E premte, 02.05.2025, 10:11 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Pilo Zyba: Zonja Londër në Paradën Europiane

E hene, 14.01.2013, 08:42 PM


ZONJA LONDËR NË PARADËN EUROPIANE

NGA PILO ZYBA

Kam më shumë se gjashtë muaj në qytetin e madh të Londrës, aty, ku rreh zemra e fuqishme e Anglisë, që shperndan nëpër trupin e saj gjakun, oksigjenin dhe shëndetin për të jetuar.Londra i ngjan një liqeni të madh, të kaltër, të rrethuar nga pemët e zbukurimit, të cilat, ngjajnë si qerpikë të blertë mbi nje sy të bukur.

Më bën përshtypje diçka, çdo visitor ajo ka një këndvështrim të veçantë,por mua edhe më tepër.

Qëndra e Londres, ngjan me hedhjen e nje guri  që mesin e liqenit të qetë.Që nga ai moment  qe guri bie në uje, krijohen rrathe të njepasnjeshem të cilët shpërndahen me shpejtësi gjithkund, dhe në menyrë uniforme, të bukur  rrethore, duke krijuar  një valëzim të harmonizuar në pamje vizuale, por dhe në ate të jetes së përditëshme.

Londra i ngjan një zonje elegante, që ecen në paraden ekonomike, politike, estetike, dhe të bukurisë, me kokën lart dhe krenare në Europën e Bashkuar. Kjo bie në sy që në pamjen e pare për çdo njeri, që mundohet të hyjë në gjirin e kësaj shoqërie.

Gjithkund mbretëron qetësia, pastertia, lëvizjet janë perfekte, në rrugë, në bashkejetesë, në ligjshmëri.

Me të drejtë mund të pyesi gjithkush: “Si kanë ndodhur,  dhe si kanë rrjedhur burimet keshtu deri këtu”?Bëj një parantezë; Londra është një konglomerat ngjyrash, idesh, shtetesh, politikash.

Drejtimet e rrugëve përshkrohen në krah të kundët, ndryshe nga e gjithë bota, por për çudi, punët shkojnë në kah të botës me siguri, qetësi, dhe njohin vetëm ngjitje.Gjithkujt i lind e drejta të pyesi, pse, dhe si?

Rrugët  janë më të ngushta se në Berlin, Romë, Paris, Milano, Vjenë, e megjithate gjithçka shkon perfekte.Unë që udhetoj çdo ditë të paktën gjashte orë me autobuza, rrugët  janë gjithë kthesa  dhe të ngushta  brënda qytetit, dhe në fund të çdo rrethi edhe nje ngushtim me i vogël akoma, i shoqëruar me nje bordur betoni, ku ka sinjalizim ne mes te rruges, ndryshe nga pjesa tjeter e Europes, dhe rrethime me kangjella ne krah të rrugës për qytetarët.Ky rrethim dhe ngushtim, është krijuar për të mos mundur të ecësh me më shume shpejtësi se sa rregullorja, 40 km në orë.Por përveç regullave, janë krijuar kushte të tilla që i presin rrugën edhe atyre qe janë të pa ndrëgjegjshëm.

Këtë shtet  “hermetic” është vështirë ta lexosh si vizitor, është e vështirë nëse vete nuk je pjese  e levizjeve dhe jetes së tij, për të lexuar lëvizjet në politike  dhe drejtimet, kurbaturen dhe ritmet e ekonomise private dhe kombetare, që mbijetojnë dhe çdo ditë i shtojnë një tulle sigurie gradaçeles  ekonomike dhe politike të shtetit, për të ngritur lart gjendjen sociale, ekonomike dhe ate shoqërore.

Në këtë shtet  individi është nën vështimin dhe mbikqyrjen e syrit  të madh të Ciklopit  shtet.Kjo, duke filluar që nga kamerat e rrugëve dhe objekteve, të telefonave e kompjuterave, të firmave që hedh, e cila kudo është domosdoshmëri.Në këtë vend të zhvilluar, edhe frymëmarrja jep vibrime në gjëndjen shëndetësore të shoqërisë dhe individit, në kameran e madhe të teknologjisë elektronike të shtetit.

Londra është shumllojshmëri shtetesh, qytetërimesh, kulturash, gjuhesh, ngjyrash dhe rracash njerëzore, por çfar ndodh?

