Kulturë
Baki Ymeri: Poezi rumune nga Ioana Greceanu
E merkure, 09.03.2011, 09:57 PM
Poezi rumune
Ioana Greceanu
(në shqipërim të Baki Ymerit)
Ioana Greceanu është, padiskutueshëm, një poete fort e mirë, pronare e një diskursi poetik të mugët, të rafinuar, inteligjent, që s’ta gërvish veshin, pa vende të pëbashkëta, një fjalim poetik që i nxjerr në sipërfaqe zonat e thellësive të shpirtit. Që nga fillimi e deri në mbarim, vëllimi i saj poetik të josh ta lekturosh përmes një egaliteti stilistik të pamëkatshëm, në njëfarë drejtimi të veçantë, të parashikueshëm. Duke e zotëruar plotësisht një teknikë poetike pa kusur, Ioana Greceanut nuk i mbetet veçse të bëhet e paparashikueshme, dhe, nëse mundet, edhe sublime. (Cezar Iv?nescu)
DIKUSH MË PËRJETON
(Cineva m? tr?ie?te)
Dikush më përjeton
Dhe pastaj më braktis
Më hedh në përjetim
Dhe pastaj i shpërlan duart
: gallëro vetë, më thot,
Shikoje gurin
Si rri në brigjet e ujit
Me kujdes
Dhe shikoje lulen
Se si e përjeton çastin.
I kundroj gurët
I shikoj lulet
Qëndroj në brigjet e jetës
Si një gur në brigjet e ujit
KJO QARJE
(Acest plânset)
Kjo qarje,
Që pëlcet në veten time,
Do të shuhet ngadalë nën hirin e natës.
Do të dremis në prehërin e saj mikpritës
Sërish
Dhe përsëri
Porsi njeriu i parë në një shpellë kambriane.
E zalisur, e braktisur nga shpresa
Si një foshnje e vdekur në membramën amtare,
Do të lind përsëri,
Në mundime,
Ditën e dytë.
USHTRIME ADMIRIMI
(Exerci?iu de admira?ie)
Por të blertën që e mbajnë gjethet
Thonë se s’është e tyre
Ajo u është dhuruar
Dhe është lajmëruesja e lules
Dhe e frytit
Në vete e mban fryti vetveten
Si një mallkim
Por gjethi
Ia rijep degëzimit të brishtë krejt dhuratën
S’është vyshkëzim që duket se është
Por vetëm fuqia e fshehtë.
Dridhen gjethet e vjeshtës
Porsi pas një lindjeje të rëndë
Dhe e blerta derdhet përngutshëm nëpër nerva
E matur është koha
Dhe gjethi e din. Plotësisht.
MË KUJTOHET NJË JETË E ARDHSHME
(Îmi amintesc de o via?? viitoare)
Më kujtohet një jetë e ardhshme
Në të cilën jam gurë
I rrokullisur mbi ujë.
Mbi një breg deti të thatë
Jam ujë prej guri.
Jam një kokërr rëre
E magjepsur nga hëna.
E përkëdhelur nga dielli
Po çelem si një lule.
Jam lule guri
E vaditur me pluhëra yjesh.
Në një shkretëtirë të gjatë
Jam jeta e gurit të thatë.
SI NGA KTHJELLTËSIA
(Ca din senin)
Si në kthjelltësi, po çahet nga vdekja
: një pëlcitje astrale,
Një përplasje divine,
Një shkëputje e shenjtë,
Çasti kur simotra e ylllit këputet
Porsi peshorja e trurit papritmas kërcet
Duke u përplasur për lugun e ashtit
Dhe mendimi i fundit
Sillet për herë të fundit
Duke e prekur fillimin
Nxitimthi gjaku i çiltër nis udhëtimin
Drejt të hijësuarve
Qendrat më të fshehura të natyrës
„në gjunjë dhe mbi bërryla!:
E përzjen, Zot,
Gjakun e saj me gjakun tim
Vetëm kaq
Si një ëndërr brenda tjetrës ëndërr
Bëre nga lëkura ime mbështjellësen e trupit të saj
Epja shpirtit të saj pulsin e zemrës sime!
Si një valë që e kafshon bregun,
Shikimi kullon në qiellin e tkurur e të heshtur
(ligje të padepërtueshme të së shkuarës)
Por, përnjëherë, shikimi
Ajo vetë ndjehet e kundruar
Në fundin e saj,
Një tjetër shikim është
Dëshmitare e vetes / apo foshnje?
Diçka?
Dikush?
Një fërgëllimë e shquar përmes shenjave
të vesës së qiellit.
Për shkak se përmes nesh
gjithmonë merr frymë një yll?
: hija e ëndrrës sime
U preh gjatë kohë mbi hënë
DHE NËSE, PAPRITMAS
(?i dac?, brusc)
Dhe nëse, papritmas, do ta shakmisja
lëkurën e shpirtit tim
Si mbi një stomak peshku,
Do ta gjeja një tjetër shpirt, pa fjalë.
Dhe nëse do ta shakmisja edhe lëkurën
e shpirtit tim të ri?
Do ta gjeja një tjetër shpirt, me siguri
Dhe nëse do ta shakmisja lëkurën...
Do ta gjeja një tjetër
Pa fjalë
Dhe nëse do ta shakmisja...
Do ta gjeja
Me siguri
Dhe nëse...
Porsi shtatë qiej pitagoraikë,
Shtatë herë i farkuar shpirti im i brishtë.
NË KËTË KOHË
(În vremea asta)
Në këtë kohë
Qepen qefina të tjerë
Për të ndëshkaur të tjerë
Dhe ata të pafajshëm e të rinj dhe të dobët
Nga po rendin? Ku? Nga po ia mbanë?
Çfarë shpresojnë
Mbi tehun e këtij mëngjezi indiferent?
Do thoje,
Tani dhe këtu
Janë pika fikse
Nga e cila nisin të gjitha rrugët:
Rruga e drejtë
Dhe ajo e tërthortë
Rrugët e mbrapshta
Dhe ato pa rikthim
Rruga e lotëve
Dhe rruga mbretërore
Si shpicat e rrotës
Si shpicat e njëmijë rrotave
Si njëmijë krahët e Budës së mençur
Posa u kthyen për të shkuar
Të ndritur
Duke ekzekutuar që tani nga gëzimi i fitores
Të rinjtë kush mund t’i mbajë?
Por
Si një dem të cilit ia hap derën
Papritmas në arenë
Kujtime të largëta
Tmerre të motshme
Vrrulle të papërmbajtura
Trazohen në gjakun e tyre
Dhe damarët e përmbushur
I ngjesin drejt zemrës:
Mbyte!
Të qetësuara
Të qetësuara shpirtërat e tyre
Macëza të verbëta
Qengja të bardhë, të posalindur,
Duke u dridhur në këmbë
GJITHNJË E MË I PAKËSUAR BABAI IM
(Din ce în ce mai împu?inat tat?l meu)
Gjithnjë e më i pakësuar babai im
Duke u pakësuar me vetëdije të mirë
Derisa unë po qenjësohem:
Merre ti ngjyrën e blertë të syve të mi
Dhe pamjen e mprehur
Merre ti çekanin dhe bulën e veshit tim
Dhe dëgjimin e ashpër
Merre ti arin e flokut tim si mëndafshi
Të t’i ndriçojë netët
T’i jap dhe të gjitha dhëmbët
Margaritarë të lagur
Që të buzëqeshish për bukuri
E të kafshosh sipas nevojës
Ta jap edhe boshtin kurrizor
Që të qëndrosh drejt
Dhe ashtin e zverkut
Dhe ADN-në
Dhe limfën me kujtimet e saj
Merre ti erëtimën dhe shijen
Dhe prekjen
Mbështillu me lëkurën time
Që mos të të vijë ftohtë
Duhet të kesh uri
Merre ti zemrën time
Dhe dreko
Është mbrëmje
Dhe është koha
GJENDEM NË GOJËN E KOHËS
(M? aflu în gura timpului)
Gjendem në gojën e kohës
Ndërmjet epiglotës dhe prekjeve të shijshme
E pakufishme është etja e saj
Nga lëkura ime erëkëndshme
Nga tuli im i freskët
Nga palca avulluese dhe e ëmbël
Truri i ngopur, i pasur me minerale, me fosfor
E rruan për darkë.
Me lëngje të imta,
Pikë pas pike,
Ma pin gjakun si një lëng të shenjtë;
Shpartallim dhe shakmisje është bërë tani
Ajo që dje ishte butësi dhe joshje e ëmbël.
Lëngu i tij i shenjtë ma përzjen substancën e fshehtë
Po ngashnjehem copë pas cope
Por pastaj ç’do të mbetet prej meje,
Do të gëlltitet me shije të ëmbël
Do të thithem si nga një hinkë e përmbysur.
Në mbarim të saj,
Gjendet çuni i kohës
Që e ka gllabëruar babain
Duke më ka gllabëruar dhe mua...
DITËN E DYTË PASI MBAROI POZEIA
(A dou? zi dup? ce s-a sfâr?it poezia)
Ditën e dytë pasi mbaroi poezia,
Gjaku i saj rektin ende në mua
Gjithnjë e më i shuar
Gjithnjë e më i shuar
Dëgjimi,
I kthyer përbrenda, në përgjim,
E dëgjon fëshfërimën e thatë të neuronëve
Trurin e hatashëm, i enjtur nën ballë,
Kërcet i shuar nën hirin e mendimeve
Pamja
Hiçi rritet, shpërthen nëpër pore,
Nëpër sy
I hap sytë
Shikimet, si një fëmijë që mëson të ecë,
Zvarnisen të pasigurta
Tremben
Eë plagosura qajnë
Lotët e shikimeve kullojnë mbi sende
E çoj ngadalë kokën
Dhe e shoh poezinë
Rrjedhë fjalësh
E shtrij dorën
I prek duke i çikur
Fjalët e terratisura, të huaja, të pakuptuara,
Të huaja.
AJO LODHJE E MBRËMJES
(Acea oboseal? a serii)
Ajo lodhje e mbrëmjes
Një këngë djepi, e pëshpëriti, monotonikisht,
Një melope të gjatë
Kur gjithçka është më e rrallë, më e lehtë,
Kur mendimi mbi mendim mbështet qetë.
O, ëndrra të heshtura
Në dritën spektrale
Vetëtima
Mbi ballin e të përgjumurit të plumbtë
I mbyllur si në një varr të përgjumur.
Rrethepërrreth, ajo thellësi e mbrëmjes
Si një pluhur shpeshtak i artë ëndrrat e botës
Xixëllima në eshtrat e shkëlqimit
Mundimi i çmendur i kohës.
MBRËMJE VENECIANE
(Sear? vene?ian?)
Pothuajse i heshtur,
Qyteti mugullon nga qarku i ujit
Me të gjitha vellot në dritë:
Shpirt i gurtë
Ç’po kërkon jeta
Në grimcat e detit
Dhe në gjerësinë e horizontit
E pastaj, në mesditë,
Shkëlqen e paprekur, më lart se dielli
Dhe i zbret krejt lopatat, në mbrëmje.
Mbrëmja e pjerrët
Që brenda portës skulptuar shekulli i artë,
Galion i zhytur në thellësi,
Ngarkuar me kundërmim.
Mbrëmje veneciane,
Motër e tmerrshme
Që e mban shkëlqimin si një ndëshkim –
Duke e shuar etjen e moluskave tua këputesh
E pastaj, në vetveten tënde po tretesh.
Shtrënguar për fyti në qarkun e ujit,
Qyteti përkundet ngadalë
Duke deliruar, fundoset
Ngadalë në natën e pafund
Duke i lënë amprentat në qiell.
KUR ASGJË S’ËSHTË E PLOTË
(Când nimic nu este deplin)
Kur asgjë s’është e plotë
As ky qark i çiltërt i mesditës,
Tangjencat e hijes na çikin në dritën e plotë.
Një valë shqetsuar,
Një rrëshqitje e shembur
Në është vuajtje apo lumturi
Syri s’e sheh lotin
Kur qan apo qesh
Mbi buzët e të njëjtës shije të njelmët
Të gjakut
Peshë për tepër e rëndë për fuqitë tua të ligshta;
Kur asnjë përmbushje nuk mund të jetë
Veçse lindje, lindje të palajmëruara
Dhe plani i fshehur i dhembjes
Në çdo gjë.
POEM I KOTË
(Poem inutil)
Unë, duke u përbuzur,
Zhytem në fjalë
Duke u shkëputur nga vetvetja
Dhe prej meje përsëri duke u shkëputur
Tani të gjitha janë vjetërsira
Apo as që kanë qenë
Koha e fshin blozën mbi çdo gjë
Dialekte neutre
Gjuhë të vdekura
Ngase shpirti është kthyer nga fjalët
Nata vetëm në ëndrra tregohet
Ëndrra lakuriqe, ëndrra memece
Jam një gojë që e ka gëlltitur fjalën
DERISA SHKRUAJ
(În timp ce scriu)
Derisa shkruaj
Bagremi lulëzoi përsëri
Sikur dikush të më përkëdhelë në kreshtë,
Hija e tij nga tjetra verë
E përkulur mbi orbitën e memorjes sime
Esenca e tij erëndshme e degdisur
Nëpër perdetë e shenjave,
E mbyllur në armaturën e harruar të neuronëve
Si një gjuhë në një sintaksë të vjetër
Nga galeritë e tyre si ta shkulish?
Identike me vetveten
Dhe hijen
Si ta veshish me fjalë
Njësoj sikur të rritet lëvorja dhe lulet?
Dhe verën, verën e atëhershme
Të shkelur kaherë
Ku ta kërkosh?
KULLOSA TË VARFËRA DHE GJEMBA
(Ierburi s?race ?i spini)
Kullosa të varfëra e gjemba,
Mesdita përvëluese e verës.
Shpatit të kodrinës ngjitesh e zbresish
Ëmbëlsisht dhe e zalisur
Porsi mushti i një dite.
Kërkon gjurmat stelare
Në pluhurin e nxehtë të rrugës.
Ah, përvëlimi i gjembave
Në memorjen e shputave lakuriqe,
Përvëlimi i shputave tua
Mbi tulin tim të brishtë,
Të ngathtë e të freskët.
ËNDËRRIMI E KRIJON KREJT HAPSIRËN
(Visarea creeaz? tot spa?iul)
-Zotit Cezar Iv?nescu-
Ëndërrimi krijon krejt hapsirën
Dhe shikimi e shkoq, e shakmis
Qoftë i qetë e kthen, e lakon
Ai e copton për ta parë më afër
I merr erë, e shijon dhe e pashtyn
Mbeturinat tij i pranon në fytyrë
Ndoshta, e gjuajtu në gjumin e plotë, unë
E ndjej ëndërrimin më gjallë.
Shikimi, ëndërrimin e lan, e ndërron dhe e mbush
Porsi zbraztirën e supeve, flatrën
E mëson të fluturojë, të rrëshqasë lehtë
Përmbi zallahi e tollovi
Të përfshijë më shumë.
Çfarë largësie mes shikimit e ëndërrimit
Si ndërmjet kryefjalës dhe fjalës
Si ndërmjet një yllit në qiell
Dhe dritës së saj në dukje.
Fjala ëndërron vetë sendi të jetë
Kryefjala e do me zjarr këtë përmbushje
Dhe sa e gëzuar kur i thua, sa
E ytja, gjithmonë e gjallë në gojën e shprehjes
Ti po shndërrohesh në një hyjni.
Hymnizoja yllit botën syrin
Për tepër lart për të, jo në qarkun
E shikimit, duke e shprehur vetëm në ëndërrim
Ngase, o Zot, jo kjo është ëndja Yte
: i padukshëm para nesh të jesh?
Dhe jo kjo është ëndrra
: të arrijmë dikurë të padukshëm
Por të jemi?
E FIKSON MURIN PËRBALLË
(Fixezi zidul din fa??)
E fikson murin përballë
Derisa shikimi gërvishet
Dhe gëlqerja e saj në memorjen e syrit
Përgjithmonë
Parandjenja ekziston sigurisht: asgjë
Përveç dritës në murin e bardhë duke u zverdhur
Kah mbrëmja, si një kandil
Këndej dritares gjysmëhija e çfarëdoqoftë stine
Shtangimi
Në thellësi të shuplakës hije e çfarëdoqoftë prekjeje
Bota e paprekur në gojë
Derisa në xham rrudha fine
Plasaritje, valëzime të imta
Të tërmetshëm gishtërinjtë kur e prekin xhamin
Të mbyllura vetullat e tyre përmbi këndin
E kthyer përbrenda
Lëvorja e tmerrit gadi të pëlcasë
Në gjak
I PËRFSHIJMË SIGURISHT ENGJËJT E RËNË
(Includem desigur îngerii c?zu?i)
Të ketë qenë travestim lodhja e gërditshme?
Flatra hekuri gërvishin pa dhembje maskën e kurëzuar
Definitiv shikimi i skëterrshëm?
Të ketë qenë rikonstituim konturi me gëlqere
I trupit fluturues në tokë
Duke lajmëruar një dialektikë të fajësisë?
-faji i tetovuar në gjak me precizitetin
E prerjes së zhabavitjeve nëpër kopsht.
Një rë plage të kangrenuar në supe
Solid, i pathithshëm ajri
Ndërmjet maskës e fytyrës
Kur e ngren,
Së bashku me fytyrat e vjetërsuara,
Një erëtimë e papushtueshme
E fytyrës së freskët, definitivisht.
POETI
(Poetul)
Në kujtim të poetit Virgil Mazilescu
Nëse dikush do të kish nevojë për të
-gjë që është pak e mundshme-
Ai gjendet nën mbretërinë e ulërimës së gulçitur
Në gjak si një kryengritje
E gulçuar me vetë armët tua
I ngulur në hunj në furkat e (kaudinit)
I varur me kamxhikun e tij,
Duke patur përherë fjalët në shuplakë
Si do gozhda të reja
Për çfarëdoqoftë eventualiteti
Për eventualitetin se s’do vdiste krejtësisht,
Për shembull.
Nëse dikush do mendonte ta kërkojë
-gjë që është fare pak e mundshme-
Ajo është gjuha e kambanave
Në prehjen mes dy rrapëllimave,
Ajo është vala që reverberon në veshin e artë
E shkëputur nga notimi
Ai noton në lotë
Si në një lëng amniotik.
Rrethepërqark,
Ndizen zjarre mbi kulme
Dhe, përgjatë tyre, ju them,
„me shumë mirëdashje”:
Trishtohuni, vestale të vjetra,
„Ngase u kthye Immanueli”.
KOMPLIKIMI I SHKRIMIT
(Complicitatea scrisului)
„Bëhuni secili një pjesë e tjetrit”
L. Durrell
Dhe lëkura e fjalëve
Kthyer nga e prapa
-si një petk, do të thoni,
Pajtohemi, si një petk
I vjetër, i konsumuar prej aq mbajtjeje-
Drejtëpërsëdrejti në lëkurën time të ngrohtë
Me astarin e përlyer me gjak
Përmbi llucën e frymëmarrjes sime.
I dehur për të qenë i vetmuar
Në lëkurën e këtyre fjalëve,
E zbus gishtin tregues në gjak
Dhe shkruaj
Mbi trupin tim një poem
I gjallë është e i ngrohtë
S’e di se ç’po përvëlon më shumë
Poemi apo vetë mishi im.
Në këtë kohë,
Në tjetrën anë,
Dikush (ndoshta Vulturescu George)
Shkruan një poem
Me të njëjtat fjalë
„fjalët tona takohen”
Por nga e prapa
Shkrimi shtyp anasjelltas mbi shkrim
Porsi në pasqyrë
Vargu depërton në gjak
Kush pyet? Kush përgjigjet?
Përzjehet në mish
Kalon nga një trup
Në trupin tjetër
Nga një pasqyrë
Në pasqyrën tjetër
Kush shikon? Kush është i përshtatshëm?
Shkrimi vazhdon.
MANEVRA ME MASKA
(Manevre cu m??ti)
Manevra me maska
Në nënhijen e kuptimit
Gjaku duke u plakur në fjalë
Dora e varosur në shkrim
Një tjetër vdekje, një tjetër dorëshkrim
Përmes poezisë më thellë depërtohet në vdekje
Se sa mund të arrihet në jetë
Se si ngjallet
Askush s’e di
Vetëm Syri i Gojës
Në një Kuptim të tij
I panjohur dhe i plotë
Zjarr i shenjtë pranë zjarrit pagan
SA FORTË FËSHFËRIJNË FLETËT E LIBRAVE
(Cât de tare fo?nesc filele c?r?ilor)
Sa fortë fëshfërijnë fletët e librave
Natën dikush i shpalon
Në ëndërr ua dëgjon pëshpëritjet
Hije të mëdha dalin ngadalë nga faqet
Përkulen përmbi trupin inert
Dhe ëndrra kërcen, ëndrra e stërlashtë
Për atë që ke qenë
Për atë që do të jesh
Vetëm në librin e ëndrrave
SECILI SY E KA NJË ATDHE TË TIJ
(Fiecare ochi are o patrie a lui)
Secili sy e ka një atdhe të tij
Një figurë perfekte, një sferë
Një vend arkaik
Derisa vetë shikimi
Është një sferë madje përpara se të jetë.
Vertikale e lartë
Përmbi kafkën dhe gojën
Mbi horizontalen, pa masë
Sy i kryqëzuar mbi boshtin e mëndjes
Shkëlqim e shkapërderdhje në trojet e ballit
Kështupra, shikimi është një sferë
Ndërsa horizonti i saj në vete
Si në një bërthamë ku gjithçka
Edhe fija e barit
Edhe dheu e qielli
Edhe bërthama e nesërme
Ngase dukja lind dukje
Ndërsa foshnjet e saj zhyten në paqë amshimi,
Si fazat e hënës
Kjo është ndoshta pikërisht Paqa.
ME DASHURI TË PAFUND
(Cu nesfâr?it? dragoste)
Qiejt e gulçuar të dimrit
Një vërshimë ujërash nata
Përmbi kreshtën e paprekur prej engjëlli,
Drita e shuar e ëndrrës
Frymat e errëta të prehërit të egër
Sytë e tyre në humnerë
Më të gjallë se plaga e hapur
Duke pulsuar gjak në vargun e sapofilluar
Gjarpërinj të kuq të gjakut
Duke e nuhatur gjahun e një prozhmi të ri
Lermëni të dremis si një vrasës
I lodhur mbi instrumentin e krimit
Lermëni të ëndërroj, derisa
Vargu ma shpërthen ballin
Dalngadalë
Lermëni të ëndërroj
Vetëm aq
Sa ta nxjerr nga plaga poezinë.
Dhe, ngadalë, me dashuri të pafund,
Dora e engjëllit në kreshtë
Duke ma rrjepur trurin,
Me dashuri të pafund
I SHIKOVA PËRBALLË TË GJITHA JETËT
(Mi-am privit în fa?? toate vie?ile)
I shikova përballë të gjitha jetët
Sa një e vetme, përfshirëse dhe e ngushtë
Sa kundrime, po aq jetë – kjo retorikë e imtë –
Ndërsa pas meje një mur i shembur
Dhe përballë meje një mur deri në qiell
Dhe gishtërinjtë e pakësuar, krimba të stërkuqur,
Shkarravisin një jetë duke rënë (fëmijë duke qenë
Ngriheshe majave porsi peshorja
Të jesh e lartë)
Ja, je ky liken
Në rrënzë të murit, në anën e hijësuar, me siguri
E vetmja e dukshme prej këtu, nga ana e veriut
Dhe një fërgëllimë porsi në arritjen
E papritur të dimrit,
Një rrëshqitje mbi akullin e syrit,
„O, ju Vetulla të Përkulura,
Mos u ngritni kurrë!”
(Dhe në kohën kur Alvaro de Campos
E thot këtë, Fernando Pessoa të kundron
Befasisht, fiks, në sy).
Dhe në këtë mënyrë e çmend
Shpirtin
Në të cilin asgjë nuk duket pa – vdekur
I veshur në një lëkurë që s’e ka nxënë kurrë
I brazduar nga një pllug solitar
Mbëlton në fushat e saj
Vetëm bërthamat e Fshehtësisë së fundit.
ECCE HOMO
Çapëlojmë skëterrës si mbi një kullosë të ashpër
Dhe durëzohemi duke ecur
Vetëm shputat e mbajnë hovin
Që kur ecja mbi kullosën e shtëpisë
Janë engjëj përreth me flatrat e shkulura që
Shtrihen mbi do pllaka përmbi një varr
Kur turma shkel mbi të dridhem
Por s’e di në jam unë i varrosuri
Apo ai që shkel mbi varr
Kundërmon squfur
Dhe krrupë
Dhe në plagët e shpatullave pulson
Një mish i gangrenuar
Sa e ke ndërmend të shkarravisish këtu?
Të dergjesh në gjakun e llahuzës
Fëmijë i plakur
Dhe i palindur totalisht
Kur vetë nëna yte nuk të njeh
I mbuluar totalisht
Siç je nga urrejtja
Si nga një plagë e leprosur
Kur lëkura jote e strehon krimin
Si një janxhëk i stërmbushur
I gatshëm të plasë
Kur rri dhe pret
Si gropa e varrit
Mton ta varrosish krejt njerëzimin në të?
Madje dhe vetë Zotin?
Mton ta koruptosh?
Të koruptuar janë të gjithë?
Madje dhe hyjnitë e qiellit
Me se?
Me një grusht argjendësh tringëllimtarë?
„bota jeton nga kjo kërmë”?
Ti, qenje e shitur
Për qejfin e mishit
Të cilin asnjë ves
Nuk e nxen
Dhe i cili nuk mendon
Për një pjellë të pastërt
Por pjellë vasiliskie
Me sy vrasësi
Krejt virtuozët
Tenton t’i bësh borxhlinj
T’i manipulosh
T’ua shtrosh përpara
Pasqyrën tënde
Me fytyrën tënde të ngrënë
Nga krimbat e ndyrësisë
Ti, krimb pasqyrash
Ti, paravan i krimit
Dhe mburrojë e tmerrit
Të shkojmë me skëterrën pas nesh
Drejt një parajse të premtuar
Të ngjeshemi me kreshtat në qiell
Dhe të kërkojmë një prarim dhe një mërsinë
Të shkojmë dhuratë drejt Zotit
Si do çeta të verbërish nën dhe.
O, kullosë e blertë e shtëpisë
Si po ngjeshet në ne
Si bëhet gadi të dalë!
PASTAJ EROZIONI I HATASHËM
(Apoi enorma eroziune)
Pastaj erozion i hatashëm, shkrirja e gurëve
Të tmerruar nga vetë rrumbullaksia e tyre
(kush, në ulërimat e turmës,
E hodhi gurin e parë?)
Dhe, ndër gjithë ato moçale të paparashikueshme,
Pak nga pak, rikonstituimi i përpiktë
Pa ngutje, me lehtësinë e pleqërimit të fjalëve
Në dorëshkrime, dalja në dukje
E fytyrës së monedhës, ai kontur i shkëputjes
Së kulluar nga ekstazet – pamje e të verbëve.
Ndërsa unë duke kërkuar me sy diç të padukshëm
Përbëj dhe shpartalloj një kthim
Në një lëndinë të largët me eshtra
Si do therrëza.
Duke rrjedhur ndër to, së bashku me gjakun,
Sytë e mi soditës, të shkëputur nga orbitat.
Por eja Ti dhe vëre mbi sytë dhe mbi gjak gojën Tënde
Kthimin tim në kryqin Tënd kryqëzoje
Kthimit tim në kryqin Tënd jepi muguj dhe lulëzoje
SOLSTIK VERE
(Solsti?iu de var?)
Kishte një hezitim dora jote në ditën më të gjatë të verës
Duke iu përgigjur një ftese agonike
Mbi tehun e verës, që të plagos pa e ditur.
Një vashë e fshehur duke dalur papritmas
E zbehtë, nga thellësia, në ballafaqim me frytin
Të gjitha rrugët e kulluara të verës mbarojnë këtu
Në këtë ar të heshtur
Një lumturi e freskët të mbush, pa u ngutur,
Porsi vdekja e një të vdekshmi, dalngadalë
Pa prekje të depërton në mish
Dhe të molis
Dhe, fort pak, të lartëson përmbi
Trupin tënd, i ndritur
Porsi ara e grurit ndërmjet dheut e qiellit
Në ditën më të gjatë të verës.
SHKALLËT E POEMIT
(Treptele poemului)
I mbyll sytë duke i çikur mbi faqen e ftohtë
Shkallët e shkëputura të poemit
Rrënja e tij më e thellë se sa imja
Tkurrja e shëmbëlltyrës së një skribi egjyptas
Me shikimin halucinant, me kujdesin e dorës
Mbi pllakën e glinës
Me mua dhe me ata që do të vinë, pranë
Jetës gurgulluese – gufimi i ndjenjës
Duke ikur drejt një shëmbëlltyre të re,
Kah një zgërdheshje e papritur dhe e lirë –
Gjembat e poemit duk u ngatërruar, si një rrjetë në det,
Në thellësi të memorjes: atje
Dora ime takon dorën e tij (të skribit egjyptas)
Duart tona ballafaqohen të zbehta e fort të largëta
Si luspat e një peshku të mbështjellë në rrjetë
Duke i prekur ato thellësi
Ku ndërpritet çfarëdo përpëlitjeje
Në qetësinë e shpirtit embrionar.
PO SHKOJ NË ERRËSIRË
(Merg în întuneric)
Po shkoj në errësirë, i zbathur, njësoj si me shkruar
Shkruaj natën njësoj si me vajtur në errësirë, i zbathur,
Në shkretëtirë. Shkrimi mbulon letrën me shenja siç rëra
Ma mbulon shpitën.
Duke u nisur nga kode të këtilla natore rikthehem: shkrimi është
Rëra mbi shputën lakuriqe, duke vajtur natën, i zbathur, në shkretëtirë.
EKZISTOJNË QENJE
(Exist? fiin?e)
Ekzistojnë qenje mbi të cilat shkel fatkeqsia
Si një furtunë qielli mbi dhe
Mbulonie qiellin të mos ekzistojë fat
Murosni sytë mos te ekzistojnë lotë
Ju që po shtireni si njerëz të lumtur
Porsi të vdekurit
Ju që shkelni mbi botë me të vdekurit tuaj në qafë
Dhe e nanurisni një këngë të dehurish të kënaqur
Dhe e mbani në dorë kungullin e jetës suaj
Porsi një shishe të zbraztë
Nga e cila keni thithur dhe pikën e fundit
(nga një kohë, ju them, kur as nuk mendon, jeta
S’është veçse një shishe e zbraztë)
Mbaje mend
Se e jashtmja s’është asnjëherë brenda
Janë hyjnitë të ndryshëm
Atje ku shkon është atdheu që s’është
Dhe s’ka asgjë për të jetuar e as për të vdekur
Ngase gjithçka është e kalbur
Dhe kundërmon
Më fortë se vetë vdekja.
Thot poeti...”nuk e di”
Dhe ju puth në tru
Me zemrën e tij
REKVIEM PËR NJERIUN PREJ KUBI
(Recviem pentru omul din cub)
Njeriu e ngre kokën lart me të dy duart
Në akordet e orgjisë së egër
E projektuar mbi pëlhurë të zezë
Me sy dhe me gojë
Me ato pëllëmbë të ngrohta mbi prehër
Njësoj sikur me e parë për herë të parë
Thuajse bota të është shfaqur
Plot me gjak
Ai dukej të jetë i fundit nga një
Varg i gjatë vëllezërish kokëprerë
: ja përfytyrimi i vetmisë
Së botës
Dhe ti, duke dëgjuar si për herë të parë
Akordet e orgjisë
Njësoj sikur muzika vardisej nga një grykë e shkëputur
Së bashku me gjakun
S-DO TË BËHEM NJË KAFSHË E KUQE
(N-am s? devin un animal ro?u)
Sado që do të më stërpikte gjaku
S-do të bëhem një kafshë e kuqe
Edhepse disa herë vetëdukem një qengj
Përmes briskut të thikës që më shpërthen
Shkëputja e botës është përngjitur në vend
Me gjuhën e saj shumë të dashur
Ndërsa ajo që duket përjashta
Është fytyra pa fytyrë e vetmisë
Kur, me ballin mbi tryezë,
Përpëlitem në një vuajtje të stërlashtë
Me thneglla të hatashme mbështillem
Vetmia ime ju tmerron
Ajo, ushqim dhe mi përkundrazi
Ajo u lind njerëzisht nga prehëri i nënës
Por tani rri pranë meje
Si një kafshë, me një sy vrasës
Që më qan
VETMIA MBAN NJË PELERINË TË KUQE
(Singur?tatea poart? o pelerin? ro?ie)
Ngase edhe unë e kam njohur vetminë
Vetmia mban një pelerinë të kuqe, të rëndë
Nuk mund ta prekish, nuk mund ta qëllosh
Lë vetëm gjurmë të thall ku rri
Ku të varros për së gjalli, pakë nga pakë
Por nuk të varros krejtësisht
Por vetëm aq sa ta dish
Ç’don të thotë të jesh
Përgjysmë i vdekur
Dhe derisa këmbët rrinë fikse
Si të rrahura në gozhdë
Duart shënojnë në letër
Shenja të çuditshme, shkronja të përgjakura
Si një fytyrë e plagosur në pasqyrë
Si një pasqyrë që kullon
Dhe mes meje e teje (i dashur lexues “jobesnik”)
Kjo pasqyrë
Këta nuferë
Me rrënjë në gjysmën time të varrosur.
Por jam ende i gjallë
Në dorën që shkruan
Aq kohë sa e gëlltis
Dritën e diellit.
Violent, violent
Më vërshon
Kjo dritë
Derisa do të plas
Derisa do të vjell
Gjithçka prej meje
Gjithçka nga Gjithë
(“Kjo është e tëra? Pyet kritiku...”)
DIMRI I BUTË
(Iarna asiat?)
Fytyra të kapshme nga fasha dëborash të lëngshme
Krejt dëbora është ngulfatur, tërë natën, në shtrat
Fatale, fshikullima gjarpërore të ëndrrave
Si virusët duke e shumëzuar sëmurjen nga neuronët
Shpresat e njeriut, gërmadha prej hiri
Mbi lëkurën plakë të kohës.
Dhe mes gjithë këtyre, lindu çasta pas çasti
Njeri i vetmuar, njeri i padukshëm dhe i padëgjuar
Me të gjitha sytë e drejtuar prej teje,
Njeri i degdisur nga drita:
Vetëm shenja në gjurmë, thuase dëshiron të kthehesh
Gjoja se për ty mund të ekzistojë
Një mëmë e përmbushur me kohë
Ti, me këtë teh mbi ballë,
I ashpër, si guri në qendër, ashpërisht,
Saqë do të mund ta theje pasqyrën që të lëviz
Rrapëllimë e afshtë për të ekzistuar
Dhe asnjë namatisje për ta ndryshuar
Refleksin (një stërpërkthim) në të vërtetë
Jemi të vërtetë vetëm mbi fragmente
Dhe jo totalisht dhe jo për gjithçka
Thuajse jemi bërë vetëm nga ashkla
I papërsosur është madje dhe mallkimi
I çallatuar porsi brisku i thikës
I vdekjes së ditëpërditshme,
Kurorë qiellore e shortit
Rrënjë dhe fryt njëkohësisht i jetës
Dritë, ndërmjet verbërimit dhe syri
Labirinth prej drite
Pyongyng, janar, 2003
DO TË VIJË MËNGJEZI
(Va veni diminea?a)
Do të vijë mëngjezi dhe do të ketë
Fëshfërimën e fushës
Era e prillit ndërmjet
Kullosat e imta (parajsa)
Unë do të mungoj
Unë do të notoj
Porsi ajri i vdekjes
Përmbi një vegjetacion të djegur
Shpirti (deri ku mund të arrijë)
Duke e riçelë vetminë
Dhe më thellë
Një vetmi më e gjerë
E harruar, duke baltëruar,
Ku ai nuk mund të arrijë
Do të jetë një mëngjez pranvere të bukur
Saqë do të dridhen të vdekurit
Dhe do t’i shtyjnë me gishtërinj përjashta
Kullosat
I mbrojtur dhe gurëzuar
Do të mbështillem si një fotus
Në membranën e vetmisë
Ndoshta më thotë diç tjetër
Gjuha e saj
Përveç të vdekurve.
Ndoshta jo.
SË SHPEJTI DO RRITET GURI
(În curând va cre?te piatr?)
Së shpejti do rritet guri
Në këtë vend –
Ku më të spërkaturit me cifla tani
Kërkojnë të ethshëm në rropullitë e dalë përjashta
Si dëshmi të jetës
Ngase ende nuk i njoh
Ata të vdekjes.
Vetëm një çast bujshmërie
Pastaj trupat e tyre prehen ngadalë
Trupat e tyre të gjithëditshëm tani
Por të shtangur e të padobishëm
Duke kafshuar plagë memece te ne –
Një monument i harresës
Harresa është e mirë
Dhe të gjithë shkëputen nga ajo
Njerëzimi mund të prehet
Një kohë...
Derisa, papritmas, dikush,
(një katil? një prind?)
Me një shkop të hatashëm,
Do ta përplasë mbi varre
Ndoshta se s’ekzistojnë vende
Ku të mos ketë varre
Ndoshta nuk ekzistojnë vende
Nga të cilat nuk do të dalin
Të shprishur e të mbytur
Shikoni
Me siguri që atëherë ndoshta se
Ju vetë do të jeni të harruar
E të mbuluar me ndonjë gur
Madje dhe të gjallë
Dhe të tjerët do të prehen
Mbi gurët tuaj konfortabilë
Mbi gurët tuaj të mëdhenj dhe luks
Nga mermeri i Karrarës
Me siguri që nuk ju pëlqen të ju them
Dhe po i ktheni me qesëndi shikimet
Mbi këto fjalë
Dhe as që përvetësoni ndonjë moral
Por as që s’ka nevojë
Morali do dalë nga varri
Vetë në pah,
Së bashku me të mbyturit e pafajshëm
PO, MUND TË FILLOJ
(Da, s-ar putea sa încep)
Po, ndoshta mund të filloj
Nga një ngjarje e kokës
Në një dhomë me mure të bardhë në fillim
Dhe të kuq pastaj, me shëmbëlltyrën e trupit tim
Të zvogluar, e vërsulur në një skaj,
Kokën e izoloj më së miri nga gjaku
Dhe nën fustanin e zi përforcuar si një dërrasë.
Kohëve të fundit preferoj ngjyrën e zezë
Në tulin tim
Dhe përreth qafës
Po ajo shëmbëlltyrë, koka e ndarë nga trupi
(ngase çdo kokë është një trup që mbetet pas)
Kohëve të fundit pranoj pa asnjë kundërshim
Çfarëdoqoftë të vdekuri nga e shkuara
Jam një e mbarsur me barkun në krahëror
Nëse e hap krahërorin
Ata ngjiten për mua si do foshnje që thithin
Tek e fundit, jam e përtharë nga jeta
Derisa të bëhem e pavetëdijshme dhe e lehtë
Më në fund, tani mund të zhdukem në kokë
QË TË VËRTITET GJUHA
(Pentru a se roti limba)
Që të vërtitet gjuha në gojë
Në një lëvizje qarkore komplete
nga jeta në vdekje
Nuk është nevoja për vdekjen e një njeriu
Vetëm për këtë çast, kur, papritmas,
Grushti i fatit thellohet në butësinë e jetës sate.
Do të shihet më vonë
Si një gjurmë në lym
Pas tërheqjes së ujërave
E qartë, e paevitueshme, fizike
Por duke patur një persistencë metafizike
Do të ish njësoj si ta qash në një botë tjetër
Dhembjen për këtë botë
Njësoj sikur ta shtypish mbi një fletë të tjetrës jetë
Poemin që po e shkruaj tani
KËSHTUSOJ KAM MBIJETUAR
(Astfel am supravie?uit)
Kështusoj kam mbijetuar me një thikë përbrenda
Në shpellë në transhe në të çarë
Në bëlbëzimin dhe pasigurinë e gojës
Gjuha e gulçon jetën në fyt
Dora degdiset e shurdhët përmbi letër
Prehet pastaj
Si mbi thikë një dorë e ligështuar
Që pastaj përsëri shtanget
Dhe e shtyp tehun në mish;
Fjalët, së shpejti, do të emigrojnë
Kur një vashë shtrihet pranë thikës
Dhe pret.
Ti ribëjmë gjurmat
Mbi shkallët e natës në spiralë;
Nuk rritet majave lulja e zezë e panjohur
Shih se si po zbardhen këto gjurma
Skeleti i ngjitjes
Deri në kokë
JEMI TË NDRYSHËM DHE PËR KËTË PREKEMI
(Suntem diferi?i ?i de aceea ne atingem)
Jemi të ndryshëm dhe për këtë prekemi
Dhe më kot ëndërron mbi lëkurën e tjetrit
Në shi në këtë stinë prej eshtrash në diell
Ti ç’mund të bësh?
Po han llapllap nga mishi i saj
Para se të të kthehet fytyra me ndotje;
Ndërmjet saj dhe botës
Fytyra jote tërësisht e fshirë, me përjashtim të gojës
Si një gjendje vigjilence e shijes
Ajo duke provokuar dhe botën (si mbi vjellje)
Duke u gjendur edhe ajo atje në fërkim
Në shakmisje, në kapitje, në dhunën në grup
Duke qenë atje për të ikur
Nga ajo dhe nga çdo të jetë duke qenë ajo
E gjallë, në kohën kur do vdesë
Tashmë ti duke u ndodhur këtu
Dhe ajo atje
RRUGËT KU PO KALBEMI
(Str?zile unde putrezim)
Rrugët ku po kalbemi në këmbë
Dhe të gjitha legjitimimet e përparimit
Nuk mund të na shembin nga vendi
Dhe kush mund t’i numërojë të gjitha organet e çara
Nervat e kalbëzimit
Si do gjemba nën lëkurë
Pa gjurmë dhe pa pasardhës
Ndonjëri arrin me një efekt mbinjerëzor
Ta lëvizë këmbën
Në kokë përjashta në kurth nën gjethet e vyshkura
Rri atje dhe vuan dhe më shikon mua
Sa jam sot e përmbushur
Si e pushtoj me strategji krejt frontin e jetës
Linjën e parë dhe pararojën
Ai, në kurthin e tij, më lutet;
Përse t’ia turbulloj gjakun
Kur nis të pikojë me qartësi e largpamësi!
RRUGA E LABIRINTHIT
(Strada Labirintului)
Vjente nga ana tjetër pa e parë
Hezitova në numrin 47
Dukej se prej këtu të gjithë ecnin prapashpine
Çifti i të dashuruarve duke mos arritur
të vërehet kur do të arrijë
Çorientimi i parë
Shikim që përpiqet të ikë
Anash, dyer e dritare të shtangura
Gjurmat e shiut në muret e jetëve të të tjerëve
Tringëllima e zërave të tyre
Duke persistuar tejmatanë facadave;
Po ta çikja veshin, do kisha mundësi të dëgjoja
Një zë të gulçuar
Një zgërdheshje të gulçuar
Një ngashërimë qarjeje të gulçuar pastaj qetësinë
Qetësia siç do të ishte në mbarim
Kur rruga s’do të kishte as ardhmëri as të shkuar;
Do kisha mundësi të provokoj degdisjen
Duke e parë veten si hyja në një shtëpi
Në numrin 47, për shembull
E të mos dal kurrë
Kush do mund ta shihte këtë hollësirë?
Në tollovi ecjeje
Të verbuar jemi të gjithë
Si nga një dritë për tepër e madhe;
E dashura dritë e bardhë,
Si një asht duke u varur në lartësinë,
E kësaj rruge qiellore
Ku, nga ana tjetër e saj, ti u nise drejt meje.
ËSHTË KOHA
(Este timpul)
Është koha që shpirti
Të mushtërojë si një rrush i kuq
Nën shtrydhtore. Vera ma zalis trupin
Më ndihmon të vdes në mishin tim
Në rreptësi, e ndez shtëpinë m trurin
Duke e vënë mes meje e tjerëve turrën
E kokës. Vdekja
Me një mishërim të kuq e provokon burrin e ri
Unë e provokoj engjëllin me gjuhën
E ngrënë nga fjalët
Unë jam i vdekuri i çseksuar në gjirin e engjëllit,
Me gjuhën e përgjakur
S’ekzistojnë fakte më të munguara nga shpresat
Se sa kjo
Dhe as lotë në sytë e engjëllit.
Atëherë do ta kuptoni se unë jam më e vetmuar
Me vetveten se sa një katil
Ballëpërballë me viktimën e tij.
NËNTORI ME NJË TË VDEKUR NË QENDËR
(Noiembrie cu o moart? în centru)
Nëntori me një të vdekur në qendër
Në vete apo si shëmbëlltyrë e tjetërsendi
Unë shtrihem duke buzëqeshur në shtratin me gjethe
Jo më pak thellë se sa uji
Mbi të cilin noton Ofelia
Derisa burri dhe vrasësi
Dalin njëri nga tjetri
I shkëpus ngadalë dhe i bëj kolaçët nga jeta
S’mund të shkëputem nga një letër
Gjithçka e ngrirë në një fjalë
Gjithçka e djegur në një stërvetëtimë
Dhe përnjëherë sa hap sytë
Duart e fëmijës të fryra nga ngrica;
Shoh përmes një prerjeje të lëkurës
Një dorëshkrim të tronditshëm
Dhe bëhej
Ishte (ishim) plak dhe vagabond
Por nga t’ia mbajë me vdekjen në gojë
Nën ura
Nën dhe me të tjerët
Që sapo mund të pëshpërisin fjalë
Shpirtërore: ishte ftohtë, është ftohtë dhe do jetë ftohtë
Dhe sa sa shumë ç’prej kurë se e kam parë diellin
Duke hyrë nën diell në dhe
NËN NJË QIELL NË TË CILIN DIKUSH NGUL GOZHDA
(Sub un cer în care cineva bate cuie)
Në “dritën irituese”, në një dhomë të ndritur elektrikisht
Ditën e natën
Koka ime e përbën mermerin
Pastaj e tërheq neshtrën mbi kafkë
Dhe duket kështusoj fort humane
Me ato zgavra të tmerrshme në fytyrë
Me atë ngërdheshje, shpërthim i fuqishëm
I përmbajtjeve të shtrënguara
Me ato lotë përvëluese si do nerva
Të krasitura;
Në kokë e inventoj një tjetër trup
Të zbraztë përbrenda e të ftohtë
Si një mumi pa rropulli
Jovëllazërore me të gjitha organet shushuritëse
E të lëngshme. Si do të ishte sikur ta njihshe botën
Pa zemër, pa mushkëri, pa organet riprodhuese
Një kokë pa trup
Është njësoj e bukur porsi një gur
I modeluar nga era dhe nga shirat;
Prekja e padyshimtë, turbullim i lehtë, ethet e saj
Të ngjashme me kokën time
Duke shëmbëllyer me ethet, me urinë apo me etjen
(kurse të mos njohish këtë don të thotë të injorosh çdo gjë)
Ah, në çdo kokë ekziston një mall guri
Duke u përkulur përmbi gjirin tim
Si mbi një gji statuje,
Të dashurosh një statujë me tradita të lashta
Të gurit
Statujë solemne ku vetlm guri ngjeshet
E jo mishi
Unë të dua si një motër
Që më rruan të paprekshme
Në natën e gjerë nu nga të gjitha anët tingëllon
Si në një zile
Përpëlitja e gjakut të sakrificës
Nën një qiell ku dikush ngul gozhda.
LAKU
(La?)
Edhe shpirtin kur don ta shesish
Jepe, për asgjë
Që aq herë të trembet mendimi –
Vetëm të jesh i lirë
Si në një llogor të rrethuar nga gjemba
Të ngulura në kufoma të armiqve,
Dy mbretëri të bashkuara me gërditje
Stema me luanë duke e shqyer njëri-tjetrin.
„zhytet ai që i ngren gurët e mëdhenj”
Ai që në to vullnetarisht shtrihet.
Dhe duke e prekur vendin
Ku do të rënkosh. Litar
THËRIMA
(F?râme)
1.
Faktikisht po riorientohem
Përmes gjuhës
Me gjuhë sillem rreth fytyrës sate
Rreth lëkurës sate
Një organ i mbuluar me grafite
Ëmbëlsi fort të afërta
Për të heshtur (anasjelltas)
Drejt rropullive
Të kapitesh mes organeve të lumtura
Gjuhën e vdekjes, të gjuajtur
Të thuash, një refleks të motshëm estetik
2.
Mes një gjuhe dhe tjetrës (të huaj)
Ti beson se shikimi mund të pezullojë kohën
Duke lënë një jetë dhe vdekjen e saj pas,
Që të mund të lartësohesh
Deri në nivelin e syve
Koha nuk imagjinon asgjë
3.
Mund të fillosh, pa strategji të gjuhës
Mund të fillosh, të hysh në lulishte
Dora e ngulfatur ngadalë, turbullueshëm
Mes petaleve e gjembave
Në këtë moment përforcoj kafshatën e silabeve
Fjala gjëmon pa ekuivalent –
Më kujtohen lulishtet bineq
Përposhtë trupit dhe verës
Arabeska të mahnitshme në lëkurë
Një vokalë e lakuar euforike
4.
Nuk dija çka të refuzoj
Të kuqen, të kuqen e ndezur si gjaku,
Shkëlqimin lozonjar
Mbi sipërfaqen e lëkurës së kreshpëruar -
Një mbrëmje më parë
Shikoja duke ëndërruar flakët që vallëzonin mbi varreza
E zgjodha të kuqen
Me dorën e shtrirë kah fustani i bardhë
Pothuajse duke qarë
S’munda t’i vesh që të dyjat
5.
Parfum i rëndë nator
Në rrënjët e fytit
Ku nën shuplakën tënde
Rekëtin gjaku
Klavikula me brishtësi të paturpshme
Drejt klavikulës sate –
Prekja përsoset mbi fragmente –
Një po në flakë të shumëfishuar
Në çdo milimetër të lëkurës:
Përmes prekjes së zjarrit të ëmbël
Provokon lëvizjen e shpirtit
6.
Dora është një instrument ekstremist
Nën të është një forcë e verbët që i përgjigjet
Dorës që eksploron
Nga qafa në zverk;
Për torturën për të vizatuar hieroglife
Definitive në mish
Për egërsinë e saj është shkruar
Me gjak;
Por edhe sipërfaqe të paprekura, zona të tëra
Për t’i prekur me gjuhën e vdekjes
7.
Jam një mbulesë e paprekshmërisë
Megjithatë nëse e zgjas
Prekjen
Me sy, me krenarinë e zërit, me ajrin
Që e thith mes buzëve të sapohapura
Je i mbështjellë me një mbulesë;
Delirum i shtangur
Duke llogaritur me një prekje të dhembshme
Lëkurën e paprekshme të shpirtit;
Kam kujdes kur të shikoj
8.
Memorja prek si mëndafshi;
Mes çarshafëve, me errësirë
Zjarri i trupave vagëllohet
Por ngathja e fundit vjen
Nga imagjinata
9.
Nuk gjej vetveten në këto fjalë
Përngjitja është një oshëtimë e gulçuar
Dikush copton kërcurë fort afër
Në një kavernë
Ah, ja erdhi vjeshta
Vyshkëzimi fillon nga qendra
Pastaj transporton fjalët kah zonat e errëta
10.
Fletë të bardha, lapsa,
Syza, fjalë
Verbërim
Bota e pazbutur;
Dhe njëri pas tjetrit, duke dalë në mejdan
Shpirtërat e vdekur nga shpirtërat e gjallë,
Si do molë nga nimfat e tyre,
Në periudhat e gjata të akullnajës
Në kohën e thatësisë së madhe
Në shkretëtirë