E premte, 18.06.2021, 01:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Vargje me ngjyra frymëzimesh metaforike e figurative

E merkure, 15.02.2012, 08:20 PM


VARGJE MË NGJYRA FRYMËZIMESH METAFORIKE E FIGURATIVE

 

Nga Halil Haxhosaj

 

Sakrifica për liri, lufta për ta fituar atë, për shumë trima, martirë, e heronj kurrë nuk ka pasur hezitim. Madje, shumica e tyre as që e kanë matur jetën e tyre me ndonjë çmim për ta fituar lirinë dhe ata janë flijuar, janë shkalitur, janë përflakur, janë përjetësuar dhe jetojnë ende në vargjet, këngët dhe krijimet artistike në vargje, piktura e skulptura, këngë, melodi e pse jo edhe në shirita filmikë apo edhe në arkiva të kinotekave tona.

Por kënga, melodia dhe vargjet poetike janë të pavdekshme e më jetëgjatësi personifikim i përjetësisë së tyre, mu ashtu sikurse lapidarët, bustet dhe përmendoret e larta.

Edhe për martirët e kombit: Jusuf Gërvalla, me vëllain e tij Bardhoshin dhe Kadri Zekën u shkruan shumë vargje, u thurën shumë këngë e melodi, madje edhe u shfaqen shumë koncerte e u organizuan manifestime të tjera. Të gjitha këto i përjetësojnë ata. E ngritin lartë figurën e tyre dhe i pavdekësojnë nëpër kohë të kësaj epoke.

Edhe në këtë përvjetor të vrasjes së tyre mizore e tradhtare në Untergrupenbah të Gjermanisë, disa krijues, poetë e shkrimtarë shqiptarë që jetojnë, punojnë, por edhe krijojnë në diasporë, i mblodhën vargjet e veta poetike nën përkujdesjen e krijuesve Neki Lulajt dhe Hasan Qyqallës në veprën poetike përkushtuese me titull “Trinomi i lirisë”.

Kjo vepër përkushtuese për këtë 30-vjetor të vrasjes përbëhet nga poezitë dhe vargjet poetike të më se 32 poetëve, si: Arif Molliqi, Liman Zogaj, Ali M. Lajqi, Shefqet Dibrani, Sylejman Aliqkaj, Mentor Thaçi, Xhevat Muçaku, Seveme Fetiqi, Baki Ymeri, Dibran Demaku, Fran Buzhala, Martin Çuni, Mustafë Shabani dhe autorët Neki Lulaj e Hasan Qyqalla edhe me disa të tjerë.

Garnitura poetike e vargjeve të këtyre poetëve dhe të të tjerëve buron thellë në frymëzimet dhe skalitet fort në figuracionin dhe shprehjen e vargëzimit përkushtues. Nëpër damarët e frymëzimit defilojnë figura, metafora, simbole, epitete e të tjera që mëtojnë t’i përjetësojnë martirët e kombit, Jusufin, Barddhoshin dhe Kadriun, duke i shndërruar në përjetime artistike. Dhe kjo arrihet mjaft mirë, mjaft kordinueshëm, mjaft thellë ndijesisht. Puna, roli, qëllimi dhe ideali i tyre shndërruar në sakrificë për lirinë dhe çlirimin e atdheut, përjetësohen në këto vargje poetike. Jo vetëm kaq, por këto figura u bënë ndriçimin i rrugës sonë për një epokë tjetër, për një liri dhe pavarësi të të gjithë shqiptarëve dhe tokave e trojeve të tyre etnike. Dhe tash kjo shndërrohet në figuracion, i cili dominon në këto vargje, edhe pse në poezi të tilla përkushtuese shpesh ndodhë që të dominojë deklarativizmi. Por, në përmbledhjen përkushtuese me titull “Trinomi i lirisë” dominon më shumë ndjenja lirike, poetike dhe artistike e shumë pak, madje edhe aspak, ajo deklarative. Kjo arrihet nga penat e poetëve duke përdorur figurat e dendura poetike por në qendër të tyre metaforën. Ndër metaforat më të rralla, por edhe më të suksesshme janë: trinomi i lirisë, gërsheti i kanjushës, gurët strallojnë, zë kënge që vdekjen dridhi, dëshpërimi i qiellit, natë furtunë, ëndërr e prekur, zemër e gdhendur, kënga kujton, kanjushë shqiponje, malet rrëqethen, Dukagjini u zverdh, zgjim i ëndrrës, gjerdan i shkrirë (ngrirë), tri lule janari, portret prej gazavaji, zjarr i lirisë, oazë e thyer, urtinë e çmendur, shami e shpirtit, himn panteoni, dhe shumë e shumë të tjera. Këto metafora skalitin poetikisht figurën, por edhe i portretizojnë këta martirë të lirisë gjithëshqiptare. Duke hyrë nëpër këtë proces figurativ metaforik, ata bëhen përjetësi, bëhen pishtarë, bëhen heronj, por edhe simbol frymëzimi për të tjerë.

Jeta, vepra dhe ideali i tyre bëhen rrugë e përhershme e të rinjve, luftëtarëve dhe pishtarëve të tjerë, madje edhe e luftëtarëve të UÇK-së derisa u çliruar Kosova në tërësi. Jusufi, Kadriu e Bardhoshi me vargje prijnë dhe bëhen gurra frymëzimesh për ta rrokur armën dhe për të shkuar shtigjeve të lirisë. Dhe kjo rrugë dita-ditës mbushej plot luftëtarë të frymëzuar nga ideali dhe gjaku i derdhur i këtij “Trinomi të lirisë”, të cilët thuajse marshonin me ta, luftonin me ta, por edhe këndonin dhe përjetësoheshin me ta. Kosova kishte mjaft të tillë, Kosova në gjirin e saj lindte dhe rriste po ashtu luftëtarë të tillë.

Vargjet poetike të poetëve kushtuar këtij trinomi të lirisë nuk është i tkurrur, madje as statik, por ato shkrihen artistikisht në figurën subjektive të poetikës së tyre dhe gurgullon ëmbël, madje edhe bindshëm e lirshëm në vargëzimin poetik. Andaj këto vargje rrjedhin si gurrë dhe janë bërë: /Ëndrra fluturon në krah kanjushe/ ... / Atentat mbi tre djem t´ri/ ... / Ditë e gjymtë pa duar këmbë memece/ ... / zë kënge që vdekjen e dridhi/ ... /Dëshpërim i qiellit e engjëjve/ ... / Ëndrrën kush e tjerr /Nën një dritë fanari/. Për të mos u harruar asnjëherë në këto vite e dekada sepse Kosova tash e ka të veshur petkun e pavarësisë dhe në botë është e njohur si shtet me emrin Republika e Kosovës, për të cilën dikur sakrifikoj jeta dhe vepra sepse gjithçka për të ishte shndërruar në ideal.

Vepra “Trinomi i lirës” i autorëve Neki Lulaj dhe Hasan Qyqalla ka rëndësinë e vet sepse lexuesit, por edhe studiuesit dhe të të tjerë i kanë të grumbulluara poezitë përkushtuese të poetëve nga diaspora në libër të veçantë.Rëndësia e kësaj vepre është shumëdimensionale.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora