E premte, 18.06.2021, 03:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Fshati në mal

E hene, 13.02.2012, 08:01 PM


Tregim

 

Resmi Osmani

 

FSHATI NË MAL

 

Ende nuk kisha mbushur një vit punë,por isha në krye të listave të ekipeve që shkonin fshatrave.Nga mesi i qershorit na thirrën me ngut në Komitetin e Partisë së rrethit dhe sekretari,autoritar e hijerëndë,vetullngrysur, dha porosinë e prerë: Në nëntor do të mblidhej Kongresi i Partisë dhe,deri atëherë duhet të përfundonte kolektivizimi i bujqësisë. Ne do të niseshim menjëherë në fshatrat ku ishim caktuar dhe në fund të javës,duhet të ktheheshim me deklarimin e formimit të kooperativave të reja bujqësore. Parimi mbetej vullnetarizmi, bindja, por ama, kush prej nesh nuk ngrinte kooperativën, duhet ta dinte mirë se çfarë e priste dhe çfarë njolle i vinte biografisë së vet! Kaq tha sekretari. Ishte i prerë dhe nuk kishte shumë llafe. Na njoftuan fshatrat ku ishim deleguar dhe me porosi të niseshim menjëherë! Fshati im ishte më i largëti, më malori, rrëzë Tomorit në kufi me Tomoricën dhe Gramshin. As kisha qenë dhe as e dija ku binte, por kur pyeta ku gjendej e si shkohej , më thanë se  me të pyetur gjen Stambollin. U ktheva në sektorin e punës,dhashë ca porosi,i vura në dijeni për shërbimin tim,mora në çantë ca gjëra të nevojshme   dhe u gatita për t’u nisur të nesërmen në mëngjes.

Dita e parë

Bashkë me udhëtarë të tjerë,hipëm në karrocerinë e një kamioni “Skoda”, që shkonte në kantieret e Poliçanit. Përpara në kabinë, shoferi mori dy bukuroshe të reja që kukuriseshin pa shkak. Kamioni,një rrangallë, kishte mbartur rërë dhe era ngrinte re pluhuri që na verbuan.Shoferi e ngiste shpejt dhe gropat e rrugës që na troshisnin na i sollën zorrët në grykë. Bëra përpara, afër kabinës, qëndrova më këmbë dhe u kapa  fort pas spondit. Kur arritëm te vendi që i thoshin “Uji i Zi”, trokita në kabinë. Shoferi i nervozuar frenoi fort, nxori kokën nga kabina dhe pyeti  me hakërrim:

-Çfarë dreqin keni?

-Do zbres këtu- i thashë.

-Më pandeh gjë shurdh, që troket aq fort? Ti dukesh dhe  me shkollë!

Zbrita. Kur i dhashë lekët, shoferi u zbut dhe u ngërdhesh. Kamioni u nis duke ngritur një re pluhuri dhe unë mbeta fillikat në rrugë të madhe.Në lindje, Tomori ngrihej madhështor me një kësulë resh mbi krye. Për në fshat, rruga kalonte mes pyllit që niste mbanë xhadesë dhe ngjitej lart e më lart deri afro njëmijë metro lartësi mbidetare. Rrugë i thënçin, sepse ajo ishte një monopat i ngushtë këmbësor ku mezi kalonin dhe kafshët e barrës. U nisa drejt së panjohurës. Nga të dy anët e udhëzës,harlisej pylli dhe bimësia,në fillim shkurret e mareve ,gjineshtrave dhe shqopës, pastaj dushqet e më në lartësi pishat. Megjithëse dita ishte e nxehtë,hija e drurëve dhe puhiza e lehtë krijonin freski. Duke ecur e duke u ngjitur,takova udhës plot  banorë të pyllit: zhapikët e gjelbër,sa më shihnin, merrnin arratinë, bletët që mblidhnin mjaltin bënin sikur nuk më shihnin, në një çeltirë,breshka hante luleshtrydhet duke u mbllaçitur ngadalë që t’i shijonte më mirë. Kur më pa e zënë në befasi, ajo e fshehu kokën nën kafkull, por pas pak e kuptoi që unë isha paqësor e  nxori,më shkeli syrin dhe më ftoi në gostinë e saj. Ula mbi bar çantën dhe setrën. Çeltira kuqëlonte nga luleshtrydhet e pjekura, zbardhnin luledelet dhe një harlisje e egër e botës së luleve. Ishte një vend për prehje. Fillova të shijoja edhe unë luleshtrydhet e egra. Ishin të vogla, por të erëndshme dhe të ëmbla. Milingonat, kishin hapur një udhëz dhe të ngarkuara me fara, nxitonin për t’i çuar në folenë e nëndheshme. Më kujtuan se duhet të shkoja në udhën time. I thashë ditën e mirë breshkës dhe mora rrugën përpjetë. Se ku më pa një laraskë që rrinte majë dushkut dhe m’u qep pas. Fluturonte mbi mua, herë majtas e herë djathtas,ulej e ngrihej dhe duke krakaritur tallej me mua. Dukej sikur më thoshte “Ku shkon more i marrë?”Kur e pa që nuk i kushtova vëmendje,ajo u mërzit dhe shkoi në punë të saj. Nuselalat me kokën e bukur dhe sytë si rruaza,ngriheshin mbi këmbët e pasme,më shihnin të çuditura dhe fshiheshin në barin e lartë. Pylli kishte korin e tij. Kori i gjinkallave zotëronte atmosferën,qukapiku i binte trumbetës, ndërsa bilbili,tenor lirik, këndonte ariet plot trille e bukuri. Ikë e ikë, mesdita më zuri në një burim. Dikush e kishte rregulluar me një mur guri që ishte veshur me lëmyshk të gjelbër,uji rridhte nga një sulinë e ndryshkur. Midis dy anëve të rrjedhës ishin dy sofate të mbuluara nga bari e të stolisur me luledele e mbi burim, bënin hije lajthitë e egra. Qëndrova. Ishte koha për të drekuar. Nxora ushqimin që kisha marrë me vete. Po më shijonte shumë. Etjen e shuaja duke vënë buzët në sulinë,uji i ftohtë më rridhte në mjekër e më freskonte gjoksin. Në këtë kohë, nga kthesa e monopatit, po zbriste një mesoburrë, i veshur me shajak. Nga këmisha e zbërthyer i dukej fanella e leshit.

-Tungjatjeta e të bëftë mirë,- më përshëndeti ai me një zë basi. Freskoi fytyrën e parruar te burimi  dhe u ul kundruall meje. Ia ktheva përshëndetjen dhe e ftova të hanim bashkë. Më falënderoi.

-Nga të kemi?

-Nga Berati.

-Për ku udha e mbarë?

-Deri lart në fshat. Me shërbim. Po ti?

-Për në Berat. Mbaroi çuni shkollën shtatëvjeçare dhe dua ta çoj në shkollë pedagogjike. I pëlqen të bëhet mësues.

-Sa mirë,- pohova unë.

-Mirë, mirë mor mik, po është e zorshme.

-Pse nuk i ka mirë notat djali?

-I ka të gjitha pesa, po ata të pushtetit, neve , fshatin tonë, nuk na kanë me sy të mirë. Në kohën e luftës këtu kishte limeret e tij Abaz Ermenji, një kjo, pastaj ne akoma nuk kemi hyrë në atë të flamosur kooperativë. Sa herë kërkojmë ndonjë gjë, këto të dyja na i tundin para hunde. Kam një mik atje  e mbase më jep dorën. Ç’ti bësh, ku s’të shpie halli, po ti je i ri e s’i kupton këto gjëra.

I zgjata paketën e cigareve, më falënderoi me dorë në zemër, por duhani i butë i jepte kollë, prandaj po e dridhte nga kutia e tij. Nuk më pyeti se çfarë pune kisha në fshat. Edhe unë nuk i thashë gjë dhe ai iku në punë të vet. Pasi u çlodha e u freskova, mora udhën, përpjetë e përpjetë, drejt qiellit. Ecja ngadalë. Dielli kishte filluar të anohej nga jugperëndimi. Çuka e Tomorrit ndrinte e llapste si të kishte marrë flakë. U ndje aroma e rrëshirës dhe para meje u shfaq brezi i pishave. Pashë me kërshëri se mos shihja ketrat, por s’i pashë gjëkundi. Ec dhe ec dhe rruga s’kish të sosur. Më në fund mbi brezin e pishave, në krah të djathtë, u dukën shtëpitë e para të fshatit. Monopati zgjerohej dhe ndahej në dy degë: njëra delte në krye të fshatit, tjetra për në Qafë-Dardhë e Tomoricë. Kisha mbërritur. Sa kohë ecja, mendoja për arritjen te e panjohura, tani zbulimi i saj më tronditi. Gjeta një tufë djem që po luanin. I pyeta për shtëpinë e kryetarit të këshillit.

-Kërkon shtëpinë e Like Tomorit apo vetë Liken?

-Të dyja- i thashë.

Njeri nga djemtë më priu nëpër një sokak të shtruar me kalldrëm. Shtëpia një kullë e gurtë, ishte e rrethuar me avlli. Djali trokiti fort në portë dhe thirri me sa zë kishte:

-O xha Like, ka ardhur një i deleguar nga Berati.

Pas pak ia behu një meso grua që na ftoi të hynim brenda. Hyra në oborr.

-Likja, nuk është, ka shkuar te çupa në Poshnje dhe do të rrijë ca ditë te krushku. Zotrote po pate ardhur për punë, shko te Myrtua, që është sekretar i këshillit. Likja atij ia le vulën.

Me djalin përpara që hiqte udhën, sosëm te oborri i Myrtos. Doli e bija, një çupëlinë e hajthme dhe na tha se i ati kishte shkuar të mblidhte bagëtinë, po ne le të prisnim se do të kthehej. Djali iku dhe unë mbeta fillikat. Prit e prit dhe ndaj perëndimit të diellit Myrtua erdhi . Kishte vënë përpara një tufë dhi. Nuk më ftoi të hynim brenda. I thashë përse kisha ardhur. Ai seç murmuriti dhe u prish në fytyrë.

-Për këtë punë, as që bëhet llaf, pa qenë Like Tomorri. Po ti, erdhe që erdhe, rri e prite. Për të bujtur, të deleguarit e kanë jatakun te Lutfiu,që e ka shtëpinë në krye të fshatit.

-Merushe,- i tha së bijës,- Përcille të deleguarin deri te xha Lutua.

Dola sërish në krye të fshatit. Qëndruam para një shtëpie përdhese, mbuluar me kashtë thekre që kishte nisur të kalbej se sipër kishte mbirë bari. Më shumë i ngjante kasolles.

Vajza thirri fort disa herë. Pas pak doli i zoti i shtëpisë. Shtatshkurtër, binte në sy fytyra si maskë, sytë të futur thellë në zgavra  dhe hunda e shtypur si petull. Në kokë kishte një qylaf nga pelush i zi, të zgjyrosur, që ta kruaje me thikë. Doli dhe e shoqja. Shamisë dhe teshave që kishte veshur, nga pisllëku nuk  u merrej vesh ngjyra që kishin pasur. Rreth saj u kapën pas kindave të fustanit fëmijët e vegjë fytyrë laturisur.  Shtanga. Lutfiu nuk më foli, vetëm bëri me nojmë që të ulesha te sofati i gurtë. Vetë hyri brenda. Më la të prisja gjatë, pastaj erdhi dhe u ul bri meje. I zgjata paketën dhe filluam të tymosnim në heshtje cigaret. Dikur, kur kishte rënë muzgu, ai foli. Zëri ishte hundor e i shformuar. Siç e kanë zakon fshatarët më pyeti e stërpyeti: Nga isha, bir i kujt isha, sa rob bëheshim në shtëpi, cilë kisha fis, ku punoja, a e njihja filanin dhe sorollopin e tij. I ktheva përgjigje për gjithë sa desh të dinte. Pasi e shoi kërshërinë heshti gjatë, pastaj u kthye ballë meje dhe më tha:

-Me demek, i keni dhënë karar të na fusni në vathë si bagëtia, që edhe kur të duam të përzihemi me gratë, apo edhe kur të vdesim t’i marrim leje kryetarit! Kumprativa një vathë e madhe është. Pse s’na lini në hall tonë, për të mirë a për të keq, ne i dalim zot vetes dhe si kërkojmë gjë qeverrisë! Unë jam më fukarai i fshatit, po kumprativën nuk e honeps. Dua të jem zot i vetes, të mos më kërkojë hesap njeri dhe të mos  më thërrasin me bilbil për të më vënë në sira. Atë çikë mall e gjë, gjithkush e ka të trashëguar e të vënë me djersë. Po ti je i ri e nuk e di që malli është i ngjitur me shpirtin!

-Edhe ju me shokët, nuk mund të rrini të veçuar, kooperativa është për të mirën e të gjithëve. Shteti do t’u japë ndihma, që të përparoni e të forconi ekonominë,të përmirësoni jetën.

-Ne, këtu majë malit, me gjashtë muaj borë, larg kasabasë dhe fshatrave të tjerë, jemi të harruar nga zoti e njerëzia. Veç Baba Abas Ali Tomorri na mbron e na ka nën kujdes. Por, hyqymeti kujtohet vetëm kur do që të na futi në vathë.

Nuk i ktheva përgjigje. Ishte e kotë. Pasi heshti pak, m’u kthye:

-Po mirë, ore, ata të pushtetit, ty të gjetën për të dërguar në fshatin tonë?

-E shoh që nuk ta mbusha synë.

-Eh sa burra dërdëng e me qokë, ku e ku më të zotë e më të mirë se ti, kanë ardhur këtu që të na bënin kumprativë dhe kanë ikur me bisht në shalë! Më vjen keq për ty se je qumështor! Po nejse, t’i lëmë këto. Ha një çap bukë dhe fli se ke bërë rrugë të gjatë.

-O Selvie, silli bukën të deleguarit!

Në kthinën që shërbente për gatim dhe ngrënie, Selvia pruri darkën në një sini bakri. Në një tas balte, që nuk ishte larë që kur ishte blerë, ishte hedhur një lëng i hollë. Nën dritën e zbehtë të kandilit, nuk kuptohej çfarë ishte, por era e uthullës më shpoi hundët. Buka, misërnike, bajate ishte e tharë kockë.

-Urdhëro të hash me këtë që na ndodhet- tha Lutua dhe më la vetëm.

Këputa një copë bukë dhe e ngjeva në lëng. Ishte uthull me ca pika vaj dhe kripë. Më erdhi krupë kur e ngjërova. Nuk ishte gjë që hahej. U ngrita. Lutua u shfaq befas si hije. Kur e pa që nuk kisha ngrënë thirri të shoqen. Ajo erdhi sakaq.

-Di ti,Valide,të bësh petulla dhe byrek?

-Di,si nuk di o Veqil!

-Po pse si bëre mikut? E sheh që s’vuri gjë në gojë!

-Po që ti bësh,duhet vaj dhe miell,ku ti gjejjë Selvi korba?

-E sheh o mik,di Selvia,po nuk ka miell dhe vaj. Ç’të bëjmë? Do të kullandrisemi ashtu si na mëson Komandanti: Me forcat tona dhe me mjete rrethanore, këto i ke aty në sini.

Dinte dhe Lutua të bënte humor të zi.

I thashë se jo që nuk më pëlqeu, por nuk më hahej dhe se doja të flija. Lutua shtroi në truallin e dyshemesë dy postiqe të leshta, vuri një jastëk të pistë dhe për mbulesë një velenxë .

-Mbulohu- tha ai,-Se nata këtu bën e freskët.

Vura mbi jastëk xhaketën dhe pa u zhveshur u shtriva. Nuk kaloi shumë dhe në trup ndjeva të kruara dhe trupi m’u ndez zjarr. Ushtria e pleshtave ishte sulur të nginjej me gjak. Nuk durova dot. U ngrita dhe dola përjashta. Nata ishte e pastër, e kthjellët, yjet dukeshin aq afër sa po të zgjasje dorën, mund t’i prekje. Nga majëmali zbriste ajri i freskët që ermironte trëndelinë. Hodha krahëve xhaketën, u ula në sofat dhe mbështeta shpinën pas murit. Ashtu më zuri gjumi.

Dita e dytë.

Në mëngjes, Selvia, më tha se Lutfiu kishte dalë. Në të njëjtin tas balte pruri ushqimin. Bukë misri e përvëluar me ujë të ngrohtë. Asgjë tjetër. Ma vuri përpara dhe më tha se lopa ishte tharë. Sado i uritur, nuk e provova.  Çantën e lashë aty dhe dola pa ditur nga t’ia mbaja. Nëpër sokakun e ngushtë, u ngjita në krye të fshatit. Nga juglindja hapej lugina e Tomoricës dhe vargu i kodrave të gjelbëruara e të praruara nga drita mëngjesore. Fshatin e kisha nën këmbë. Pjesa poshtë ishte zhytur nën shtëllungat e mjegullës së bardhë që po davaritej ngadalë nën rrezet e diellit, që u ngrit mbi çukën e Tomorit. Shtëpitë e vogla, me çatitë e mbuluara me rrasa guri, ishin zhytur në gjelbërimin e pemëve. Zbrita tatëpjetë. Asnjë shenjë jete. Këmbë njeriu. As të lehura qensh, as blegërimë bagëtish. Shurdhëri, shkretim. Vetëm unë si fantazmë barisja udhëve të fshatit. Po banorët ku ishin vallë? Ndofta të mbyllur brenda, më vërenin nga plasat e dritareve si të isha sjellësi i kolerës! Kur zbrita më poshtë, ku mbaronin shtëpitë dhe fillonin arat u mrekullova: toka ishte sistemuar me mure të larta guri që vinin shkallë-shkallë nga poshtë- lart. Përfund, mbi ledhet ishin mbjellë erekët e hardhive. Brezaret e vogla, të punuara për merak, ishin të mbjella në çdo pëllëmbë. Ky fshat ishte një shkollë  kopshtarie. Pas kësaj vërdallisje, u lodha dhe në stomak ndjeva trazirë, cigaret më linin shije të hidhur. U ula në një ledh dhe mendova sesi do t’i vinte filli kësaj pune. Pse ta fsheh, më zuri frika se nuk do mund të bëja asgjë. Njerëzia më shmangeshin e më fshiheshin. Në anën e djathtë, në një shesh të vogël, binte në sy një ngrehinë e veçuar, çatia e së cilës skuqte nga tjegullat. Me siguri duhet të ishte shkolla. U nisa për atje. Nuk kisha gabuar. Sa shkela në oborr, ra zilja e pushimit të drekës. Mësimi kishte mbaruar. Nxënësit, të zhurmshëm e trumba-trumba kaluan para meje dhe të gjithë më përshëndetnin:  “Mirdita,mirëdita”. Kur nuk e prisja, nga shkolla doli një shtojzovalle. Me flokë të gjatë kaçurrela, sy të kaltër, e buzëqeshur, dy gropëza që i formoheshin kur buzëqeshte i jepnin ovalit të fytyrës hijeshi. Ishte e hajthme sa fustani i vallëzonte nëpër trup. Shtojzovallja u afrua, buzëqeshi, më dha dorën dhe tha:

-Me siguri ti je i deleguari që ke ardhur për kooperativën. Të kanë çuar te Lutua për të bujtur. Lutua të ka ushqyer me bukë misri bajate dhe uthull dhe të ka shtruar për gjumë  postiqe cit me pleshta!

-Besoj që je mësuesja, por nga i di këto?- u habita unë.

-Kështu ua bëjnë të deleguarve, që të mërziten dhe të ikin. Ata nuk rrinë më shumë se dy ditë dhe krisin e ikin për të mos u kthyer më. Thonë që po mbylle në thark Luton dhe derrin, derri plas! Po nejse , le të njihemi.

-Jam Agroni. Jo ai mbreti ilir, po një agronom, që i mban veshur çizmet gjashtë muaj dimër.

-Etleva-tha ajo.-Jo ajo princesha që do të martohesh me mbretin Gent, por një mësuese, që nga Berati, fati e ka degdisur në këtë humbëtirë.

-Fryjnë erëra në këtë fshat?

-Edhe fryjnë.

-Si paske shpëtuar që s’të kanë ngritur e të  të marrin me vete! Edhe ty me bukë bajate dhe uthull të ushqejnë?

Ajo ja dha të qeshurit:

-Xhepat e grykëses i mbush me gurë! Me siguri ke mbetur pa ngrënë. Eja  të çoj në një dyqan- shtëpi. Është këtu pranë. Të shohim se ç’mund të gjejmë.

Dyqani kishte ca pako të vogla me biskota, karamele dhe kuti me konserva sardelesh. Bleva nga të gjitha. E pyeta Etlevën që si ishte e mundur që fshati ishte thuajse bosh, pa njeri. Më tha se iknin që me natë për të mbledhur çaj mali dhe bimë mjekësore. Të tjerët janë mbyllur brenda se nuk duan që t’i takosh.

-Si do t’ia bësh, në kooperativë këta s’i fut dot, veç po ndodhi ndonjë mrekulli. Kam një vit këtu dhe i njoh mirë. Mos mundo veten, më mirë ikë.

-Jo- i thashë- Ky është një aksion politik. Nuk mund të iki. Do të pres që të ndodhë mrekullia, përndryshe duhet t’i bëj derman kokës!

U ndamë me Etlevën gazmore se e thirri drejtori. Nuk po e duroja dot më urinë. Biskotat ishin gur të forta dhe binin një erë si sapun, i përcolla me ujë, pastaj hapa një kuti sardele që më lanë në gojë një shije ndryshku. Më pas ëmbëlsova gojën me karamele. Gjeta një hije, u shtriva në bar dhe më zuri gjumi.

Dita e tretë.

Sapo kishte rënë drita. Lutua ishte zgjuar para meje dhe erdhi  e u ul te sofati. Ndjeva grahmën e rëndë të duhanit dhe duhmën e trupit të palarë. Hapa sytë.

-Prapë përjashta fjete?

-Nuk i duroj dot pleshtat.

-Eh mor mik, e ke gjakun të ëmbël prandaj turren tek ti, se ja, ne s’na pickojnë, e kemi gjakun të hidhur. Ngordhin po e bënë.

-Selvia më tha që s’ke shtirë gjë në gojë nga ushqimi ynë. Helbete, djalë qyteti, buzëhollë, me qibre, por s’kemi të tjera, këto na ndodhen! Komandanti ka thënë të uleni gju më gju me popullin. Populli ne jemi!........ Takove njeri dje, si do t’ia bësh me kumprativën?

-Do ta bëjmë- i thashë.

Ai nënqeshi hidhur dhe në sy iu shfaq një dritë e keqe,e verdhëreme.

-Demek, ty këtu të kemi, pilaf, deri sa të na vathosh!.

Nuk priti përgjigje, mori një thes e një drapër dhe u nis për në mal.

Pasdite, ndodhi mrekullia! Në fshat erdhi shoku Ferit, instruktori i partisë i zonës. Njiheshim. I rëndë, mospërfillës, kapadai dhe i vetsigurtë. Më çoi lajm që më priste te shkolla. Shkova me një frymë e me një ndjenjë çlirimi. Më në fund me dikë mund të flisja. Pasi u përshëndetëm, më pyeti dhe unë i rrëfeva se ç’po më ndodhte dhe çfarë po hiqja. Më qortoi se nuk e kisha kryer detyrën. Duhet të kisha trokitur derë më derë dhe si agjitator, të përcillja te njerëzit porosinë e Partisë. Çfarë prisja, që ata të vinin tek mua dhe të më luteshin që t’i fusja në kooperativë? Unë isha i ri dhe Partia priste shumë nga ne të rinjtë! Pasi më rrëfeu vendin, ai nënqeshi i vetëkënaqur. Ishte një nënqeshje ironike.

-Bisedove me Like Tomorin?

-Jo, ka ikur në Poshnje, te vajza, që e ka të martuar atje dhe do të rrijë ca ditë në krushqi. Kështu më tha e shoqja.

-Skilja e vjetër, qeni, e ka marrë vesh. Kërkon të na e hedhë, po me mua kësaj here, s’i shkojnë horrllëqet. Këtë radhë, po nuk erdhi dhe se futi fshatin në kooperativë, i fluturon tesera e partisë! Ai është bajraktar i këtij fshati, shtëpi e parë. Këta bëjnë si u thotë Likja. U tha Likja mos flini me gratë, ata nuk flenë! Ti qëndro. Sonde mbrëma do ta sjell pako postare! Nesër para dite do të mbledhim fshatin. Do të jem edhe unë- tha ai rëndë- rëndë.

Natën e kalova te Lutua. Prita se mos më thërriste Likja që duhet të ishte kthyer, por askush s’më bëri zë. Bëra një gjumë të keq nën shoqërinë e pleshtave, që s’më ndaheshin. Mishi, nga të kruarit, m’u mbush me flluska të kuqe.

Dita e katërt.

Lutua nuk kishte shkuar në mal. Me një ibrik më hodhi ujë që lava sytë. Më pyeti në se do haja një çanak me valë. E falënderova,  po i thashë se nuk më hahej kaq shpejt. U ul pranë meje. E shihja që diç bluante në mëndje.

-E lezeçme kjo puna e kumprtivës. Në darkë je zot i mallit dhe gjësë tënde, në mëngjes gdhihesh me gisht në gojë. Por ama,  të thonë se je zot i gjithë fshatit , i pasurisë së përbashkët. Gjase, jep një thelë e merr një pelë! Për andej nga fshatrat e fushës kemi dëgjuar ukubete të tjera, po andej unë jam rehat. Selvisë sime s’ja shtie njeri sytë.

-Luto, mos i jep gojës shumë. Me këto që the e di sa të dënon neni pesdhjet e pesë? Besoj nja dhjetë vjet të mira!

Por Lutua se prishi terezinë dhe i ra shkurt.

-Ti je çun i mirë dhe nuk do më spiunosh. Unë një copë fshatar i pagramë jam, nuk ma pret shumë. Nuk është zakon që atje ku ha bukën të përmbysësh kupën, apo jo?

-Këtë herë, të falet se do hysh në kooperativë. S’i dredhoni dot më kooperativës. Mos hidhni më vickla. Ka dhënë urdhër Komandanti, ai, i madhi fare. Në kongresin e Partisë do deklarohet që kolektivizimi mbaroi në tërë vendin.

-Si të ketë bërë emër Baba Abas Ali Tomori- tha ai me atë zërin hundor që ma shpifte dhe i hodhi sytë nga çuka e Tomorit.

Erdhi një lajmës dhe më tha se Like Tomori, mezi priste që të më takonte. Kishte ardhur edhe shoku Ferit nga Berati. Djali para, unë prapa, zbritëm tatëpjetë. Likja, shtat shkurtër, por i shëndetshëm e i lidhur mirë, me një kasketë që i binte gjer mbi sytë dinakë, hapi krahët dhe më përqafoi, si të më kishte mik të vjetër, pastaj bubulloi, turfulloi, shau e mallkoi, maskarenjtë  që mua një djalë të ri, që shkelja për herë të parë në këtë nahije, më kishin lënë vetëm dhe më kishin çuar për të bujtur te Luto Pocaqia. Sa për kooperativën, të mos kisha hiç gajle. Fjala e Partisë nuk bëhej dysh!

Burrat e fshatit u mblodhën në oborrin e shkollës dhe u ulën shesh. Në krye të vendit vunë një tryezë të mbuluar me një beze të kuqe. Aty u ulëm unë, Shoku Ferit dhe në mes tonë Likja. Likja u ngrit në këmbë dhe bisedat pushuan. Burrat pinin duhan të menduar.

-Dëgjoni-tha Likja-Ju gjithmonë më keni dëgjuar. Partia, Komandanti, kanë dhënë porosi të formojmë kooperativën tonë bujqësore. Për këtë rast kanë ardhur nga qendra,shoku Ferit,që ju e njihni dhe shoku Agron, i deleguar nga Komiteti i Partisë. E thënë dhe e bërë. Ne se bëjmë dy fjalën e Partisë. Këtu kemi deklaratën dhe listën me emrat e kryefamiljarëve, që do të deklarojnë  se me vullnetin e tyre të lirë dhe me gëzim, hyjnë në kooperativën bujqësore. I pari në listë jam vetë. E dini, mall e gjë në fshat, ara e vreshta, bagëti, pyll e kullota, asnjë s’ka më shumë se mua. Të gjitha ja fal kooperativës, t’i gëzojë fshati!-

Pastaj firmosi deklaratën. Nisi të thërrasë emrat dhe njerëzit vinin, firmosnin dhe largoheshin pa u ndjerë. Kur ju thirr emri, Lutua bëri sikur nuk dëgjoi. Likja e thirri për së dyti. Ai u afrua ngadalë duke hequr opingat  zvarrë dhe zgjati gishtin. E leu me pështymë, pastaj ia ngjyen me një laps kopjativ dhe ai vuri gishtin. Nuk dinte të shkruante.

Kur të gjithë firmosën, zotëroi një heshtje e rëndë. Që të krijonte një çikë atmosferë, pas firmës së fundit, shoku Ferit trokiti fort duart,nga zori duartrokitën edhe të tjerët. Pastaj ai mbajti një fjalim mallëngjyes për të mirat që do të sillte kooperativa. Te të pranishmit s’u vu re asnjë gjallëri. Rrinin si të shushatur.

-Ore-tha Likja-Ç’është kështu me juve? Nuk jemi mbledhur për të përcjellë ndonjë xhenaze, por për tu gëzuar. O Qazim, sille pushkën.

Qazimi djali i Likes, pruri një pushkë të shkurtër italiane që i thoshin “Patickë”. Likja zbrazi në hava një krehër me fishekë. Jehona e krismave u kthye nga shpatet e malit dhe zbrit tatëpjetë luginës. Le ta merrte vesh e tërë nahija, që ishte formuar kooperativa.

-Ta gëzojmë kooperativën, të rrojë Partia,të rrojë Komandanti! Tokëm duart dhe u përqafuam. Fshatarët të heshtur e kokë ulur u shpërndanë duke tymosur cigaret dhe çibukët.

Mora deklaratën, një fletë dyshe e shkëputur nga mesi i një fletoreje me kuti, e palosa me kujdes dhe si një gjë të çmuar e futa në çantë. Ishte trofeu im,si i deleguar që isha. Lutua më priste që të ngjiteshim në shtëpi, aty kisha lënë xhaketën. Fëmijëve që na u mblodhën rrotull u dhashë karamelet që kisha në çantë. U ndamë në oborr. I dhashë dorën, por ai nuk ma zgjati të vetën.  Më shihte i pezmatuar e tërë mllef.

-Rri me shëndet , xha Luto dhe mirupafshim.

Ai shkrofëtiu:

-Dëgjo, or mik. Erdhe nga an’ e anës i paftuar, bukën ma hëngre, uthullën ma pive, vajin e kripën m’i mbarove, qetë dhe arat m’i fute në kumprativë, Dhe më thua rri me shëndet, më mirë thuaj plaç! Më thua edhe mirupafshim, s’më zë malli,  kurrë mos t’i pafsha sytë! Ktheu krahët dhe iku me nxitim. Mbeta në këmbë. Ishte për të qeshur e për të qarë. Pa humbur kohë u nisa se kisha rrugë të gjatë për të bërë. Duhet të çoja lajmin e gëzuar: Kooperativa ishte ngritur.

 

Tiranë, qershor 2011.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora