E enjte, 24.07.2025, 09:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Vasil Toska: ... në padukshmëri (II)

E hene, 28.02.2011, 08:04 PM


Vasil Toska

... në padukshmëri (II)

 

NË MALET E SHPIRTIT

 

....çiltërsia e  zemrës së dëlirë

për  mua,

për ty,

shumon hapësirën e ndjesive.

 

Për çdo njeri,

në blerimet e majave të  shpirtit,

buzët pa fjalë

puthin lumturinë.

 

 

NË URI

 

... e rënduar

ndarja

shpërndan

shkëndijë  hidhërimi.

 

... thërmijat

e mërmëritjeve

mbushin

xhepin tim të vetmisë.

 

NGA ËNDRRA

 

.... ndriçimi mbetet në dëshira

 

Kujtesa e ditës  rend në errësirë,

buzëqeshjen për ta ngarkuar me përditësim.

 

Në pikëpyetje shqetësimesh

për t`u rizgjuar,

flenë

të mbeturat e pajetuara

nga dita e perënduar.

 

 

ÇELIN YJE TË RINJ

 

Në trokth ballafaqimi

qetësia

mban marrëzinë dhe mençurinë.

 

Kthjellon rrjedhën

stinë ngjarjesh,

në degë moshe çelin yje të rinj.

 

DHIMBJEN

 

Në acare mërzish,

dhimbja e pabindur vrapon,

në shqetësim me njeriun jeton.

.... e lanë të pushojë

në shtrat tretjeje,

të shuajë  rënkimet...

 

 

NË ETHET E PRITJES

 

Në ethet e së panjohurës

fluturojnë me mekje e ndezje mendime.

 

Buzëqeshjet

kohën e arnojnë

me parashikime...

 

 

NDJENJA

 

Fluturon jashtë ëndrrës

Gjumi i kohës për t`u  zgjuar

nga sytë e flladit.

 

Lotë  vese thahen

të harrohen petale pritjeje.

 

 

Ndjesi moshe

ndizen ...

në etje ëndrre.

 

 

SYTÊ

 

Në pasqyrën e  syve,

çiltërsia e shpirtit

mbjell ëndrat

e netëve të trazuara.

 

Në çarkun e syrit

loti shkrep nga  pafajësia

dhe rrjedha  lan vështrimin.

 

Koha pastrohet

para se të digjet

në zjarre tjetërsimi.

 

 

INATI

 

...në përflakje kërkon  drejtësinë

 

Mbi kapërcyell ere,

përgjysmë mbetur,

me të pathëna kruan maja thepisjesh,

mbuluar me  harrim zgjidhjesh...

 

 

VITEVE

 

....me ikjen shuhen dhe ndizen flijime.

zëra nate në pendesë tjetërsuar,

ashpërsi latojnë

për të shuar pikëllimin e haresë...

 

Në të  pambaruarën

pohime mbijnë,

gjurmë shprese

mbushur me zagushi,

në kohë shpërthimi rritur e shuar...

Për ty!

 

 

PËRKËDHEL

 

Buzëqeshja

ndjell notat,

kënga të lindë miklim ëndrrash.

 

Në puthje çiftesh,

përkëdhel

të uriturat kënaqësi të pambaruara ...

 

 

NË DRITHMËN E GURGULLIMAVE

 

Dëshira

në korin e pritjes,

belbëzon ninullën e premtimeve,

gurgullima

qeshjesh

në drithmën e përkëdhelive rrëshqasin.

 

 

RREZJA E NDRYSHIMIT

 

Hapësirës

rrezja e dritës

në vallëzim ndjek xixëllonjën,

e zë me grepin e kohës.

 

Mbi krahë thinjash,

flladi

arrin tek ndryshimi i ri.

 

  TAVOLINË

 

Për ditët ngarkuar me urtësinë

pyetën moshën ...

shpërthimin...

për  rininë...

dhe dashurinë...

