Kulturë
Resmi Osmani: Sfidanti
E shtune, 18.02.2012, 05:09 PM
Tregim
Resmi Osmani
SFIDANTI
Gjëmimi dhe uturima e zgjatur dukej se vinte së thelli, si e dalë nga fundi i dheut. Ajo sa vinte dhe afrohej dhe mes gjëmimit dëgjoheshin piskama të mprehta të zgjatura e të pandërprera. Muret e brendshme të guvës u drodhën. E para u zgjua në shtrofullën e saj zonja Dhelpër, pas saj Baldosa, Kunadhja dhe Shqarthi. Nga vrima e shpellës, mes shkurreve që mbulonin hyrjen, depërtonin fashat e rrezeve të diellit, që ishte ngritur në lindje. Dhelpra, e trembur, me hap të lehtë u afrua të shihte më mirë. Nuk ishin bubullima shtërgate, sepse piskama therëse që çante ajrin nuk vinte nga shkreptimat e rrufeve. Ajo së pari pa renë e pluhurit, që ngrihej duman dhe pastaj varganin e makinave dhe flamurëve, që valëviteshin në erë.
-Ç’po ngjet?- pyeti zonjën Dhelpër, Kunadhja zëdredhur.
-Janë njerëzit, armiqtë tanë dykëmbësh, që në vend të kuajve, u kanë hipur atyre përbindëshave me katër rrota që vjellin zhurmë, tym e zjarr. Nuk e kanë me ne. Janë pa zagarë dhe pa atë hekurin vrastar që na marrin në shenjë. Sa mirë, që po merren me marrëzitë e tyre, se për ndryshe, lëkurët tona mund të përfundonin në dyqanet e gëzofëve-tha zonja Dhelpër, gogësiu dhe u fut në shtrofullën e saj për të fjetur.
* * *
Lokali i vetëm, gjendej në të hyrë të fshatit. Para tij ishte një shesh i vogël me anët të mbjella me plepa, që ishin rritur e bënin hije. Benzi i zi luksoz, i pudrosur nga pluhuri, hyri i pari në oborr. Shoferi hapi derën dhe prej vendit të parë zbriti kandidati për deputet, profesori i dëgjuar Petrit Skifteri kryetari i partisë ” Zhvillim e Përparim”. Hynë dhe makinat e tjera dhe sheshi i vogël u mbush me ata që e shoqëronin dhe militantët, që valëvisnin flamurët e gjelbër. I pritën dhe uruan mirëseardhjen, Sulua dhe këshilli lokal i partisë. Nga salla e vogël e lokalit dolën edhe ata, që kishin ardhur të shihnin dhe dëgjonin profesorin e shquar, që gëzonte nam planetar. Profesori, i qeshur e krahëhapur, i përqafoi një për një dhe u rrahu shpatullat, si t’i kishte miq të vjetër. I pyeti për shëndetin e robve të shtëpisë, për të mbjellat dhe të gjësë së gjallë. Por pavarësisht nga gëzimi i shtirë, dukej hatërmbetur. Në vend të qindra njerëzve gjeti nja njëzet burra të shkalafitur dhe ca fëmijë që kishin ardhur për beriha.
-Zoti Sulo, ku janë pjesëmarrësit?.
Pyetja kishte brenda edhe qortimin edhe zemërimin. Sulua, i zënë ngushtë, fërkonte duart dhe dukej se s’gjente vend për to. Ai i kishte lajmëruar gjithë fshatin dhe fshatrat rrotull, por ç’të bënte ditëziu. Ata nuk kishin begenisur të vinin.
-Shpresoj se janë duke ardhur, por edhe shumë mos prit,se fshati ynë është i vogël.- Guxoi dhe i ktheu përgjigje me gjysmë zëri profesorit.
Pritën e pritën, por veç nja dy pleqve që u ra rruga andej dhe u kthyen të shihnin se ç’bënte gjindja e mbledhur te dyqani i Selfos, nuk erdhi njeri. Panë ç’panë, hynë brenda. Për kryesinë ishte përgatitur një tryezë e vogël mbuluar me një mbulesë të kuqe, ku dukeshin njollat e filxhanëve të kafes. Në tavan fluturonin luzma e mizave, që herë pas here turreshin vrik tatëpjetë, sa të nxirrnin sytë. Aty zuri vend Profesori bashkë me Sulon dhe Qatipin, që do të mbante shënimet e kërkesave të elektoratit të zonës. Me t’u ulur, mizat iu vardisën hundës dhe toçit të profesorit, si të ishin mjaltë. Ai u bezdis, por e ngushëlloi veten duke menduar se duhej duruar një bezdi e vogël për hir të një çështje të madhe. Sulua i trembte me një gazetë. Në tryezat dhe stolat zunë vend vendësit dhe militantët e ardhur nga qyteti N. Selfua, sipas porosisë vendosi në tryeza birrë dhe pije për të gjithë. Paguante partia! Profesorit, kur pa të pranishmit, iu kujtua e thëna “Më shumë kapedanë se komitë” dhe i dha shenjë Sulos të hapte mitingun. I shkreti Sulo, që ishte në kulmin e alergjisë, teshtiu sa u tund vendi dhe shfryu e shfryu hundët që i kullonin, kërkoi falje dhe hapi takimin:
-Zonja dhe zotërinj- (zonja s’kishte po ashtu e donte ligjërimi)- Në kulmin e fushatës elektorale për deputetit e Kuvendit të Shqipërisë, jemi të nderuar të kemi midis nesh profesorin Petrit Skifteri, kryetarin e partisë “Zhvillim e Përparim”, që nga gjithë Shqipëria, zgjodhi dhe nderoi zonën tonë për të vënë kandidaturën. Profesori është një personalitet i shquar në fushën e shkencës dhe politikës. Njohësi më i mirë në Ballkan i botës së kafshëve të egra. Organizata prestigjioze ndërkombëtare “Më të Diturit e Botës” me qendër në Honolulu, e ka shpallur atë personalitetin dhe më të diturin e vitit. Akademia “Ujku i murrmë i Anadollit”, me qendër në Adana të Turqisë, për veprën e tij shumëvëllimëshe “Dhelpra Shqiptare”, e nderoi me medalje ari.......Është e tepërt të flas për tërë veprimtarinë dhe meritat e profesorit, se më falni, ma mori shpirtin edhe kjo alergji e mallkuar- dhe pasi teshtiu disa herë dhe shfryu hundët, para se t’ia jepte fjalën profesorit tha edhe këto: -Profesori, ka vendosur të sfidojë gjithë kandidatët e partive të tjera dhe do të fitojë, se është më i miri i të mirëve, më i zoti i të zotëve, më i dituri i të diturve! Fjalën e ka Profesori.
Njeri nga militantët, Hasan Tellalli, u ngrit dhe me sa zë kishte sokëlliu: “Rroftë Profesor Skifteri, Rroftë partia për “Zhvillim e Përparim”. Duartrokitjet që shpërthyen, qenë aq të forta, sa luzma e mizave të trembura fluturoi e çoroditur, llampadari u lëkund dhe nga tavani u shkëputën ca cefla gëlqere.
Profesorit iu bë qejfi. Bravo Hasan Tellallit. Kështu i do partia militantët! Duartrokitjet e ngrohën atmosferën. Ai u ngrit. Ishte i bëshëm dhe madhështor. Meqenëse flokët mbi ballë kishin filluar t’i rralloheshin, e kishte rruar kokën taze dhe lëkura e toçit i ndrinte si pasqyrë. Prapa xhamave të trashë të syzeve, sytë i ngjanin të veckël si kokrra bizele. Por në fytyrën e gjerë e babaxhane, kishte një buzëqeshje të lehtë, që i jepte mirësi. E rroku sallën me një vështrim dhe imponoi heshtjen. Zëri i tij ishte bubullues, i plotë dhe fjalët të theksuara me shqiptim të dialektit verior, por të zgjedhura. Foli e foli. Dëgjuesit kishin mbetur gojëhapur. Bilbilat e pyjeve dhe zogjtë këngëtarë, paskëtaj duhet të mos këndonin më, pleqtë e mençur të fshatit duhet të heshtnin përjetë. Yjet e qiellit po zbrisnin në tokë, shiu e dielli dilnin sa herë duhej e i kërkonin, begatia dhe pasuria buronin nga arat, kodrat, brigjet e gërxhet, përrenjtë e lumenjtë rridhnin vaj, qumësht, verë e mjaltë, shtroheshin rrugë e ngriheshin ura e shkolla, doktori vinte në shtëpi sa herë që ta kërkoje, muzika ushtonte dhe fshati ishte në festë të përhershme! Lum e lum për këtë parti!. Njerëzit kishin mbetur gojëhapur dhe syshqyer. Por, për dreq, ngjanë ca gjëra të vockla që profesorit ia ndërprenë ligjërimin: Një gomar,nisi të pallte për qejf të vet, kur pa t’i kalonte afër një gomaricë, pastaj një zagar, që nuk dihej i kujt ishte nisi të lehte pa ndërprerë. Të zotët e gomarit dhe zagarit dolën t’i qetësonin. Një djaloshi që ishte mahnitur e kishte mbetur gojë hapur nga fjalët e profesorit, kur mori frymë thellë, i kaloi një mizë në fyt dhe ai u mbyt nga kolla dhe volli pa arritur të delte jashtë. Selfua nxitoi me një kovë ujë dhe fshesë për të pastruar.
Profesori e pa me shikim të egërsuar Sulon, i cili nga e keqja u bë grusht dhe gati sa nuk u fut nën tryezë. Profesori, pasi i ftoi të pranishmit të votonin për të dhe partinë që drejtonte, shprehu bindjen se ashtu do të ndodhte. I dha fund fjalimit dhe u ul rëndë-rëndë, duke ruajtur qetësinë dhe dinjitetin. Ishte radha e pyetjeve të dëgjuesve. Qatipi hapi defterin dhe u bë gati të shkruante pyetjet dhe përgjigjet.
Pyetje: Fshati ynë gjendet në luginë. Nga lindja dhe jugu kemi dy male dhe na bie pak diell. Këtu te ne,qershitë piqen më vonë,rrushi bëhet më pak i ëmbël dhe rakia del e butë. Si i bëhet?
Përgjigje: Partia jonë, ka forcë që t’i shembë e sheshojë të dy malet e t’i bëjë fusha, por kuptohet kjo është e kushtueshme dhe i prish bukurinë vendit. Kur të vijmë në pushtet, ne do të sigurojmë fonde nga Banka Botërore, miku im Benxhamin Devis, do të na ndihmojë, që ta shpërngulim fshatin në një vend më të mirë e me më shumë diell, ku qershitë të piqen më herët dhe rrushi të ëmbëlsohet si mjaltë! Qatip,shkruaje përgjigjen.
Qatipit i ishte thyer maja e lapsit dhe përpiqej me thonj e me dhëmbë të nxirrte majën. Fshatarët që e panë në zor, i vunë mbi tavolinë biçakët e tyre dhe i thanë: ”Ha pak e bli biçak”!
Pyetje: Për rrugën profesori e tha që do ta shtrojë menjëherë pas zgjedhjeve. Por si specialist i kafshëve të egra desha ta pyesja: Dhelpra, apo si i thonë ndryshe, skilja, në këtë luginë ka shtëpinë e saj dhe na bën batërdi te pulat. Si t’ia bëjmë me të?
Përgjigja: Shtoni zagarët dhe lidhini te kotecet. Gjeni shtrofullat dhe ngrini çarqe. Kapini, po mos i vrani. Janë pjesë e ekuilibrit biologjik të natyrës. Mund të regjistroni në manjetofonë të lehurat e qenve dhe lerini hapur tërë natën pranë kotecëve,kuptohet kjo është më moderne dhe më e kostueshme. Për ato, që do të kapni, me ndihmën e shoqatës “Kafshët pa kufi”, do të ngremë një qendër rritjeje dhe kushdo që sjell një dhelpër të gjallë, do të marrë një shpërblim të majmë! Kjo do të bëhet një qendër turistike e botës shtazore dhe nga vizitorët, fshati mund të sigurojë të ardhura të mëdha. E shkrove përgjigjen Qatip?
-Si urdhëron Profesor.
Përjashta u dëgjuan zile dhe këmborë. Po kalonte një tufë dhi. Era e rëndë e përçit ndoti ajrin. Profesori rrudhi hundët.
-Dëgjoni: Pas zgjedhjeve, do t’u sjell nga Franca një racë të re dhie alpine, që është e fisme e bukur,e hijshme, e paqme dhe qumështore, që t’i hiqni këto dhi që qelben erë! Të dëgjojmë pyetjen tjetër.
U ngrit një mesoburrë bojalli e mustaqefshesë, hijerëndë.Priti sa ra heshtja dhe tha:
-A ka mundësi,që Selfua të na sjellë edhe nga një birrë, se kjo dreq vape na e thau rrylin e fytit.
-Pyetja,cila është pyetja? –Desh të dinte profesori.
-Kjo ishte,s’ka tjetër- tha mustaqelliu dhe u ul.
-Birra është kompetencë e zotit Sulo- u përgjegj profesori.
Sulua pa humbur kohë dha porosinë:
-Selfo,birrë për të tërë! Atëhere,zotrinj,vazhdojmëme pyetjet. Ju lutem mos të humbim kohë se profesori ka edhe angazhime të tjera.
Në vend të pyetjes, krisi një e qeshur e papritur, e zgjatur. Ai që qeshte përplaste duart dhe thoshte: “Oh,oh ç’po dëgjojmë” dhe vazhdonte të qeshurën histerike.
-Ç‘është ky i marrë? Mor zotëri si e ke hallin?
Burri e preu të qeshurën dhe fshiu lotët.
-Kanë ardhur e kanë shkuar edhe kandidatë e politikanë të tjerë, por gënjeshtra dhe dëngla si këto, s’bë kanë dëgjuar veshët- tha ai.
Profesori u nxi. I hipën xhindet:
-Si guxon, e di me kë ke të bësh!
-Epo, zotëri, guximin dhe lirinë e fjalës na e jep demokracia. Guximin për të gënjyer nuk e di se kush ta jep!
-Meqenëse nuk e ditke me kë ke të bësh, apo nuk do që ta dish, po ta them unë vetë, personalisht. Vij nga një familje me tradita të shquara patriotike. Gjyshi im, që i ndritët shpirti, ka qenë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit dhe më vonë, tok me Isë Boletinin kanë ngritur flamurin në Vlorë me Ismail Qemalin, por ka edhe më, tok me Selam Musain në njëzetën i flakën italianët në det! Babai im ka qenë komandant i një çete nacionaliste. E kemi dashur prej kohësh atdheun dhe demokracinë neve. Për këtë arsye jam përfshirë në politikë! Kemi pasur orientim nacionalist oksidental, për këtë edhe na kanë persekutuar, por kjo është histori më vete! Mua personalisht, or lum zotëria, më njeh e gjithë bota intelektuale si dijetar e shkencëtar. Një kjo. E dyta: si pedagog, nga duart e mija kanë kaluar qindra studentë, që më nderojnë dhe respektojnë dhe, sot janë kuadro të shquar. E treta, kam një familje të mrekullueshme. Njera nga vajzat, që Zoti i ka falur shumë bukuri e hijeshi, u shpall shoqëruese e parë e mis botës. Fotografinë që ka fiksuar këtë ngjarje, e kam me vete dhe mund ta shikoni .-
Nxori nga çanta një fotografi me format të madh. Fotografia kaloi dorë më dorë. Për të nuk munguan edhe vlerësimet si: “E bukur qenka qenia!”, apo, “ Dreq, po kjo qenka çipllak fare!”Profesori bëri sikur nuk i dëgjoi dhe vazhdoi bisedën:
-Pastaj. Djali, që e keni këtu, është një nga shpresat e elektronikës shqiptare. Ai po punon për shpikjen e një roboti të ri e të paparë, që do ti lerë me gisht në gojë japonezët! Çohu,o bir të të shohin.
Biri i u ngrit. I Shkurtër, korrozi, me flokët e ashpër, që i binin mbi supe dhe me sytë si kaçka. Buzëqeshja i ngjante me një ngërdheshje. Pasi pa me tallje e mllef majtas e djathtas , u ul. U dëgjua një mërmërimë, dikush tha “marshallah,goxha djalë” po u kuptua sheshazi që djali nuk i pëlqeu gjindjes.
-Profesor,të martuar e ke djalin?
-Jo,akoma se ka vendosur ngaqë ka punë të mëdha për të bërë.
-Pyeta se beqim e bëjmë dhëndërr e bëhemi miq, se kemi ne ca çupa, që i thonë hënës ja dil ja të dal!
- Qofsh i nderuar,por iku ajo kohë të rinjtë e zgjedhin vetë shokun e jetës. Ku e lam? Ah,te familja. Zonja ime,-vijoi profesori- është një aktiviste dhe veprimtare e shquar shoqërore. Në konkursin e gatimit, që e drejton i shquari Ardit Akçiu, në televizionin “Tarafi”, fitoi çmimin e parë në gatimin e byrekut! Ajo ka shkruar librin e mrekullueshëm “Shija e jetës” me recetat më të mira të gatimit tradicional. Kur ishim në Uashington,në Shtëpinë e Bardhë,për mëngjesin e lutjeve, zonja ime,një kopje të librit ja dhuroi zonjës së parë të Amerikës,Laura Bushit. Nuk ua rrëfej dot se sa u gëzua ajo! Blijeni këtë libër për zonjat tuaja dhe keni për të parë, ato do tu gatuajnë të tilla gjellë, që të lëpini gishtat ! E pra, studentë të dashur,më falni për lapsusin, dëgjues të dashur, siç e dëgjuat,unë jam nga shtëpi me taban , që është pjesë e historisë. Jam nga ata, që e mbajnë fjalën dhe i kthejnë në vepra ato që thonë!- Duhet vetëm të më vini në provë.- Pastaj për tu qetësuar piu një gllënjkë ujë.
-Me demek,profesori,kur jep fjalën ther djalin!-përforcoi fjalët e profesorit Hasan Tellalli.
-Hasan,fjalën e dhënë e mbajmë, por edhe djalin e duam. Larg qoftë! Do të ishte humbje e madhe për shkencën!
Vuri re se njerëzia po kukuriseshin, ndërsa Sulua që po brente thonjtë nga sikleti, dukej si i zënë në faj. Kur e pa se askush nuk donte ta dëgjonte më dhe se guxonin djallëzizsht të talleshin me të, pa orën dhe mendoi se u mbush kupa . Pa ngurruar, me mllef, ju drejtua të pranishmëve:
-Paçi faqen e zezë! Nuk i dua votat tuaja, do të dal deputet edhe pa ‘to, por mjerë ju që nuk do të gëzoni përfitimet që do të kenë fshatrat e zonës. Ngrehuni të ikim –u tha ai të vetëve. Dëgjuesve të tij nuk u tha as ditën e mirë, as mirupafshim, ata e meritonin t’u thoshte “Ardhça herën tjetër dhe mos u gjetsha!” Pizevengët, karagjozët, të pafytyrët!
Makinat u ndezën.
* * *
Gjëmimi i thellë u ndje sërish, por pa piskamën e borive. Muret e shtrofullave u drodhën. Zonja Dhelpër, Kunadhja dhe Baldosa u zgjuan.
-Janë ata, po ikin. Sa mirë që merren me budallallëqet e tyre. Sonte, sa të bjerë errësira e mesnatës dhe balot të bien në gjumë, kam festë në kotecet e pulave. Më prit o Gjel Kokosh!