E shtune, 27.04.2024, 08:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Flet Bajram Hoxha, drejtori i programacionit të Radio televizionit Shqiptar

E enjte, 17.03.2011, 07:28 PM


Ju tregoj si e futa motorin e policisë në studiot e TVSH-së

 

Nga Albert ZHOLI

 

Afërsisht katër dekada në Radio Televizionin Shqiptar. Një jetë të tërë që ndoshta e kanë pak intelektualë që kanë ngjitur shkallët e medias së parë vizive shqiptare. Jo vetëm një rekord në kohë, por ai është ndër të paktët që numërohen me gishtat e njërës dorë, që nuk është larguar nga ky institucion për asnjë ditë. Dhe pse ka pasur kërkesa të shumta në mediat vizive private me rrogë më të mirë, ai se ka “tradhtuar” dashurinë e parë, pasi aty ka ndjerë gjithë dallgëzimet e jetës, gëzimin, hidhërimin, fitoret, rezultatet, miqësinë krijimin e familjes pse jo dhe zhgënjimet. Ndaj edhe sot atë e gjen nga ora 8 e mëngjesit deri në 20.00 të mbrëmjes, aty në zyrën e tij në katin e katërt të godinës së RTSH-së të kësaj media vizive shqiptare që sipas tij dhe pse është lënë në hije nga politike ka brenda saj thesare që nuk i kanë të gjitha televizionet private së bashku. Ashtu i qetë, pa fjalë, tashmë ai drejton Departamentin më të rëndësishëm të TVSH, atë të programacionit.

Në kohën e rinisë tuaj RTSH shihej si mollë e ndaluar. Kishit menduar ndonjëherë se do të punonit në këtë institucion kaq të rëndësishëm të kohës së monizmit?

Jo. Se besoja. E shihja dhe më mbushte me mister kjo godinë. Më dukej e largët shumë e largët, për vetë profesionin që kisha zgjedhur si student. Fillimet e mia në RTSH janë të hershme që në vitin 1974, kur kam mbaruar fakultetin dhe jam emëruar në televizionin shqiptar. M’u duk e pabesueshme në fillim sepse nuk kisha dhënë shenja të tilla dhe asnjë aspiratë të tillë për gazetar. Dëshira ime e madhe ishte që unë të isha një jurist. Fakti që unë mbarova filozofinë me sa duket ndikoi që unë t’i futem gazetarisë. Në gjimnaz më kujtohet që kolegët e mi më thonin që t’i ke një timbër zëri, që mund të punosh edhe në ndonjë media. Dhe fati e solli një rast të tillë.

Besoj se hyre në këtë institucion jo pa emocione?

Duke qenë se ishte televizioni i vetëm kisha shumë emocione. Pastaj të jem i sinqertë s’kisha njohuri të shumta për gazetarinë. Kur punon në një media që është kaq publike gjithmonë je me një emocion të shumtë që varet nga ajo që do të përcjellësh dhe nga numri i njerëzve që të ndjekin, nga profili që ke krijuar nga ajo që kërkon të bësh dhe në fund të fundit je i vëzhguar qoftë për mirë dhe qoftë për keq.

Ju jeni futur në radiotelevizion shumë natyrshëm, kush ka qenë emisioni juaj i parë në këtë media aq të rëndësishme shqiptare?

E kujtoj me shumë nostalgji emisionin tim të parë. E kujtoj që kam qenë në studiot e transmetimit ato ditë që u transmetua. Unë kisha bërë tekstin, montazhin. Ishte një montazh me ndihmën e kolegëve të asaj periudhe. Kur dolën titrat në fund fare dhe doli emri, redaktor: Bajram Hoxha kam ndjerë emocione të mëdha. Ky emision ka qenë telereportazhi “Rruga Kukës-Peshkopi”. Për herë të parë bëja një udhëtim jashtë Tirane. Një udhëtim që e pata të vështirë sepse kam pasur disa probleme me makinën rrugës, por ai mbetet kujtimi më i bukur që hyra në rrugën e televizionit. Pra u mblodhën të gjitha të parat, emisioni i parë, shkuarja në Kukës për herë të parë, emocioni i parë si gazetar. Kisha prekur magjisë e televizionit, magjinë sinkron të figurës dhe zërit që sot është bërë pjesa më e pandashme e njerëzimit. Ishte telereportazhi dhe prodhimi im i parë në TVSH.

-Si të vlerësuan shokët dhe të afërmit mbas këtijë fakti dhe si i përcillni sot komentet dhe emocionet e telereportazhit të parë?

Ajo që më bëri përshtypje në atë periudhë ishte fakti se pyetjet që unë bëja në intervistat që merrja, sipas miqve të mi, tregonte se kisha dashur të imitoja një nga gazetarët më të shquar të kohës Alfons Gurashin. Alfonsi në atë kohë ishte personalitet në televizion, gazetar shumë i njohur dhe me një zë shumë prefekt dhe autoritar. Një nga kolegët e mi më tha se kur e dëgjova mendova se në intervistë po i merrte Alfonsi. Mua më erdhi mirë. Unë atëherë kam qenë 24 vjeç. Jo vetëm emisioni i parë që ka shumë emocione, por një njeri që ka një ndjenjë përgjegjësie ka emocione edhe pas shumë vitesh. Janë emocione pune, sinqeriteti. Por sidomos emisionet e para emocionet ishin të shumta. Më vonë u bëra pjesë e studiove televizive, por sa herë dilja sidomos 5 minutëshi i parë për mua ishte i vështirë, s’mund ti hiqja emocionet menjëherë. Mendoja se të gjithë më shikonin mua. Në këtë drejtim dua të përmend eprorët e mi të asaj kohe Marash Hajatin që ishte një profesionist i zoti, Virgjil Kulen që më ndihmuan pa masë për të larguar emocionet e ekranit sidomos çastet e fillimit.

Çfarë emisionesh keni krijuar në një periudhë 40-vjeçare?

Kam pasur disa emisione televizive që kam drejtuar ku kryesisht jam marrë me probleme sociale. Emisione të tilla ishin brenda natyrës sime. Këto emisione i bëra me shumë cikle. Gjatë katër dekadave, kam drejtuar për vite të tëra disa departamente në televizion. Në këtë rrugëtim interesant kam pas rastin të punoj me personalitete të televizionit, që kanë lënë gjurmë si, Xhemal Mato, Shkëlqim Alia, Thoma Tole, Alfons Gurashit, Ylli Pepo, Mevlan Shanaj, Albert Minga, etj.. Ishte një kënaqësi që të punoje me ta por edhe një përgjegjësi. Me sa duket problemet sociale zunë shumë vend tek unë, dhe ciklet e gjata televizive që ne në atë kohë i përdornim jo pa sukses. Këtu do të falënderoja mikun tim Xhemal Maton nga, i cili mësova shumë dhe punoi me shumë durim me mua dhe më dha ato dhunti që unë nuk i kisha.

Bashkëshortja juaj është bërë xheloze për profesionin tuaj? Ju gjithmonë në lëvizje...

Kam pasur kushte të mira për të punuar pasi kam pasur mbështetjen e saj në çdo çast. Ajo është bërë pjesë e jashtme e televizionit dhe që e do po aq shumë atë. Pas emisioneve në shtëpi ajo më priste me një listë ku më përmendte gabimet, ku unë pastaj i korrigjoja.

Gjithmonë në lëvizje jeni ndjerë keq?

Lëvizja më ka bërë shumë mirë, pasi ajo shmang qëndrimet e gjata në tavolinë. Me punë dhe në punë kam njohur shumë njerëz ku edhe nga zyra nuk ta jep këtë favor. Televizioni të njeh me ata njerëz që ti e ke të vështirë për t’i njohur ose koha nuk t’i sjell për t’i njohur. Unë edhe kur lëviz sot nëpër rrethe më bëjnë pyetjen se kur do të shikojmë një cikël për aksidentet?

D.m.th këtë cikël e vazhduat edhe në vitet e demokracisë?

Nga vitet ‘98 unë kam bërë një cikël të gjatë për sigurinë rrugore. Është një problem që mua më ka shqetësuar. Dhe dua që të ndërgjegjësoj opinionin. Realizova në studio një gjetje fare origjinale ku mora një motor të policisë rrugore dhe e improvizova në studio dhe ftova mbi 50 veta. Ai emision pati shumë sukses. Edhe tani kam dëshirë të bëj një emision sepse vitet e fundit, vetëm nga automjetet ka mbi 10 mijë të vrarë, të vdekur dhe 25 mijë të aksidentuar. Të flasësh me këto shifra dhe televizionet të heshtin mua më duket sikur jemi në faj. Ne duhet të përshtatemi kushteve të reja. Kanalet private këto nuk e bëjnë, duhet ta bëjmë ne. Detyrimin e madh për të edukuar njerëzit e ka televizioni publik shqiptar. Ndjehem pak borxhli dhe shpresoj ti kthehem prapë këtij emisioni.

A ke ndonjë peng në të gjithë këtë udhëtim?

Që të punosh në televizion duhet të jesh artist dhe ti përjetosh gjërat. Televizioni është zë dhe figurë dhe kur nuk gërshetohen këto emisioni del i thatë. Gjërat janë përciptas. Mua më bën shumë përshtypje edhe një perëndim dielli i bukur, një kodër e bukur, apo një rrugë apo urë. Pra pengje kam në çdo hap që hedh.

A jeni menduar ndonjëherë të merreni me politikë?

Politikën nuk e dua. Më kanë emëruar Drejtor iu informacionit kur Drejtor i RTSH ka qenë regjisori Albert Minga dhe të nesërmen i kam krijuar që të iki. Në atë kohë ka pasur shumë presion nga politika.

Raportet tuaja me librin?

Jam pasionant. Lexoj, por nuk më mbetet shumë kohë. Edhe djali im i madh është i përkushtuar ndaj librave dhe unë jam i detyruar të lexoj. Sot e ndjej se i jam borxhli.

Si ndjeheni si Drejtor i Departamenti të Programacionit në RTSH?

Është viti i katërt që unë jam Drejtor i strukturës programacionit në televizion. Kam një gamë të gjerë programesh që unë mbuloj, por dua të theksoj se i jam përkushtuar shumë sportit në televizion. Sot mund të them me mburrje se televizioni shqiptar me rikthimin që i ka bërë sportit po përfiton nga autoriteti i tij. Viti që u mbyll kemi transmetuar rreth 700 orë program sportive, që nga kampionati botëror, ai i atletikës, olimpike e kampionati vendas dhe them se televizioni shqiptar zë vendin e parë nga TV-të e tjera në Shqipëri.

Kush janë problemet kryesore sociale në Shqipëri?

Numri i të droguarve që ka një shifër mbi 30 mijë. Vjedhjet, Kjo është një shifër e madhe. Vjedhjet. Por, më kryesore mendoj unë është marrëdhënia midis brezave ku këtu hyjnë të gjithë elementët e domosdoshme të marrëdhënieve.

A e mendon ndonjëherë veten jashtë TVSH-së?

Nga vitet 2000 kam pasur dy oferta për t’u larguar nga TVSH. Më vjen mirë që lançohem si i tillë. Por, nuk e kam ndjerë asnjëherë veten jashtë televizionit. Ai është vetë jeta ime. Si jam ndarë dhe s’më ka lënë të largohem. Nuk jam tunduar nga paraja, përpara tundimit që të mos e lë dashurinë time të parë të punës TVSH-në, këtë nuse që konkurrenca do t’ja zbehë shkëlqimin.

 

 

Puna në 40 vjet

Ciklet televizivë, që na dhanë çmimet e mëdha

Por si titulloheshin emisionet që ai ka drejtuar në ato vite dhe cilat ishin telereportazhet edhe filma dokumentarë që mbajnë firmën e tij. Në këtë pijë Bajram Hoxha përgjigjet: “Unë do të përmendja një cikël shumë të gjatë emisionesh që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore. Një cikël të gjatë emisionesh që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore. Disa dokumentarë ku unë bashkë me Xhemal Maton kemi marrë çmim. Ka qenë një cikël nga viti 1986-1987 “Produkte dhe blerës”, ku për herë të parë u tentua që të futej kritika në televizion. Pikërisht në këtë kohë filluam të xhironim me kamera të fshehta. Ka pasur disa dokumentarë që i kujtoj dhe i analizoj brenda vetes me fanatizëm ku dua të përmend një dokumentar që e kam bërë me gazetarin pasionant, të talentuar Xhemal Mato, Ky film u realizua për një vend nga më piktoreskët në Shqipëri në Syrin e Kaltër në Sarandë. Në këtë film për herë të parë u tentua të hyhej brenda në këtë labirinte, dhe në këtë mrekulli të zonës së jugut. Bashkë me ne ishte dhe një palombar nga Durrësi. Ishte një ndërmarrje e vështirë dhe duke bërë këtë punë ne në darkë kishim për të ngrënë vetëm një kuti konserve me midhje. Me këtë film ne kemi marrë çmim. Një çmim kemi marrë pastaj edhe nga Akademia e Shkencave të asaj periudhe lidhur me një dokumentar që kemi bërë për hidrocentralin e Banjës, i cili nuk përfundoi kurrë, por që ne e kemi ndjekur atë hap pas hapi. Këta dokumentarë janë realizuar në kushte shumë të vështira komunikimi dhe teknike jo shumë të përparuar.

 

Emisionet

Si e intervistova Adil Çarçanin në zyrën e tij

Në ato vite Radio Televizioni ka qenë e vetmja media shqiptare vizive, por që i shtrinte valët e saj edhe jashtë atdheut. Por a ka pasur rastin që gjatë punës së tij ai të takohej me ish udhëheqësit e regjimit komunist? Ja çfarë kujtimesh ruan Bajram Hoxha nga këto takime: “Unë nuk e kisha vendin në kontaktet me ta. Me udhëheqësit merrej pjesa e informacionit. Ne kemi bërë një cikël në atë periudhë ku personazhet të ishin të gjithë të nomeklaturës së asaj periudhe ku udhëheqësit e kohës përziheshin në përzgjedhje edhe me punëtorë apo kooperativist të ardhur direkt nga rrethet, ose direkt nga prodhimi. Ishte një cikël që bëri një lloj buje për faktin shihej qartë se çfarë peshe kishin udhëheqësit kur hynin në raport me njerëzit e tjerë. Po kujtoj një personazh që ka qenë Farudin Hoxha që arriti deri ministër. Janë bërë afër 7-8 emisione me këtë temë, ku secili nga ne gazetarët mori dhe drejtoi një emision më vete. Mua më ka rënë atëherë të drejtoja emisionin kur ka qenë i ftuar Adil Çarçani. Regjistrimi me të u bë në Kryeministri”

 

Sakrificat

“Në gjyqin e dy prillit 1991, na hoqën kabëllin e zërit”

Por a ka pasur Bajram Hoxha ndonjë çast të vështirë ku e ka ndjerë veten keq në televizion? Kësaj pyetje ai i përgjigjet: “Kam pasur por duke qenë një gazetarë i hershëm në televizion dhe duke pasur dhe poste drejtuese kam pasur edhe momente e mia jo shumë të këndshme që lënë mbresa edhe tani që i kujtoj them si ka mundësi që i kam përballuar. P.sh gjyqin e 2 prillit në Shkodër. Bëhet fjalë për vitin 1991 ku unë kam qenë në krye të një grupi të madh që shkuam për ta xhiruar. Për fatin tonë të keq një pjesë të mirë të regjistrimit që kishim bërë ditën e parë e kishim bërë pa zë. Pra na kishin hequr kabllin e zërit. U detyruam të çonim makinën natën në Shkodër dhe morëm zërin e regjistruar nga Radio Shkodra, se ndryshe do të ishte një skandal që e paguanim shumë shtrenjtë. Ato ditë situate politike ishte shumë e acaruar ku çdo gabim kushtonte dhe keqinterpretohej. Në Shkodër kam qenë me operatorët Ylli Agolli dhe Astrit Omeri. Në vitet ‘97-‘98 kam qenë në televizion dhe kam përjetuar ngjarjet si të gjithë kolegët e mi. Ajo që më vjen keq është se gjithmonë RTSH paguan haraçe të politikës. Çdo forcë politike që vjen mundohet që ta përdorë televizionin nga ana e vet. Pavarësisht se sa jep. Shteti duhet ta mbështesë shumë mirë televizionin, në mënyrë që televizioni duhet se çfarë të japë”.

 

Gjigandi i medias

Gjithmonë RTSH paguan haraçin e politikës

Por duket se politika e ka lënë në harresë këtë gjigand të medias. Ja çfarë thotë Bajram Hoxha i pyetur rreth kësaj çështjeje: “Unë nuk jap përcaktim të saktë. Por mendoj se në momentet e para kanë qenë gjëra të tjera prioritare, ku diskutohej buka, investimet, nuk ka qenë prioritare problemi i televizionit. Edhe futja e kanaleve private është një anë e mirë për televizionet sepse rritet konkurrenca, por është një luftë e heshtur ndaj televizionit publik. Vetëm një mendje e qetë e lexon dhe e kupton dhe e ndjen se çfarë po bëhet ndaj tij. Vlerat e tij pra RTSH s’duhet t’i zbehë as politika pa diskutuar për individ. Duke qenë i vetëm televizioni ka histori dhe është i vetmi që e mban këtë histori. Historia nis me ngjarjet që ka përjetuar koha kur u krijua dhe deri më sot. Historia nis me ditën e krijimit të medias së parë vizive shqiptare. Xhirimet që i përkasin asaj periudhe që i përkasin pasurive nënujore, tokësore, ujore, ajrore, dramaturgjike të estradave. Një histori e rrallë që s’do ta ketë luksin ta ketë asnjë televizion sot. Historia e medias së parë vizive dhe fonike shqiptare nis tek RTSH. Kjo nuk do koment”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora