E enjte, 08.05.2025, 12:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël me poezi nga Isuf Grajçevci

E shtune, 12.03.2011, 08:41 PM


Isuf Grajçevci u lind më 12 korrik të vitit 1948 në fshatin Hade, ku kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme dhe shkollimin e mëtejmë e vazhdoi në Prishtinë. Punoi si korrektor në Gazetën Zyrtare të ish Jugosllavisë, në Redaksinë e gjuhës shqipe dhe në Enciklopedinë e ish Jugosllavisë - në Redaksinë e gjuhës shqipe në Prishtinë. Bëri përkthime të materialeve të ndryshme serbokroatisht-shqip dhe anasjelltas. Më 1994 u detyrua të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një kohë punoi përkthyes i gjuhës angleze në UN. Tani jeton e vepron në Prishtinë dhe SHBA.

Në vitin 2008, botoi përmbledhjen e parë me poezi’’ Hapat e tu në mote’’ dhe ne vitin 2010 përmbledhjen e dytë gjithashtu me poezi “Gjurmë mërgimtari”.

 

Veprat letrare:

 

1.         “Hapat e tu në mote”, poezi, Prishtinë, 2008

2.         “Gjurmë mërgimtari”, poezi, Prishtinë, 2010

 

 

Isuf Grajçevci

 

 

DITA NË KALENDARIN TIM

 

(17 shkurt 2008)

 

Vështroja horizontin

e nuk besoja

për atë që po shihja

loti i dhembjes

puthte lotin e krenarisë

Flamurin mbaja në duar

që ende pikonte gjak lirie

gjak i marseve dhe i nëntorëve

të përflakur të lirisë

e putha

e mbështolla për trupi

dhe thashë:

Kësaj radhe s’do të ma gjakos njeri

në këtë karvan me plot dasmorë

dhe unë po e hedh vallen e pritjes

kurrë s’kam  pas një ndjenjë të tillë

malli

dashurie

dhembje e krenarie

dhe  për një çast

ju luta Zotit:

më dhuro një copë jetë

ta ndjej

ta jetoj këtë ditë

të shënuar në kalendarin tim.

 

 

IMJA PERËNDESHË

 

Dhe valë e oqeanit

përballet me shkëmbin

siç përballet dashusria ime

me stuhitë për ty

Ti

më vret në shpirt

e bukura e këtij globi

historia jote

më përplasi

në këtë Metropol

bonjak – pa nënë

ku gjurmë vuajtjesh

më janë harkuar në fytyrë

e dhembje shpirti

kurrë nuk e thanë

lotin në sy

dhe vargu im mori udhë

në shkreptima rrufeshë

luftëtarë lirie

të dërgova për qëndresë

Ty, e Bukura e Globit

Imja Perëndeshë!

 

 

HAPËRIM…

 

Hapërova

andej e këndej oqeanit

herë në gëzim

e hërë në vaj

por

askund si në ty, Kosovë

nuk gjeta pushim

këtu, je zot shtëpie

lulëzon në kopshtin tënd

e atje…

çdo pjesë trupi të dhemb

 

 

NDOSHTA...

 

Në këtë anë oqeani

me dashurinë  time u takova

shpirt, zemër, bukuri

të gjitha ia dhurova

shetita qytet me qytet

me dorën e saj

dita ishte e bukur me te

e nata parajsë

kur mora rrugën e mërgimit

loti i saj

lagu shtratin e zemrës

tashmë

çdo cast pikon shi

ndoshta …

zemrat do të takohen

në të njëjtën anë oqeani

e dhimbjet e mia

do t’i ngroh diell i dashurisë

jeta është me plagë

të lëndon

të kërrusë

dhe sa më larg dashurisë që je

të djeg

me zjarr e pa zjarr

 

 

AS OQEAN I THELLË...

 

Në cdo qerpik tëndin

dua të pushoj

të mbytem në thellësinë

e syve tu

afshi puthjes sate

fle në buzët e mia

zemra ka zënë vend në zemër

e nuk luan dot më

Ajo

s’mund te ike nga imja

se aty

është dashuria ime

që të djegë flakë

e mua

më ka mbeshtjell në trupin tënd

unë

sërish do ta prish vetminë

në ag të ditës

do ta fal buzën

e në orët e natës

supet e mia

do ti lëshoj mbi supet tuaja

do të të dua deri në amshim

asgjë sdo t’më ndal

në shtratin e dashurisë sime

as guri mbi liqen

as vesa mbi lule

as oqean i thellë

do ta zgjas vetem dorën

ta marrë dashurinë tënde

dhe mos harro

zemra yte rrah në mua

e imja ne ty...

 

 

DASHURI I SHTRENJTË

 

Ti

Dashuri e shtrenjtë

sërish më bashkove

me sytë që më kërkonin

më ktheve këtu

ku rrugët e mia

janë të lira për të hapëruar

Ajo

që ka prekur zemrën time

je Ti

Dashuria e shtrenjtë

që më jep forcë, vullnet

edhe kur valët më përplasin

me rrebeshe të ndryshme

Ti

agu dhe freskia

shpresa dhe jeta

Ti

Dashuri e shtrenjtë...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx