Kulturë
Vjersha nga Janaq Pani
E shtune, 05.03.2011, 12:53 PM
 Janaq Pani,
Janaq Pani, 
SHPIRTI
 
Ashtu si Aragoni
nuk desh
t'i prangosë vargjet
me shenja pikësimi,
ai shpirti i yt poet
po edhe imi
vetëm çpranguar
do të dijë të shfaqet.
 
       MERAKU
 
Në çdo hap që hedh njeriu
i ri, apo plak,
si gjalmë për këmbe
të ziut
lidhur i rri një merak.
 
   LAKURIQI I NATËS
 
Lulet
që shpërthen pranvera
me aroma
e ngjyra plot,
vetëm lakuriqi i natës
nuk i prek
as nuk i sheh dot.
 
   MOLLA E VETMUAR
 
Lart në pemë
një mollë e vetme
heshton
pa shoqet pranë,
s'ka më lëng
përditë tretet
se vjeshta shkoi
e gjethet ranë.
 
NË TOKËN E TË PARËVE
 
Në tokën
nga të parët trashëguar
me djersën time
u ngrit një kopësht i lulëzuar,
ullinj,
limonë,
portokalle,
e vijnë zogjtë duke kënduar
mbretërisë e gjelbërt
t'i falen.
 
     SHOKU IM
 
Shoku im
miku im
kur e kur më përqafon
e më ngjan
si ajo lëvorja
që në pyll
pemët i mbron.
 
Sa ia ndjej
unë ngrohtësinë
si një dielli në ditë dimri,
e njëlloj
e ka freskinë
si në verë
uji i burimit.
 
Gati - gati
zëri i tija
këngë zogu në pranverë,
po dhe unë
i ngjaj atija
miqësia
ndaj ka vlerë.
 
  VITI I RI 1991
 
U plak brenda natës
Qeparoi
në gjunjë e uli
varfëria,
mbi ëndrra
tej kufijve mërgoi
më guximtaria
rinia.
 
Vrapuan tej malesh
si rënie fletësh
që era mbart
t'i hedhë diku,
pa veshur mbetën
kostumet e martesës
dhe vellot nusërore
po ashtu...

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










