Editorial
Baki Ymeri: Zotit Fuad Ramiqi për kujtim!
E merkure, 27.02.2013, 10:30 PM
NJË CIRK
QESHARAK ME VLERA PATRIOTIKE
(Zotit Fuad Ramiqi për kujtim)
Nga Baki Ymeri
Një gabim
i pranuar të ngre në piedestalin e dinjitetit që e ke humbur. Lidhur me
reagimin e Fuad Ramiqit „Jetojmë në kohën e çudirave të llojllojshme të atyre
edhe që mendja e njeriut nuk i kupton” (Bota sot, 25 shkurt 2013), i kam edhe
unë nja dy fjalë. Është hera e parë kur del para opinionit me një segment
interesant të veprimtarisë së tij
ushtarake, sepse ne deri vonë e kemi njohur si ithtar i fanatizmit
fetar, gjë për të cilën nuk ka nevojë Kosova në kohën e konsolidimit të
pavarësisë. Pse? Sepse të militosh sot për shndërrimin e Kosovës në një çerdhe
të ekstremizmit islamik, don të thotë të jesh vegël qorre e Serbisë për
zbatimin e projektit famëkeq të Çubrilloviqit për hapje mektepesh në vend të
shkollave kombëtare në Kosovë. Zoti Ramiqi është i dekoruar nga titanët e
gazetarisë shqiptare me „grada ushtarake” për shpirtngushtësi dhe shkurtpamësi.
Fuad Ramiqi sipas publicistikës shqiptare është „Muslimani me mjekër të thinjur
ia mësyu detit për në Palestinë për të ndihmuar vëllezërit e tij myslimanë
palestinezë të cilët kanë një “vëlla” të tyre në Beograd i cili në cilësinë e
ambasadorit të Palestinës në Serbi deklaroi se “Kosova është pjesë e Serbisë
dhe Serbia ka të drejtë të interesohet për territorin e saj”.
Ky farë
“vëllau palestinez”, sigurisht se është i njohur për vëllaun e tij
“evolucionist” Fuad Ramiqi i cili në emër të shpirtit të tij “human” ia mësyu
detit dhe u nxu peng nga ushtria izraelite gjatë misionit të tij “human” për
vëllezërit e tij palestinezë të cilët për shtetin e Kosovës mendojnë njësoj si
regjimi i Beogradit.” Pa marrë parasysh faktin se ka qenë oficer i armatës
jugosllave, në bazë të reagimit të tij del në pah e vërteta se Fuadi ka merita
sa i përket luftës sonë çlirimtare, siç thekson: „Funksionet e mija në
Ministrinë e Mbrojtjes janë të njohura publikisht. E vërteta është se unë që
nga 26 qershori i vitit 1998, kur me urdhërin e Komandantit të Përgjithshëmtë
FARK-ut, kolonel Ahmet Krasniqit, jam caktuar përgjegjës për formimin e
Brigadës 141 në Papaj.” Ky është një argument i fortë që shkon në favor të tij,
kurse sa i përket sintagmës „eksponent i radikalizmit islamik”, zoti Ramiqi
duhet ta dijë se këtë epitet nuk e ka trilluar Besnik Lajqi, por dhjetra
gazetarë dhe qindra komentatorë tjerë para tij.
Ajo që
bie në sy dhe duket tejet qesharake, është fakti se Fuadi në vend që të zihet
me luanët e publicistikës shqiptare që e kanë demaskuar në massmedian e shtypur
dhe elektronike, shkon e zihet me një djalosh që sapo i bën hapat e parë në
publicistikë, duke e kërcënuar madje, edhe me hedhje në gjyq. Besnikun e njohim
për shkrimet e tij që dëshmojnë pjekuri intelektuale dhe sens për të përshkruar
të shkuarën ashtu siç ka qenë, duke i qitur në bisht të lahutës ata që i
kritikon edhe Fuad Ramiqi, pra, kriminelët e kombit që kanë ndotur duart me
gjakun e Ahmet Krasniqit dhe sokolave tjerë të partisë së Ibrahim Rugovës. Në
likuidimin e Ahmetit nuk kanë gisht as islamistët, dhe as demokratët, por
enveristët që paralajmëronin se „ne do ta vrasim A. Krasniqin”. Burime lidhur
me këtë subjekt ke sa të duash te Forumi Shqiptar. Fuadi dhe Jashari gabojnë
rëndë kur tentojnë që kundërshtarët e tyre, gazetarët e pavarur apo
„kalemxhinjtë”, siç thonë ata, t’i fusin në të njëjtin thes pleshtash me
garniturën e Xhavit Halitit dhe kaubojve tjerë SHIK-ut stalinist në Kosovë.
Kështu
vepronin Stalini, Enveri dhe Millosheviqi në kohën e tyre. Nuk na ka hije të Ju
themi Turp të Ju vijë, Ty dhe haxhi Jashar Strofcit, sepse jeni më të vjetër se
„kalemxhinjtë”, se keni ideale demokratike, dhe se implikoheni për ndriçimin
ngjarjeve të pandriçuara që kanë ngjarë në Kosovë. Mos harroni se Besniku ka
një libër të botuar dhe dhjetra shkrime të botuara ku i lë pa brekë ata që
kanë, apo mund të kenë gisht në likudimin e shqiptarëve nga shqiptarët,
respektivisht nga korbat e kombit. Keni fat që nuk ju përmend në librin e tij,
sepse përveç qindra komentatorëve që Ju konsiderojnë si eksponent i projektit
të Çubrilloviqit për talibanizimin e Kosovës, keni edhe dhjetra dashamirë që ju
konsiderojnë si atdhetarë të mirë, ndaj s’po e çojmë më tej. Nuk e dimë Besniku
në do t’i kërkojë falje ish oficerit të armatës jugosllave, edhepse po të isha
unë në vendin e tij, do t’i kërkoja falje publike për hirë të faktit se Besniku
dhe Fuadi kanë ide identike. Edhjepse ka kodra e kodra mes mentalitetit të
tyre, që të dy militojnë për zbardhjen e së vërtetës lidhur me vrasjet makabre
të bijve tanë që janë kryer në Kosovë dhe Tiranë. Meqë nuk njiheni, preferoj të
njiheni e të pajtoheni. Kaq sa për sot, pak e për merak, shkurt e shqip, në
funksion të fajles së gabimeve, për hirë të pajtimit dhe mirëkuptimit.