E shtune, 27.04.2024, 07:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Vaso Papaj

E marte, 15.03.2011, 08:10 PM


Vaso Papaj

 

 

Thirrmëni komunist

 

Thirrmëni komunist

Mua që linda skllav i komunizmit

Veç hajdut, bandit, mafioz mos më thoni

Do të qesh paksa  se,…

befas do t’ më kërcënoni.

Do të hungërijë tërë natën telefoni

 

Thirrmëni komunist

Mua që komunizmi fëmijërinë më mori,

rininë, jetën

Veç spiun, kurvar, i atdheut tradhëtar

mos më thoni

S’ kam ditur kurrë të kthej fletën.

 

Thirrmëni komunist

Doni të mbillni tek unë indiferencën,

apatinë,

Unë kudo kam mbjellur shpresën,

dashurinë.

Shamëni ashtu siç shahet në sport bar

Po mos thoni se më ka dhënë dikush ndonjë kapar

Apo keni dëgjuar ndonjë evasion fiskal pa larë?!...

 

Uuff!...

Ç’ natë e gjatë! Ç’ ëndërr pafund!

Qeshje e hidhur nën hundë

Hee…thirrmëni komunist

Ju, shpura e tij, e paparë tjetërkund.

 

 

Kotësi

 

Gropë i bëtë kolltukët e Port Saidit*

Orë të tëra, gropë lëkurë e zezë

Nuk pushon së rëni zilja e celularit

Kot, fare kot, ju është bërë ves.

 

Thonj të zi sikur më mbysin në Flag Ship*

Seç lëpihen mbi syprina xhami gri

Akrepat e fosforit te muri cip mbi cip

S’ di, në kot po rrinë, a bëjnë dashuri.

                                    

Tym duhani vesh tavanin e Çollakut*

Missin ledhaton te lajmet, Ora News

Stresi m’ ësht’ bër’ mal, gërryen prej merakut

Më mbyt kjo kotësi, më mbyt, mezi e ngrys.

 

*Kafe-Bare në Durrës

 

 

Vendstrehimi im

 

N’ ato net’ të ftohta me hënën kallkanisur

Kur s’ dihej në të gjente në shtrat ndonjë agim

Në gjoksin tënd i zhytur, me heshtjen nanurisur

Të thoja lehtë te veshi: Je vendstrehimi im.

 

Kur bora qetësisht gjithshka e kish mbuluar

Dhe flokët dhe çatitë dhe fjalët tona ngrinë

Në gjirin tënd u zhyta me heshtjen përqafuar

E përsërita prapë: Je vendstrehimi im.

 

Po kur  shëtisnim rrugës me gishta të mbërthyer

Dhe ca vështrime shtrembër na shponin pambarim

Me puthje të padhëna që shpesh na shoqëronin

Refrenin përsëritja: Je vendstrehimi im.

 

E nëse  ndodh një ditë, prej teje larg të jem

Do t’ doja prapë te veshi dy fjalë të të arrijn’

Nga tjetra bot’ qetësisht, përsëri do të të them

Të dua fort! E di?... Je vendstrehimi im.

 

 

Poeti dhe shiu

 

Nga larg ia behën vetëtimat

Në një  vallëzim plot  fantazi                                                                       

Aty mbi det si balerinat

Si duket do të bjerë shi

 

Kam ditë, atë dhe unë kërkoj

Tek xhami yt thur simfoni

Lëpihem, shkas e ëndërra zgjoj

Pa hapma portën, ftom’ në gji

 

Këndoj edhe me shpirt godas

Orkestër me njëmijë buri

Dhe jet’ të sjell  gjithmon’ nga pas

Ndaj lutem mos pushoj ky  shi

 

 

Ka ditë

 

Ka ditë  që  jam duke kërkuar

E asnjë qen që të më dojë nuk gjej

Ndër kohë, që  unë vet qent’ i urrej.

 

Sa herë të marr furgonin kam provuar

E për t’ u ngrohur, të shkoj te dielli, përtej

Ndër kohë, që  vet furgonin e urrej.

 

Ka ditë kur  vetëm ty të kam në mëndje

Dhe veç një pyetje tingëllon si një këmban:

Pse është  gozhduar ai që dashuri shpërndan?

 

Ka ditë kur sinqerisht  ndihem padron

Sikur gjak mbreti të më rrihte nëpër dej

Ndër kohë,  që unë  padronët i urrej.

 

Dhe do të gjunjëzohesha  një dit’  pa drojë

Për të kërkuar dashurinë që kurr’ nuk po e gjej

Por ja, që s’ e bëj dot, gjunjëzimin e urrej.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora