Udhëpërshkrim
Asamblisti Mark Gjonaj: Rezolutë për Kosovën
E shtune, 23.02.2013, 11:23 AM
Me rastin
e 5-Vjetorit të Pavarësisë
ASAMBLISTI MARK GJONAJ: REZOLUTË PËR KOSOVËN
Nga Frank Shkreli
Me një
njoftim dërguar miqëve dhe përkrahësve të tij javën që kaloi, anëtari i ri i Asamblesë së shtetit të New
Yorkut, shqiptaro-amerikani i porsa zgjedhur në atë detyrë, Zoti Mark Gjonaj,
me origjinë nga Reçi i Ulqinit, ftoi të gjithë që me datën 12 Shkurt të merrnin
pjesë në kryeqytetin Albany të New Yorkut, ku ai do të paraqiste një rezolutë
për aprovim nga Asambleja e new York-ut, me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë
së Kosovës. Ashtu edhe ndodhi. Në aktin e parë zyrtar si asamblist i ri,
Zoti Mark Gjonaj i paraqiti Asamblesë së shtetit të New Yorkut për aprovim,
rezolutën e përpiluar dhe sponsorizuar prej tij, në 5-Vjetoprin e Shpalljes së Pavarësisë së
Kosovës.
Kur e
pashë fillimisht njoftimin e asamblistit Mark Gjonaj, ai më solli në mendë dekadat
e fundit të shekullit të kaluar kur në Kongresin Amerikan, miqë të shqiptarëve,
senatorë dhe kongresmenë paraqisnin, në të dy dhomat federale legjislative të
SHBA-së, rezolutë pas rezolute – me të cilat shpreheshin qendrimet e Kongresit
në lidhje me gjëndjen shumë të vështirë të shqiptarëve nën regjimet jugosllave
e serbe. Rezolutat të cilat -- për të
mënjanuar një gjakderdhje në Kosovë -- iu drejtoheshin Shteteve të Bashkuara,
Kombeve të Bashkuara dhe të gjithë botës së qytetëruar, që sipas njërës prej
atyre rezolutave të Kongresit Amerikan madje të aprovuar në Janar të vitit
1992, i bëhej thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara për njohjen e
Pavarësisë së Kosovës dhe për lidhjen e marrëdhënjeve të plota diplomatike me
Kosovën.
Por,
rezoluta e sponsorizuar nga Zoti Mark Gjonaj, asamblisti i parë
shqiptaro-amerikan, dhe e miratuar nga Asambleja e New York-ut, nuk ishte e
kësaj natyre, dmth., që të vente botën në dijeni për tmerret që pësonin
shqiptarët në Ballkan – jo, ai e paraqiti
këtë resolute për miratim, duke e lexuar në sallën e mbushur plot-e
për-plot gjatë punimeve të Asamblesë së shtetit të New Yorkut, për një rast
historik dhe shumë të gëzueshëm për të
gjithë shqiptarët kudo – pra me rastin e 5-Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë
së Kosovës.
Në
rezolutën e Asamblesë së New York-ut thuhet se ky trup legjislativ përkujton
këtë përvjetor në frymën e ngjarjeve historike që janë shembëll i parimeve dhe
i luftës për liri të popujve anë e mbanë botës për të siguruar Pavarësinë dhe
për të jetuar në paqë dhe liri. Rezoluta
njeh gjithashtu kontributet që
shqiptaro-amerikanët nga Kosova, kanë dhënë në fusha të ndryshme si në
tregti, shkencë e në qeveri, të cilët sipas rezolutës, kanë frymëzuar të rinjët
anë e mbanë New Yorkut për të realizuar ëndërrat e tyre nepërmjet shkollimit
dhe punës së rëndë. Në rezolutë thuhet
gjtihashtu se trupi legjislativ i New Yorkut
celebron dhe mburret me shqiptarët nga Kosova të cilët ruajnë me krenari
preardhjen e tyre dhe janë shëmbëll i
bashkjetesës kulturore, gjë që forcon komunitetet e ndryshme që jeojnë në New
York. Në rezolutë nënvijohet fakti se
Kosova shpalli Pavarësinë e saj me 17
Shkurt, 2008, një datë historike këjo që do të festohet nga
shqiptaro-amerikanët si dhe nga Shtetet
e Bashkuara dhe nga shteti i New Yorkut,
pasi këjo pavarësi u bë e mundur me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, duke i
dhënë fund fushatës brutale policore e ushtarake të regjimit të Millosheviqit
kundër spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës. Rezoluta njeh edhe kontributin e vazhdueshëm
të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara që kanë shërbyer dhe
shërbejnë trimërisht si pjesë e aleancës së NATO-s, duke thënë se prania e tyre
në Kosovë është e pazëvëndsueshme për mbrojtjen e popullit të Kosovës dhe për
paqën në rajon.
Në
rezolutë thuhet se Kosova tani ka një shtet funksional me një kushtetutë
demokratike, përshëndet marrëdhënjet e
veçanta që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, si dhe nënvijon
faktin se Kosova është njohur tanimë si shtet i pavarur nga shumë shtete dhe
organizata ndërkombëtare. Si përfundim,
thuhet në rezolutë, Asambleja e shtetit të New Yorkut vendosi të bëjë një pauzë në punimet e saj,
për të përkujtuar 5-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 Shkurt,
2013.
Në fjalimin
e rastit, asamblisti Mark Gjonaj iu drejtua kolegëve të tij në Asamblenë e New
Yorkut, si edhe shumë personaliteteve, udhëheqësve dhe përkrahësve të
komunitetit shqiptaro-amerikan, duke thënë se, “17 Shkurti shënon shpalljen e
Pavarësisë së Kosovës dhe bashkimin shqiptar, një bashkim që u bë edhe më i
qartë ndërkohë që më shumë se 12.000 veta vdiqën dhe një milion Shqiptarë u
detyruan të largoheshin si refugjatë, shumë prej të cilëve kërkuan strehim
politik në Shtetet e Bashkuara.’’
Asamblisti shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj u tha kolegëve të tij se,
“Historia e popullit Shqiptar është e vjetër dhe unike”. ‘’Ne jemi, tha ai,
“ndër qytetërimet më të vjetra në Evropë me tradita kulturore, që dallojnë nga të tjerat por që theksojnë mikpritjen, bujarinë, punën e rëndë dhe
respektin, veti këto që jam i sigurt, tha ai, se kanë influencuar Shqiptaren më
të famshme në botë, Nënë Terezen.”
Zoti Mark Gjonaj vazhdoi duke thënë se, “Është ironik fakti se njëra prej qytetërimeve më të lashta në Evropë, njihet gjithashtu si shteti më i ri i Evropës.” Zoti Gjonaj foli edhe për lidhjet e ngushta që Shqiptarët gëzojnë me Shtetet e Bashkuara, duke venë në dukje kontributin e presidentëve amerikanë, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve, duke filluar prej presidentit Woodrow Wilson, presidentit Bush të vjetër, presidentit Klinton dhe presidentit Bush të ri. Ai theksoi se, “Shqiptarët nga Shqipëria dhe nga Kosova janë provë e gjallë se Shtetet e Bashkuara janë një komb i posaçëm që mbështetë dhe përhapë lirinë dhe demokracinë anë e mbanë botës, në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe gjithmonë në krye të luftës kundër shtypjeve dhe tiranisë”, përfundoi fjalën e tij asamblisti Mark Gjonaj me rastin e paraqitjes dhe miratimit të rezolutës në Asamblenë e shtetit të New Yorkut, me rastin e 5-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.