E enjte, 24.07.2025, 10:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Ejup Ceraja

E hene, 07.03.2011, 08:56 PM


Ejup CERAJA

 

1

 

Zemra peng në veri

(Prindërve të mi)

 

Shumë vite kanë kaluar

Plot tridhjetë e tetë

Që kur u ndatë nga ne

E s’takohemi më përjetë.

 

Po sa kishim mundësi

Varret t'ua vizitonim

Humbjet tuaja e dhembjet

Më lehtë i përballonim.

 

Po, ja që erdhën ditë

Të rënda shumëfishë

Pas luftës tmerruese

Qyteti u nda në dysh.

 

Qenka shumë e rëndë

Madje qenka jonjerëzore

Të mos kalosh në qytetin tënd

Në pjesën tjetër veriore.

 

Kudo nëpër botë

Urat lidhin miqësitë

Vetëm në qytetin tonë

Ato simbolizojnë ndasitë.

 

Kaluan qe gjashtë vjet

Zemra peng më ka mbet

Ta vizitoj njëherë varrin

E babait tim - Mehmet.

 

Ai dergjet në heshtje

Në anën e quajtur veri

Me varrin e nënës sime

Që i rri roje përbri…

 

Shumë herë hamendem

Që këmbë të nisëm

Ta vizitoj varrin e zemrës

Të nënës sime - Isëm.

 

Por ajo sikur më thotë:

“- Mos, ore im bir!

Do të kalojnë të gjitha

E në fund do bëhet mirë.

 

Si mund të qetësohet zemra

E nënës sate - vërtik

Nëse ti për të na bërë nder

E vë vetën në rrezik?

 

Këtë, bir, s'po ta them

Unë vetëm prej veti

Po këtë porosi e ka

Edhe babai yt – Mehmeti”.

 

Ah, prindër të dashur

S'e kam lehtë këtu

Fizikisht në këtë anë

E shpirtërisht atje te ju!

 

Pushoni ju të qetë

Nëna e baballarë

Do të bashkohet qyteti

Që kurrë s'ka qenë i ndarë.

 

Me kalimin e kohës

Shpesh më vjen në kujtesë:

- Si mund të jetojë trupi

I ndarë në dy pjesë?…

 

Do të bëjmë çmos

Po qetë e pa bujë

Të mos mbesni "refugjatë"

Në atdheun tu’j…

 

(20 qershor 2005)

 

 

Varfëria...

 

“E ul kokën t’i fsheh lotët,

Edhe zhytem thellë në vete,

Ku është fundi i mjerimit,

Dhe kuptimi i kësaj jete...?”

Agim Deva

 

Sigurisht mosha e kaluar

e ka bërë tek unë të vetën,

me shumë dhembje i shqetësuar

në pleqëri po e përballoj jetën.

 

Në një emision në TV të kësaj ane

se si të zhduket në Kosovë varfëria,

më tronditën lotët e një nëne

thua se mbi kokë më ra çatia.

 

Më vinin mendimet si tallaz deti,

në shpirt më kaploi ndjeshmëria:

- Kur do të marrë, thash më veti,

në Kosovën tonë fund varfëria?...

 

Zot i madh dhe i Madhërishëm

shtrije mbi ne mëshirën Tën’e,

largoi lotët e varfërisë

nga sytë e zemra e çdo nëne!...

 

Vjeshtë 2010

 

 

Korça “Vorio Epirote” e një konsulli

 

“Lumja ti, moj Korç’ o lule

Q’i le pas shoqet e tua,

Si trimi në ball’ u sule,

Ta paçim për jetë hua!”

(Naimi)

 

1

Konsulli Ikonomus deklaron si me “pahir”

mu në zemër të kulturës shqiptare,

se Korça është greke në Vorioepir...,

duke shtrembëruar historinë edhe kësaj radhe.

 

Se Korça është pjesë Vorioepirote

dhe si e tillë duhet t’i takojë Greqisë,

do të bindeni për këtë anë patriote

pas regjistrimit në Shqipëri të popullsisë.

 

2

Dhe konsulli shtoi më tutje

përmes parullave që i rrëfej,

u dha “zemër” si me ngutje:

“Kurajo, shpresë dhe betejë!”1)

 

Për çfarë e ka fjalën konsulli grek

në Korçën e krenarisë shqiptare,

nuk kërkon ndonjë koment tek

se nënkuptohet vetvetiu ashiqare.

 

Dhe, këtë deklaratë të papërshtatshme

për ne shqiptarët e kundërshtueshme,

Ministria e Punëve të Jashtme

e çuan mekur: “si të papranueshme”. 2)

 

Duhet, them, grekëve t’u përkujtohet

që ta kenë të qartë e të mësohen:

Korça, Gjirokastra e Çamëria jenë shqiptare

dhe assesi nuk mund të tjetërsohen...

 

1) Huazuar (cituar) drejtpërdrejt nga interneti,

2) Po aty.

 

Shkurt 2011)

 

2

Fëmijët në tenda dhe veriu

 

1

Mos fryj shumë

të lutemi, o veri,

se jemi hollë veshur

e mos po na ngri!

 

Mos u zemëro

ti shumë, o acar,

se jemi të vegjël

e nuk të bëjmë ballë!

 

Pra, mos fryjë shumë

që të na bësh furtunë,

se s’kemi të veshur

xhemper as gunë.

 

Kemi shumë arna

që na rrethojnë,

po kemi frikë

se s’do të na mbrojnë.

 

Edhe pse duart e nënës,

shumë me kujdes,

na i kanë qepur herët

ata në mëngjes.

 

Pra, të lutemi shumë

ty, o i nderuar veri,

na mëshiro në tenda

e mos na ngri!...

 

Nga njëri-tjetri

natën s’largohemi,

që sado pak disi

mes vete të ngrohemi.

 

Se, dashuritë e nënave

me lot e zemra të ngrata,

nuk po i ngrohkan tendat

vetëm me fjalë e urata.

 

2

Nëse deri në pranverë

do të kesh për ne mëshirë,

zotohemi të gjithë së toku

se do të bëhemi fëmijë të mirë.

 

(1999)



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx