Kulturë
Cikël poetik nga Vladimir Toroveci
E hene, 14.03.2011, 08:56 PM
Vladimir TOROVECI
NENES
Nënë,
Dora e bardhë dhe e butë,
Kur t’u rreshk e t’u vogëlua vallë?
Si një pergamen i lashtë,
Që koha sa vjen
E bën më të çmuar,
Më të rrallë…
Dora jote si një pergamen i lashtë?!
Unë di të lexoj në rrudhat e tua
Një lumë të kthjellët me dashuri.
Dhe shtati yt i kërrusur,
S’di pse më ngjan
Me një flamur në gjysmështize,
Që për të dashurit e ikur
Mban zi...
SHNDËRIM
Unë isha kolibër,
Gjerbja vilet e akacieve
Kaçubeve të fëmijërisë…
Isha i brishtë,
Si në pranverë
Aguliçet e zbehta.
Kisha frikë nga nata,
Por jo nga vdekja.
Ndiqja pëllumbat e pilivesat
Me ca krahë të vegjël,
Nën këmbët e zbathura.
Si të doja ta kisha
Si ata qiellin,
Nën flatra.
Tani s’kam frikë nga nata,
Nga vdekja kam frikë.
I ngarkuar siç jam
Me zgjyrë mëkatesh,
Të këtij ferri pa dritë…
ATË NATË
Befas, u gjenda
Nën shi meteorësh.
E rashë në ekstazë…
Dehur nga kurmi yt magjiplotë,
Mbuluar prej pjalmit të mjaltë,
U shtriva të vdes i vetmuar.
Atë natë..!
DASHURISË
Buzë qiellit tënd të pamatë,
Jam zog krahëthyer.
Mbi gjinjtë e tu përpëlitës,
Si Prometeu
Mbi shkëmbin e fatit mbërthyer.
Një det të tërë kam pirë
E prapë digjem nga etja.
Kush do ma shuajë zjarrin,
Jeta, apo vdekja..?!
TRAPI I MEDUZËS
Po mbyten miqtë, një nga një,
Me mishin tim nëpër dhëmbë,
Me flokët e mia në dorë.
Jam i drobitur, si shpëtoj dot,
Humbasin thellësive, si meteorë.
Dhe unë fillikat
Ku koha është pa kohë.
I lodhur tmerësisht
Prej ravgimesh pa sens,
Ëndërroj të gjej Kalipsonë…
PARAJSA E HUMBUR
Unë e humba parajsën..!
Gjumit, si t’i vijë keq,
Përnatë m’i mbyll sytë.
Por nga honet e pavetëdijës,
Herë-herë reminishencat e saj
Më shfaqen me trajtat e fëmijërisë.
Në mëngjes
Më vjen të mallkoj zgjimin,
Që më dhunon ëndrrën
E më rrëmben xhevahiret e rimta…
DIÇKA PËR VETE...
Me hekur të skuqur më shënjuan,
Në rininë e hershme.
( Më cërit në shpirt ajo ditë.
Ku ishin perënditë..?)
Më bënë skllav galere.
Kush të më mbronte?
Naiviteti i nënës,
Apo moskokëçarja e atit..?!
Isha një zog i vogël
Me gjuhë të shkulur nga dhuna.
Sy të liq më përndoqën
Një jetë të terë.
Më përfoli pafytyrësia
Dhe m’u ngërdhesh në sy.
Vetëm urtësia e të mënçurve
U bë limani im.
Nga kjo kuptova,
Sa pak të urtë ka bota..!
DITNATA IME
Poemë
Dita ime, nata ime
Me shpirtin prej muzgu
E trajtat prej ëndrre,
Fytyrën prej njerke
E sytë prej nëne!
Ditnata ime, jeta ime,
Si e dalë nga përrallat.
Gjysmë peshk, gjysmë njeri,
Më josh me ca shënja drite,
Me ca yj fërgëllues,
E prapë në baltë
Më flak përsëri...
Unë ngulmoj dashurinë,
Ti urrejtje më jep.
Zgjat duart të të kap,
Nëpër gishta më shket.
Mbi shtatin tim,
Le vurrata prej terri
Dhe pak gjurmë puthjesh
Si të përzihen
Parajsa dhe ferri…
Brënda gjakut tim,
Pëshpërijnë zëra rebelë;
Diç kërkojnë prej meje
S’i qetoj dot.
Përpiqem t’u iki,
Më gjëmojnë nëpër deje,
Rrekem më kot.
Nuk mundem të fle
Në pikun e natës,
Në gji të mosqënies.
Ata, të beftë,
Më bien me grushta,
Më shpojnë
Me mamuzet e dhimbjes.
Më lini ju them,
Jam i lodhur.
Gati pa frymë
Në damarë s’kam zjarr,
Kam akull e brymë.
Sytë, zgjyra e dogmës
M’i veshi.
Trutë m’i mpiu
Helmi i saj.
Gjymtyrëngrirë
Prej ngërçit të lig,
Rënkoj e ofshaj.
Prapë më gjëmojnë,
Diç prej meje kërkojnë...
Ku është parajsa ime..? Ku..?
Një jetë që rend e s’e gjej.
Prej punës së rëndë
M’u zhvoshkën duart
E prapë veten gënjej
Më rrejnë ca çaste të kaltra
Dhe qiej ylberorë.
Pastaj
Prapë i zhgënjyer vrapoj,
Pa e parë me sy,
Pa e prekur me dorë...
Ku është parajsa ime..? Ku..?
Në syt e gruas
Pikon mall i lodhur.
Në syt e tim biri-
Një heshtje pa gas
Mban radhën e bukës
Dhe hesht i menduar
Si të jetë i madh.
Ku është prajsa ime..? Ku..?
Një korb krroket
Në pyllin degëtharë
Të shpresës.
Më ngjethet mishtë,
Tek e ndiej
Mesnatës së errët.
Ç’kërkon të më thotë
Ky zog i mallkuar,
Me zërin e ngjirur të tij..?
Megjithëse mbështillem
Me pelerinën e heshtjes,
Sërishmi mbërdhij..!
Krroket ky korb, krroket...
E rreth më përvidhen
Hije pa trajta.
Më përgjojnë ëndrrat,
Më zhbirojnë dashurinë,
Gjestet e hapat.
Grumbuj kufomash
Rreth meje.
Lebeti burrash,
Lebeti grash, zemërçjerë.
Pirgje shpirtrash të mjerë...
Avuj të helmët
Më veshin sytë,
S’më lenë të shoh qartë.
Ç’maskë antigaz të përdor?
Ç’hajmali të shenjtë
Të var thellë në qafë?
Krroket, korbi, krroket..!
Ç’thellësi skëterre
E polli këtë zog..?
Në ç’hone urrejtjesh
U ngjiz shpirti i tij..?
Xhelatë e vampirë
E bëjnë për shok.
Hijenat i rrinë përbri.
Një flake e jeshiltë
I digjet në sy.
Kukudh i pagjumë,
Bluan veç kurthe.
Në netët e ankthta të tij,
Krijon pranga e burgje...
Si t’i shpëtoj
Kësaj nëme të rëndë..?
Ec marramenthi,
Këmbët s’më mbajnë.
Zvarritem,
Me thonj e me dhëmbë.
Kërkoj një dorë të mbështetem,
Një shënjëz drite
Prej qiellit pus.
Përkulur buzë lumit të jetës,
Pres si shelgu lotues…
Në netët me hënë
Thërras dashurinë.
Një sy i padukshëm më ruan,
Më ndjek pas kuturu.
Më pëshpërit nën zë
Me një hakërimë të mjegullt;
Harroje bukurinë -më thotë-
Bukuria ka vdekur.
Dhe unë gërmoj…
Përmes një tymnaje të kuqe,
Nën rrasat e varreve
Shoh botë ireale.
Copëtoj mermerë
Jeshiluar prej myshkut,
Përbalt eshtra, thyej stoli.
Si i zaptuar nga xhindet,
Përdhos zot e shënjtorë
Dhe në ekstazën e zhbërjes
Krijoj idhuj të rinj...
Vetëm armiq rreth meje,
Vreri i urrejtjes
Ma jeshiloi gjakun në deje…
Askush s’kujtohet për mua,
Vështrimhumbur
Nuk di ç’kërkoj.
Dhe as nuk di çfarë dua...
Si në ishullin e Çirçes,
Me drithma në shtat,
Shoh shokët e mi
Shndruar në derra,
Tek rrëmojnë në batak.
Ku ta gjej eliksirin,
Barin çuditbërës,
T’i kthej sërisht në njerëz?!
Topitur prej dhunës
I harova të gjitha,
Luftën dhe shpresën…
E harrova dhuntinë
E të parëve të mi.
Lisi i Dodonës
U tret nëpër mjegull.
Ç’do bëhet me mua?
Ç’do bëhet me ty?
Përpëlitem
As i gjallë, as i vdekur.
Nëpër udhët e ngushta,
Mesjeta merr frymë.
Kapuletë e Montanjë
Përjetë në sherr,
Megjithëse qindra
Romeo e Zhuljeta
Janë mbytur në vrer.
Ç’mallkim thellë në gene
Është gdhëndur e s’shuhet?
Ç’puse urrejtjesh
Dot koha s’i mbush..?
Dremitin Eriniet si prushi nën hi,
E prapë rizgjohen sa i prek dikush...
Dua të shoh përpara
Drejt dritës.
Veç hone dhe mure.
Unë dija se stolisja
Djepin e jetës,
Po paskam stolisur qivure!
Ndiej nëpër këmbë
Vargonj pergamenash.
Vulosur me vula
Dhe emblema gjithfarë.
Të vdekurit ngrihen,
Hakmerren për dhunën
Të gjallët,
S’ndjehen të gjallë…
O Zot, ç’është kështu?!
Të rigjeta ty
Dhe sërish
Më pushtoi marrëzia.
I dehur prej lirisë,
Si prej një vere të rallë,
Kam filluar çjerr rrobat e mia…
Nën avuj gazetash,
Si në avuj hashashi,
Bie të fle...
E rizgjohem sërish.
Faunët dalin
Prej pyllit të lagësht.
Më tregojnë me gisht...
Zgërdhihen
E tallen me mua,
Me botën që dua.
E ndiej, absurdi
Sërish më rrethon,
Kokën time kërkon.
Unë prapë nuk epem
Prapë luftoj;
Në vënd të urrejtjes,
Dashurinë ngulmoj...
Jeta ime, ditnata ime,
Gjysmë peshk, gjysmënjeri.
Të kam kapur prej flokësh
E kurrë s’të lëshoj.
Fati im je ti..!