Në këtë shtet edhe hajduti bëhet i ndergjegjshem, edhe vrasësi dorzon armët. Shteti  në çdo sekondë të ditës dhe natës, është në dijeni të pemës së tij kombëtare.Çdo tronditje, çdo kokërr, çdo fletë që e mërr era, është llogaritur që të bjerë në koshin e interesave kombëtare.Xhepat e kalimtarëve janë bosh nga lekët, sejcili ka vetëm kartën e bangës.Në çdo hyrje, në çdo dalje shteti din me saktësi të ardhurat e individit, për të marrë prej tij ate qe duhet, dhe për ti dhene atë që i takon.

Unë vij nga Shqiperia ime, por pasi kam punuar 22 vjet në shtetin Grek.Dhe sot mbas 6 muajsh në Londër, kuptoj sëmundjen e pacientit ballkanas, që është Greqia.

Ndërrimi i klimës ndërmjet shtetit (Europian Greqi) dhe Londrës, ka në mes një lumë të madh.Ky lumë ndan diametralisht drejtimet, psikologjinë dhe ekonomine e sejcilit.Këtu kam parasysh dhe Shqiperine  time, dhe Kosoven time, por  shkruaj për Greqinë, pasi nënkuptohet që ajo është pjesë e trungut  europian.Ndërsa në Ballkan mbretëron anarshia, the lufta prehistorike për kufinj, në anën tjeter  rregulli, ligjshmëria perfekte, lufton për qetësi, saktësi, për të ushqyer të gjitha organet e trupit të saj, në mënyrë që e përgjithshmja të jete e saktë në peshe, në harmoni, dhe në interesa kombetare dhe individuale, në bukuri dhe në anën shëndetësore.

Këto ditë bëra në Ambasadën Greke pashaportën time, pasi ma kërkuan në zyrat institucionale.Kur e dorzova, punonjësi më kërkojë leket që kasha paguar në Ambasadë, por unë i thashe se, atë ma mbajti ambasada si dokument identifikimi.

Ja përgjigjia e punonjesit të zyres Angleze:

“Zotëri, Ambasada ka mbajtur identifikimin e saj nga ju, dhe u ka lënë juve të pa identifikuar.Dokumenti i taksëpagesës është vërtetim që ju  keni paguar, dhe kjo pasaportë është e rregullt, dhe është e juaja.Sot në teknologjinë modern psaporta mund të bësh sa të duash”!

Për të marrë pasaportën nga greqia në Londër bëra 25 ditë.Ndërsa vërtetimin e pagesës  mbi këtë pasaportë në Ambasadë me luftën që bëra,e mora mbas 40 ditësh.Kur ja dergova punonjësit të zyrës Angleze, ai nuk besonte dhe më shikonte me dyshim për këtë vonesë.Pastaj më tha duke qeshur:

“Tani i kuptoj ato që thuhen për Greqinë”!

Unë heshta.

Ai  shtoi:

“Prandaj dhe kulla gjigande e një shteti rrënohet, kur gurët e ekonomisë dhe të politikës nuk vendohen në kohen e duhur dhe në vëndin e duhur, për të mos thënë vendosjen shtrëmbër të tyre.Çdo gur i vendosur  në gradaçelën e shtetit, është një themel për gurët e tjerë, që ngrejnë dhe mbajnë këtë gradaçelë.Ndryshe gjithçka shkon shtrëmbër dhe mund të rrënohet si Greqia sot”.

Ai fliste, ndërsa unë përfytyroja këtë gradaçelë të shtetit Grek. Për pallatin, vlerat, ekonomine dhe politikën, kam një libër të tërë që e kam shkruar  gjatë 22 vjetëve të jetes dhe punës time atje, të cilin mendoj ta botoj së shpejti këtu në Londër.

Punonjësi më shikonte i habitur, dhe prandaj më pyeti:

“Përse mendohesh”?

I thashë:

“Kam frikë se andej nga vij, do jem një gur,  apo një tullë, që nuk do zë vëndin e duhur në këtë vënd që quhet Angli”?

Ai qeshi:

“Qënkeni i zgjuar, më pëlqeu biseda, por këtu të gjithë ata që vijnë, gdhënden sipas arkitekturës Angleze, dhe zënë vëndin që u takon.Ju me sa po shikoj shumë shpejt do ti përshtateni klimës.Këtë e shikoj te kërkesat tuaja, por dhe në qëllimin e ardhjes në Britaninë e Madhe, e cila nuk është e madhe nga hapësira gjeografike, por nga ajo ligjore, dhe mundësitë që i krijon individit për të parë më larg, dhe për të gjetur forca dhe mënyra që të bërë realitet enderrat qe ka, dhe për ti prekur ato me dorë”!

Fliste fare qetë, sepse shikoja dhe lexoja sytë e tij.Shikoja buzëqeshjen dhe fjalen tingëlluese, por dhe bindëse.

I dhashë dorën dhe u largova, për ta takuar mbas 15 ditësh  që më caktoi takimin e radhës...

 

MË MIRË NJË MIK, SE NJË ÇIFLIG

 

Sa me vlere ka qënë dhe ka mbetur kjo fjalë e urtë, e ardhur që nga lashtësia e kombit tim.Ajo gjatë rrugës së saj shumë shekullore, ka marrë më shumë vlera, dhe ka zënë vënd  jo vetëm në fjalën e artë të kombit, por dhe në ndërgjegjen e sajcilit.

E di që do qeshni dhe do thoni: “Pilua po na ben moral”,por për çudi, kësaj radhe Pilua nuk bën moral, por tregon një të vërtetë nga jeta e tij  në Londër.Nga rrugëtimet  e ketyre viteve në Greqi, Itali, Francë, Austri, e gjetkë, dhe tani së fundi në Angli që ndodhet në mes të oqeanit, por jo oqeanit problemor si shumë shtete  Europiane sot.Por të mos largohemi nga tema.

Në shtetin tim në kohën e Diktaturës, kur  pranoheshe antar i Partisë Komuniste, kërkoheshin dy tre dëshmitarë që bëheshin garant për moralin, qëndrimin, fjalën dhe kërkesat  që kandidati kishte.

Ne i shajmë tashmë ato kohë.Hedhim mbi ato vite gurë e drurë, dhe fjalë të rënda  dhe fare të pa kontrolluara.Këtë kam bërë dhe bëj edhe unë kam 23 vjet, që kur kam fluturuar nga foleza kombetare në Europë për një jetë më të mirë.Të vetmin shoqëruas në keto udhetime të gjata nëpër Europë ka mbetur vetëm Fjalori i Gjuhës Shqipe.Ai ndonse çdo ditë  shëmtohet  nga fletët  dhe nga shtati, por mërr çdo ditë vlera nga pasuria  e gjuhës që mban të mbyllur brënda  në sirtarët  e memorjes së tij.Por të mos dal nga tema.

Isha 25 vjeç kur babai ngulte këmbë që të pranohesha në atë parti të kohës  dhe të vetme.Pas shumë debatesh të vazhdushme, unë e pyeta:

“Përse duhet të bëhem antar partie,baba?Unë jam tip i lëvishëm dhe bëj gabime.Dhe të dish se, do më dënojnë”!

Ai  atëherë ishte në moshën time sot.Vuri buzën në gaz  dhe më tha:

“Do pranohesh që mos të të hanë mbas krahëve.Kur je me ta, i ke përballë, dhe kur i ke perballë askush nuk të flet, ose ruhet të të flasë.Kur nuk je aty, të hedhin gurë dhe drurë në kurriz.Dhe duke qënë i levizshëm, kjo është më mirë për interesin tënd”.

Kanë kaluar  30 vjet që atëherë, dhe ketu në Londër  e kujtoj shpesh këtë bisedë.Nga historia që u tregoj, dhe deri në ardhjen time në Kryeqytetin Britanik.Kujtoj psikologjinë dhe këndveshtrimin e babait  tim.

Duke kërkuar punë në Londrën e qytetëruar, po plotësoja letrat në një fondacion të madh  dhe të njohur, për emrin, por dhe për veprimtarinë.Në fund të bisedes drejtuesi i Fondacionit më tha:

“Përveç të tjerave, duhen edhe tre dëshmitarë, të cilët, do të japin telefonin, adresën dhe imeilin te zyra jonë.Në mënyrë qe ne të mund të marrim në konsideratë kërkesën tuaj”.

U shashtisa.Dëgjoja fjalët e tij, dhe përpara herë më dilte fytyra e Diktatorit Hoxha, herë e babait, dhe herë e punëdhënësit tim të ardhshëm.

“Pse më shikoni ashtu, zotëri, thashë diçka të çuditëshme”?

“Jo, zotëri, por unë nuk kam askënd në Londër  dhe as në Angli”!

“Është kusht, por kërkoni sepse asnjehere dhe askund njeriu nuk është pa miq, shokë dhe rreth”!

Përshëndeta dhe u largova.Portreti i gjyshes time të ndjerë, më qeshte nëpër rrugët e Londrës.Herë në vitrinat e dyqaneve, herë në ekranet e mëdhaja të reklamave.

“Pse qesh, i thashë” ?

“Të kam thënë, më tha, kudo që të shkosh ti bësh vënd vetes”!

“Mjaft,  gjyshe, të lutem!Nuk është koha për shakara”.

Ajo Buzëqeshi ashtu hidhur si e kishte zakon dhe shkundi pemen e mençurisë së saj.Shkundi si një pemë shelgu flokët e gjatë si në përralla, dhe shtoi:

“Kërko, kërko  se i gjen!Askund nuk është vetëm njeriu në këtë botë.Po kështu dhe në Angli”.

Dhe ashtu si në ëndërra  që më vjen shpesh, u fsheh pas një rruge dhe humbi për të mos e parë më...Në ato çaste vetmie  më vinte ti therrisja me të madhe të mos më linte vetem, por ajo humbi mes kalimtarëve të shumtë.

Dhe vërtet, gjyshja më bëri të hap librin e miqve.Për të bërë biografinë e jetes, dhe të vetes.Dhe ja konkluzioni i fjalës së urtë.

Unë që e quaj të humbur veten në Londrën e 8 miljon qytetarëve, nuk u gjenda vetëm.Miqtë filluan të më afrohen në kujtesë, por dhe në të vërtetë.Një telefonatë, dy, dhe një tjeter, dhe nga tre kerkesa që duheshin, u gjetën dhjetë.I pari më qeshte Vladimir Meminaj, i cili është vërtet  çfligu i ardhjes time në Londër.Më pas shkrimtari, kritiku dhe profesori i universitetit në Londër, Fatmir Terziu.Më tej Sherif Bllaca nga Peja e Kosovës.Dhe ëmbëlsirën e ruajta për në fund, në vënd të lugës me mjaltë, sepse si mjaltë është.

Kur ika nga Shqipëria, dëshmitarja e fundit ishte vetëm dhjetë vjeç.Ajo ishte atëhere një fëmijë i vogël me një fustan me pika të kuqe, dhe sandalle të bukura me rripa.E bija e moshatares time, dhe e shoqes së shkollës Izota Kartyçi (Avdyli).Besiana, që vertet  eshte për bese, dhe  qëndron në besen e dhene të dëshmisë, nuk ishte më e vogël, por ishte rritur, dhe firmoste për mua në Londrën e largët, bile duke qënë edhe më larg se të tjeret, në Manchester.

E pa besushme, por e vërtetë.Kur ja tregoja këtë histori timen prof.Fatmirit, ai qeshte, ndërsa pinim kafe në Wimbledonin e emrave të medhej të tenizimit botëror.

“Dale, dale, më tha, sa shumë të tjera do mësosh për Londrën dhe Anglinë.Ky është fillimi.Emrin e ka të bukur, të hap rrugë të reja në jetë, por është dhe garë 400 metra me pengesa.Dhe këto pengesa tani kanë filluar të të dalin përpara”.

Unë vura buzën në gaz:

“Pse qesh” ?

“Qesh sepse sa të kem çifliqet që mi ka lënë gjyshja, nuk do dal kurrë i humbur nga “lufta”.Ju, vëllai im Vladimir, Sherifi  dhe Besiana, që tani nuk është më e vogël, nuk do më lini që të vuaj, edhe pse jam jashte trojeve nga ku ikëm për një jetë më të mirë, por pa njerzit dhe miqtë nuk mund të bëjme asnjë hap vetëm”.

Përplasëm gotat, ndërsa baca Sherif qeshte dhe krihte flokët e bardha me gishta. Brënda tyre qëndronte burrëria, besa dhe fisnikëria e Kosovës dhe lufta e saj për pavarsinë e kërkuar në shekuj...



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx