E diele, 28.04.2024, 04:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Sarë Gjergji

E merkure, 02.03.2011, 08:33 PM


Sarë GJERGJI

 

 

1.

 

Një mal metaforash

është libri i poezisë

një grackë simbolesh

ky gjallojnë

spermë  politikanësh  e popuj në agoni

toka shtatzëna - të vranëta, hi e plojë

lavire të virgjëra e psalme shenjtoresh

stuhi vullkanesh, fantazma, urti e Solomonit

 

sa  profeci fsheh brenda vetes

Poezia

lufta për dinjitet

 

2.

 

Mos hiq dorë prej meje

shpirti im për ty ka etje

 

për  mëkatar mos më merr

as mos më përbuz për heretizëm

kur shpërfill pa dashje kërkesat tua

 

pa frymën bukurinë tënde

ndihem varr i gjallë

Poezi

 

REVOLTË  E HESHTUR

 

Hesht Shpirti im

kur velin gri mbi qytet pushtetarët shtrijnë

e turma shurdhmemece i këndon robërisë

 

hesht se revoltën e poetit nuk e duan ata

as atë mal simbolesh që ngreh Ai

për hënën nusërore e madhështinë e zjarrit

 

po ç’rëndësi ka në ishte Fjala në  fillim

nëse vargu yt sfidohet nga  kuaj të harlisur a nëpërka me syze

Shpirti im

për verbimin e diellit e gjithçka rreth teje

hesht po munde

 

sërish do ketë një të Premte të Madhe

një të Dielë  Pashkësh më pas

 

E HELMUAR ËSHTË FJALA JOTE

 

E helmuar është fjala jote

nëse e kafshon deri në përgjakje dhe e varros nën dhëmbë

nëse nuk e vë dot  gozhdë në pushtetin shpërfillës të natës

ti në mungesë jeton  ...

kumt i frikshëm ky, do jetë i të nesërmes

 

 

qeshjen kërcënuese mbars koha

për dikë

verë të kuqe

 

sa mirë të mos jesh poet

 

DËSHIRË

 

1.

Nuk dua asgjë më shumë se sa të shoh

shkretëtirën të ngopur me ujë

e të veshur nga drunjtë frutorë

të shoh nëse

lulet në ajër mbi Saharë

përqafojnë stinët që duan

 

2.

 

Buzët e prushta të Ajshes

do doja  t’i shihja

qoftë edhe për një çast të vetëm

mungesën e lotit nën perçet e zeza

ato perçe që i mbështjellin shpirtin prej qumështi

 

- Oh, sa do doja

t’i dhuroja një trëndafil për Shën Valentin

e të dëgjoja rrëfimin e saj  për mollën e ndaluar

 

 

Kush e di nga se u bë Deti i Vdekur...

 

3.

 

Nuk dua asgjë më shumë – më besoni

se sa të shohë

si përmbytet nata

e si lind dielli në Lindje



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora