E enjte, 08.05.2025, 01:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Mikel Gojani: Poezi me piedestalin artistik dhe të ndjenjës shpirtërore

E shtune, 12.03.2011, 08:14 PM


R e c e n s i o n

 

Mikel GOJANI

 

POEZI ME PIEDESTALIN ARTISTIK DHE TË NDJENJES SHPIRTËRORE

 

(Sejdi BERISHA: “Kërkoj dhembjen time”, poezi, botoi  Club Kultura, Pejë 2011)

 

Pas botimit të një seri të veprave letrare  të zhanreve  të ndryshme letrare, shkrimtari i mirënjohur Sejdi Berisha, lexuesve tanë së fundmi u erdhi me vëllimin poetik të titulluar: “Kërkoj dhembjen time”.

 

Verbi poetik i vargut


Problematika e poezisë që ngërthehet në vargun e Berishës, prek ndjenjat shpirtërore të  poetit, individit  dhe  kolektivitetit në përgjithësi, i cili gjithherë gjendet në ngarendje  të  gjetjes së më të bukurës, përkatësisht idealit estetik të bukurisë dhe harmonisë me vetveten, me të tjerët, me botën në përgjithësi, me universin përgjithësisht. Me fjalë të tjera ndjenja e dhembshurisë, e trandjeve dhe drithërimave, ende qëndrojnë të mbëltuara  në botën shpirtërore dhe në thellësitë e strukturës së verbit poetik te autorit.  
Përsosmëria edhe vërtetësia e ndjenjës së dhembjes, me të cilat ngarend në kërkim “të së bukurës”, megjithatë, autori ndeshet me meskinitetin, vulgaritetin, me xhelozinë e brutalitetin, smirën e zhgënjimin etj., me veten  dhe të tjerët.
Me këto vlerësime të autorit, lexuesi ndeshet qysh në hapjen e këtij libri, ku ai shprehet: “…Ndonjëherë, apo edhe shumë herë, rrufeshëm mbyllen kapitujt dhe fletët e librit pa i shkruar dhe as pa i lexuar ato…! Kjo, edhe më shumë ma detyron përjetimin e dhembjeve, të lumturisë dhe të absurditetit të jetës… Sa pamëshirshëm ecën jeta…” (fq. 5).
Në vijim, autori me sensin e tij prapë vazhdon me shprushjen e gjithë zjarrit të tij të brendshëm, me atë zjarrmi të fuqishme, dhe gjithë këtë zjarrmi dëshiron ta shpalos në  horizont, dhe atë ndjesi ta ndjejnë edhe gjithë të tjerët: Një ditë/ Një ditë hyni në dhomën time/ Merrni çfarë të doni/ Vetëm kornizën e jetës ma leni/ Ëndrrat në te t’i ngujoj/ Ma leni/ Vetëm një grimë varg poezie/Për ta vazhduar këngën e çuditshme/ Pa laps as pa letër/ Mos ma vidhni një pikë e një presje/ Një ditë/ Për t’i vënë aty ku duhet/ Por/ Mos ikni nga dhoma ime/ Nëse ushtima iu shurdhon/ Nëse loti faqet ua përvëlon/ Nëse gëzimi rri kacavjerrë në pritje… (Poezia, “Hyni në dhomën time”, fq. 7).
Libri poetik i S. Berishës, “Kërkoj dhembjen time” strukturohet kompozicionalisht nga ciklet: “Duke pritur vetveten”, “Kush e di dhembjen time”, “Baladë e heshtjes për detin” dhe “Kalërim stinësh”, të cilat cikle mund të merren si njësi më vete poetike, megjithëse poezia e Berishës mund të shijohet e të kuptohet vetëm përbrenda një tërësie më të madhe, ku fragmentet marrin një kuptim të plotë.
Në pjesën e parë, poeti merret me ndjenjën e dhembshurisë nëpërmjet secilës tipizon veten e tij e po ashtu edhe kohën që i përket ai.
“Mos m’i thoni fjalët e mira/ Kur shtratin e dergjës ma dëshironi/ Mos buzëqeshni aq ngrohtë/ Kur jeni prapa kulisave/ Se iu djeg urrejtja/ Mos këndoni me maska/Në zemër mos prodhoni helm/Se e vritni dashurinë…” (Poezia, “Varri im i zbrazët”, fq. 20). Këtë ndjenjë të zemërimit dhe të drithërimave e gjejmë edhe tek poezitë tjera të  këtij autori, si: “Diçka që nuk di”,  “Dy etje – një dëshirë”,  “Pelegrinazh nëpër eshtrat e mi”,  “Edhe nëse kënga bëhet elegji”, “Ndize dritën, unë jam ai rrugëtari”, “Çudi si erdhi koha” etj.: “Çudi si u linda shumë para kohe/E vonohem duke kënduar/ E vonohem duke ecur/ E vonohem duke kërkuar gjurmët/ Vonohem duke radhitur shkronjat/ Çudi si erdhi koha/ Para derës së panjohur qëndroj/ Derë ferri ndoshta/ Por jo se jam vonuar/ Çudi si u linda shumë para kohe/ E nuk ecin dot minutat/ Gati e kam zbuluar/ Pse…” (Poezia, “Çudi si erdhi koha”, fq. 34.).

Motivet e brengës nga afërsia-raritet në vargun shqip

Poezitë e prezantuara qysh në fillim të  këtij vëllimi poetik dëshmojnë një  individualitet të stabilizuar të autorit të një natyre mjaft impulsive, karakteristikë dhe raritet në vargun  shqip në këtë variant të të krijuarit.
Në pjesën e dytë, në vargun e Berishës rrjedhin motivet e brengës nga ana e afërsisë që duhet thënë se, më shumë konkrete është simbolika e dhembshurisë, shprushja e emocioneve të botës së brendshme të cilat gjithmonë mbajnë gjallë shpirtrat poetikë, si edhe shpirtin e këtij poeti. Dallgëzimet e brendshme, që eruptohen nga gualli i botës së autorit, nga ana e poetit metaforizohen  me zemrën, engjëjt, diellin, hënën, jetën, klithjet, ëndrrat, gjurmët, rrugët, dritën, errësirën, rrënjët, nostalgjinë etj., etj., dhe gjithë ky verb shprehës sikur i japin shpirt këtij vargu poetik: “Vetëm loti dhe shiu/ E dinë dhembjen time/ E dinë etjen dhe peshën e lumturisë/I dinë të gjitha/ Pra/ Vetëm me lot më mbuloni/ Vetëm më shi më këndoni/ Ky është peizazhi i jetës sime/ Kjo është historia e klithjeve të mia/ Këto janë plagët e pritjeve/Këto janë dhembjet e mia/Që kurrë nuk më tradhtojnë” (Poezia, “Kush e di dhembjen time”, fq. 38). Duke i qëndruar besnik këtij motivi, kulmin e kësaj bote (të trandshme), e arrin ky vargu përkushtimor i poezisë “Atë ditë edhe gjaku më digjej nëpër damarë, të cilën elegji autori ia kushton motrës së tij, Hajrijes”, e cila në moshën dyvjeçare kishte vdekur dhe poeti e kërkon”sikur dritën”: “E di/ Atëbotë nuk isha në vendlindjen time/ Më kujtohet se ishte ditë vere/ Por, atëherë/ As ditën as datën as vitin/ Nuk e kam njohur/ Isha shumë i ri/ Ama shumë i vockël/ E di/ Zëri i motrës nuk u dëgjua më/ Nëna mbante shami të bardhë/ E faculetë në dorë/ E di/ Se me tha/ Për ta freskuar ballin i kam/ Kur e pyeta për motrën/ E di/ Lotët ia përcëlluan faqet e kuqe/ Dhe kurrë nuk mora përgjigje…” (Poezia, “Atë ditë edhe gjaku  me digjej  nëpër damarë”, fq. 44-45).
Kapitulli në vijim, grupon motivet e lindura në Shqipëri, përkatësisht në Durrësin antik dhe bregdetar, të cilat autori i nëntitullon, “Baladë e heshtjes për detin”. Në këto poezi, autori sikur sajon antologjinë kontraktuese me detin dhe brigjet, ku edhe i kanë lindur muzat e tij poetike dhe figura e të cilave gjendet shpesh në gjithë librin bashkë me erëra dhe detin.
Në këtë  cikël, subjekti ligjërues është më shumë soditës, përshkrues, me atë impenjimin  dhe përjetimin e vrullshëm emocional, të vetes në realitetin e përshkruar. Të këtij motivi janë poezitë, si “Pulëbardha në dhomën time”, “Poezi pa tekst”, “Në tarracën e darkës buzë detit”, “Guacë”, “Lutje mëngjesi në det”, “Rri dhe sodis detin”, “Duke kërkuar...” etj.: “Për një çast/ Erdhi pulëbardha në dritare/ Vetëm me sqep preku xhamin/ La gjurmë kujtimi/ Dhe iku/ Të nesërmen/Në plazhin e Durrësit/ Puhiza ma solli lajmin/Është thyer dritarja/ Brenda në dhomë/ Me shikim të etur/ Priste pulëbardha... (Poezia, “Pulëbardha në dhomën time”, fq. 61).
Poezia e Sejdi Berishës është një poezi e kërkimit të dhembjes dhe zemërimit të shpirtit, si do të thoshte vetë poeti në një poezi të tij, sepse ajo ngre në art tema e motive  ngjethëse, të cilat të tronditin edhe vetëm po t’i marrësh me mend, lëre më të vjershërosh  për to.

 

Dhembja dhe loti si qëndresë dhe natyrshmëri poetike


Një  nga këto tema e motive të rënda është, “Këngë e lotit”, apo “Shikim i etur” etj.
Në ngarendjen e autorit për t’u çliruar nga ankthi dhe makthi i brendshëm i kapluar shpirtëror, nuk na befason realiteti se idetë dhe mendimet e këtij poeti janë të shkëputura dhe të shkapërderdhura, sikur e gjithë bota e tij, megjithëse fjalët dhe shprehjet e fuqishme poetike dhe filozofike i ndeshim si tërësi poetike: “Shiu lag vetveten/ Vesa erë bloze/ Lisat e zhveshur/ Kalërim stinësh/ Dielli mashtron/Vasha varë shaminë e vajzërisë/ Në akullin e çatisë/Për t’i marrë erë/Kalorësit të lirisë”, (Poezia, “Kalërim stinësh”, fq. 84).
Poezia e këtij cikli, “Ujëvarë stinësh”, sublimon piedestalin artistik e motivor  të vargut të Berishës që ngërthehet në këtë vëllim poetik. Është kjo një poezi me plot natyrshmëri poetike që i jep shpirt vargut berishian: “Ti ujëvarë/Histori shekujsh/Gurgullimë e freski jete/Bukuri e kujtim i hidhur/Sa uji nga ti ka rënë/Në përroin dhe lumin e jetës/Dhe, asnjëherë nuk ke treguar/As për dashurinë/As për urrejtjen/As për mashtrimin/As për tradhtinë/ Por as për ëndrrat rinore/As për vuajtjet e shkëmbit/As për barrën e tokës/As për shuarjen e jetës/As për shkrumbin e shpirtit/Çdo gjë roman këngën e ke bërë/ Kurrë dhe asnjëherë nuk u moshove...” (Poezia “Ujëvarë stinësh”, fq. 91).
Kjo poezi,  për vlerat e saj, në Takimet e  Para Tradicionale “Ora e Tahir Deskut”, të mbajtura më 7 Shtator 2009 është laureuar me çmimin letrar “Tahir Desku”. Poezia, po ashtu është lexuar edhe në mbrëmjen qendrore letrare në Mitingun e 49-të të Poezisë në Gjakovë, më 15 maj 2010.
Libri me poezi i autorit S. Berisha, përfundon me poezinë si epilog, me titullin, “Kjo qerre e kalbur rrugëve”, në të cilën autori shpalos gjithë prushin e tij të brendshëm shpirtëror, duke zbuluar brendësinë e tij krijuese të formësuar nga grimca meditimesh e përjetimesh, përvojat dhe njësitë që plotësojnë një anë të re të profilit të tij prej krijuesi.
Në përfundim mund të konstatojmë se vëllimi poetik “Kërkoj dhembjen time” i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha, është një vlerë e padiskutueshme edhe si krijim, po ashtu edhe si vlerë ideo-artistike.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx