Editorial » Entela
Entela Binjaku: Sociolog apo psikolog?
E diele, 24.02.2013, 06:10 PM
Sociolog
apo psikolog?
Nga Entela Binjaku
Zgjedhja
e profesionit, i lidhur ngushtë me arsimimin, është një ndër vendimet e
rëndësishme në jetën e një individi, për shumë arsye, të lidhura të gjitha me
të ardhmen e tij.
Me
lëvrimin e një profesioni të caktuar, i cili vijon si rezultat i shkollimit në
një fushë të caktuar, individi përmbush një pasion, ushqen një ambicie,
plotëson dëshirën për të dhënë kontributin personal në zhvillimet e jetës
shoqërore, afirmohet si personalitet, siguron mirëqënien personale apo atë të
familjes etj.
Në
kulturën tonë shoqërore, gjatë
zhvillimit të këtij procesi, një rol shumë të rëndësishëm merr edhe
familja. Për këtë nuk mund të mos përmendësh shkallën e lartë të përfshirjes
veçanërisht emocionale, të shoqëruar edhe me elementë ekonomikë, të prindërve
shqiptarë. Në këtë proces ata marrin rolin e protagonistit të vërtetë së bashku
me të rinjtë të cilët janë dhe të interesuarit konkretë dhe të drejtëpërdrejtë.
Kështu
kujtoj të ketë qenë edhe 15 vjet më parë, kështu shoh të ndodhë edhe
aktualisht.
Plotësimi
i formularit me degët e studimit në përgjigje të kërkesave të sistemit
meritë-preferencë, është një makth i vërtetë, veçanërisht për prindërit e një
të riu apo të reje që dëshiron të ndjekë studimet e larta. Pothuajse i gjithë
viti shkollor është një shpenzim i madh energjie nga ana e të gjithë aktorëve
të përfshirë në këtë proces.
Me
zhvillimet e reja në vend, një sërë profesionesh “humbën”, të tjera erdhën e u
ngjizën, ashtu sikundër një pjesë u ringritën sipas një profili të ri. Sot, pas gati 2 dekadash aktivitet degët e reja, të hapura rishtazi, ose të
risjella tashmë me një profil në përputhje me zhvillimet e njohura në vend, jo
vetëm do të duhej të ishin të njohura, por duhej të jepnin edhe kontribut për
zhvillimet e vendit duke ju dhënë tashmë statusin e profesioneve të afirmuara.
Ndër këto degë mund të përmendim edhe ato që i përkasin Fakultetit të Shkencave
Sociale të cilat në kushtet e reja të zhvillimeve që e përfshinë vendin tonë
dhe shoqërinë shqiptare konsideroheshin si një domosdoshmëri.
Fakulteti
i Shkencave Sociale është një ndër të preferuarit e të rinjve tanë, gjë të
cilën e tregojnë edhe kërkesat e larta nga ana e tyre për degët e këtij
Fakulteti. Preferencat për këto degë
natyrshëm duhej t´i kërkonim tek pasioni për shkencat shoqërore, tek prirjet më
së shumti drejt këtyre degëve, tek mundësitë që tregu i punës ofron për të
diplomuarit e shkencave sociale etj. Megjithatë realiteti tregon se në një
shkallë të lartë, kjo preferencë nuk lidhet përherë me arsyet e
sipërpërmendura, por përkundrazi përcjell frymën e “të mos mbeturit pa shkollë
të lartë”, e pajisjes thjesht me diplomë, “e suprizës” që ju bën të rinjve
sistemi meritë-preferencë etj.
Situata e
punësimit e të diplomuarve në shkencat sociale është në përgjithësi
dëshpëruese.
Një pjesë
e madhe e atyre që janë diplomuar në secilën prej degëve të këtij fakulteti,
nuk e ushtrojnë këtë profesion. Jashtë kësaj dukurie nuk mbetet as profesioni i
sociologut.
10 vjet
më parë pyetja që lidhej me profesionin e sociologut, pozicionin e tij në
tregun e punës në vendin tonë ishte sa e zakonshme aq edhe normale, njëkohësisht. Profesioni i
sociologut dukej shumë i panjohur, i papërcaktuar dhe në shumë raste si një
profesion “pa profesion”, edhe pse Fakulteti i Shkencave Sociale kishte nxjerrë
në treg brezat e parë të të diplomuarve, duke gëzuar në shumë raste edhe
“privilegjin” e ushtrimit të këtij profesioni.
Kjo
mosnjohje e thellë natyrshëm nxiste dhe dëshirën për të dhënë sa më shumë shpjegime lidhur me
këtë profesion të shoqëruar me entuziazmin që e karakterizon një të
sapodiplomuar,
Megjithatë,
sot, 10 vjet më vonë, pyetjet që lidhen me vendin e sociologut në tregun e
punës, jo vetëm që nuk kanë ende përgjigje, por shoqërohen edhe me pyetjen:
sociolog apo psikolog?
Pyetja në
vetevete pavarësisht dukjes si e parëndësishme, mbart me të drejtë një lloj
konfuzioni që ekziston në radhët e gjera të shoqërisë lidhur me këto dy
profesione për të cilat shoqëria ka nisur të dëgjojë vetëm në këto gati dy
dekada të fundit. Arsyen për këtë “konfuzion” mund të gjejmë sa tek promovimi
më i mirë i profesionit të psikologut, sa te artikulimi më i dëndur i këtij
profesioni në kushtet e shoqërisë sonë, aq edhe tek mosangazhimi në tregun e
punës i të diplomuarve në sociologji, apo tek emërtimet e sociologëve herë si
psikologë, herë si analistë të çështjeve sociale, herë si docentë të
sociologjisë, etj.
Për të
hedhur pak dritë mbi rëndësinë e profesionit të sociologut do të dëshiroja të
sillja në vëmendje një autor P.Berger sipas të cilit: “Interesi për
sociologjinë lind nga fakti që perspektiva sociologjike na jep mundësinë të
shohim, nën një dritë të re, botën në të cilën kemi jetuar gjithmonë”.
Shumë
studiues të fushës së sociologjisë sot, janë duke përpunuar ide që lidhen me
ripozicionimin e të sociologut në tregun e punës, si dhe me rikonceptimin e
studimeve të sociologjisë për të qenë ato më pranë qytetarëve dhe sa më shumë
në shërbim të çështjeve publike. Për këtë arsye studiues të tillë si Michael
Buraëoy flasin “për një sociologji frymëzuese” si në studimin me titull “Për
një sociologji të publikut” (2005) ose në kushtet kur Ulrich Beck flet për
“nevojën e zërit publik të sociologjisë”, duke pohuar domosdoshmërinë e
rikonceptimit të sociologjisë nën një dritë të re, në mënyrë që kjo shkencë të
mos mbetet “ si një relike në muze”.
Aktiviteti
i sociologut e lidh atë me fusha të tilla përvojash të cilat janë të njohura
për të dhe për të gjithë ata që i përkasin grupit të tij shoqëror, dhe
aktiviteti kërkimor empirik e lidh me komunitetin ku jeton dhe me të gjitha ato
fakte që organet e medias së përditshme flasin në vazhdimësi. Në këtë
këndvështrim media në vendin tonë ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm
vecanërisht në njohjen e profesionit të sociologut nëpërmjet hapësirës që i jepet
në median e shkruar, pamore apo të dëgjuar mendimit të sociologut duke ndihmuar
në këtë mënyrë edhe në krijimin e një ideje në një shkallë më të gjerë të asaj
cfarë profesioni i sociologut përfaqëson.
Duke iu
rikthyer edhe një herë konfuzionit që lidhet me dëgët e reja apo profesionet e
reja dhe kur ende shoqëria është konfuze me profesione të cilat numërojnë
tashmë të paktën 15 vjet aktivitet, nuk është veshtirë të imagjinojmë se cfarë
konfuzioni mund të sillnin në mentalitetin shoqëror degë të tilla si:inxhineria
ekonomike apo informatika ekonomike, mekatronika etj.
Në këtë mënyrë shtrohet natyrshëm kërkesa për më shumë informacion lidhur me fusha të caktuara, me profesione të caktuara, vecanërisht kur ato janë të reja dhe shumë të kërkuara,të cilat sigurisht do të mund të vinin si rezultat mbi të gjitha i punësimit në këto fusha, si rezultat i hapjeve sa më shumë vendeve të reja të punës, i politikave afatgjata të planifikimit të tregut të punës, në mënyrë të tillë që profesionet e reja të mos përbëjnë “më çështje të panjohura”.