Udhëpërshkrim
Lulzim Logu: Festa e Tropojës duhet përtërirë
E enjte, 21.02.2013, 07:53 PM
FESTA E
TROPOJËS DUHET PËRTËRIRË
Nga Lulzim LOGU
- Nuk
është e lehtë, artistë dhe sportistë nga e gjithë Shqipëria, individë dhe grupe
të të ftuarish nga 22 vende të botës, të mbledhur në një vend të vogël, me
spontanitetin e shlirë që buron nga idea e mirë, por jo e mbështetur plotësisht
në fondet e parashikuara...-
Rreth
pesë muaj më parë, pikërisht në Gushtin e vitit 2012, në Tropojë u organizua
një aktivitet kulturor dhe sportiv i emërtuar si : “ FESTA E TROPOJES”.
Ky
eventiment u mbajt me data 6, 7, 8 gusht ,dy ditë në qytetin B.Curri e një ditë
në Valbonë, ku për herë të parë bëhej një festë e tillë me artistë dhe
sportistë, me shkrimtarë ,poetë, kritikë, koerografë , kompozitorë regjizorë,
doktorë, politikanë , oficerë , inxhinierë,
fizikantë, biologë, muzikantë, këngetare, valltarë, sportistë të fushave
të ndryshme etj.
Mrekulli
ishte koinçidenca edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë, ndaj kjo festë natyrshëm u
thirr si "TROPOJA 100 VJETOR"
Kjo nisëm
ka filluar në Londër që në muajin janar 2012 me inisiativën e koerografit
Shkëlzen Mustafaj ,valltari në vite i Ansamblit të Pallatit të Kulturës
Dardania të Tropojes, i cili jeton me familjen e tij aty dhe merret me
aktivitete te ndryshme ,si koncerte me raste festash me komunitetin
shqiptar dhe për çdo vit organizon “Miss Albania” në Britani të Madhe.
Bashkë
me Shkëlzen Mustafaj, ndihmojnë dhe
Petrit Kuçana , Bashkim Metalia, Enkelet Domi, Shefit Domi etj.
Aty nisi
edhe mendimi i organizimit të këtij takimi madhështor, ta bëjmë të gjithë së
bashku festën e Tropojës me artistët dhe sportistët në vite ,dhe pastaj nga
fb me kontakte të vazhdueshme me
bashkëatdhetarë, shokë dhe miq, të cilët pa nda përkrahnin këtë inisiativë
origjinale.
Në
bisedë, Shkelzeni na tregon:
“ E
fillova me takime të ndryshme me mergimtarë nga Shqipëria, kryesisht Tropoja,
biznesmenin Naim Hajdarmataj, këngëtarin Abedin Hajdarmataj, me Gëzim Gjyriqin,
Kadri Malizi, Kujtim Mulosmanin etj.
Të gjithë
e pritën me entusiazëm këtë ide, ndërkohë që nga Amerika na erdhi urimi i
mbarësisë nga çifti i mirënjohur Gëzim dhe Angjelina Nikaj. Pastaj erdhi
mbështetja nga Azgan Haklaj, kryetar i Unionit Artistik Mbarëkombëtar, poeti
Hamit Aliaj, vallëtari , koreografi dhe poeti Skender Haklaj, këngëtaria
Fatmira Breçani, kompozitori Kolë Susaj, mjeshtri i sportit Halit Gegaj e shumë
e shumë të tjerë.
Një
mbështetje pa rezerva dhe me pasion të veçantë mora nga djali i Bytyçit,
sportisti i njohur Avdi Mataj, i cili ishte bashkëpunëtori im më i ngushtë, në
përgatitjen dhe promovimin e aktivitetit. Pas njoftimeve dhe komunikimeve,
kryesisht elektronike, brenda dhe jashtë vendit, krijuam grupet e punës në
shumë shtete europiane, në Amerikë dhe Australi etj.
Muajin
prill 2012 e kalova gati krejt në Tiranë dhe qytete te ndryshme të Shqipërisë,
në kërkim të plotësimit të listës së krijuesve, intelektualëve dhe sportistëve
tropojanë, të shpërndarë si misionarë anëkënd vendit tonë dhe të përpilimit të
strukturës programore të aktivitetit.
Ndërkohë
mund të veçoj si kulminacion pranimin e pjesmarrjes dhe emocionet e veçanta të
këngëtares lirike Anila Haxha, aktualisht këngëtare në La Skala. Motra e mikut
tonë aktor Cen Hoxhaj, e cila rikthehej pas 28 vitesh në vendlindje.
Emocionues
ka qënë takimi në shtëpinë e të mirënjohurës vallëtare të Tropojës, Xhevahire
Gashi, e cila e mbërthyer nga sëmundja, natyrisht se nuk mund të vinte, por na
inkurajoi mjaft me fjalët e mira, urimet për sukses dhe mallin e saj të valë
për vendlindjen dhe skenën e valles tropojane...”
Një çast
Shkelzeni hesht dhe unë hetoj emocionin e çdo fjale të tij, entusiazmin e madh
gati fëminor, buzëqeshjen e butë edhe at’herë kur i duhet të flasë për pengesat
dhe vështërsitë, ndonjëherë edhe per ndonjë keqdashje apo egoizem të
papranueshëm, gjatë ditëve të festës, të cilat gjithësesi nuk e zbehen aspak
qëllimin e mirë dhe platformën solide të këtij projekti.
Mustafaj
me stafin e tij zbarkoi në Tropojë me 3 gusht 2012.
Angazhoi lidhjet e vjetra dhe të reja kulturore, kërkoi bashkëpunimin e plotë të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, të Pallatit të Kulturës Dardania, të Bashkisë B. Curri, të Komunave Margegaj dhe Tropojë, të Qëndrës Kulturore të Fëmijëve etj.
Duke
bredhur gjithë ditën në dyert e institucioneve dhe në takime të shumta, ku
rrezatonte mirësinë e qëllimit të organizimit të këtij aktiviteti, duke
shpenzuar fondet vetjake, duke prekur nostalgjinë e takimit të brezave, sedrën
artistike të malësorit tropojan, duke cytur vlerat e patjetërsueshme të
traditës tonë të mrekullueshme etnografike, duke njohur zhvillimet e reja në
vendlindjen e tij, duke u ngazëllyer shpesh, por edhe duke u zhgënjyer...
Avdi
Mataj, ashtu sportiv dhe me sedër të fortë e plotëson dhe e mbështet
Shkelzenin, amortizon pakënaqësitë dhe mungesat dhe afron siguri në realizimin
e aktivitetit.
Nuk është
e lehtë, artistë dhe sportistë nga e gjithë Shqipëria, individë dhe grupe të të
ftuarish nga 22 vende të botës, të mbledhur në një vend të vogël, me
spontanitetin e shlirë që buron nga idea e mirë, por jo e mbështetur plotësisht
në fondet e parashikuara, në mungesa të dukshme të infrastrukturës vendore të
hotelerisë, sallave dhe teknikës...
Por malli
është i jashtëzakonshëm, mblidhen dhe takohen njerëz që gati e kanë harruar
njeri tjetrin në furtunat e motmoteve të fundit, njerëz që kanë lënë këtu
njerëz të shtrenjtë dhe si gjejnë më, artistë që dehen gjurmëve të vjetra të
dashurisë, motive të vjetra dhe të reja që buisin çdo çast në Tropojën e vogël
dhe të madhe që duhet të rilindë dhe mbi të gjitha një publik artdashës
pafundësisht, që i ndjek dhe i do kudo artistët dhe sportistët e vet,
pavarësisht mundësive dhe halleve të tij.
