E diele, 28.04.2024, 10:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Një lot vese...

E marte, 01.03.2011, 08:36 PM


Kristaq Turtulli

 

Fragment nga romani:

 

VETMIA E ZERAVE

 

Një lot vese...

 

Ata ecnin në radhe në monopatin e shtrembër, të ngushte. Në krahun e majte ngrihej mali thike, ndërsa në krahun e djathte dergjej humnera. 

 

              Ata, po shkonin drejt Lëmishtes, për tu takuar me njërin nga drejtuesit kryesore të partisë motër dhe ishin katër;Vili Tare, Zoran me pseudonimin Gjatoshi, Kojë Lati dhe Mentori. Moti ishte i lagësht dhe i ftohtë. Të katër nxitonin,në varg njeri pas tjetrit. Mentori ecte me plogështi, ai ishte nisur për rrugë kundër dëshirës, i ishte bindur urdhrit dhe pa futur gjë në gojë. Vili nuk u dha hollësi se ku do vinin dhe sa larg do të shkonin. Urdhrat dhe vendimet nuk diskutohen.

 

                 Kohët e fundit Kojë Lati dhe Vili Tare rinin shpesh herë bashkë dhe në shumë pika u bashkoheshin pishtarët e mendimeve; ëndërronin, filozofonin, pëlqenin femrat, pijen. Koja e mbështeste vazhdimisht  Vili Taren dhe të dyve u vlonte në gji zjarri i ambicies, për tu shkëputur nga turma dhe bërë dikush. Në biseda intime kokë më kokë kur avujt e alkoolit i endej mbi krye,pëshpëritnin thënien e vjetër:

 

            ‘Ambicia është energji por edhe vendosmëri. Prandaj është njerëzore të jesh i gatshëm për prestigj, mbasi nuk mjafton vetëm baresësh në një hap me turmën,të ushqehesh dhe të strehohesh. Ata vazhdonin të ngazëllyer: ‘Niveli i energjisë mund të jete gjenetik, hëm kuptohet por për këdo e rëndësishme është gjetja,elementi bazë për të çilen mund të bëhesh kërkues dhe këmbëngulës, largpamës.’

 

             Koja vazhdonte më tej:

 

             ‘I dashur mik është e pamundur të thuash që të gjitha këto vijnë nga ndryshimet në tru, të cilat të shtyjnë drejt qëllimit final. Apo për sjellje të mësuara gjatë jetës dhe që shkaktojnë dritën të ndizet në zonën lambike. Ajo mund të jete edhe bekim e parathënë qysh më parë. . .

 

          Zoran Gjatoshi nuk u tregoi emrin e personit të rëndësishëm që ata do takonin. Konspiracioni duhej të ish i domosdoshëm,në kohë lufte për të mbrojtur jetën e kuadrove të larta të partisë. Në takimin ndërpartiak Vili Tare ishte pale kryesore, i dytë vinte Kojë Lati. Mentori kryente detyrën e shoqëruesit të grupit. Zorani duke vështruar me bisht të syrit dhe me thjeshtësi acaruese përsëriste vazhdimisht: unë jam vetëm koordinues i veprimeve midis dy përfaqësive.

 

            Ata qenë nisur një ditë më parë. Në mesnatë mbërritën të lodhur në fshatin Gudun dhe qielli ishte pa yje. Varfëria e fshatit dukej qysh me  rrugicat përbaltura, shtëpitë e gërmuqura dhe qentë dhe macet e dobëta. Të zotët e shtëpisë u nxorën peshk të skuqur,të peshkuar në lumin e vogël Batar.. Vili me Zoran të preokupuar për detyrën që i priste u tërhoqën mënjanë. Kole Lati dukej i menduar dhe një damar në tëmth i lëvizte me vrull i flihej. Ndoqi me vështrim të picërruar shmangien e Vilit dhe të Zoranit, mbështeti kokën tek vatra dhe dremiti. Mentori vështroi i uritur peshkun,fytyra e ngërdheshur e fshatarit qëndronte një pëllëmbë larg tij. Fshiu duart mbas pantallonave dhe pa e beri të gjatë, iu përvesh gjithë gaz e dëshirë peshkut të skuqur të mbytur në najazmë. Fytyra e deformuar fshatarake i a acaronte nervat, i dukej sikur ia numëronte kafshatat. I ktheu shpinën dhe vazhdoi me zell asgjësimin e peshkut të mbytur me najazmë. Për dreq peshku i ra rëndë, u struk në qoshe dhe u mundua të flinte, nuk mundi zorrët i bënin zhurmë dhe potere të madhe.

 

            Në orën pesë të mëngjesit ata u ngritën, u veshën shpejt e shpejt dhe ngjeshën armët në brez. Vilit dhe Zoranit nuk u hapej gojë për të ngrënë, të dy qenë të mbytur nga mendimet. Përgjegjësia e takimit ishte me i vlefshme se një copë bukë. Tre orë gjumë ishin më të pranueshëm se peshku i skuqur.

 

         Ata hap rëndë eën drejt daljes, dyshemeja e kalbur kërciste. Në krye të shkallëve Zoran qëndroi, u shtriq, u ngrefos, rregulloi koburen në brez dhe shtriu xhaketën e zhubrosur. Vështroi me madhështi tre ndjekësit, kroi fytin dhe foli me zë të lartë:

 

           “ - Shokë, po ju jap një lajm të rëndësishëm dhe ta dini mirë, kjo ditë do hyjë në analet e historisë. Ne sot ju do takoheni me ideologun e shquar të partisë  Ratko Metine!’

 

        Mentori ndjeu dhembje të mprehta në bark. U mundua të përmbante veten. Balli iu mbulua nga djersët, gjendej vetëm disa metra larg shtëpisë, vrapoi drejt banjës që ishte pa derë, në cep të kopshtit dhe të rrethuar me llamarine të ndryshkur dhe të shkalafitur. Ai shtrëngohej, tendosej, mblidhej, shtypte barkun, aq sa e zunë të prera të forta në mes. Trupi iu shkund dhe iu duk sikur derdhi rrëke uji.

 

             “- E ke nga peshku, -  foli fshatari pa e prishur terezinë dhe pështyu bishtin e qullur të cigares së thurur me letër të trashë. Ai në gojë kish vetëm një dhemb të madh e të verdhë, që ngjante me shumë si një shtizë e ngulur  në mishra, -  nuk kisha tjetër çfarë t’ju nxirja.

 

          Fshatari u bërtiti dy fëmijëve të vegjël të cilët kacafyteshin me njëri tjetrin dhe përlyheshin me baltë.

 

          Mentori doli nga banja duke ngritur pantallonat, ndjehej i dërmuar. Ngriti  kokën dhe vështroi i përhumbur  fytyrën e parruar të dobët të fshatarit, si të kish përpara një qenie e çuditshme, ardhur nga një tjetër planet. Fshatari ngriti supet i hutuar dhe dhëmbi shtizë u mbulua nga buzët e zhubrosura. Mentori u mat ta pyeste sa të vjetër e kishe peshkun more njeri, që trupi po më bluhet si në mulli? S’mundi. E hëngri të flamë peshk me gjithë hala. Brodhi sytë përqark. Shokët nuk dukeshin askund.

 

            “ - Ndoqën shtegun e burimkeqit, - tha fshatari, - ne të gjithë hëngrëm të nga ai krap, me grua dhe fëmijë.

 

           Mentori s’i ktheu përgjigje, me siguri stomakun e kish delikat. Ngriti vetëm krahun, si për ta përshëndetur dhe ndoqi shtegun e burimkeqit, që i tregoi fshatari me dhembin si shtizë. Shtegu ish i ngushtë dhe i mbuluar nga ferrat dhe drizat, toka i lëvizje dhe ai nuk dinte ku të mbahej. Që larg dëgjoi zërat e lartë dhe të grindura të Kojë Latit dhe Vili Tares, si kurrë me parë. Ata haheshin mes tyre si dy këndesa. Mentori ngriti vetullat i habitur, Koje Lati mbahej në parti si mbështetës i vijës së mesme dhe përkrahësi kryesor i mendimeve të Vili Tares. Ai ish gjithashtu më ironiku dhe sarkastiku i grupit. Asnjëherë nuk i shtronte opinionet  përballë por i hidhte dhe i priste në erë. Qeshte nën vete kur dëgjonte të tjerët grindeshin dhe merrnin zjarr. Veshëngrehur qëndronte në pritje të fashitjes së zhurmës, pastaj lëshonte ndonjë fjalë bombë, që i çarmatoste të gjithë. Të gjithë besonin se ai nuk i merrte gjërat seriozisht, bile dhe futjen në parti e quante lodër të këndshme, pjesë e variacionit të jetës. Mentori vështroi i çuditur hundën e skuqur të Kojës.

 

             “ - Në menduam se ju, shoku Kojë Lati do të luani një rol të rëndësishëm në takim, - zëngjirur Vili Tare, - Së pari ti je njohës i shkëlqyer i gjuhës dhe së dyti, nëna juaj ka lidhje gjaku me shtetin e shokut tonë Zoran.

 

           “ - E pastaj!

 

           “ - Pastaj, hëm! Ti shoku Kolë je personi më i përshtatshëm për këtë mision të madh, - ia bëri Vili, - ç’ndreqin të hipi kështu!

 

            “ - Ju e dini mirë Vili, - grindej Koja.

 

            “ - Jo, nuk e di, - ia gërhiti Vili.

 

            “ - Trego arsyen, - ndërhyri Zoran, duke kruar me nervozizëm majën e kokës, - ti sigurisht e ke një arsye?

 

              “ - Sigurisht që kam një arsye. Është vetëvrasje takimi me Ratkon, -  këmbënguli Koja.

 

              “- Pa ta dëgjojmë këtë arsyen tënde, këtë vetëvrasje, -  folën të dy njëzëri.

 

        Koja vështroi një hop të dy me mëdyshje,cipa e holle e ironisë ishte e shuar. Ai ishte i shqetësuar. Me ngadalësi ktheu shikimin nga fytyra e zbehtë e Mentorit, si të merrte mendim prej tij. Mentori duart i mbante në fund të barkut, nuk kishte zë dhe sa fuqi të mbështeste Kojën.

 

              “ - Pa hë, - e nxitën ata.

 

               “- Ju shoku Zoran e dini mirë që unë kam kryer studimet në shtetin tuaj, - iu drejtua Koja, Zoran Gjatoshit.

 

               “ - Hëm e di, si nuk e di, - ia bëri Zoran.

 

               “ - Kështu, - tha Koja, fërkoi ballin dhe vazhdoi: - Ne studentet shqiptarë ishim të paktë ndaj kishim shumë mall për vendlindjen. E kishin bërë rregull. Në ditën e festes sonë kombëtare mblidheshim së bashku, përgatisnim të ëmbël dhe valëvisnim flamurin e madh, kuq e zi në ballkonin e shtëpisë ku banonim. Kuptohet kishim marrë lejë nga pronaret e shtëpisë, të cilët ishin njerëz të dashur dhe të respektuar. Ne dëshironim me gjithë shpirt që ai ballkon në ditën e madhe, të mbante erë mëmëdheu. Dëgjonim valëvitjen e lehte të flamurit mrekulloheshim, përloteshim. Në mesin e natës, përpara shtëpisë ku banonim mbiu Ratko Metine, së bashku me dy të tjerë, duke tërhequr zvarrë një shkallë të gjatë. Ai u ngjit këmba duar në flamur, e çori me thonj, e kafshoi me dhembë.

 

                “ - Pa shih, pa shih, -  ia bëri zë të ndryshuar Zoran.

 

               “ - Ju dikur më keni thënë që, ai ishte i dehur, -  thirri Vili Tare.

 

               “ - Pa shih, pa shih, -  përsëriti zë ngjirur Zoran.

 

               “ - E shtruat ju Vili si pyetje. Mos vallë ai ishte i dehur? - ia priti Koja,- Dhe unë tu përgjigja, i dehuri nuk ngjitet si pehlivan në një shkallë  katër metra të lartë.

 

        Zoran Gjatoshi vështroi egër nga të dy:

 

              “ - E dije ti, Vili?- pyeti ashpër, - e dije? Mos është sajesë e rëndomtë?!

 

               ‘-Jo, këmbënguli Kojë Lati me ton të rëndë.

 

       Vili Tare u ndodh ngushtë. Rrotulloi sytë hutueshëm. Zoran Gjatoshi u kapërdi me inat, shkrofëtiu dhe iu derdh Kojës gjithë helm e vrer.

 

               “ - Ngatërroni kohët me njerëzit. Atëherë pasionet ishin të doktrinuara nga të paformuarit dhe adoleshentët. Tani luftojmë së bashku, për një ideal dhe qellim.

 

               “- Mos doni të thoni nga mbarsje patologjike, - kundërshtoi pa mëdyshje Koja.

 

              “-Ju lutem shok, tregohu i matur, - u mundua ta përmbante me vështirësi veten Zoran Gjatoshi, - Ratko Metine është ideologu ynë dhe një nga krerët kryesore. Adoleshenca ndryshon kryekëput me pjekurinë e një burri. Ja unë për shembull, kur isha student, ia vura bast me një shok dhe qëndrova gjithë natën me një këmbë në majën e çatise, kur temperatura ishte minus pesë grade.

 

         Koja luajti kryet i pabindur dhe mbajti Mentorin nga rrëzimi. Duke e ndihmuar nga krahu e shoqëroi deri mbas një shkurreje.

 

            “- Kur ishte kështu, duhet të më kishit raportuar qysh më parë, - i pëshpëriti Zorani zë ulët Vilit.- Ju propozuat të na shoqëronte ky,dobiç, bir kurve. Ja ç’na doli tani. Është korkolepsje e pakonceptueshme. Duhet të rruhemi nga ndonjë broçkull e çmendur, pastaj të gjejmë vërë ku të futemi.

 

               “- Shoku Zoran unë kujtoja se...

 

              “ - Mos mi dridh vithet Vili Tare, - ia ktheu egër Zorani, goja e tij e çapëlyer dukej sikur të shqyente mish të gjallë.’

 

               Viti u drodh, shpinë  e ndjeu të ftohtë akull. Zorani vazhdoi me zë të ngjirur. 

 

            ‘- Ky skuth, shpif si dreqi. Ratko Metine është figurë e madhe. Ai nuk denjon të bëjë marrëzira të tilla bajate. Ky po tregohet i pafytyrë, arrogant, mendjemadh.

 

             “ - Arrogant, mendjemadh, - përsëriti pavetëdije Vili.

 

             “- Me siguri ka folur edhe me të tjerët ky,mendjefyell, - hungëriti Zorani.

 

             “- Nuk e di, - foli ultazi Vili dhe vështroi përreth: - Ndoshta dhe ka folur, s’e ve dorën në zjarr.

 

             “- Po, - ia priti Zorani dhe vazhdoi gjithë maraz: -  Shoku Vili, shoku Vili, nga na i gjete dhe prure këtë mostër, pusht të ndyrë, të paskrupull. Ti the që është dora jone?

 

              “ - Dora jone e dija, -  foli Vili me një fije zëri, fërkoi qafën e mpirë dhe mërmëriti: - Je i sigurt që Koja shpif?’

 

              Zorani i turfulloi me inat dhe u kthye me vrull nga tjetri:

 

              “ - Dyshon në fjalën e besnikut të idealit, -  iu hakërrua Zorani dhe shtoi: -  Shiko erdhi dhe ky tjetri. Hëm i mbushi ferrat me të dhjerra.

 

             “ - Është i sëmurë, - tha Vili.

 

              “ - Atëherë perse e solli kokën, -  hungëriti Zorani, le të qëndronte aty,të kalbej në ferre.

 

             “ - Ne fatmirësisht nuk hëngrëm peshk të prishur, ai hëngri, -  tha Vili.

 

              “- Si i pa parë...

 

             “ - Jo, ishte i pangrënë, -  ia bëri Vili. Ai u afrua pranë Mentorit, - hë, si ndjehesh?- e pyeti.

 

             “- Ashtu, -  murmuriti Mentori.

 

             “ - E dëgjove Kojën çfarë thoshte?- pyeti Vili, -  jam i sigurt, që Koja flet kot. Fare kot.

 

             “- Ndjehem i mugët, - foli zë ulët Mentori, - di veç një gjë që, Koja është më tepër miku yt se i imi. Ju keni fjetur së bashku në një baze dhe i keni hedhur krahun çdo çast njeri tjetrit. Unë s’mbaj mend të kem pirë ndonjë kafe me të.

 

              “- Mik preshi, - ia priti me inat Vili. - Ai kujton se koha mbetet njëlloj, si në “baba qemon”. Të hash të pish dhe të kruash dhëmbët. Më nxori trutë. Koja ka doza të dukshme mendjemadhësie, arrogance.

 

         Mentori donte ta kundërshtonte, t’i thoshte se Vili gabohej rëndë me Kojën. Ai ishte njeri i ndershëm, jo fort i shoqërueshëm me të gjithë, por kurrë mendjemadh dhe arrogant. Hapi gojën të fliste, ajri i ftohtë i hyri brenda dhe u derdh direkt në barkun e sëmurë. I filluan të therurat. Mbylli gojën. Zorani kishte shkuar pranë Kojes,i fliste me këmbë dhe me duar, këmbën e djathte e kishte vendosur mbi një gur të mprehtë, ngjante si shtatore e irnosur.

 

         Kishin edhe katër orë rrugë për të bërë. Mentori serish  vrapoi mbas ferrës, barku i shkonte ujë, me dhembje të thella dhe me të vjella. Çfarë peshku i shpifur ishte, si flame! Në kthim, ai ndeshi pemë thane. Këputi disa kokrra, i rrasi në gojë. U ul në bisht, krokërrinte barku. Atij nuk i interesonte, nuk dëgjonte asgjë.

 

       Përpara shtrihej lëndina e sheshte. Në krahun e djathte vazhdonte të thellohej përroi Burimkeqi. Pastaj fillonte shtegu i ngushte i nëpërkes,që të shpinte në rrëpirën e thellë dhe të rrezikshme. Koja dhe Zoran vazhdonin të grindeshin me fjalë. Trupi i gjatë i Zoran, ishte lakuar bërë drapër. Vili qëndronte dy metra më tej s’fliste ,hiqej sikur i interesonte më shumë sëmundja e Mentorit. Dy herë e çoi prapa ferrës dhe duroi me stoicizëm, zhurmën e padurueshme të jashtëqitjes së tjetrit.

 

            “- Ju shkoni, - vendosi me në fund Kojë Lati, - unë do kthehem. Ai shteg është vërtet i nepërkës. Do të bisedoj direkt me profesor Taqo Lekën. Gjithashtu me të gjithë shokët e tjerë. Në qofte se kam vepruar gabim, le të me gjykojnë dhe pa mëdyshje, do t’i nënshtrohem rregullit të partisë.

 

               “ - Unë e pajtova mendimin, - foli Zorani.

 

               “ - Sikundër dhe unë, - ia priti Koje Lati.

 

       Zoran Gjatoshi e zbuti zërin. I futi krahun Kojës miqësisht dhe hodhi një vështrim të egër nga Vili.

 

             “ - Duhet të bisedojmë së bashku me Taqo Lekën dhe me të gjithë shokët e tjerë, - nisi të fliste Zorani, ngadalë, shtruar,me sytë përtokë, duke e mbajtur me vështirësi nervozizmin. -  Unë e vlerësoj transparencën. Ju shoku Kojë keni pasur gjithmonë vlerësimin tim. Ju jeni ndër figurat kryesore, të besueshme. Sinqeriteti dhe besimi është motoja e ardhmërisë sonë. Ju lutem Kojë, për hir të qëllimit të madh, eja me ne. Eja ti a themi në sy Ratkos. Të reflektojë. Të premtoj, për idealin tonë të shenjtë, jam i një mendimi me ty shoku i mirë, Kojë Lati. Mbasi ka shumë njërës, që përpiqen t’i fshehin me qëllim ose pa qëllim gjurmët e së shkuarës, dëmtojnë aspiratën tonë. Në duhet të mjekojmë dhe të shërojmë plagët e vjetra, për të gjithë. Ne do të ndërtojmë një botë të re. Eja. Nëse beson në vërtetësinë e fjalëve të burrit, shkojmë dhe ja themi Ratkos në fytyrë, si komunistët, brom. Pa na u bërë syri terr. Ratko Metine, jam i sigurt që do reflektojë, pse jo nëse lipset të kërkojë dorëheqjen.

 

              “ - Brom, o posi, ti a themi në fytyrë, - përsëriti Vili Tare,- dorëheqjen o posi, pse jo.

 

          Koja vështroi të dy me dyshim. Ishte në dileme të madhe. Me gishta të përthyer fërkoi vrullshëm syrin e djathtë. Kur e tërhoqi dorën, syrin e kishte të

 

  skuqur.          

 

             “ - Mos nguro në je burrë, - e nxiti Zorani, - ju do demaskoni të pa demaskuarën. Ju, Kojë, do ndihmoni në shoshitjen e situatës.

 

             “ - Mirë është, të vish, - i foli Vili me mirëdashje: - Ne kemi dy ditë që ecim. Nuk është e ndershme të lesh mikun në mes të rrugës. Unë s’mund të marr vendime në kokën time. Nejse, ti e di.

 

             Vili Tare fytyrë përvuajtur u kthye nga Mentori, i cili qëndronte ulur në bisht, mbështetur mbas një peme, krejt i pafuqishëm, i shpërqendruar. Duart i mbante poshtë barkut, si të ishte grua me barrë.

 

            “ -Ti, Mentor, si e ke mendjen, ke fuqi të vish me ne?’- e pyeti.

 

            Mentori lëpiu buzët e përthara. S’foli. S’kishte besim në fuqitë e veta, i dridheshin këmbët. Barkun e kishte fërtele.

 

             “ - Përpiqu Mentor, eja me ne, - i foli Koja, me zë lutës, - bëj ç’është e mundur.

 

              “- Çdo bësh ti, Mentor, - ndërhyri Zorani me ton të grindur.

 

              “ - Bëj të mundurën Mentor, - tha Vili.

 

       Mentorin, kokrrat e thanave ia kishin fashitur disi jashtëqitjen e tmerrshme, por i kishin shkaktuar thartire të padurueshme. Shtegu i thiktë do ishte torturë për të. Vetëm ta shikoje të merreshin mëndtë, jo me të ecje,i bërë fërtele nga shtrydhja e rrëketë e ujërave të barkut. Do ta gozhdonin rrufetë qysh në lëvizjet e para. Prania e tij nuk luante ndonjë  rol kushedi çfarë në takim. Ata vetë i than, do ishte më shumë shoqërues dhe jo përfaqësuesi dhe firmuesi. Le ti zgjidhnin vetë punët, si t’u bëhej më mirë, me delegatin e rëndësishëm. Ndoshta do turpërohej, me bezdinë e padurueshme, duke u ngritur, e ndërprerë bisedimet e rëndësishme, me shpifjen e papritur të këputjes së barkut.

 

                “ - Për të zezën time e hëngra peshkun e shpifur, - foli zëulët  Mentori. -Rrëpira do më marrë shpirtin. Shokë më falni.’

 

               “ - Atëherë qëndro këtu, - ia ktheu Zorani me zë të thatë.- Sa të realizojmë takimin do kthehemi. Mirë?’

 

               “ - Mirë.’

 

               “ - Dale, të hedh krahëve pelerinën time,-i tha Vili. Ai e hoqi me shpejtësi dhe e porosit: - Kujdes mos të mbërtheje gjumi.’

 

               “ - Jo,jo,jo,’ - kundërshtoi Mentori.

 

                Vili e mbuloi me pelerine, dhe i fërkoi shpatullat miqësisht.

 

               Zorani me thembrën e këpucës shkelte gjithë padurim, tokën e lagësht.

 

               “ - Nisemi,’- foli me zë të rëndë dhe i hodhi Kojës një buzëqeshje të akullt. U kthye ngadalë nga Vili dhe ia bëri me kokë, në mënyrë urdhëruese, ndërsa nga Mentori nuk mori mundimin të hidhte sytë.

 

             Vili luajti kryet në shenjë pohimi dhe lëvizi i fundit. Vështroi me merak dhe pendesë, gati me alarm nga Mentori. I fërkoi përsëri shpatullat, por këtë herë duardridhur. Krahët e tij qëndruan një hop të ngrira, pastaj drejtoi trupin, përshëndeti dhe ktheu bërrylin.

 

          Maja e malit të mbështillte me hije dhe ftohtësi. Pema e thanës ku kishte qëndruar Mentori fëshfërinte lehtë. Ai vazhdonte të qëndronte në bisht,si për të ndaluar prerjet tërthore, të papërballueshme të barkut. Sjellja e tij e paparashikuarpër shkak të helmimit të krapit ishte një minus, përshtypje e keqe, ndaj misionit të madh, me përgjegjësi partie dhe kombi. Askush nuk merakoset për sëmundjen, kur të është besuar një detyrë e shenjtë. Në luftë njeriu duhet ta paramendojë dhe ta parashikoje hapin kur hedh. Phu! Ku dreqin shkoi dhe llupi peshkun e qelbur, më mirë të ish përdridhur prej urisë sesa tani prej dhjerjes skandaloze. Në fillim iu duk sikur kishte pak erë, por fshatari e kish mbytur me erëza. Ndjeu erën e ftohtë që i vinte nga poshtë, dhe e cimbiste me inat, u drodh, kapi cepat e pelerinës dhe i futi brenda vetes. Sidoqoftë,Vilit kot i mërzitej prej ndonjë besdije dhe vështrimi gjurmuës si ditë me thëllim. Ai i bëri punë me pelerinën të përgatitur enkas për të bllokuar erërat e ftohta të maleve, do ishte tharë, plevitosur.

 

          Mentori dikur nuk pranonte të hante në shtëpitë e botës. Pangrënia e parë e fundosi në sytë e të tjerëve. Fërkoi shpinën mbas trungut të lëmuar të thanës, si të gjente vend të përshtatshëm për të dremitur. Vari kokën mbi gjoks dhe qëndroi ashtu një copë herë, symbyllur. Këmbët i ishin mpirë, bërë si trungje. Pa u shkëputur prej trungut të thanës, filloi të ngrihej, ngadalë. Mijëra gjilpëra nguleshin dhe shkuleshin, në trupin e tij. Fërkoi sytë, iu krijua përshtypja sikur kishin filluar ti zinin perde. Toka ulej dhe ngrihej, si të merrte frymë. Për një çast mendoi për vdekjen. Po sikur të ngrinte, në këmbë,të ngurtësohej, i mbështetur mbas pemës. Vetëm.Të bëhej shtatore. Ndoshta duhej të kish shkuar me shokët. Sepse nderi dhe detyra ishte atje. Ata do ta mbanin për krahu, nuk do ta lejonin të rrëzohej. Pendesa e mos shkuarjes, e turbulloi dhe ia pushtoi gjithë mendjen. Tani edhe sikur t’u thërriste ata nuk do ta dëgjonin, duhej kishin shkuar shumë larg.

 

         Fshiu sytë dhe kthjelloi shikimin, vështroi përreth. Faqja e shkëmbit lartohej mbi shtegun e përroit. Por më e rëndësishme ish se përkëdhelej paksa prej rrezeve të zbehta të diellit. Duhej të lëvizte ashtu i mbështjellë me pelerine. Era i hynte tinëzisht  dhe kafshonte si nepërke. Mentori mbushi xhepat me thana, duke u përpjekur, të përzgjidhte, ato që ishin më të kuqe. Duke i lëkundur si i dehur filloi të capitej. Eci disa hapa, gati i çapëlyer. Pati serish përshtypjen sikur i vinte për të dalë jashtë. E mbërtheu frika. Gjatë jashtëqitjes digjej dhe përvëlohej i tëri, si të kishte zjarr dhe hidra nën vete. Zorrët po i bënin kryengritje të papërmbajtur, zhurmonin përplaseshin, bërtisnin, duke goditur trupin e drobitur si me shkopinj. Ai përpiqej të duronte me vendosmëri. Këtë herë do ta sfidonte  barkun, do shuante revoltën, do të përbuzte, klithmat, poteret, goditjet. U shtriq, sfida e zorrëve sikur e ndjeu rezistencën e Mentorit, u tërhoq e mundur. Trupi i tij në disa sekonda ra në qetësi. Dhe ai përnjëherësh mendoi, sa e rëndësishme dhe e mrekullueshme është të mos kesh dhembje.

 

          Mentori nxori një thane nga xhepi, ngeshëm, lëvizi krahun për të afruar drejt gojës. Pikërisht në besimin e patundur të qetësisë dhe të fitores së jashtëzakonshme,sfidës mbi zorrët,Mentori u përdrodh si të ishte futur në elektroshok. Ujërat kërkonin të dilnin jashtë, ndaj kishte rrezik t’i shpërthenin barkun. Këputi kopsën e pantallonave, nga nxitimi dhe padurimi për t’i ulur. U mundua të lirohej. Zorrët e barkut ulërinin, krakëllinin, gërgerrinin. Qëndroi një copë herë, zbuluar, zorrët kishin pabesinë e Jagos. Të priste. Mirë ishte të kish një copë bukë të thatë, do ti fashiteshin ujërat e barkut, të përmbytura nga acidet. Kosi do ishte shumë më mirë, mbase edhe kafeja e zezë, pa sheqer. Kur ishte i vogël prindërit i jepnin të pinte, rigon të zierë, me pak sheqer, kur kishte  heqje të lehtë barku. Ku ti gjente të gjitha në këtë skaj të largët.

 

         E ftohta e mbërthyeu si me darë, barkun e ndjeu akull. Ngriti pantallonat me nxitim. Gjunjët i kish të mpira. U ngrit më këmbë me vështirësi, si plak i mykët. Sigurisht që do kish kryer një punë të paqme po të kish shkuar me shokët. Shtrëngoi pelerinën,që i dhuroi miqësisht Vili, por në të njëjtën kohë ndjeu një lagështirë të ndyrë në kofshë. Vështroi i trembur. Thanat ishin shtypur, duke përlyer keqas. I erdhi për të vjelle. U përpoq të fshihej, me ç’të mundte. Me gjethe, bar dhe me cepin e brendshëm të xhaketës. Ktheu xhepat e pantallonave mbraps. Flaku tutje lëkurëzat, bërthamat e thanave, së bashku me zgjyrën e xhepave.

 

            I dukej sikur po ç’burrërohej, po bëhej fëmijë. Me siguri të tjerët do qeshnin me të, me neveritjen e barkut dhe përlyerjen e thanave. Të gjente një pellgore me ujë,  të pastrohej. Shyqyr që ishte vetëm. Jo, më mirë të kish shkuar me shokët. Ata nuk do ta linin të katandisej në këtë gjëndje. Nuk ka më të tmerrshme se vetmia, sidomos kur je i sëmurë. Malet të shtypin, eërërat të merrin frymën, në sëmundje dhe në vetmi.

 

         Lagështia  i shkaktoi të dridhura të forta.

 

         Iu duk sikur dëgjoi oshtimë, që u ngrit në thelli, dhe u përplas mbas faqeve të maleve. Zhurma vinte e mbytur gjithë rrokopujë, si të rrëzoheshin, të rrokulliseshin njeri pas tjetrit gurë. Nuk ishte thjesht oshtimë, por më shumë krismë armë e shndërruar në shungullimë.

 

        Mentori harroi neverinë, dhembjet e forta të barkut, gjithashtu dhe lagështirën ngjitëse, shkaktuar prej thanave. U zvarrit në faqen e shkëmbit, që  puthej dridhshëm prej rrezeve të diellit dhe që ngrihej mbi rrëpirë si trampolinë. Me pështymën e tij pastroi mjegullimin e syve. U përpoq të shquante tutje. Dalloi diçka, si trup njeriu, që përpiqej të ngrihej duke u lëkundur. Më pas trupi humbi mes shkëmbinjve. Mentori ndjeu t’i mbahej fryma. Rrezet e zbehta të diellit i shkaktuan djegie të forta ndër sy, si dhe etje të padurueshme. U kujtua si nëpër mjegull, që i kish nxjerrë të gjitha lëngjet e barkut, ishte bërë si peshk i thatë. Vetëm një bulëz uji kërkonte, të lagte buzët. Një lot vese.

 

       Të ish vërtet krismë: Të ishin përplasur shokët me ndonjë patrulle armike? Aty nuk kalon dhia, jo patrulla! Nepërka po.

 

        Vallë ish e nevojshme të shkrehej vetëm një plumb? Kapakët e syve i rendonin. Trupi i tërhiqej i gjithi, sikur dikush ta kish mbërthyer për krahësh dhe këmbësh. Ishte oshtimë apo krismë?! Dielli e qëllonte me rreze. Do bënte mirë të flinte një copë herë. Me mirë goditja e diellore se sa ngrirja. Kush mund të gjendej aty rrotull ti lagte buzët e përthara. Nga u gjend krisma! S’mund të ishte krismë. Ai po fundosej në lagështirën e ndyrë të thanave. Dielli, nuk lëpinte më shkëmbin, e përcëllonte. Bërthamat e thanave, ishin kthyer në guralecë të vegjël thikarë, i dërmonin trupin,i shkaktonin plagë,gjakosje; në shpine, në krahë,duar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora