E enjte, 24.07.2025, 10:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Vjersha për fëmijë nga Janaq Pani

E marte, 01.03.2011, 08:12 PM


Janaq Pani, Toronto

 

 

KAM NJË NIP E KAM NJË

          MBESË

 

Kam një nip e kam një mbesë

më të bukur nuk i gjen,

gjyshi për ta mund të vdesë

dhe ta dini keq s'i vjen.

 

Nuk tregohet dot me fjalë,

kur qesh mbesa e qesh nipi

gjyshi, hop, na bëhet djalë

lart në pemë mund të hypi.

 

Dhe ta dini vogëlushë

po iu them dhe një sekret,

se kur mbesën puth në gushë

zvogëlohem dhjetë vjet.

 

Dhe ta dini përngahera,

dashuria nuk ka cak,

nipi, dhjetë vjet të tjera

kur më puth m'i ul tak-fak.

 

Dhe kur bëjnë ndonjë faj,

s'ka njeri që s'bën gabime,

pse jam gjysh inat nuk mbaj,

japim - marrim me vështrime.

 

Japim - marrim me vështrime

pastaj, hop, buza në gaz,

ja, dhe lumturia ime

zbret nga qielli në çast.

 

  

KËTË UNË E DI

 

Këtë unë e di

mësoje dhe ti.

 

Ndriçimit të ditës

nata ia ze vendin

e ndodh ndonjë ëndërr

fëmijët t'i trembi.

 

Për fundin e botës

u fol shumë herë,

po dielli shkëlqimin

s'e ndal asnjëherë.

 

Dritë e ftohtë e hënës

ndoshta s'ka shumë vlerë,

ndodh yjet këputen

po hëna s'do bjerë.

 

Këto unë i di

mësoji dhe ti,

mos trembesh në gjumë,

kyj besim te unë.

 

 

I KËRCEVA FLUTURËS NË

         SHPINË

 

I kërceva fluturës në shpinë

ajo më pranoi,

te lulet e çelura plot brymë

pastaj fluturoi.

 

U ulëm ku mund gjithandej

mbi petalet aeroporte,

sa në shpirt nisa të ndjej

gëzimin si nektar në gotë.

 

Buzëqeshte në paqe gjithçka

e puthur nga fllade frymëzimi,

një rreze drite te shtrati kur ra

ma prishi ëndërrimin.

 

   

KUR JAM ME GRIP

 

Qepallat rëndojnë

sytë më lotojnë,

hundët ikin vuuu

e teshtij

aaap - shuuuu!

 

Brenda gjoksit thellë

teshtima rri mbjellë,

kolla ghu-ghu-ghuuu

po më vjen në grykë

e s'do që të ikë,

veç teshtij

aaap - shuuuu!

 

Dhimbja i lexohet

vëllaçkos në sy,

mami më afrohet

sjell peshqir të ri,

të më fshijë djersën

që si lumë shket,

babi e mban veten

më thotë:"Shëndet!"

sa herë teshtij

aaap...aaap-shuuu!

 

E kini provuar

o miq edhe ju

të hiqni kështu?

 

 

PËR DHELPRËN DHE

     LANGOJTË

 

Dhelpra është e lumtur,

në pyetët mua,

kur në pyll s'e ndjek

pas asnjë langua.

 

Po langojtë ndihen

langoj të vërtetë

kur nga pas i vihen

dhelpërës e shkretë.

 

Kur dhelpra ia del

t'u dredhojë me hile,

e lavdëron veten:

"Jam dy herë skile.

 

Dy herë m'e zgjuar

se të gjithë langojtë,

kur u ke shpëtuar

t'u ikësh nga thonjtë.

 

Përditë shohin ëndërra

langojtë në fshat,

kush dhelprën do kapë

do të jetë me fat.

 

 

VARGJE PËR NIPIN

 

Nipi im Ardiani

kokë e këmbë

nga geni Pani.

Mamin lodh

e babin lodh

sa t'i shkojë e tija mbroth.

 

Ta them fjalën pa kapakë,

as më shumë

e as më pak,

dhe për gjyshen

dhe për gjyshin

Adriani sot merr hakë.

 

E rrëfej

s'e mbaj sekret,

ja kështu dhe babi i vet,

ne dimë

ditë për ditë

ç'kemi hequr për ta rritë.

Si i vogël bëri ç'mundi

na kërreu dhe vajin e nunit...

 

Ndaj im bir

në syrin tim

ëmbëlsirën Adrianin

ta qortojë s'merr guxim

sepse ndryshe

unë bëj namin.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx