E shtune, 27.04.2024, 05:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Lëvizja e shpirtrave

E premte, 04.03.2011, 09:00 PM


Kostaq Duka

 

Lëvizja e shpirtrave

    -Cikël me poezi-

 

Miqësia

 

Miqësia nuk lypet

As nuk falet si bonot e ushqimit

Miqësia

Në përvëlim e zjarr shpirtërash

Trajtësohet.

Ndaj kur thyhet

I ngjan një toke të djegur pas lufte

Ku asgjë nuk mbillet e rritet.

 

Miqve jo artificialë

 

Më pranoni mes jush

Kështu si jam

Pak romantik, i harruar, që ndonse tokës,

Me gjuhë e dhëmbë ja ndjen shijen

Ëndrrat nëpër qiell i  lind e vret në gjumë....

Më pranoni  si jam

Lekpaktë, pa asnjë borxh,

Me deshirë sa s’ka për qefe, por jo i zilepsur ndaj të tjerëve.

 

Më pranoni si jam,

Lodhje mundur për të dhënë dashuri

I vuajtur tej e tej në dhimbje,

Prej ftohtësisë kur ajo vjen ...prej miqve.

 

Më pranoni si jam

Nëse gjykoni se tek unë mund të gjeni qoftë edhe pak

Çka  ju mungon nga vetja.

 

Stoli i drunjtë

 

Aty lëpihej qeni

Qimet aty mbillte.

Një çast në rrugën e gjatë

Çlodhej dielli

Aty fëmijë

Bisedoja me qiellin

Duke piketuar rritjen e vetes

Mes botës pa fund.

 

Diçka mbeti pa u përfunduar nga ato ëndrra

Ndaj ai stol i drunjtë,

Mbuluar me kuvertë leshi nga hajati i shtëpisë së vjetër

Më vjen e më merr me vete

Si të jetë avion i linjës speciale të lëvizjes së shpirtrave.

 

Shkretëtirat

 

Tashmë njihen shkretëtirat

Ku janë, ç'tonelata rërë mbajnë,

Sa përvëlojnë

Për frymëmarrjen e jetës tokësore ç'ndikim kanë...

 

Por si mund të njihen ato

Shkretëtirat e shpirtërave njerëzorë,

Pse ekzistojnë?

Ç'mostra i krijojnë?

A mund të gjelbërohen një ditë

Shpirti të lulëzojë si një oaz begatie,

Kudo ku merret frymë

Kudo ku qënia njerëzore

Lind e rit mëngjeze jete?!

 

Puthja

 

Një re e vogël, bardhoshe

Tkurret, tendoset

Marrathonë merr nëpër hapësirën qiellore

Diku  tretet mes resë së madhe , gjoksgjërë, shtëllungore.

 

Nje gjethe vetmitare që era e flak andej, këtej,

Vete nga vete, së fundi me gjethet përkëdhelet. 

 

Një djalë e një vajzë mes puthjes humbin gravitetin, harrohen....

 

Puthja....

Një vullkan shpirti  zhurmëshurdhuar

Pas të cilit vjen harmonia.

 

Mos zotërim

 

Hakmarrja

Është pjellë e arësyes së egër

Dhe dashuria pjellë e trilleve marrosëse?!

A ndoshta

Tek dashuria na yshtin të tjera fuqi jashtë vetes

Dhe hakmarrja është rezistencë ndaj paaftësisë së zotërimit të botës.?

Dashuri- urrejtje

Mes tyre njerëzimi luan teater, tragjedi e komedi,

Pa mundur t’i zotërojë deri në fund.

 

Zjarri...

 

A ishe ti a isha unë

A ishim të dy aktorë e regjisorë

Të atyre çasteve të ëmbla ?

Pak rëndësi.

Ne u shkrimë mes tyre dhe u dhamë pavdekësi...

 

Tani

Të kallkanosur nga ndarja

Kujtimin e çasteve e marrim dhe e rimarim

Si shkëndije stralli për të rindezur një zjarrr ...

Që s'ka për të ardhur kurrë.

 

Shkurt, 2011



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora