Kulturë
Kostaq Duka: Fotografi
E hene, 28.02.2011, 08:17 PM
Kostaq Duka
Thërrime jete mbetur në xhepat e kujtesës
Fotografi
-skicë -
Ti shëtisje për qefin tënd, në parku"rinia" në Korçë i panginjur prej pëshpërimave me veten, nën umbrellën gjigande, fëshfëritëse, përkëdhelëse të gjetheve, ngadalë, ngadalë, si në një rrugë që s’do mbaronte kurrë ai, me shtatin e imët, fytyrën e mprehtë, me aparatin e vjetër fotografik, në këllëfin e lëkurtë, hedhur krahaqafë si fëmijët çantën prej lecke, të dilte përpara e këmbëngulte: “Një foto nga xhaxhi....Ajd ja ri këtu tek stoli apo më mirë mbështetu tek pema.”
Zërin e kishte të hollë, buzëqeshjen si të damkosur në buzë që s’mund t’i shqitej kurrë... Aq befasuese dhe e fortë ishte këmbëngulja e tij sa do të dorëzoheshe se s’bën. Dhe prej atij çasti ai burri i vogël, i imët do të bëhej personazhi më i njohur prej teje, mes personazheve të përmëndur në këtë qytet, që në vend të titujve të nderit, këtyre figurave publike u jepte mbiemra tingëllues me kontraste të forta. Por nuk ishte e lehtë të fitoje këto mbiemra-nofka që jo vetëm të veçonin nga qytetarët e zakonshëm, por në një farë mënyre të jepnin edhe mos harresë.
Ja ai burri i imët që njëherë të prishi vetminë në “Parku Rinia”, do të gjëndej patjetër edhe në pikniket me shokët e vajzat e shkollës në majë të Moravës, tek Çezma e Gjergos, Guri i Capit apo në Dardhën e Voskopojën piktoreske. Këmba, këmbës si hije ai do ishte edhe në shëtitjet diku me të dashurën në të dalë të Korçës, në festat publike dhe familjare.
Vendi më i preferuar për “pritë”, për të ishte Bashta e Themistokli Gërmenjit . Ulej si pa të keq diku në një stol të veçuar dhe sa shihte dikë që shkelte në këtë Bashtë, i dilte përpara si fantazmë : “Një foto, një kujtim. Ajde, shiko ketu!” Gjithnjë ai zë i hollë, ai aparat.....
Të rinjtë shpesh e thërrisnin me emrin dhe mbiemrin "qytetar" të tij, bënin edhe humor duke e ngacmuar: I ke vënë film sot aparatit apo e shkrep kot?!
Ai s’mërzitej. Nga fytyra s’e hiqte që s’e hiqte buzëqeshjen e përherëshme....
Tek sistemoj me dhjetra e qindra foto bardhë e zi nga vitet e rinisë, apo foto familjare të bëra prej tij qe i çmoj si pasurinë më të çmuar që unë si çdo emigrant nga Korça solla me vete ne Amerikë kur kalova oqeanin, më vjen pranë zëri i tij i hollë: “Një foto, një foto nga xhaxhi!”Eh "Miti Kecka" të të kisha pranë e të të përqafoja duke të thënë njëmijë herë faleminderit për shkrepjen e aparatit tënd të vjetër, që s’u lodh kurrë!
Shkurt, 2011