Kulturë
Vangjush Ziko: Balada e një kokrre qershije
E premte, 11.03.2011, 09:57 PM
Vangjush Ziko
BALADA E NJË KOKRRE QERSHIJE
Tregim
Ngjarja ndodhi në food court-in tonë.Në atë të quajturin "oborr të ushqimit",në një nga merkatot e qytetit ,"oborr" ku grupi ynë i pensionistëve emigrantë ulemi herë pas here,pimë kafenë kanadeze (që nuk na pëlqen edhe aq shumë) dhe kujtojmë jetën tonë të kaluar në atdhe të ballafaquar me këtë jetë ndryshe,që na ra në ise në këtë moshë.
Biseda e sotme u hap për një temë të dhimbëshme për moshën tonë dhe jo vetëm tonën.Për ato zakone të bukura të familjes sonë,të cilat çdo ditë e më shumë,po harrohen.Brezi i nipërve dhe mbesave tona nuk i ndjejnë,nuk i kuptojnë të rritur në një mjedis ndryshe.Janë të ftohtë.
-Të ftohtë mund të duken,-ndërhyra unë,-por jo se nuk na duan.
-Gjersa nuk na e varin,nuk na begenisin.As muhabet s' të bëjnë.Përtojnë të përgjigjen kur i pyet për kuptimin e ndonjë fjale apo të ndonjë gjëje.Ndonjë këshillë,që ua jep,as ta fërshëllejnë.-ndërhyri miku im Vaskë Lali.
-Ka ndryshuar koha,Vasillaq.Të tjera kohë.Të tjera zakone.Çdo njëzet vjet ndryshojnë mendimet e brezave.
-Mendimet le të ndryshojnë!-u nxeh Vaska-Por jo zakonet e mira.Jo njerëzillëku,që kanë patur familjet tona.Që kemi patur ne me prindërit,me gjyshërit dhe me gjyshet.
-Duhet të përshtatemi ne,jo ata,Vasillaq,-vazhdova unë mendimin tim për brezat.-Shumë gjëra edhe duhet t' i gëlltitim,të bëjmë sikur nuk i vemë re.Fëmijët tanë kanë shumë probleme dhe shumë halle.Me punën.Me shëndetin.Me fëmijët e tyre.
-Edhe më shumë do të kenë,po i harruan zakonet tona.Zakonet mund të vjetërohen,por jo njerëzillëku.Prandaj njeriu i sotëm po bëhet kaq i ftohtë.Dashuria dhe respekti t' i zbut edhe hallet në familje.Bota po ftohet se po humbet njerëzillëku.Dashuria për njëritjetrin!-e vulosi mendimin e tij Vaska.
Debatin na e ndërpreu Dauti,që sapo hyri.
-Bujrum!-na u drejtua dhe na lëshoi përpara një qese plastmasi të mbushur me qershi.-Vola qershinë e kopshtit tim.
Dauti është një shqiptar nga Maqedonia,që ka lëshuar rrënjë prej vitesh në këtë qytet.
Qershitë ishin të kuqe flakë,të freskëta,me lëkurë të ndritshme ku vezullonin dritat e food court-it.Të gjithë i pamë me habi dhe me gëzim.Na u kujtuan qershitë belica të oborreve tona korçare,ato qershi që kërcisnin si kumbulla kur i kafshoje dhe ta mbushnin gojën plot lëng.Të katër burrat që ishim atje,morëm nga një kokër plot delikatesë e përgjërim.Filluam ta hamë dhe të ndjejmë në gojë dhe në shpirt lëngun e kujtimeve tona,një lëng i ëmbël dhe i trishtuar.
E pyetëm dhe Dauti na tregoi se si filizin e kësaj qershije e kishte sjellë nga vatani dhe me shumë mundim dhe përkujdesje e kishte pekulosur dhe rritur në këtë vend të largët.
-Hani!-na sajdisi Dauti.-Për ju i solla.
Vetëm Vaska nuk po i provonte.Ai e mbante kokrën e qershisë në dorë dhe e shikonte sikur i vinte keq ta kafshonte,sikur ta kishte një gjë të shenjtë.
-Nuk të pëlqen,Vasillaq? Provoje.-I foli i shqetësuar Dauti.
-Më pëlqen shumë,Daut.Të faleminderit që ma solle.Më kujtoi nënën timë,ndjesë pastë.Dua ta ndaj me të.
Nuk u habitëm shumë me këto fjalë të Vaskës,sepse e dinim që ai,që kur kishte ardhur në mërgim,këtu e shtatë vjete më parë,kujtonte dhe bisedonte vazhdimisht me të kaluarën e tij.
Nga syri i tij i djathtë i rrëshqiti një lot.
-Më falni,-vazhdoi Vaska.-M' u kujtua një ditë kur isha fëmijë.Në dyqanin e Cikomave,që ishte në rrugën tonë.Sollën ca arka me qershi nga Italia.Ishin vitet para çlirimit.I zoti i dyqanit filloi t' i hapë arkat.Skuqën ca qershi kokërrmëdha.Mua më mbetën sytë në to.Dyqanxhiu mori një kokërr dhe ma dha mua.Vetëm një kokërr.Unë e mora dhe me marifet bëra sikur e futa në gojë.Vajta në shtëpi.Mora thikën dhe e ndava përgjysmë.Merre,nënë,i thashë.Ajo më pa me përgjërim dhe i rodhi një lot mbi faqe.Dhe një kokërr qershije do ta ndash me mua,mor bir!Dhe më puthi.
-Jo njëzet vjet,por edhe njëqind e njëzet vjete të shkojnë,-m' u drejtua Vaska mua.-Kjo dashuri nuk duhet të ndërrojë!
Nuk folëm një copë herë.Vaska fshiu lotin dhe kokrrën e qershisë e vuri përsëri në qeskë.
-Nuk e ha dot vetë.
-Haje,-ndërhyri Dauti-Të sjell unë një qese të tërë me qershi ta hash me njerëzit e shtëpisë.
-Faleminderit,Daut!Nuk e ha dot.Nuk e gëlltit dot tashi.Ti të më sjellësh një kokërr qershije kur të më stolisin në qivur.Ta marr me vete.Ta ndaj me nënën.
Të gjithë heshtëm.Asnjëri nga ne nuk guxoi të qeshë me këtë trill e besim mistik të bashkëmoshatarit tonë.
Vetëm me dashurinë njerëzore nuk bëhet shaka.