 

Mosha vrau ngurimin,

për të mbledhur rreze fantazie.

Shpirtrat  në uri

volën këngët,

melodinë  e pambaruar në të sotmen.

 

 

MË PËRMALL

 

Më përmall

Aroma e pohimit  tënd.

Me pjalm ngjyrash më mbulon.

Me dritë dhe argjend...

 

 

PËRGJIGJE MEMECE

 

Flladi pyet lumin e jetës,

dallga  detin e tërbuar,

si qetësohen

pa u plakur,

në përjetësinë e kohës së trazuar.

 

Prijësi  pyet në kohën që ecën

vallen e drithmës së shpenguar:

Krenaria a mundet

të rrojë  pa ndjesinë,

kur vallja e shpirtit rron e shuar?!

 

Heshtje për flladin dhe vallëzimin,

Për  krenarinë, ndjesën,

në dallgë tulatjeje harruar,

mos vallë

mirësisë

dhe valles së shpirtit,

vallëtarët  ndërrohen...

ende për të vazhduar?

 

 

NË KOHËN PA PREHJE

 

Grimcuar në nismën pa perëndim,

rrënjë urie për arrati shpërthimi.

 

Një çartje hareje

në kohën pa prehje

me lindje e shuarje tundimesh.

 

Mbi copëza drite

pasqyra zgjimi.

Besimi

dhe premtime

për të shtuar shijim përjetimesh.

 

 

BASTUNI

 

Bastuni i tij

kronikan hapash dhe ditësh,

pa inventar.

 

Një ditë,

kur të ndahen udhët,

do t’i shtrihet mbi shpinë

bastuni,

si shpend i vrarë.

 

 

PËR NJË KËNGË ...

 

Gonxhen

që priste shpërthimin,

e kisha timen.

 

Për të isha kthyer  në agim.

 

Aty buzëqeshja pinte të dehej,

në pagjumësi e në dhimbje,

në gëzim.

 

Në atë degë u ule ti,

Kthyer në pentagram

për shtatë nota,

embrione për një melodi,

për një këngë...

Eh! Sa larg mbeti  përlotja...

 

 

Ecin agimet

 

Gjurmët,

plagët e vjetra thonë:

Mos na harroni…

rrugët e reja mbi ne u shtruan...

 

Nëpër to,

ecin agimet...

mbushur me çapa të rinj,

për t`u larë në dritë,

për t`u larë në shi

për të sjellë

më shumë dashuri.

 

 

PËR TË PARË NGA VIJMË

 

Vitet

shijuan moshën qëndisur me thinja,

mësuan,

kokën prapa ta kthejnë,

për të parë nga vijnë.

 

Me sytë andej e ketej

Ecën,

të mbijnë prapë,

për  më të mirën!

 

 

PËRGJATË VALËS

 

Përgjatë valës së shpirtit lundron

Trazimi,

për të arritur në ndjenjën e kristaltë.

 

Mbi bardhësi shpërndarë,

çel lule blete,

me mjaltë të mbushë

kosheren e ëndrrës.

 

Pikat e vesës gjumë-harrese lanë

për të zgjuar

çdo gjë tënden,  mbetur aty

mbi valët e gjata

sa kohë e njohjes,

të rilindura mbi ditët e pashijuara.

 

 

RREZEN

 

.... e la të shuar  xixa e fundit

në ëndrrat e shiut,

sytë u ndezën dhe ndriçuan

të fshehtën.

 

U zgjua heshtja

me zë jete të urtësojë  çastin e  sertë.

 

Pëshpërimat platitën pajtimet,

në shpirtra harbimesh,

vështrimet e ngarkuara

kryqëzuan shije.

 

 

DËSHIRA E KTHIMIT

 

  gozhdën e pritjes rri varur

malli,

si  kalë  i hazdisur,

që këput  frerët  e hingëllimit.

 

Zëra  kthimesh në qiell...

Buzë agimit

digjet frika e natës së re.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx