E premte, 02.05.2025, 09:48 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Idriz Zeqiraj: Në Pfaffenofen u festua 100 vjetori

E shtune, 23.02.2013, 11:29 AM


NË PFAFFENHOFEN U FESTUA 100 VJETORI I PAVARËSISË TË SHQIPËRISË

DEKORI I SKENËS SI PASQYRË E HISTORISË

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Në Pfaffenofen të Bavarisë jeton dhe vepron një komunitet shqiptarësh. Janë ngulitur këtu në vitet `90-a. Organizimi i tyre fillestar ka qenë partiak. Me hapjen e Fondit të Kosovës, i shprehur në 3 %-in obligativ, janë aktivizuar në begatimin e tij. Me shtimin e numrit të mërgimtarëve, kryesisht azilkërkues, lindi nevoja edhe për hapjen e shkollës shqipe. Aktivistët e këtueshëm Osman Ferizi dhe Shemsi Haziri e realizuan këtë më 1994.

Në Pfaffenhofen me rrethinë qenë strehuar edhe disa nga bashkëluftëtarët e heroit Sali Çekaj, si: Kadri Gubetini, Bashkim Leci, Shemsi Krasniqi, Afrim Zena, Arsim Hamiti, Lutfi Jonuzi, Ramadan Begu, Ilmi Peci,  Osman Ferizi, Faton Gajtani, Shkelzen Gjonaj, Hasan Ferizi, Shemsi Zeqiri, Adem Derguti, Imer Aliu, të cilët, në vjeshtën e vitit 1991, me nismën e dr. Ibrahim Rugovës dhe të prof. Fehmi Agani, në koordinim me juristin e diplomuar Sali Çekaj dhe kryetarin e LDK-së në Gjermani, Hafiz Gagica, qenë dërguar dy grupe djemësh të Kosovës, përkatësisht, 6O dhe 65 persona, për përgaditje ushtarake në Surel të Tiranës. Kjo nismë vetëfolëse, demanton bindshëm të gjithë hileqarët dhe halabakët se, kinse Presidenti Ibrahim Rugova kishte përjashtuar opsionin e luftës.

Ndonëse larg Kosovës, mërgimtarët e kësaj zone qenë organizuar fort për ta ndihmuar Kosovën, moralisht dhe materialisht. Ata ishin pjesëmarrës në të gjitha protestat, që nga Boni, Brukseli, Berna e deri ke Rambueja si dhe në veprimtari të tjera të karakterit kombëtar, begatues të fondeve qendrore institucionale si dhe dhënës të pakursyer në aksionet lokale komunale e fshatare.

Djemtë mërgimtarë dikur, që, tashmë, janë burrëruar, ishin syçelë dhe përcillnin çdo nismë e aktivitet të pushtuesit edhe në Mërgatë. Shoqata serbe "Valjevo" organizoi një tubim me temën "Kosova dhe NATO", me qëllim të demaskimit të kësaj aleance ushtarake. Organizatori kishte ftuar personalitete politike e shoqërore vendore, në mes tyre edhe miq të shqiptarëve, si Franc Model, Ambasador Nderi i Shqipërisë në Bajern.

Osman Ferizi rrëfen: "Ne, veprimtarët, kishim mësuar, paraprakisht, temën dhe qëllimin e këtij tubimi propagandistik antishqiptar. Dhe, u përgaditem për përgjigje të atypëratyshme. Pasi ata vollën vrerë kundër NATO-s dhe shqiptarëve, ne shpalosëm para të pranishmëve, ku dominonin gjermanët, stendën me fotografitë makabre, të llahtarëshme me viktima të pafajshme shqiptare, përfshi këtu gra dhe fëmijë, të masakruara nga forcat policore dhe ushtarake serbo-sllave. Pjesëmarrësit u tronditën dhe u befasuan - njëherësh. Ambasadori Franc Model na përgëzoi për këtë përgjigje faktike. Tubimi i tyre dështoi tërësisht dhe serbët nuk provuan kurrë më të përsërisin tubime me tema të tilla".

Shoqata e zëshme "Sali Çekaj"

Janë dy arsye bazike që kanë lindur Shoqatën Kulturore Shqiptaro - Gjermane, humanitare e bëmirëse "Sali Çekaj", madje në dy shtete - njëherësh: Gjermani dhe Zvicër. Roli i juristit të diplomuar, i intelektualit të kompletuar, i zyrtarit të lartë reformator, i koordinatorit të parë në trinomin dr. Rugova, prof. Agani, juristi dhe oficeri Sali Çekaj, për përgaditjen ushtarake, komandantit të parë të grupeve guerile në Kosovë si dhe komisarit dhe komandantit të brigadës luftarake në Koshare, deri në rënien heroike - Sali Çekaj, është unik, është rol kyç, që sheshon të vërtetën historike se kush e organizoi dhe e bëri luftën faktike. Pikërisht për këtë Sali Çekaj është i shenjëstruari i parë, ushtaraku i parë, për të cilin është lëshuar fletë-arresti, më qëllimin e qartë të likuidimit fizik, madje nga krerët e sotëm që garojnë për kupolën pushtetare të Kosovës!!

Fenomeni Sali Çekaj, rasti Sali Çekaj, zbulon njëkohësisht se kush sabotoi luftën në Kosovë, e cila, në saje të këtij sabotimi, pësoi humbjen totale në fushë-betejë dhe nga luftë u kthye në një masakër të dhimbshme. Rasti Sali Çekaj denoncon pakundërshtueshëm se sabotuesit e djeshëm të luftës, janë falsifikatorët e historisë të sotme, janë profiterët e luftës dhe uzurpuesit e pushtetit me dhunë e gjakosje të kundërshtarëve politikë. Bashkëluftëtarët e Sali Çekaj, nuk mund të ishin indiferentë ndaj veprës dhe figurës së tij, të cilën, ekstremi i majtë, të gjithë kryeministrat e pas luftës si dhe presidentët Pacolli e Jahjaga, e kalonin pa e vërejtur shtatorën e tij në qendër të Deçanit, me qëllimin lehtësisht të lexueshëm: emri i Sali Çekaj të mbulohet me heshtje deri në harresë! Në manifetimet e 100 vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë u vu re tendenca e anashkalimit, harresës të qëllimshme, madje në të dy anët e kufirit, e Presidentit Rugova. Nuk ka arsye të mos besohet Richard Holbrook në mendimin sintezë të tij: "Po të mos ishte Ibrahim Rugova, nuk do të ekzistonte Kosova". Dhe, kur përmendet lufta në Kosovë, asnjë emër tjetër nuk mund të citohet e shembullohet para Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova dhe të komandantit të parë ushtarak në Kosovë - Sali Çekaj.

Shokët e armëve të Saliut, në Gjermani dhe Zvicër, të prirë, përkatësisht, nga Osman Ferizi dhe Saim Tahiraj, të indinjuar thellë nga pacipëria komuniste e ekstremit të majtë stalinistë, me paçavurën e tyre informative - vizive, RTK-së, si tellall i kësaj kaste kriminale, dakorduan ta marrin në mbrojtje shokun e tyre, tashmë, të amshuar si dhe t`i vënë fre shtrembërimit dhe falsifikimit bizar e mizor të historisë tonë. Intervista, sa e saktë, aq edhe emocionale e kryetarit të Shoqatës "Sali Çekaj" në Zvicër, Saim Tahiraj, dhënë në Koha - Televizion, shpalosi para botës shqiptare madhështinë e figurës të Sali Çekaj, Hero i Kosovës. Loti i Saimit, përgjatë rrëfimit, me dyshimin e bazuar të prapaskenave, deri në mundësi të goditjes të porositur, siç ishte  skenuar likuidimi fizik më parë, përloti shqiptarët e kudondodhur, me përjashtim të ndoca halabakëve kuqaloshë të ideolgjisë të mykur sllaviste enveriste-staliniste.

Qëllim i dytë i themelimit të shoqatës ishte përfshirja e sa më shumë mërgimtarëve në aktivitete të ndryshme, duke e pasur edhe një organizim tjetër, veç atij partiak. Këshilli nismëtar për themelimin e një shoqate, hartoi listën emërore të anëtarësisë të mundshme. Kuvendi themelues, i mbajtur në Pfaffenhofen, më 16 shkurt 2008, ishte premtues. Kryetar i parë  është zgjedhur Mustafë Shala, nënkryetar Osman Ferizi, arkatar Zymer Zeneli dhe anëtarë të Kryesisë: Shemsi Hazi, Gazmend Dashi, Shaban Muli, Sadri Hoxha, Shain Baliu ...Emri i shoqatës ishte i gatshëm, madje ndër më meritorët e rezistencës me armë në prag të ndërrim-shekullit tonë.

Shoqata e zëshme "Sali Çekaj", me veprimtarinë e saj në fushën e aktiviteteve kulturore e artistike, në ruajtjen dhe kultivimin e folklorit, me grupin e valleve të fëmijëve - nxënës, të cilët, në raste festash kombëtare dhe vendore - gjermane, prezanton suksesshëm kulturën muzikore e folklorike shqiptare. Fëmijtë e kësaj Shoqate kanë përformuar valle, monologje e dialogje edhe jashtë Bavarisë. Me një rast, fëmijtë shqiptarë kanë shfaqur program edhe në Ambasadën turke në Mynih, në mjediset e kishës katolike në Mynih e të tjera aktivitete. Koreogafët e zellshëm: Shemsi Haziri e Gazmend Dashi punojnë me pasion në ushtrimin, përgaditjen e vallëzimeve, recitimeve, monologjeve, dialogjeve e tjera.

Ndajshtimet shoqatë humanitare e bëmirëse, nuk janë emërtime formale e fiktive, por lëndore e pratike. Me kontributin e anëtarësisë të Shoqatës, është ndërtuar një shtëpi skamnori në Hoxhaj të Tropojës. Për çdo - 1 maj - Shoqata organizon turnire në futboll, me ç`rast tregton ushqime tradicionale, të përgaditura, vullnetarisht, nga familjet si dhe pijet. Fitimet nga shitjet dedikohen për familjet e dëshmorëve, për skamnorët, qofshin ata në Kosovë, Maqedoni, apo Kosovën Lindore. Shoqata ka dhënë një shumë parash edhe për ndërtimin e Katedralës në Prishtinë. Ka kontribuar edhe në ndërtimin e shtëpisë të një skamnori të sëmurë në Broliqin e Sali Çekajt. Rastet tragjike, përcjellja e kufomave për në Atdhe si dhe ndihma për familjet e goditura, kanë qenë pjesë e përkujdesjes të Shoqatës.

Që nga viti 2010 në krye të Shoqatës është Osman Ferizi. Kryesia e Shoqatës ka raporte e bashkëpunim të suksesshëm me organet lokale gjermane si dhe me qytetarët vendorë gjermanë dhe të huaj. Ajo organizon tema afirmative për Kosovën si "Harmonia religjioze ndër shqiptarët", "Humanistja shqiptare Nënë Tereza", me referim të biografit të saj të shquar Don Lush Gjergji; Tribuna e mbajtur në Ingolstadt, me praninë e klerikëve të të gjitha besimeve fetare si dhe aktivitete të tjera. Shoqata bashkëpunon edhe me shoqata të tjera simotra si "Rilindja", me kryetar Bekim Gërvalla, "Shqiponja", të dyja këto në Mynih; më Shoqatën "Atdheu" në Augsburg si dhe me Shoqatën homologe "Sali Çekaj" në Zvicër.

Organizimet tona janë për argëtim dhe jo përfituese

Shoqata humanitare - bëmirëse "Sali Çekaj" në Pfaffenhofen, në kuadrin e aktiviteteve, harton planin vjetor. Përvjetorët e disa figurave luftëbërëse si dhe datat e shënuara historike janë prioritet, parësi e saj. 100 vjetori i pavarësisë të Shqipërisë kulmon për rëndësinë historike të popullit tonë. Organizatori i këtij manifestimi solemn, Shoqata, më kishte caktuar të referoj për historikun e pavarësisë dhe duhej të isha në sallë afro një orë para fillimit të manifestimit. Të 50 km rrugë deri në Pfaffenhofen i bëra në shoqëri me bashkëshortën time Hatmanen, vajzën Albulenën dhe veprimtarët veteranë të Mynihut: Mehmet Koka dhe vëllezërit Nebih e Ahmet Kolgeci. Në hyrje të sallës na pritën kryetari i Shoqatës Osman Ferizi me disa shokë të Kryesisë.

Një sallë sportive e futbollit të vogël dhe e basketbollit, e madhe sa një livadh! E shtruar në tepih anëpërtej, e zukuruar me qindra balona dhe shirita shumëngjyrësh, poshtë kapriatave nën kulm. Edhepse kisha qenë edhe dy herë të tjera mysafir i kësaj Shoqate, shumë të suksesshme, kisha parë prani masive të mërgimtarëve tanë, këtë herë isha skeptik për mbushjen e sallës. Suksesi i një demonstrate, i një mitingu, i një manifestimi është pjesëmarrja numerike e njerëzve.

Por, skepticizmin, dyshimin tim e hoqi, si me dorë, kryetari i Shoqatës Osman Ferizi: "Ne kemi krijuar një traditë për aktivitete të suksesshme. Organizimet tona, manifestimet tona nuk bëhen me qëllim përfitimi, por për agëtimin e mërgimtarëve. Nëse hyrja kushton 20 euro për person dhe ushqimet e pijet me çmime të larta, siç bëjnë disa klube e shoqata matrapaze, kjo do të ishte abuzim e plaçkë dhe do ta humbiste kuptimin e një mbremjeje festive, të një kremte kombëtare. Biletat tona janë në përputhje me mbulesën e shpenzimeve dhe, ndonjëherë, borxhi i mbetur përballohet nga Shoqata".

I një mendjeje me kryetarin e Shoqatës është edhe kryetari i Nëndegës të LDK-së për Bavari, Mehmet Zymeri: "Me gjithë vullnetin e mirë për të bashkëpunuar me subjektet tjera politike apo shoqatat, nuk arrihet pajtueshmëria, sepse kremtet festive shfrytëzohen për përfitime të majme, qoftë në çmimin e biletave, qoftë në pijet dhe ushqimet. Ndërsa në organizimet tona ka logjikë dhe masë. Çmimet janë simbolike dhe rregulli e siguria janë në nivelin e duhur. Prandaj, mërgimtarët i parapëlqejnë manifestimet tona dhe gjithëherë mbushin sallën, qoftë ajo edhe shumë e madhe".

Dekori i skenës si pasqyrë e historisë

Dekori i skenës shquhej për dy elmente krejt të dallueshme nga skenat e deritanishme:

1.- Një pllakatë e përmasave të mëdha, me stemën e 100 vjetorit, e punuar mjeshtërisht në Kosovë dhe e realizuar mrekullisht mirë.

2.- Në pllakatë, ku shquhet ngjyra e flamurit kombëtar, janë vendosur figura historike, për herë të parë një kombinim domëthënës, pra, skena pasqyron edhe protagonistët e historisë të një shekulli: Ismail Qemali, Isa Boletini - djathtas, Sali Berisha dhe Ibrahim Rugova - majtas.

Edhepse nuk isha në dijeni për këtë dekor të virgjër dhe unik, fjala ime e shkruar përafrohej me dekorin e skenës, gjegjësisht - protaginistët e historisë tonë një shekullore: Ismail Qemali, Mbreti i Shqiptarëve - Zogu i Parë, Enver Hoxha, Sali Berisha dhe Ibrahim Rugova.

Nuk kuptoj pse mungonte fotografia e Mbretit Zog?! Është skajmërisht e habitshme se shumica e shqiptarëve të Kosovës, sidomos njerëzit e shkolluar, kanë shumë rezerva për Mbretin e Shqiptarëve! Edhepse, tashmë, kanë mësuar se Enver Hoxha ka prodhuar, kryesisht, gënjeshtra, rrallë gjysmë të vërteta dhe asnjëherë të vërteta, megjithatë janë infektuar me përrallat e tij edhe në rastin e Mbretit Zog. Ai nuk është vetëm konsolidues i shtetit shqiptar, por edhe themelues i tij. Ahmet Zogu hyri në politikë si ministër i brendshëm në Qeverinë e Sulejman Delvinës, duke u shquar për mençuri e guxim, duke mposhtur barrierat bashibuzuke në Shqipërinë e Mesme, për ta bërë Tiranën kryeqytet të Shqipërisë.

Synimi i Stalinit - sovjetizimi i Shqipërisë

Vrasjet e disa figurave politike dhe patriotike, me kot i mëvishën kryeministrit e, më vonë Mbretit Zog.

1.- Avni Rrustemi dhe Ahmet Zogu kanë qenë së bashku në shoqërinë "Bashkimi". Avniu vrau pashanë e Toptanëve dhe u sillej para hundëve fisit të madh toptanas, rrugicave të Tiranës, madje, me duar në xhepa. Djaloshi me kurajo qytetare i Libohovës, i dehur me lavdinë për atentatimin e pashës toptanas, harroi Kanunin e Lekës, duke rënë viktimë e tij. Dhe, Avniun e atentatoi Isuf Reçi, mullixhiu i Toptanëve! Pra, ishte forca e Kanunit, ishte një hakmarrje për atentatin e bërë në Paris, ndaj Esat Pashë Toptanit, nga studenti Avni Rrustemi.

2.- Bajram Curri ishte një figurë shumë popullore. Ishte fort aktiv në luftërat kundra turke më 1910-1912, për pavarësinë kombëtare. Viti 1924 e gjen përkrah Nolit, dy figura, që, përveç atdhedashurisë, nuk kishin asgjë të përbashkët. Noli e tërhoqi Currin për të bërë puçin kundër kryeministrit Ahmet Zogu. Dhe, ai i shërbeu përkushtshmërisht.

Kanë kaluar afro nëntë dekada nga i ashtuquajturi "Revolucion i Qërshorit" dhe ende variojnë dy opsione të kësaj ngjarjeje të rëndë të historisë tonë kombëtare. Nacionalistët, atdhetarët shqiptarë e kanë cilësuar kundërrevolucin, puç aventuresk në shërbim të rusit Stalin, i cili e donte sovjetizimin e Shqipërisë. Dhe, kjo ishte prova e parë, e cila, fatmirësisht, ishte jetëshkurtër, dështoi. Asnjëherë nuk u hulumtuan mirëfilli arsyet e këtij puçi kundra shtetit të brishtë shqiptar. Frika se mos Noli vetëdijshëm u vu në shërbim të othodoksisë ruso-sllave, frenonte hulumtimet e studiusëve historianë shqiptarë.

Përlavdërimi që Bajram Curri  i bënte Leninit, duke e quajtur "hazreti Lenini", ndërkohë që aneksimi, bashkimi i vendeve me Rusinë, ngjasonte shumë me "Anshluset", aneksimet e Hitlerit në vitet `40-a. Simpatia e Bajram Currit për Rusinë e Leninit flet bollshëm se fara e keqe e sovjet-komunizmit ishte hedhur edhe në Shqipërinë tonë.

Prova e dytë e Stalinit, për sovjetizimin e Shqipërisë, është përpjekja me puçin ushtarak, të organizuar nga disa oficerë pro sovjetikë, të prirë nga Riza Cerova me shokë, më 1935, duke e implikuar edhe gazetarin Ismet Toto, nga një familje e njohur delvinjote. Për habi, Cerova i shpallur hero nga Enver Hoxha, me qëllime të caktuara, për ta demaskuar Mbretin dhe Mbretërinë, edhe sot ky falsifikim i rëndë i historisë nuk është korrigjuar!

Nëse puçi ushtarak i asaj kohe dështoi, e njëjta ndërhyrje e Stalinit, me KGB-në e tij famëkeqe, gjakosi Spanjen, ndezi luftën civile. Lufta për "Republikën Spanjolle" ishte një kamuflazhë, për të cilën luftuan dhe u sakrifikuan edhe ndoca të rinj shqiptarë. Rrjedhojat e kësaj lufte qenë fatale për Spanjen, sepse, për ndryshim nga Mbretëritë tjera evropiane, radikalizuan Mbretërinë Spanjolle dhe kjo zgjati shumë, deri sa u shua Mbreti Franko, i cili, në tastamentin e tij, porositi të varrosej pingul, në këmbë, një rast unik, për të dëshmuar rezistencën e tij pëballë komunizmit satanik.

Marrëzia komuniste: "Vëllezërit kinezë" dhe "miqtë kosovarë"!

Prova e tretë e Stalinit për sovjetizimin e Shqipërisë u bë në vitet `40-a dhe rezultoi suksesshëm. Lakeu i tij, Enver Hoxha, shkoi përtej sovjetizimit, e rusifikoi shoqërinë shqiptare dhe vet shtetin shqiptar. Dhe, kjo ishte shumë tragjike për Shqipërinë tonë. Atdhedashuria, krenaria shqiptare do të zvetnoheshin shumë, në raport me internacionalizmin proletar dhe, ka mbetur e shkruar shprehja sintezë e marrëzisë komuniste: "Vëllezërit kinezë" dhe "miqtë kosovarë"!!

Gjatë përndjekjes të eksponentëve  puçistë, kundër-shtetërorë, Bajram Curri refuzoi thirrjen për dorëzim dhe vrau veten. Nuk ka rëndësi nëse ai i dha plumb vetes, në një strehinë të Dragobisë të Tropojës, apo e vranë forcat rrethuese ushtarake, e policore. Por, trimëria dhe mençuria jo gjithëherë janë cilësi zotëruese të një njeriu. Edhe babai i tij, Shaqir Curri "shkoi si keq",- thonin pleqtë. U ndodh i rrethuar me Maxharr Pashën e Magdeburgut të Gjermanisë dhe Avdulla Pashë Drenin e Gjakovës. "Miku i mirë në ditë të vështira", - thotë urtësia. Dhe, sulmi i turmës është uragan. "Më thuaj me ke rrinë, të them se kush je". Edhepse Shaqir Curri është njohur për të mirë, ai u largua kësaj bote së bashku me pashallarët e Sulltanatit.

Duke njohur kontributet kombëtare të Bajram Currit, vdekja e tij ishte një dhembje dhe keqardhje e madhe. Por, izolimi, kapja ose edhe vrasja e tij, ishte në logjikën normnale për rrethanat e kohës. Një këngë e bërë me porosi të partisë të Enverit, ku togeri Kadri Mehmeti cilësohet si tradhtar, pse kryesonte skuadrën e ndjekjes të puçistëve në Malësitë e Veriut shqiptar, ose "Krasniqja u tregua e pabesë", pse rastisën të një fisi ndjekësi dhe viktima, pra, Kadri Mehmeti e Bajram Curri, është alogjike dhe fundërisht banale. Shteti funksiononte me ligjet napoleoniane të Francës, Evropës.

Është logjika fatale e kastës drejtuese kriminale të Kosovës, e cila ka mbushur dikasterin policorë me njerëz të krimit, kushërinj, dajallarë e miq. Për rrjedhojë, mund të vjedhësh, të vjelësh reket, haraç, madje, edhe të vrasësh dhe, jo vetëm të mos ndëshkohesh, por të bëhesh zyrtar i lartë, deputet. Një nepotizëm neveritës, i cili pamundëson zbatimin e ligjit, drejtësinë. Togeri Kadri Mehmeti ishte në shërbim të shtetit ligjor dhe në shërbimin ndaj shtetit nuk ka as shok e mik dhe as fe e fis. Përndryshe, do të kishim një drejtësi hiçe, si sot, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, mjerisht.

Ahmet Zogu, si deputet, si ministër i brendshëm, si kryeministër, si president dhe si Mbret i Shqiptarëve, kishte ndjesi dhe aftësi të një burrështetasi të njëmendët. Ai ishte sovran jo vetëm për kolltukun e monarkut, por, po kaq sovran ishte edhe në vendime dhe veprime unike  si shtetar. Logjika, arsyeja asnjëherë nuk mposhtej nga ndjenja. Qëllimi i tij ishte thellësisht kombëtar: Shqipëria duhej bërë shtet solid, madje me çdo çmim. Ai njihte popullin e vet, i njihte shqiptarët, të cilët më shumë ishin shquar si luftëtarë mërcënarë, se sa si luftëbërës kombëtarë. Ai kishte përjetuar ndërrimin e qeverive shqiptare në 6 ditë, në 6 javë, në 6 muaj! "5 shqiptarë e 6 parti", - siç thoshte Konica. "Shqipëria do të bëhet për inat të shqiptarëve", - shfrynte zemratën poeti kombëtar, At Gjergj Fishta.

Mbreti i Shqiptarëve Zogu i Parë

Dhe, një mendje e mprehtë dhe dorë e fortë i duhej vendit, Shqipërisë. Vetëm pas gjashtë vjetësh nga "revolucioni" i tij, Noli do të thoshte se "Shqipëria e gjeti ustain", duke e vlerësuar dhe pranuar mbretërimin e kundërshtarit të tij, Ahmet Zogut. Është pikërisht kjo pendesë e Nolit, për "veprën" e tij, që amortizoi hulumtimet e mëtejmë të "Revolucionit" të Qershorit 1924, duke besuar se sulmi kundër ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, ishte profania politike e Fan Nolit, intrigimet e nëndheshme të Stalinit rus, për ta sovjetizuar Shqipërinë, orientimi i së cilës ishte pro evropian, pro perëndimor. Është interesant fakti se edhe në vitet `40-a, kur u ripushtua Shqipëria jonë, Fan Noli kishte besim në aftësitë burrështetase të Zogut. Ai e bindi edhe Faik Konicën se Zogu duhet të jetë në krye të "Bashkimit të Shenjtë" për lirinë e Shqipërisë. Pra, sipas Nolit, Shqipëria e asaj kohe ende nuk kishte një personalitet të dytë që mund ta tejkalonte Ahmet Zogun.

3.- Vrasja e Luigj Gurakuqit ishte nga më të rëndat, më të dhimbshmet, më tragjiket. Intelektual i formuar dhe i veprimit të guximshëm. Ishte i ndershëm deri në kufinjtë e të pabesueshmes. Kur u vra në Bari të Italisë, këmisha e ish-ministrit të Financave Shqiptare ishte e arnuar! Fort i angazhuar për Kosovën dhe tërësinë etnike. Është thënë dhe përsëritur se u vra për një borxh, madje nga nipi i tij - Bartolome Stambolla! Studiusitë përjashtojnë mundësinë e vrasjes nga Zogu, sepse, tashmë, Gurakuqi kishte kaluar detin. Dhe, nuk njihet asnjë rast që Zogu të këtë luftuar e vrarë kundërshtarët e tij në mërgim, edhepse ata ishin jo pak. Për këtë akt barbar mendja të çon tek jugosllavët, ngaqë binomi Hasan Prishtina - Luigj Gurakuqi mund ta zgjonte ndërgjegjen e fjetur të Evropës, për grabitjen e tokave dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve nga fqinjtë dhe trajtimi mizor i shqiptarëve në trojet tona nën pushtim.

4.- Hasan Prishtina është një figurë markante historike, e dlirë nga pazare e kompromise politike. Një burrë i shkolluar, sovran në mendime e veprime, i cili, i deleguar nga populli  i tij, i imponohet Parlamentit perandorak osman. Ishte udhëheqës mendor e shpirtëror i luftërave për liri të shqiptarëve. Me të drejtë është cilësuar si ideator dhe arkitekt i pavarësisë të Shqipërisë.

Injoranca ësht shah në vete. Dhe, kjo kategori njerëzish nuk i ka munguar asnjëherë njerëzimit. Të tillët thonë se Hasan Prishtina nuk është pjesë e pavarësisë, meqë në aktin e shpalljes publike të saj, nuk ishte i pranishëm fizikisht në Vlorë! As Ibrahim Rugova nuk e përjetoi ditën e leximit të deklaratës të pavarësisë të Kosovës. Por, realisht, ai ishte shtetbërësi i Kosovës, sepse pa mendjen dhe veprimet e Tij të mençura dhe vendimtare e unike - njëkohësisht, deklaratat si ajo e 17 shkurtit 2008, do të lexoheshin fiktivshëm nëpër azilimet e shqiptarëve të Kosovës nëpër botë, ashtu siç kanë berë shumë popuj përgjat shekujve të historisë.

Me redikalizimin e kërkesave të tij, për tërësinë e Shqipërisë, Hasan Prishtina nuk arriti të akmodohej as në qeverinë e Ismail Qemalit dhe as në atë të Fan Nolit. Ai do të shpallej shef i irredentës të shqiptarëve, të mbetur jashtë Shqipërisë londineze, bilëz, në historinë e Shqipërisë komuniste, deri edhe në librat shkollorë, do të cilësohej si tradhtar deri në vitin 1967, kur burri i shquar i Vaganicës të Vushtrrisë, Ajet Haxhiu, do të imponohej me librin e tij "Hasan Prishtina", një biografi dhe kronologji të jetës dhe të veprës të këtij ideologu kombëtar, për lirinë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Anatemimi i Hasan Prishtinës do të pushonte vetëm më 1978, në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur do të bëhej edhe bartja e eshtrave të tij nga Selaniku, për t`u prehur në Atdhe, Kukës, në këmbim të lirimit të grekut Jani Foqianos nga burgu i Ballshit dhe riatdhesimin e tij në Greqi, djali i një fabrikanti këpucësh athinjot.

Me kot është abuzuar dje nga komunistët shqiptarë për vrasjen e tij, kinse, e bërë nga Mbretëria Shqiptare. Ishte viti 1933, kur Mbreti Zog i kishte "hypur kalit" dhe nuk rrezikohej fare nga ai. Hasan Prishtina, ashtu si dhe Noli, ishte burrë i zgjuar dhe vëzhgonte me vëmendje ndërtimin, konsolidimin e shtetit shqiptar. Mbretëria Shqiptare ishte mbretëria më liberale e kohës në hapësirat ballkanike. Prandaj halli i tij nuk ishte mbretërimi në Shqipëri, por shpëngulja e masive nga ngulimet e tyre etnike, diskriminimi dhe terrorizimi i shqiptarëve në trojet e tyre të pushtuara nga fqinjët, kryesisht Mbretëria e Bashkuar Jugosllave. Prandaj, edhe vrasja e tij është vepër ekskluzive e Jugosllavisë, e aprovuar edhe nga aleancat e saj orthodokse në Ballkan e më gjerë. Deklarimi i dorasit Ibrahim Çelo, nga Maqedonia, por jetonte në Nikea të Francës, agjent i dyzuar, i Beogradit dhe i Francës,  se "e vrava Prishtinën, sepse ai donte ta vriste Mbretin Zog", janë një trillim bajat, i porositur nga padronët e tij. Kjo na kujton bandën e SHIK-ut: "E vrasim ministrin Ahmet Krasniqi dhe faji i mbetet Bukoshit"!

Shtetin ligjor të Mbretërisë nuk e ka arritur as sot Shqipëria dhe Kosova

Akuza për të ashtuquajtura krime të Mbretit dhe të Mbretërisë, janë trillime të monizmit. Nuk përjashtohen ndërmarrjet të ashpra dhe vendimtare për disiplinimin, vënien nën kontroll, vendosjen e rendit, në disa zona të Malësisë të Veriut, të cilat kurrë nuk kishin njohur asnjë pushtet, përveç autoritetit fisnor. Por, aplikimi i masave të veçanta në fillimet e pushtetit, ishte i domosdoshëm, sepse plaçkisnin karvanet e tregëtisë ndërqytetare, por edhe tufat e bagëtive në zonat kufitare. Ahmet Zogu, duke njohur natyrën anarkiste të shqiptarëve, kërkoi ndihmën e një vendi të Beneluksit, duke huazuar ekspertë të policisë.

Në vitin 1997, në debatin për sigurinë dhe neutralizimin e bandave, të organizuara nga social-komunistët, për përmbysjen e pushtetit demokratik të Berishës, deputeti Pjetër Arbnori, Pishtar i Demokracisë, i tha Namik Dokles, tashmë, kryetar i një Parlamenti të dhunshëm, se, "na ishte një mbret, i cili me dy policë e bëri zap, e disiplinoi Malësinë". Dhe, kryeparlamentari e pranoi këtë fakt publikisht, madje nga tribuna e Parlamentit.

Edhepse Historia e Shqipërisë është shkruar nga eksponentë të ideologjisë të kuqe, komuniste, megjithatë, të ndodhur para fakteve të patejkalueshme, janë detyruar ta pranojnë të vërtetën faktike për kohën. Njëri nga studiusit e historisë të asaj periudhe, profesor Arben Puto, e pranon se "veprimtaria e Qeverisë së Vlorës shtrihej më se shumti në rrafshin e ideve, të aspiratave", duke lënë me kuptuar se qeverimi e mbretërimi i Ahmet Zogut i lëndëzoi, i jetësoi aspirimet e Qeverisë të Ismail Qemalit.

Po përmendim vetëm një aspekt të Ministrisë Botore, e cila nuk lejonte të vihej qoftë edhe një tullë pa lejen e autoritetit të saj. Një rregull i tillë, një zbatim kaq i nevojshëm i ligjit për infrastrukturën, rregullimin hapësinor të qyteteve, vendbanimeve, nuk është arritur as sot as në Shqipëri dhe as në Kosovë! Këtë fakt të pakundërshtueshëm e shembullojmë me vrasjen e shefit të urbanistikës të Prishtinës, Rexhep Lucit, në mes të kryeqytetit, i cili provoi t`i pengonte matrapazët profiterë e anarkistë SHIK-istë, në ndërtimet e egra, pa leje, provoi zbatimin e ligjit për ndërtimet dhe e pagoi me kokë. Rasti në fjalë ishte konflikt i njohur i interesit. Edhepse vrasësit dihen, asnjëherë nuk u muar askush në përgjegjësi, përkundrazi, killerët e e viktimës Luci janë deputetë, ministra, zyrtarë të lartë të së majtës vrastare, kriminale!

Në Kosovë ka të majtë staliniste dhe të djathtë kombëtare

Mendimet e atyre që mjegullojnë se gjoja nuk ka të majtë dhe të djathtë në Kosovë, tashmë, rezultuan broçkulla. Në Kosovë ka më shumë se të majtë, ka stalinistë, të ideologjizuar me dogmën sllavo-ruse - nga njëra anë dhe, demokratë nacionalistë, kombëtarë - nga ana tjetër. Fakti që asgjë nuk ka ndryshuar në mendjet e kuqe bandite, u dëshmua sheshit me rastin e sjelljes nga Parisi në Atdhe të eshtrave të Mbretit të Shqiptarëve Zogu i Parë. Kjo ndarje është e prerë në rrafshin politik. Në aspektin ekonomik e majta  vepron babëzitur në vjedhjen dhe grabitjen e shtetit. Dhe, kjo u provua në të dy shtetet shqiptare.

Bishtluajtja e Hashim Thaçit, kokëtimi me krerët e Partisë Demokratike të Shqipërisë, është hipokrizi tipike komuniste. Ai që pati paturpësinë ta quajë "tradhtar" Mbretin e Shqiptarëve, flet shumë për nulitetin intelektual e profesional të "historianit", që nuk ka bërë qoftë edhe një shkrim historik. Hashimi garon në injorancën "profesionale", me homologun e tij Jakup Krasniqi, i cili, "nuk e njeh ndonjë mbret në Shqipëri"!!

Si në kor, me komandë, shpura hiçe e anakronike për kohën tonë, enveristët e Tiranës dhe stalinistët e Prishtinës, ishin së toku në përbaltjen e figurës të Mbretit Zog, themeluesit dhe konsoliduesit të shtetit shqiptar. Thonë se "kurrizon vetëm varri e drejton". Kjo vlen edhe për dogmatikët e ekstremit të majtë, kudo qofshin ata.

Pse i mungoi skenës fotografia e Mbretit të Shqiptarëve?!

Kthehemi sërishmi në sallën dekorative, festive në Pfaffenhofen, Bavari. Skenës dekorative i mungoi portreti i Mbretit të Shqiptarëve Zogu i Parë, i cili zotëroi suksesshëm skenën politike shqiptare që na viti 1920 e deri më 1939. Shkëlqimi i skenës do të ishte më përkallës e hirplotë.

Shtrohet pyetja logjike: Organizatorët në Pfaffenhofen që dinë të bëjnë punë të mençura dhe thellësisht kombëtare, në mjedisin ku punojnë e jetojnë dhe, herpashere, më gjerë në Gjermani, pse anashkaluan përfaqësuesin më eminentë të Shqipërisë, jo vetëm të shekullit 20-të, por që nga Mesjeta e Skëndrbeut, Ahmet Zogun?! Mos,vallë, anatemimi i gjatë i Enverit për Mbretin, ka "infektuar" edhe këta djemë-burra të Mërgatës tonë?! Apo, thjesht, në rrëmujën e kundërthënieve, pro dhe kontra, për Mbretin, kanë preferuar, parsuar neutralitetin, asnjanësinë, heshtjen, "harresën", të cilës anjëherë dhe askurrë nuk duhet dhënë qytetari?

Organizatorët më ngarkuan për fjalën kryesore: - Përvijimi historik i 100 vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë - dhe, veç tjerash, sipas mendjes time, e trajtova me realizëm e simpati të pafshehur Mbretërinë Shqiptare dhe kryezotin e saj Ahmet Zogun. Nata festive, masa numerike e mërgimtarëve, pasimi i programit argëtues muzikor, nuk linin kohë as hapësirë për të debatuar rreth skenës apo fjalës të mbajtur nga unë. Por, me aq sa i njoh organizatorët, djemtë-burra të Shoqatës të zëshme "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen të Bavarisë, ata nuk e kanë mendjen, logjikën as të Hashimit, as të Jakupit dhe as të sivëllezërve të tyre ideologjikë në Tiranë. Andaj edhe nuk heq dorë për të mësuar nga ata, madje, pa ndërmjetës, pse mungoi Mbreti i Shqiptarëve Zogu i Parë në skenën dekorative të 100 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë?!

Protagonistët e shekullit të pavarësisë: Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha, Ibrahim Rugova

Përveç figurës të parë të pavarësisë, Ismail Qemalit, janë edhe një serë figurash të tjera dhe ndër to spikasin: Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Don Nikollë Kaçorri, Isa Boletini, Aqif Pashë Elbasani, Iljaz Bej Vrioni, Dud Jorgji Karbunara, Murat Toptani, Lef Nosi..., të cilët janë ndihmëtarë dhe autorë të aktit të pavarësimit, të dëshmuar me firmën e tyre të artë. Njerëz të mendjes dhe të pendës: Faik Konica, Fan Noli, Kostë Çerkezi me shokë, nga mërgimi i tyre tej Oqeanit, bënë shumë, qoftë për pavarësinë e shqiptarëve, qoftë, më vonë, për ruajtjen tërësore të asaj Shqipërie londineze, nga që Italia synonte Vlorën, ndërsa Greqia pjesën jugore, rrethinat e poshtme të Gjirokastrës. Janë këta burra të shquar, të cilët depërtuan në medien qendrore amerikane, për ta mësuar prapaskenën që luhej në dëm të Sqipërisë edhe Presidenti amerikan Woodrow Wilson, i cili, ngulmërisht, frenoi në orekset e tyre fqinjët tanë hiç fisnikë.

Një shërbim me vlerë i bëri delegacionit shqiptar, Mark Kakarriqi, i cili ndërhyri pranë qeverisë franceze, për ta shpëtuar nga Turqia, e cila donte ta arrestonte delegacinin e kryesuar nga Ismail Qemali me bashkëpunëtorët: Isa Boiletini, Mark Kakarriqi, Luigj Gurakuqi dhe të tjerë. Është një fotografi e rrallë për kohën, delagacioni qeveritar shqiptar, i hypur në - Barkën e Shpëtimit -, të siguruar nga Franca, për të vazhduar udhëtimin për në Londër.

Protagonistë të zeshëm dhe të suksesshëm të shekullit të paravarësë të Shqipërisë janë edhe plejada intelektuale e klerit katolik shkrodranë, të kryesuar nga poeti kombëtar At Gjergj Fishta si dhe intelektualët ortodokës të Jugut dhe të Elbasanit, të përfaqësuar nga profesor Aleksandër Xhuvani.

Përzgjedhja e figurave përfaqësuese përgjatë 100 vjetorit të pavarësisë, bazohet në formimin e shteteve dhe në drejtimin e tyre, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nga 5 (pesë) protagonistët, 4 (katër) syrësh shquhen për kontribut kombëtar, ndërsa përjashtim bën një figurë tjetër, që, mjerisht, është pjesë e historisë fatkeqe të shqiptarëve, filosllavi Enver Hoxha, i cili dallohet për negativitetin e tij të skajshëm, në përdhosjen dhe përtokjen keqas të Shqipërisë tonë.

III.- Kthehemi sërishmi tek realizimi i stolisjes të sallës, në Pfaffenhofen, përkatësisht, tek dekori i skenës, pllakatit monumental, me protagonistët e 100 vjetorit të pavarësisë. Edhepse përfaqëson historinë e Shqipërisë, për afro pesë dekada, fytyra e urryer e Enver Hoxhës, me të drejtë ishte anashkaluar, sepse është njëra nga periudhat më të mugëta të historisë të re të shqiptarëve. Përveç shumë krimeve numerike, ai mori përsipër rolin obskur të eliminimit fizik e moral të asaj intelegjence shqiptare, për të cilën investoi shumë shteti i varfër shqitar dhe bota demokratike evropiane, duke e ekzekutuar, me gjyq e pa gjyq fare, duke e burgosur dhe internuar, përjetësisht, në kampet e detyrueshme shfarosëse të punës të rëndë dhe dërrmuese.

Janë për çdo kritikë organet informative të shkruara dhe vizive në Kosovë, të cilat, në faqet e para reklamojnë fytyrat e zyrtarëve të krimeve të shumëfishta, duke provokuar shqiptarët e kudondodhur në botë. Informimi mund të bëhet edhe pa surratet e kriminelëve, sepse ata nuk janë në kërkim të policisë, që fotografia të shumëzohet për efekt të kapjes së tyre. Ata janë aty, në zyrat shtetërore, qeveritare e partiake. Është diç tjetër që dosjet e tyre të krimeve janë voluminoze, por që të huajtë, miq të Serbisë, i mbajnë të kyçura, për të keqen e Kosovës.

Sali Berisha përfaqësues i demokracisë shqiptare

IV.- Kryeministri shqiptar Sali Berisha beri emër në politikë me disa artikuj shkrimorë në vitin 1990, ku shpërfaqej nevoja për reforma dhe përshtatje  me frymën e re demokratike në Evropën Lindore dhe turbullirat në rritje në kampin socialist, i kryesuar nga Bashkimi Sovjetik. Ai ishte personaliteti i parë që u gjend në qytetin "Studenti", në mesin e studentëve protestues, me kërkesa tërësisht politike, si heqjen e emrit "Enver Hoxha" Universitetit të Tiranës dhe reforma të tjera demokratike. Lëvizja studentore e dhjetorit `90-të, e prirë nga Tribuni i Demokracisë, Azem Hajdari me shokë, do të disciplinohej me themelimin e të parës parti pluraliste. Sali Berisha nisë një epokë të re, e cila kurorëzohet me fitoren spektakulare të marsit 1992 të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Mposhtja e diktaturës komuniste, më të egër në Evropë dhe ndër më gjakatarët në botë, shënon progresin e madh demokratik dhe Sali Berisha, përgjatë këtyre tej dy dekadave, padyshim, ka rolin parësor. Heroi i kësaj epoke, Berisha, e përshkruan me sinqeritet e çiltëri këtë nismë të madhe drejt lirisë fizike e shpirtërore të shqiptarëve, duke pranuar se "ne nuk kishim asfarë përvoje për të udhëhequr", sepse partia-shtet e monizmit, nuk kishte lënë  asnjë hapësirë, që veç asaj, dikush tjetër të mendojë se si duhet të administrohet pushteti, se si duhet të drejtohet shteti?!

Frymëmarrja e lirisë tërboi klasën e përmbysur, komunistët, sepse nuk mund të pajtoheshin me privilegjet e humbura, tashmë, pas gjysmë-shekulli të gëzuara. Dhe, social-komunistët shpikën sistemnin piramidal, hua të marra nga qytetarët me përqindje shumë të lartë. Dhe, këtë e kishin kopjuar nga Anglia, e cila, në vitin 1920 sistemi piramidal e kishte futur në krizë vendin. Mjerisht, Berisha me shokë, duke dashur të krijonin kapitalistët e parë vendorë, si nevojë dhe mundësi për një zhvillim më efikas dhe më të përshpejtuar të vendit, jo vetëm që nuk penguan këtë nismë fatale për demokracinë e brishtë shqiptare, përkundrazi, e përkrahen atë moralisht. E vërteta është se disa nga firmat fillestare, si "VEFA" e Vehbi Alimuqajt me shokë, nuk ishin aspak piramidale, sepse investimet e tyre ishin shumë perspektive. Por, të tjerat që krijuan qëllimshëm komunistët, si romja Sude me shoqe e shokë dhe sudanët e tjerë, ishin një zhvatje, një mashtrim i madh.

Presidenti Berisha bëri gabimin e dytë të radhës, duke përgjithësuar se "në huadhënie me përqindje (piramida), është derdhur paraja e fituar me djersë e qytetarëve shqiptarë"! Në fakt, përjashto investimet e pakta të varfanjakëve kursimtarë shqiptarë, milionat e tjerë ishin para e pistë, të fituara në mënyrë të egër e kriminale dhe tërësisht jashtë ligjore. E shprehim dhe e mbrojmë këtë mendim, sepse vet Berisha u ulë në karrikën presedenciale me 200 marka rrogë mujore. Dhe, mos të flasim për të ardhurat mujore të shqiptarëve të tjerë.

Edhe kontigjenti i emigracionit shqiptarë, nuk mund të bënte mrekullira, përgjatë një kohe, relativisht të shkurtër. Shqiptarët e Kosovës jetojnë e punojnë me dekada në Evropë e botë dhe, megjithatë, nuk kanë bërë çudira me financa, nga një shtëpi kanë ndërtuar në vendlindje.

Komunistët sikur e kanë të lindur cinizmin, andaj dështimin piramidal ia faturuan Sali Berishës dhe partisë të tij në pushtet. Dhe, filloi "revolucioni i vonuar demokratik", i udhëhequr nga kreu social-komunist Rexhep Mejdani me shokë, i cili, në ndërprerjen e konsolidimit të demokracisë dhe të zhbërjes të shtetit shqiptar, përsëriti "Revolucionin e Qershorit" të vitit 1924. Infrastruktura shtetërore, e krijuar përgjatë pesë viteve të pushtetit demokratik, u rrënua brenda pak muajve, duke shkatërruar çdo gjë, pa kursyer ekonminë e pakët e, deri ke objektet shkollore, muzeale e arkivore. Ishte një vandalizëm -sui generis -, i llojit të vet, tipik komunist, me egon e shfrenuar për të riardhur në pushtet, qoftë edhe duke përgjakur shqiptarët dhe rrënuar shtetin, njësoj si "komandantët" e pas luftës të vitit 1999 në Kosovë.

Maturia, urtësia, duresa e skajshme, jo aq edhe e natyrëshme për malësorin Berishë, shmangën gjakderdhjen masive, siç e kishin projektuar dhe dëshiruar komunistët e ringjallur, si lugetër, për të tejkaluar sfidën e madhe, pushtetin e fituar me votë demokratike dhe dorëzimin e këtij pushteti të ligjshëm me forcën e dhunës, e bëri Sali Berishën figurë meritore, personalitet të fuqishëm brenda shekullit shqiptar, të 100 vjetorit të pavarësisë. Përkundër pushtetit të dhunshëm e kleptokratik, vjedhës, tetë vjeçarë të social-komunistëve, dy mandatet e pushtetit berishian shënuan zhvillim ekonomik dhe manifestim të suksesshëm politik në rrafshin kombëtar.

LISIT RUGOVË NUK I BËJNË HIJE SHKURRET

V.- Personaliteti i radhës, i cili është i lidhur pazgjidhshmërisht me shekullin e pavarësisë, është Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova. Pesha e Problemit të Kosovës, është në përputhshmëri të plotë dhe unike me peshën e personalitetit. Skënderbeu shqiptarët i bëri popull, ndërsa Ibrahim Rugova fitoi hapësirën e konsiderueshme etnike - Kosovën.

Këto dy ngjarje, brenda periudhës tej pesë shekullore, lartësojnë dhe pavdekësojnë kryeheronjtë e tyre.

Presidenti Rugova ishte ideatori, arkitekti dhe realizuesi i suksesshëm i pavarësisë dhe i shtetit të Kosovës. Ai është Presidenti i Dadanisë antike, por, njëherësh, është edhe Presidenti Historik i shqiptarëve, i kombit, sepse, mençurisht, fitoi hapësirë tokësore të etnikumit shqiptar. Pikërisht, kjo vepër madhore e shquan dr. Rugovën nga të tjerët, duke mos pasur ndërmjetës që nga Gjergji ynë i madh.

Dr. Rugova ishte fjalëpak, por absolutisht i saktë. Kryeministri britanik, Tony Blear, e çmonte shumë për vizionin e tij të qartë. Dr. Rugova anjëherë nuk e fshehu parësinë e miqësive që u duhen shqiptarëve, për realizimin e aspiratave të tyre për çlirim, liri dhe demokraci. Ai e njihte popullin e vet, shpirtin e tij, historinë e tij ndër shekuj. Dhe, ishte i bindur se populli shqiptar nuk është luftarak, andaj ishte i fundit në çlirim e shtetformim, në liri dhe demokraci.

Është bërë modë që historianët dhe intelektualët shqiptarë të mburrën duke numëruar postët e larta shtetërore dhe ushtarake të shqiptarëve në Perandorinë osmane. Por, "harrojnë" të thonë se ata ishin në shërbim të pushtimeve të popujve tjerë, për llogari të Sulltanatit. Thjesht, ishin mërcenarë. Dhe, studiusitë zvicëranë ua zënë për të madhe shqiptarëve pse nuk e pranojnë faktin e mërcënarizmit, ashtu siç e pranojnë zvicëranët për veten e tyre?!

Dr. Ibrahim Rugova ka zënë vendin meritor edhe në diplomaci. E nisi në vitin 1989 në Amerikë, për t`i rënë anëpërtej kontinentit plak, Evropës dhe më gjerë. Veprimtaria diplomatike e dr. Rugovës shquhet për forcën e fakteve, të argumenteve, duke mos lënë fare hapësirë mëdyshjeje me bashkëbiseduesit e qendrave të vendosjes, me liderët botërorë potencialë. Fjala, vendimet e tyre janë me peshë të veçantë, bëhen ligj, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës, për ta jetësuar drejtësinë.

Ekspozeja që bënte për mjerimin e popullit shqiptar për kohën dhe rreziku që e priste në të ardhmen, në rast të mosndërhyrjes të ndërkombëtarëve, ishte realiste e mbresëlënëse. Presidenti Rugova ngulmonte për ta siguruar premtimin e -Të Mëdhenjve-, donte -besen- e tyre, gjë që nuk u zhgënjye. Fluturakët "apaçë- janë vepër ekskluzive të lutjeve dinjitoze të hyjnorit Rugovë. Dhe, këtë e kanë thënë dhe vazhdojnë ta përsërisin dy burrat më të fuqishëm të kohës: Presidenti amerikan - Bill Klinton dhe Kryeministri

britanik - Tony Blear.

Afro dy dekadat e mbretërimit, sa shpirtëror, aq edhe faktik të Ibrahim Rugovës, janë cilësorë, janë vlerë kombëtare. Ai përsëriti Gjergjin tonë të Mesjetës në disiplinimin dhe bashkimin e shqiptarëve, duke sfiduar mençurisht dhe papërsëritshëm pushtuesin mizor e bizar të trojeve tona.

Referenca e dr. Rugovës tek rilindasit tanë qëllimshëm, me shikim nga Perëndimi, lënë në harresë Lindjen, ideologjinë obskure sllavo-bizantine. Dhe, ky parim është i proklamuar botërisht, pa e fshehur kurrë.

Pavarësia e Shqipërisë, 100 vjetori i saj, do të ishte i mangët, pa shkëlqimin e duhur, nëse nuk do t`i shtohej edhe Pavarësia e Kosovës. Ata që hymnizuan dhe dekoruan kapobandatë e Kosovës, qoftë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, duke anashkaluar, qëllimshëm, kryearkitektin e paqës dhe të luftës, të çlirimit dhe të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë, Presidentin Historik, dr. Ibrahim Rugova, turpëruan veten në sytë e shqiptarëve. Njëkohshëm, bënë falsifikimin e radhës të histirisë tonë, të historisë të kohës të sotme, që është një krim i madh, madje i pafalshëm.

Banda pushtetare e Kosovës, e trimëruar edhe nga anashkalimi i turpshëm, që i bëri Tirana zyrtare figurës të Presidentit Rugova, përgjatë manifestimneve të pavarësisë, aktivizoi këlyshëhanën servile, simotrat dhe sivëllezërit e Hajrije Spikericës, në RTK-në paçavure, për ta denigruar Presdienti Rugova dhe për ta sakatosur historinë tragjike të shqiptarëve. Hiçët duan të bëhen dikushët. Por faktet i stopojnë dhe ata mbesin kurrëkushët. Është thënë dhe përsëritur se në Rambuje "komandantët", të cilët nuk kishin komanduar kurrë ushtarët, nuk kishin delegim dhe ishin të paligjshëm, andaj edhe nuk mund të kryesonin asnjë delegacion, madje as atë të "UÇK-së". Lisit të madh, dr. Ibrahim Rugova, askurrë nuk mund t`i bënin hije shkurrët.

Për ta promovuar dhe lartësuar veten "komandantët" e pasluftës, duke i keqpërdorur mediat vizive, e teprojnë me spotët përlavdëruese, madje pa fije modestie e mbulese. Ata "harrojnë" me dashje se lufta i ka kushtuar Kosovës më 10.009 viktima shqiptarë dhe vetëm 227 serbë të vrarë dhe 400 të zhdukur. Të zhdukurit serbë janë, kryesisht, pleq e plaka, raje, origjina e të cilëve besohet të jetë shqiptare. Zhdukja e tyre është bërë nga bandat e afërta me SHIK-un dhe, kryekëput, për përfitime materiale, për të marrë tokat dhe trojet e tyre, shumë syrësh, ende vazhdojnë t`i shfrytëzojnë këto banda e banditë individualisht dhe familjarisht! Dhe, këta banditë janë të njohur për opinionin shqiptar. Janë ata që kishin zënë banesat serbe dhe në rast shitjeje, kërkonin mijëra euro nga blerësi, si kusht për ta liruar. Ndërkohë, policia dhe gjyqësia heshtnin, sepse edhe ata ishin pjesë e bandave. Kjo është statistikë e fundit e dhënë nga Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Kosovë. Tani, lexues i vëmendshëm, me këtë bilanc tragjik për shqiptarët, a mund të quhet kjo luftë, apo, më sakt, masakër?! Rrjedhimisht, në Kosovë ka pasur përpjekje për luftë, por, mjerisht, ka rezultuar masakër.

Manifestim përmbajtësor dhe dinjitoz

Organizatorët, për të qenë të suksesshëm në kremtimin e 100 vjetorit të lindjes të shtetit shqiptar, kishin ideuar që pjesa e parë e programit të jetë një mini-simpozium. Prandaj edhe numri i të ftuarëve-folës ishte i shumtë dhe fjala e tyre ishte më shumë se përshëndetëse dhe në funksion të 100 vjetorit të pavarësisë.

Në emër të Ipeshkëvisë të Kosovs foli dr. Don Shan Zefi; në emër të kishës katolike shqiptare në Bavari foli dr. Don Mikel Sopi; përgëzoi për festën dhe i përshëndeti të pranishmit dr. Markus W. Peters - kapllan i Ipeshkëvisë të qytetit Eisstet; në emër të Famullisë të Sant Gertrud dhe e Polonisë përshëndeti Pater Matias Zllonkoviq. Më shumë interes u përcoll fjala e Luigj Gjergjit - mesner dhe këshilltar i kishës katolike në Mynih; drejtuesi i xhamisë "Ballkan" Jakup Efendi Muhamedi; imami i xhamisë të Ingolstadit Xhelal Efendi Kaloshi.

Kryetari i komunës të Pfaffenhofen-it, dr.Tomas Herker, ishte i befasuar nga një organizim kaq përmbajtësor dhe dinjitoz. Ai nuk e fshehu befasinë e tij dhe foli sinqerisht se "kisha mendime paksa ndryshe për ju shqiptarët". Ai përgëzoi dhe i përshëndeti të gjithë shqiptarët për 100 vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë. Në veçanti shprehu admirimin e tij për organizatorin, Shoqatën humanitare, bëmirëse "Sali Çekaj", për përgaditjen dhe menaxhimin e suksesshëm të këtij manifestimi sa të madh, aq edhe të mrekullueshëm. Duke u solidarizuar me veprimtaritë e shumanshme të Shoqatës, në emër të komunës, dhuroi një shumë modeste lekësh në xhirollogarinë e saj.

Me një fjalë rasti u paraqit në foltore, para mërgimntarëve edhe ministri i brendshëm i qeverisë në ekzil, Jonuz Tërstena, i cili foli për përpjekjet e shqiptarëve, në dekada e shekuj, për të realizuar ëndrrën e bukur të lirisë dhe të demokracisë.

Dalja në skenë e reporterit të luftës Maxhun Smajli, prezantimi i bërë nga mderatori, mrekulloi të pranishmit. Përgjatë luftës kishin dëgjuar zërin e tij, raportet e tij të drejtpërdrejta nga fronti i luftës. Por, emri i Maxhun Smajlit u bë edhe më i njohur, për opinionin gjithëshqiptarë, me marshutën e tij, tre mujore, me këmbë, në pranverën e vjeme, në itinerarin Fielden (afër Fuldës) - Koshare (Kosovë), betejat e të cilës e legjitimuan luftën e Kosovës. Kjo nismë e ndërmarrë në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë, ishte aktiviteti i parë kombëtar si dhe i vetmi i këtij lloji për të gjitha kohërat e deritanishme ndër shqiptarët.

Shoqata "Sali Çekaj", në nderim të emrit të heroit Çekaj, ka krijuar titullin nderues dhe shpërblyes. Andaj ka shpallur pesë anëtarë nderi të kësaj Shoqate: Nikollë Skeli, Mehmet Koka, Idriz Zeqiraj, Luigj Gjergji dhe Selman Syla.

Për kontributin e dhënë në kuadrin e Shoqatës dhe më gjerë në Mërgatë, shquhen anëtarët e Kryesisë: Osman Ferizi, Mustafë Shala, Shemësi Haziri, Zymer Zeneli, Azem Daka, Rafet Mehmeti, Gazmend Dashi, Blerim Cakiqi, Fadil Segashi.

Një shoqatë ka nevojë edhe për financa. Dhe, donatorë, njerëz të mirë ka kudo. Njëri nga ata është edhe Bashkim Muriqi, i cili nuk kursehet në çfarëdo aktiviteti të Shoqatës.

Shoqata "Sali Çekaj" ka shtrirje të gjerë bashkëpunimi. Hapësirën deri në 100 km, e konsideron zonë të saj. Mërgimtarët joshën dhe e mbështesin Shoqatën, duke e parë veprimtarinë e saj konkrete, trasparencën, tejdukshmërinë e saj të pashoqe. Mosburgu është një qytezë 50 km larg Pfaffenhof-enit, ku punon dhe jeton një komunitet shqiptarësh i ardhur vonshëm. Kontaktet e para në mes të mërgimtarëve të këtyre dy ngulimeve, ishin pjesëmarrja e përbashkët në turnirët sportive. Por, së fundi, duke u joshur me organizimin e shkëlqyer të Shoqatës "Sali Çekaj", në Pfaffenhof-en, mërgimtarët e Mosburgut vendosën të bëhen pjesë e saj. Ata autorizuan koordinatorët: Naim Haxhijaj dhe Agron Haxhijaj për të regjistruar anëtarët si dhe për të komunikuar me Kryesinë e Shoqatës "Sali Çekaj", duke paguar edhe kuotën e anëtarësimit, fillimisht, 33 anëtarë.

Mërgimtarët vullnetmirë të Mosburgut nuk i pengon as largësia. Anëtarësimi i tyre është mirëpritur nga sivëllezërit e tyre në Pfaffenhof-en. Kryetari Osman Ferizi, duke folur në  emër të kryesisë të Shoqatës, koordinatorëve të Mosburgut u afroi kooptim në Kryesi dhe përfaqësim në komisionin e Financës të Shoqatës të personave që ata i propozojnë. "Ashtu si anëtarësimi vullnetar aktual i mërgimtarëve të Mosburgut na gëzon, nëse në të ardhmen do të bëhet një anëtarësi solide atje, shkëputja dhe krijimi i një shoqate në Mosburg, do të ishte një sihariq i mirë për ne, sepse organizimi vendor, masivizon mërgimtarët tanë. Dhe, atëherë nuk do të ishim "ëmë e bijë", por dy shoqata simotra",- thotë Osman Ferizi.

Në përvjetorin e 100-të të pavarësisë të Shqipërisë, Shoqata nderoi me mirënjohje aktivistët në shërbim të Mërgatës dhe të çështjes kombëtare nga Mynihu, Rosenheimi, Starnbergu, Freisingu, Ingolstadi... e deri në Fieldenin e largët, si Maxhun Smajlin, me motivacionin e informimit real nga lufta dhe për aksionin unikal të marshutës nga Gjermania në Kosovë; Jonuz Tërstenën, për misioinin e suksesshëm, në shërbim të Kosovës, si ministër i brendshëm, në një periudhë të vështirë dhe delikate për Kosovën; Rifat Haxhinë, post mortum, pas vdekjes, themelues i parë aktivit të LDK-së në Freising; imamin Jakup Muhamedi, bashkëpunues me Mërgatën edhe jashtë mureve të xhamisë; Gani Batatinën, kryetar i aktivit të LDK-së të Starnbergut, më i vyeshmi aktiv në të gjithë Mërgatën tonë; Afrim Mulaj, i kudondodhur dhe i gatshëm për aktivitete të ndryshme; Musa Hamzaj, i papërtuar për shërbime lokale e kombëtare.

Shoqata nderoi me mirënjohje veprimtarët e shquar, bashkëpunëtorët e veteranit të mirënjohur të Mërgatës - Nikollë Skeli, në Rosenheim: Ramadan Begun, Mithat Shaqirin, Veli Gërvallën, Nexhmi Jakupin, Mehmet Mataj, Ali Aliaj dhe të riun me perspektivë të qartë Flamur Mehmetin.

Festa e përvjetorit të madh të pavarësisë të Shqipërisë, i bashkoi aktivistët e Mërgatës, pavarësisht largësive, veteranët e Mërgatës: Nikollë Skeli, Mehmnet Koka, Demë Çetta..., kryetari i shoqatës "Rilindja", Bekim Gërvalla, kryetari i aktivit të Starnbergut, Gani Batatina me shokë, veprimtarin e hershëm të Mërgatës tonë - Islam Shoshi, kuadrin e LDK-së Bashkim Leci dhe të tjerët.

Në një kënd të sallës, afër tribunës, rreth një tavoline, ishin ulur këngëtari i mirënjohur ulqinak Nikollë Nikprelaj dhe partnerja e tij këngëtare Zela Sukaj. Ishim parë në vjeshtën e vitit 1990, në simpoziumin politik për Kosovën dhe koncertin e madh humanitar, të organizuar në një sallë sportive, nga Shoqata "Nëna Tereze" në Düseldorf. Përveç flokëve, paksa, të rralluara, ishte po ai, Nikollë, vital e gazmor, me modesti të lindur të Malësorit.

Nikollë Nikprelaj mbajti ritmin jehues të këngëve me reportuar të begatë, përgjatë asaj mbremjeje, nate. Ai e "kalli" fare dhe u "shkri" njësh me kërcimtarët masivë në sallën madhështore. Lëvizjet ritmike të këngëtarit Nikprelaj, kërcimi si rinor, ishin për lakmi edhe për ndonjë balerin profesionist. Pandeh se asaj nate, të rinjtë në sallë kanë projektuar praninë e këtij çifti këngëtarësh në dasmat e tyre të ardhshme.

Gazetari, skenaristi dhe moderatori Hajriz Mamaj kishte arritur një ditë më parë nga Berlini dhe ishte mysafir i kryetarit të Shoqatrës Osman Ferizi. Gjatë ditës kishte kontaktuar fëmijtë e skenës, duke bërë provën e fundit paraskenore. Moderatori Mamaj, si gjithëherë, shkëlqeu në misionin e tij profesional. Të nesërmen ai udhëtoi për në Vjenë, për moderim të një manifestimi tjetër, të organizuar nga Mërgata vjeneze.

Osman Ferizi - veprimtar i pandalshëm

Studiusin e Elektroteknikës valët e jetës e përplasën në mërgimin e largët dhe të gjatë. Fillimisht i vetmuar, pastaj i bashkohet familja, bashkëshortja Sofa me vajzat: Mërgata, Enkeleta, Etleva dhe djali Argenti. Veç veprimtarive tjera paraprake, në kundërshti të pushtuesit, ai i përgjigjet thirrjes të Atdheut, për të qenë i gatshëm për çdo shërbim e nevojë.  Në vjeshtën e vitit 1991, është pjesë e grupit të dytë të djemëve të Kosovës, në përgaditjen ushtarake në Shqipëri.

Osman Ferizi do të bëhej i pari thyers ilegal i kufirit Shqipëri-Kosovë, në bartje armatimi më 1991. Pastaj këtë thyerje do ta pësëriste me grupin e madh të shokëve, duke futur sasi të konsiderueshme armësh në Kosovë, si dhe planifikim të aksioneve guerile. Grupit i printe Sali Çekaj, sot, Hero i Kosovës.

Osman Ferizi nga organizimi pluralist partiak, u angazhua, së bashku me Rrustem Bruçin, dëshmor i rënë në Betejën e Loxhës, në Komisionin e Fondit të 3%-it për Bavari. Pas çlirimit të Kosovës, së bashku me shokë, themeluan Shoqatën "Sali Çekaj", me qendër në Pfaffenhofen të Bavarisë. Në kuadrin e saj organizon Mërgatën lokale dhe zhvillon veprimtari edhe më të gjerë në Gjermani.

Osman Ferizi është i palodhur, i pandalshëm në veprimtarinë e tij e lloj-llojshhme. Sipas tij, "mburrja vetëm me të kaluarën dhe pauzimi i tanishëm, sikur e konsumon, e hanë edhe atë pjesë të veprimtarisë dhe të lavdisë të dikurshme. Njeriu nuk duhet të tërhiqet, nuk duhet të ndahet nga shërbimi në dobi të shoqërisë, të Atdheut, madje, kudo që të ndodhet. Kjo nuk duhet konsideruar si sakrificë, por si veprimtari normale, obligative e morale, për çdo njeri që e do begatinë, prosperimin, ecjen përpara të popullit, të Atdheut"- mendon dhe thotë i palodhuri Osman Ferizi.

Veçuam  kryetarin e Shoqatës Osman Ferizi, duke aluduar edhe tek shokët e tij, po aq të zellshëm dhe të gatshëm për çdo veprimtari në kuadr të Mërgatës dhe mëtej në Atdhe. Komunikues i sinqertë me bashkëpunëtorët, me mërgimtarët, me organet vendore zyrtare, për çështjet e ndryshme të qytetarëve shqiptarë dhe të çështjes tonë kombëtare. Koordinues i suksesshëm me klube e shoqata, madje jo vetëm brenda Gjermanisë, por edhe jashtë saj.

I kudondodhur në aktivitete të Mërgatës: në Mynih, në Shtutgart, Berlin, Hanover... e deri në Zvicër. Praktik dhe i prerë në mendime e veprime. Konseguent në zbatimin, jetësimin e vendimeve që i merr së bashku me shokët, me Kryesinë e Shoqatës. Gjithnjë i prirur për punë dhe organizim mbresëlënës në të mirë të Mërgatës, të Kosovës.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx