E merkure, 04.06.2025, 06:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Vaso Papaj: Janë pak, këto fjalë për ty!...

E hene, 07.03.2011, 07:18 PM


Vaso Papaj

 

Nga vellimi poetik "Mbeta mik me shpirtin"

 

 

Janë pak, këto fjalë për ty!...*

 

Pelikanët gojëshqyer i ule nga qielli në karvan.

Ata, dashuruar me bjeshkët, erdhën të shuajn’ uri.

Orkestra luante Bethoven,  ti ishe një von Karajan.

Lëvdata liderësh mungonin. Ligji qe veç pleqësi.

Oksigjeni i vërtetë ësht’ demokraci e liderëve,-

pambarim përsëritje ti.

Fryma jote e ngrohu grazhdën tonë të braktisur.

Orteku i arsyes lëvizi optimizmin e ditëve dimërore.

Requiem këngësh për miqësi të vjetra e të reja stisur.

Engjëll i qiejve ishe, kollarisur me ëndrra diellore.

Sinonimin e agimeve mbillje, na bëre si të harlisur.

Ti, në stinë ikanakësh, solle veç ditë pranverore.

Ikonë e përjetëshme  do mbetesh,

 me kuota të larta në bursën njerëzore.

 

* Kushtuar Ambasadorit te Italise ne vendin tim Paolo Foresti,

    qytetar nderi i Durresit

 

 

  Oresti ” në Ishëm         

 

“Oresti” mbërriti në Ishëm, për besë!

Kish bër’ një udhë të vështirë.

E kish sjell mësuesja Shpresë,

me maturën të tërë në delir.

 

“Oresti” mbërriti tek sheshi.

Shumica s’e njihte këtë emër.

Interes i paparë nga mëngjesi ,

do të shfaqej te klubi, në qendër.

 

Magjistricat dolën në Ishëm,

në një qoshe, një skenë e sajuan.

Për rreth, sa qenë të pranishëm,

“Orestin” pafund e shijuan.

 

Ajo ditë shum’ gjatë do t’ kujtohet,

në atë breg  ish një ngjarje e rrallë.

Antikja me mall  përqafohet,

kur pa fund emocione të ngjall.

 

“Oresti” mbërriti në Ishëm.

Kish bër’ udhë të vështirë.

Në klub sa qen’ të pranishëm,

diskutonin të tërë në delir.

 

 

Muret

 

E di, nëna ime, nuk po bëj mëkat,

po s’mundem në jetë te jem spektator.

Bota nuk mbaron tek muret fabrikat ,

që mbyllin prej vitesh pak  metra katror.

 

Mos më shih ashtu, duhet të më flasësh.

Buza po të dridhet, lotët çurk të rrjedhin

Nuk do mundësh dot, në prag të më ndalësh.

Ti na ke mësuar, erën  pas  ta  ndjekim.

 

Lamtumirë  kalçeto, rrethuar me plepa!

Lamtumirë maturë, vajzë me bishtaleca!

Mbeçimirë bilbila te kafazi mekur!…

Kudo që të shkoj, keni për t’më ndjekur.

 

E di, nëna ime, ti s’ do  t’ më kuptosh.

Buza po më dridhet, në sy s’ të shikoj.

Derën seç e mbylla, shkallët  zbres përposht.

Muret i lashë prapa, dete do t’kaloj.

 

E di, nëna ime, nuk po bëj mëkat,

po s’mundem në jetë të jem spektator.

Bota nuk mbaron tek muret fabrikat,

që mbyllin prej vitesh këto metra katror.

 

 

Erdhi Majlinda      

 

Shoqja ime me emrin Majlinda

në buzëmbrëmje  arriti me tren.

Në platform’ kisha kohë që e prisja

e pyesja veten: Vall’ ç’më kishte sjell?...

 

 Më kishte sjell dy buzë luleshege,

 më kishte sjell syt’ e saj si ulli.

 Luleshegën askush s’e kish puthur,

 s’ i kish shkelur askush syt’ e  zi.

 

 Dolëm te sheshi shtrënguar,

 taksistët se kush të na marr.

 Po fjalët i kishim harruar,

 nuk ngopeshim duke u parë.

 

Atë mbrëmje  Lindën takova.                                                                  

Krahaqafë m’u ngjit  si  fëmijë.

T`ia shtrëngoj’ dorën harrova,

veç   putha pafund  syt’ e  zi.

 

Në agim erdh një tren që e mori,

por ai  do t’ ma sjell  përsëri.

Eh, sa trena mirëpret ky stacioni

dhe mesazhe pafund:”Unë po vij…”

 

 

Addio Italia!

 

(Gjithë atyre që Zoti i ndihmoi të kthehen nga emigrimi)

 

Tund e shkund ullinj’ me mijëra,

gjersa  borë në flokë dallova.

Larg shtëpisë, vetmoi rinia,

vite shumë u përmallova.

 

Ca pulëbardha ledhatare,

ç’ma larguan krejt mërzinë.

Dy tri grappa, ca cigare,

para sysh’ ma prunë shtëpinë.

 

Zot, së fundi m’ erdhi dita

t’kthehem prap nën qiellin tim,

ku e ëmbël ësht’ dhe kripa,

ta mbështes dhe un’ çatinë.

            

Në qiell hëna  mori zjarr,

urat dalëngadal’ po ngrihen.

Britmat zvargen në hambar,

një nga një litarët  bien

     

Deti ngjante si lëndinë,

rreze hëne ar qendisur.

Një tarantel’  përmbi bankinë,

syt’ mbi  lotë mi ka gremisur.

             

Duket  vallja më rrëmbeu,

duket  kënga  më pushtoj:

“Addio Italia !” më shpërtheu,

i thirra dallgës: Merrmë moj!

                                               

Më vjen pranë një tingëllimë,

si mbërritëm atë natë.

Dridhej hëna mbi bankinë

dhe ne kërkonim tjetër fat…

 

 Krejt i uritur, siç kisha ikur,

 Shpirt plagosur, po ja që ngjau:

 Një tarantelë në dritë të fikur,

 fsheht’ një dorë mbi mua shkau…

 

Një drithërimë atëher’ m’u zgjua,

në përkëdhelje mendja humb.

E ju bëj bè, si ajo grua,

nuk kisha parë jo, tjetërkund.

 

Larg prej saj po iki sonte

e pyes veten: ç’i kish ndodhur,

që tek unë  do të kërkonte:

Të hirtat sy  si det i lodhur!?...

 

Ç’ përkëdhel trageti  dallgët

E drit’ e hënës  ret’ i shpoi

Addio, Addio, vend i largët

Asnjëherë s’do të harroj…           



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx