Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Dora e ngrohtë e nënës më shpëtoi
E marte, 14.02.2012, 08:59 PM
Sejdi BERISHA:
DORA E NGROHTË E NËNËS MË SHPËTOI
(Kushtuar Amsera Rekës, vajzës pesëvjeçare nga Restelica e Dragashit, e cila mbijetoi në tragjedinë që e shkaktoi otergu i borës që mori dhjetë jetëra)
1.
U shndërrove në mbretëreshë kohe
Për të shkruar ditar për jetën
Për t’i kujtuar ëndrrat e cunguara
Kështjellë për t’i bërë lotët
Jetës për t’i thënë:
Ja kush është Amsera Reka
Një voglushe që sapo ka filluar ëndrrat
Dhe ma keni vjedhë dashurinë e nënës
Që m’i keni këputur kujtimet
Që ma keni cunguar lumturinë
2.
Një ditë të gjitha do t’i rrëfej
Në një fletore që nuk e keni parë kurrë
Do të rrëfej edhe për borën
Që shumë e kam dashur
Që tradhëtisht më zuri në gjumë
Isha në gjirin e nënës
Me dorën e babait sipër faqes sime
Me lotin e ngrir në sy
3.
Të gjitha do t’i rrëfej dikur
Në rrugët e jetës
Që tani janë shkrirë në dhembje
4.
Nuk dua të pyes as për nënën
As për babanë
As për vëllanë
E di se nuk do të marr përgjigje
Por vetëm dhembje e lot
5.
Moj jeta ime
Kaq heret ma detyrove një ditar
Me aq dhembje
Me aq ëndrra të ndrydhura
6.
Stina e dimrit është e bukur
Dhe kurrë nuk do ta harroj
Por tani pak më ndryshe
E që nuk di asgjë të tregoj
7.
Jam e vogël
Por ju lutem
Vetëm etjen time mos ma harroni
Të përjetësuar në fytyren time njomake
Dhe etjen e syve duke kërkuar
Fotografinë e natës së tmerrit
Duke kërkuar
Dorën e ngrohtë të nënës
Që ishte bërë akull
Mbi faqën time
8.
Mos harroni
Tani më njihni
Unë jam AMSERA REKA
Pesë vjeçe
Tani jam tregim tmerri
Edhe historie
Por kurrë mos më trazoni
Me datën
E njëmbëdhjetë të shkurtit të vitit 2012