E diele, 28.04.2024, 10:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Lufta kundër kangës shqiptare

E diele, 13.03.2011, 08:57 PM


LUFTA KUNDËR KANGËS SHQIPTARE

 

Producentët n’ kamë janë çue ,

T’ gjitha forcat i kanë bashkue ,

Me kangëtarë e me kangëtare –

Me i shpallë luftë kangës shqiptare !

 

Nga çdo anë ndihmë kanë kërkue –

Armë të randa me iu çue !

Iu çoi sinta Japonia ,

Darabukë iu çoi India ...

 

Emiratet e Arabisë ,

I kanë çue  haber Turqisë –

Shpejt Junanin me e urdhënue ,

T’ gjithë buzukët me i shtrëngue ,

Kësaj lufte me iu bashkue !

 

Satelitët i kanë montue ,

Për hava me fluturue ,

Shpi për shpi me aterue –

Kangët shqipe me i bombardue !

 

Tatlisesi – komandant ,

N’ Kumanovë ka ba desant ,

Luftë e madhe ashtë zhvillue –

Kanga shqipe ashtë plague !...

 

N’ mbarë Pollogun , lufta krisi ,

Edhe Shkupin e kërdisi ,

Erdh Gazeli e Buzukisi ,

N’ krye me ta Teodorakisi !...

 

Shpi për shpi hyni Virusi –

Kangët shqipe i mori pusi .

Diversantët me porosi –

Kangët shqipe duen me i zhbi !

 

Plot me lopë ,  dele kallusha ,

Plot kaseta na u mbush fusha .

Na u mbush fusha , na u mbush mali –

Prej dashnisë – po digjet djali !...

 

Armatosen përlakë e mushka –

Vathë në vesh , kambana n’ gusha ...

S’ mund po i nxjerrin topat prej lloçit –

Duel Shehidja prej kallamboqit !...

 

Kanë hapë gojë bretkana e zhaba –

Këndojnë himnin :”Shiki –shiki – aba”,

“Ja Muhamed, ja Rabbi ,

Bane llugë  si n’ Arabi !”...

 

Shqyejnë gabzherrët , fryhen gusha –

Me “Dadusha” e “Fatusha”,

Me “Nazusha”  e “Salusha” ,

Me “Zemrusha “ e “Takatlusha”...

 

Me “Midusha” e “Minusha”,

Me “Lidusha” e “Malusha”,

Me “Vetllusha” e “Synolusha”,

Me “Loçkusha” e “Shpirtusha”...

 

Me “Dragusha” e “Rabusha”,

Me “Pedera” e “Pederusha” ,

Me “Cinglusha” e “ Mingjusha”,

Me “Tupana” e “Surlusha”...

 

Me luana  e arusha ,

Me  thi t’ egër  e kallusha,

Pirrovina e sarusha –

Na u mbush mali e na u mbush fusha ...

 

Nga aeroporti i Rugovës –

Fluturoi “Rrushi i Gjakovës” ;

Kryengul ka ra n’ Konçul :

“Ha mish e lakna e rras pasul!”

 

Dathë e deshë nëpër handraka –

Me kakiçka e halabaka ,

Luftë po bajnë do kamëcullaka ,

I duel tymi e i duel flaka !...

 

Krisen topat , krisi pushka –

Plotë vejana e plotë vejushka ,

Nëpër gaca e nëpër prusha ,

Tanë tue pjekë raki me rrusha !...

 

Nëpër therra e nëpër lluga –

Iu ra sida e iu ra zhuga .

Knon rokeri e kcen reperi –

Prej dashnisë iu ra triperi ...

Na u ba nami, na u ba beteri –

Shërim lypshin prej shpriceri !

Shpricer i japin shoqi – sho’it

Bashkë me “Miell t’ Kallamo’it”!

 

Ulurimë nëpër sokaçe –

Për këto sëmundje s’ ka ilaçe !

N’ hall të madh ra producenti –

N’ idhnim nisi me i ra veti !

 

Mblidhen “motra” e shumë “vëllazni” –

Grupe – grupe , shpi për shpi ,

Nën parullë t’ “Vëllazënim – Bashkimit “

Kërkojnë rrugët e shpëtimit !...

 

Fshihen n’ studiot me bedena –

Këndojnë “shqip” si Lepa Brena !

Këndojnë “shqip” si ua ka ana –

Ceca , Zdravku  e Dragana!...

 

Për këtë luftë me këto mafia –

Ndihma t’ mëdha iu çoi Serbia ,

Maqedonia e Bullgaria ,

Nuk mbet  anash as Italia ...

 

Me rokera iu prinë  Anglia ,

Vlon pazari e vlon çarshia ,

Luftë po banë “Çaje Shukarija” –

Hedhin valle milicia !...

 

N’ katër anët sulmojnë ushtria ,

I ka kapë të gjithë uria ,

“Therin “ vashat n’ shesh t’ Prishtinës

Dhe ua hanë “rruezën e shpinës”!

 

E lëshojnë frontin, vashat , prej drojës –

Mos po ua hanë “guhën e gojës”?!

Kanë zanë pritat n’ shteg të lamës –

Po ua hanë çikave “kaçikët e kamës “!...

 

Kur kanë dalë në Qafë të Prushit –

E kanë shtrue “Rakinë e Rrushit” .

Pinë raki , skuqen si speca –

N’ ekran duken si dordoleca !

 

Luftojnë trimat nëpër Golesh –

Lypin “Rrush me kalavesh”:

“Der’  n’ sabah s’ mundem me luftue –

Rrushin e Rrushes , pa ia kërkue”!...

 

Mulla Hyda, temxhit po thërret :

“Aman, aman, aman, medet ,

Kjo dynja kujt s’i  ka mbet ,

Mbasi vdiq Hazreti Sylejmani –

Vdiqën kangët e këtij vatani “!...

 

Kanga shqipe, priti e foli :

“Bani  e u çue  , ai Mic Sokoli ,

Bani e u ndjeu çka jeni tue knue 

Krejt n’ grykë t’ topit ka me ju gjue !...

 

Sefë Kosharja – i pari i fisit ,

Bani e u pa ç’po i bani plisit ,

Bani e u pa si po i mbani tirqit –

Ka me u  vjerrë në maje t’ lisit !

 

Bani e u çue , ai Azem Bejta ,

Bani e u ngritë Shota e Ylfetja ,

Jusufi, Bardhoshi e Kadri Zeka –

Zoti e di se qysh ju vjen deka !”...

 

Gjilan, më 1996.

Demir KRASNIQI



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora