemërplasur ta prekë Thaçin në ndërgjegje dhe
ta zbresë në fushën reale, me plot fakte dhe zhgënjim, por ai ka pëshpëritësit
e vet dhe nuk i intereson zemërimi apo këshillat e Enver Robellit. Nejse, t’ i
kthehemi shteteve tribale. Pse nuk është populli sovran tek ne dhe kush është
në të vërtetë. Populli nuk është sovran sepse toleron të vidhen votat dhe
kështu, nga populli, sovraniteti kalon tek ata që dinë të vjedhin. Tek
hajdutët. Ata, për t’ ia mbyllur gojën kundërshtarëve pyesin: “ku ishte ti
gjatë luftës?” Me këtë fjali kërkojnë licencë universale. Me sakrificën e
djeshme, përligjin abuzimet dhe malverzimet e sotshme. Ata munden. Ata munden
sepse janë bërë milionerë. Në Perëndim milionerë janë ata që kanë fabrika,
firma të mëdha, industrialistët në disa breza, por politikani nuk mund të bëhet
milionerë për katër vite. As mjeku, as kirurgu, as gjyqtari. Këta të fundit
ndoshta as tërë jetën jo. Tek ne mjekët dhe kirurgët i thithin popullit gjakun
deri në pikën e fundit. Shumë prej tyre nuk kanë shtëpi, por pallate apo nga dy
shtëpi. Raste të tilla gjenden kudo në Ballkan.
Shpesh në
Perëndim futet njeriu në politikë dhe i shtyrë nga një ndjenjë altruiste, për
t’ i shërbyer vendit, për t’ i realizuar disa ide, që mendon se janë të mira.
Politikanët shqiptarë nuk duhet të deklarojnë pasurinë ashtu thjesht, por duhet
dhe të deklarojnë burimin e tyre. Në Kosovë dhe Shqipëri, nuk kemi fabrikantë
të pasur, por politikan milionerë, që ndërrojnë aleatët, sa herë zihen pisk.
Tani ndryshuan edhe historinë pa pyetur autorët e librit, duke cenuar të
drejtën e tyre. “Le Monde” bën të ditur se François Hollande i kërkoi ndjesë
Algjerisë për pushtimin. Erdoani nuk na kërkoi ndjesë, por tha fshini veprat e
liga, që i kemi bërë kundër jush. Hashimi i fshiu. Nuk ka gjë të keqe të
pengohet helmimi dhe indoktrinimi i rinisë kundër popujve të sotshëm, për
masakrat e djeshme, por pikë së pari nevojitej kërkim i ndjesës. Edhe
Jugosllavia ishte e jona në kohën e Sinan Hasanit, të Rrahman Morinës, por
shqiptarët arrestoheshin me të njëjtin intensitet, si kur ishte ndonjë serb apo
maqedon e malazez. Ndoshta edhe më keq. Kosova ka traditë në ndryshmin e
historisë në këmbim të kacavarjes në pushtet. E pat bërë edhe Fadil Hoxha dhe
nuk mësohej “Konferenca e Bujanës” në shkolla.
Gjithë ai
angazhim, gjithë ata njerëz të vrarë, gjithë ato gra të dhunuara, gjithë ata të
dëbuar dhe gjithë ata njerëz brenda e jashtë, që u rreshtuan në përkrahje të
Kosovës, konstatojnë me keqardhje se peshku po qelbet nga koka. Edhe në Tiranë,
edhe në Tetovë, edhe në Preshevë, edhe në Ulqin.
Serbisë
në vitet e ’90 ditëm t’ i bëjmë rezistencë për mosndryshimin e historisë, para
Turqisë u dorëzuam pa kundërshtime qytetare, që vlen të përmenden. Edhe pa
kërkuar ndjesë si kryetari i Francës. Madje, as liderët e opozitës nuk e
kundërshtuan, madje as katedrat e gjuhë shqipe, as ato të historisë. As
Akademia. Intelektualët që tolerojnë shndërrimin historisë në përrallë të bukur
për t’ ia përshtatur interesave të politikanëve, lirisht mund të dërgohet në
kullosa në Bjeshkët e Nemuna. Intervenimi në histori nga politika do të përçajë
akoma më shumë dhe hutojë akoma më shumë popullin; një pjesë këtë histori nuk
do ta pranojë dhe do ta shpërfillë, ashtu si qe injoruar historia e shkruar
sipas dëshirës së Beogradit. Kosova nuk ekziston pse dëshiron Turqia, por pse
dëshiron CampBondsteel-i. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë në Kosovë.
“Pronto
afera” siç u quajt në shtypin kosovar, flet shumë për ata që udhëheqin Kosovën.
Për t’ ia bërë të qartë një të huaji se në çfarë niveli bisedohej aty, atëherë
duhet gjetur një përkthyes, që zotëron jo vetëm gjuhën italiane, por edhe
gjuhën e rrugaçëve (dialetto stretto). Ato telefonata më së mirë mund të
përkthehen në dialektin e Napolit, Siqelisë apo të Puljes, dialektin që flasin
mafiozët e Napolit, të “Ndrangetës” dhe të “Cosa Nostra-s.” Çfarë tragjedie!
Çfarë turpi për një shtet, që mendon se ka universitete, fakultete, akademi,
shkrimtarë, romansierë, poet... Ai fjalor u shkon për shtati vendeve, ku në
vend të mjekut, kanë shamanët, gurut dhe magjistarët dhe në vend të
shkrimtarëve, kanë plakat që rrëfejnë përralla, kurse në vend të poetëve, kanë
pleqtë me teneqe e tupanë, që këndojnë këngë kreshnike duke vallëzuar rreth një
zjarri...
Në
Gjermani po të dëgjonte populli një bisedë të atij niveli, politikanët do t’
ishin detyruar të japin dorëheqje brenda ditës, tanët nuk kërkojnë as ndjesë.
As Jakup Krasniqit. Në Gjermani u rrëzua nga gazetat kryetari Christian Wulff
për zbritje kamate për dy për qind. U rrëzua Ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor
zu Guttenberg për plagjiaturë dhe është në rrëzim e sipër Anette Schawan,
Ministre e Arsimit, edhe kjo për plagjiaturë. Megjithatë, Thaçi do të mbetet në
histori, por problemi është se nesër nuk do të shfaqet një Sali Berishë, që do
ta lajë nga devijimet eventuale, siç u dezinfektua skeleti dhe veprimtaria e
Zogut. (Ndajshtim sqarues: Berisha nuk e do Zogun dhe familjen e tij, por
mendësia e njënjëshme despotike dhe veprimtaria identike politike, ka hedhur
atë në arkivolin e tij.)
Hashim
Thaçi duhet t‘i shtrojë edhe këtë pyetje vetes: Kryeministër i çfarë shteti të
pavarur është ai, kur mund të përgjohet? Rreziku tjetër: çfarë incizime posedon
akoma “Eulex”, që mund ta shantazhojë atë, respektivisht shtetin e Kosovës?
Sikur
politikanët tanë të lexonin më shpesh gazetaret e gazetarët, që merren me
korrigjimin e politikave të tyre, atëherë do të kishim politikanë me dinjitet
dhe vlera morale europiane. Ata nuk lexojnë kritikuesit e gabimeve të tyre,
politikanët tanë lexojnë shkrimet e zvarranikëve të vet. Aterruam edhe një herë
tek zvarranikët. Ky është problem i madh në Ballkan, por kryesisht në trojet
shqiptare. Nga despotizmi nuk mund të çlirohemi vetëm pse despoti është i
rrezikshëm, por edhe nga mobilizimi i zvarranikëve. Zvarranikët janë më të
rrezikshëm se despoti vet. Shfronësimi i despotit, do të merrte me vete edhe
mijëra zvarranikë. Në historinë gjermane si përkrahës i zvarranikëve njihet
Bizmarku. Ai pat blerë gazetarët, redaksitë me ndihmën e fondit të quajtur
“Reptilienfond”, (Fond i zvarranikëve) dhe kishte bindur popullin se duhet
luftuar kundër popullit të Napoelonit, i cili gjithashtu kishte korruptuar
shtypin e vet për të luftuar kundër Gjermanisë. Bizmarku pat përdorur emërtimin
“zvarranikë” për spiunët, që vepronin kundër Gjermanisë, shtypi i pavarur e
përdori për gazetarët e nënshtruar, që mbështesnin Bizmarkun. Me Bizmarkun mund
të kuptojmë se në cilin vit jemi duke gjalluar ne. Në vitin 1870, por me
kompjuter para vete! Tek ne redaksitë pro qeveritare i kanë punët mirë, gazetat
korrigjuese janë në zgrip të ekzistencës. Si njihen zvarranikë dhe redaksitë e
tilla? Ato nuk kritikojnë kurrë despotin, edhe kur vret, edhe kur zhduken
miliona, edhe kur gabon despoti, edhe kur zihet me presh në dorë duke falur
detin, edhe kur shanë, edhe kur i vjedh votat, edhe kur gënjen hapur. Ata nuk
reagojnë deri sa nuk preket interesi i tyre apo deri sa nuk vritet një anëtarë
i familjes së tyre. Ata çdo devijim të despotit e arsyetojnë para se të
deklarohet shefi i tyre. Një zonjë zvarranike shkruante në alb-shkencë se
Berisha i ka rekomanduar gjykatës ta rrëzojë paktin detar me Greqinë, paktin që
kishte firmosur Berisha dhe kundërshtarin e vërtetë të paktit, profesorin
Myslim Pasha, e pat sharë ma fjalë më të ndyta, që mund t’ imagjinojë një
njeri.
Me elitën
tonë politike nuk mund të krenohemi, për fat të keq. Morëm pakëz pushtet dhe
liri dhe paqësuam popullin më mirë dhe më sigurt se serbet apo maqedonët.
Shikoni gjendjen në Preshevë dhe diskriminim atje. Shikoni gjendjen në Maqedoni
dhe si paqësuan popullin duke e diskriminuar dhe duke pasur më pak të drejta se
pakica sorbe në Gjermani (Saksoni dhe Brandenburg) me diku 60.000 banorë, por
kanë edhe himnin e vet dhe flamurin, edhe shkollat. Ndërkaq, Serbia përgatitet
ta rrëzojë një monument në Preshevë. Shikoni serbet si luftojnë për shtetin
tyre në veri të Kosovës. Ata nuk blihen me pozita dhe rroga, nuk korruptohen
siç u blenë shqiptarët në Maqedoni e Serbi. Serbet po luftojnë për shtet, ne po
luftojmë për atdhe pa shtet.
Nga
mungesa e politikanëve të drejtë, nga mungesa e lajmeve të mira nga atdheu,
diasporës nuk i mbetet tjetër, pos të krenohet me romanet e Kadaresë, me
romanet e Besa Myftiut (Zvicër), me romanet Fatmir Terziut (Angli), me romanet
e Faik Myrtaj (Kanada), me romanet e Beqë Cufajt (Gjermani, që u vlerësuan
shumë pozitivisht nga gazetat më të dha gjermane ), me romanet dhe poezitë e
Shpendi Sollaku Noé (Itali), me romanet e Anila Hanxharit (Itali) me poetin dhe
publicistin Ndue Ukaj (Suedi),me Klara Budën (Francë), me Mirela Bogdanin
(Angli), me analizat e Enver Robellit në Gjermani e Zvicër, me shkrimet e
Xhemal Ahmetit (Zvicër) me Edlira Dedja, pianiste (Zvicër),me Vjollca Hajdarin
(Gjermani, që para disa ditëve ishte në një takim tek kancelarja Merkel), me
Fadil Berishën (SHBA), me Vasil Qesarin (Francë), me poeten Raimona Moisiu
(SHBA) Kozeta Zylo (SHBA), me publicisten Brunilda Tërnova (Itali), me poetin
Aqif Hysa (Itali), me botuesin e gazetës “Rrënjët” Hasan Aliaj (Itali), me
profesorin Thanas Gjika (SHBA) me Mira Mezini (profesoreshë e informatikës
Gjermani), me Astrit Lulushin (SHBA) me muzikën e Frederik Ndocit (SHBA,
Japoni), sopranoja Ermonela Jaho (SHBA), Angjelin Prelocaj (Francë) me muzikën
e Rita Orasë (Angli), me romanet e Robert Martikos (Greqi), me shkencëtarin
Jahja Kokaj (Kuvajt), me Arta Ramadani (Gjermani), me Saimir Pirgun (Itali), me
maestron e koncertit të Cyrihut Kalidi Sahatçiu, me maestron e koncerti të
Barit (Itali) Paçalin Pavaci, me Shkëlzen Dolin, violinist ne orkestrën e
Filarmonisë se Vjenës, me balerinët Enkel Zhuti dhe Ilir Kerni në teatrot e
Europës, me balerinët Kleidi Kadiu dhe Ilir Shaqiri (Itali), me Luan Krasniqin,
me disa futbollistë e ndonjë futbolliste, përndryshe lajme të mira nga atdheu
nuk arrijnë, pos maskarallëqeve, kilogramët e hashashit, kokainës, vrasjet e
grave, gjakmarrja dhe skandalet politike. Dhe natyrisht, në mënyrë serike
përsëritet kontrabandimi i votave.
Të gjithë
këta intelektual, ky ishte vetëm numër simbolik, nuk mund të përmenden të
gjithë që e meritojnë, ka shumë, janë një akademi në vete, janë Republika e
Diasporës Shqiptare, ose Kuvendi i Diasporës Shqiptare, që ka vështirësi ta
shpjegojë atdheun e vet, politikën në atdhe dhe mynxyrën gjatë dhe pas
zgjedhjeve. Atë që të huajt shohin në televizor dhe lexojnë në gazeta, nuk
është ajo që u flisnim ne në vitet e 90, por këta intelektual, dërgojnë botës
një mesazh të fisëm për imazhin e dëmtuar shqiptar nga ata që paguhen për ta
mbrojtur: politikanët.
Po a ka
shqiptarë të mirë dhe të aftë në atdhe? Po, ka shumë, por mediokritetet dhe
zvarranikët kanë zaptuar shtetin, ata janë hëpërhë jashtë valle. Nesër në
letërsinë shqiptare do të futet doemos edhe rubrika: “Letërsia pas eksodit”,
ose “Letërsia e Diasporës”, ose “Arti Shqiptar në diasporë.” Po a brengosen
politikanët tanë se kanë humbur aq shumë intelektual? Jo! Përkundrazi! Ata
gëzohen dhe gjenden në një ekstazë dalldie, sepse kështu kanë dobësuar
konkurrencën. Politikanët shqiptarë duhet të kenë turp për shtetet fisnore që
po ngrehin dhe duhet të kenë turp ta quajnë veten politikanë, kur ndërtojnë
shtete jo të së drejtës, por shtete idiotësh, që do t’ i kishin ndërtuar
pikërisht kështu edhe analfabetët. Kosova nuk duhet të harxhojë energji në
njohje të reja, por në krijimin e vendeve të punës dhe ndërtimin e shtetit
ligjor. Njohjet pasojnë vetvetiu. Deri sa të jetë “Bondsteel” aty dhe pas
shpine “Oncel Sam”, Kosova do të mbetet shtet. Shqipëria duhet ta rrëzojë misionarin
e fundit të Ramiz Alisë, që nuk hapi dosjet komuniste dhe mbrojti xhelatët e
djeshëm nga ndjekja penale pa dhënë asnjë përgjegjësi për krimet e tyre. Të
jetohet në një shtet fisnor është torturë, sepse ligji nuk ta ofron sigurinë,
që ta ofron në shtetin ligjor. Të shpresojmë se një ditë do t’ i shohim
meritokratët mbi kalë, që galopojnë drejt horizontit si John Wayn në fund të
filmave të tij...