Zbret
shikuesi tropojan i valleve dhe ulet këmbëkryq para tribunës së improvizuar në
stadiumin e lojrave me dorë apo në barin e luginës së Valbonës, brohoret tifozi
në dukje i harruar i Tropojës në ndeshjet e brezave në futboll, volejboll dhe
basketbooll, reciton bashkë me poetët vargjet tek Sofra Poetike në Fushën e
Gjësë, kërcen Vallen e Tropojës me çikat e Tropojës, blen librat e rinj dhe
krenohet me emrat e mëdhenj të intelektualëve tropojanë në çdo cep të botës.
Dikush
është mplakur, por inkurajon vajzën apo mbesën e vet në valle, një poet i
aksidentuar interpreton me një vrull energjik si të ishte i ri, një tjetër
artist kujton kolegun që nuk eshte më e të ikur para kohe, një sportist
improvizon shokun që s’mund të jetë më në fushë, një grup fëmijësh imitojnë
ritmet e gjalla muzikore dhe gjithçka ngjet e rilindur në Tropojë, Tropoja ka
festë.
Kostume
popullore në rrugë dhe vitrina, ekspozitë etnografike në Muzeun Historik i sapo
rikonstruktuar, ndeshje në Pallatin e ri të Sportit “ Valbona” orë letrare në
mjediset e Qëndrës Rekreative dhe Turistike të Valbonës, mbrëmje me rruget plot
njerëz, pritje, biseda dhe dashamirësi që aq mirë shkon me netët e nxehta të
gushtit, pjesmarrje e dukshme e shqiptarëve nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia,
Presheva...
Në
pyetjen këmbëngulëse të Shkelzen Mustafajt, Avdi Matës e plot të tjerëve për
mbarëvajtjen dhe dobinë e këtij aktiviteti, kam cekur këto fragmente, shoqëruar
me ndjeshmërinë e një njeriu që rrembehet shpesh nga ide dhe projekte të tilla,
nga fryma krijuese dhe gëzimi që i shoqëron realizimi i tyre, sado të
pamundshme që duken, nga të qënit komod në afrimin e shokëve, miqve dhe të
njohurve të mi në investimin kulturor të ketij rajoni të njohur.
Ju kam
treguar se kështu e kam nisur edhe unë rreth 13 vite më parë me Shoqatën “
Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve” të mbledh, organizoj dhe inkuadroj drejt promovimit
veprimtarinë krijuese dhe artistike të atyre që kanë zgjedhur të jetojnë në
Tropojë, të ringjall traditën e sofrës poetike, tashmë përmes Manifestimit
Tradicional “ ORA E POEZISE” i cili sivjet në maj ka edicionin e katërt, në të
cilin marrin pjesë me dëshirë emra të shquar të Shqipërisë, Kosovës dhe
shteteve të tjera nga rajoni.
Ju kam
treguar për “ SOFREN DARDANE” një eveniment i përvitshëm që çdo qershor mbledh
krijues dhe artistë nga e gjithë bota!
Ju tregoj
për kthimin e artistëve nga emigrimi, për të hapur studjo pikture si Abdulla
Gjongeci, rastin e formimit të Ansamblit “ Çikë malsie” për vallet
tradicionale, për librat e botuar këtyre viteve që nga më rinjtë 15 vjeçarë
deri tek ata 80 vjeçarë, rast unikal dekadës së fundit.
Tropoja
ka vuajtur mjaft nga krismat, hallet, dhimbjet, vajtimet, Tropoja ka nevojë për
terapinë e jetës, për festat.
Dhe kjo
FESTA E TROPOJES ishte bash në kohën e duhur dhe duhet të shëndrrohet në një
TAKIM TRADICIONAL BREZASH të ARTIT DHE SPORTIT.
Mjafton atmosfera, lotët e gëzimit, takimet e pritura, përcjelljet e
veprave për të kuptuar se ky vend ka mitin e Sizifit në karakterin e tij, bie,
por ringrihet!
Kultura
është energjia e mbijetesës dhe e ringjalljes, ndaj nga zemra ju them: -
Faleminderit ideues dhe veprues të realizimit të FESTES SE TROPOJES!
Mirë u
takofshim në Gushtin e ardhshëm!