E diele, 28.04.2024, 12:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: E ardhmja dhe qetësia shpirtërore ndodhen në rrugën “Ngjyrat e mendimit”

E marte, 01.03.2011, 08:57 PM


E ardhmja dhe qetësia shpirtërore ndodhen në rrugën “Ngjyrat e mendimit”

Nga Kujtim Mateli

Poeti dhe studiuesi Mihal Gjergji doli këto muajt e fundit para lexuesit me librin e ri  “Ngjyrat e mendimit” ku vlerëson disa nga figurat më të njohura shqiptare në fushën e artit dhe të shkencës, të cilët  zenë vend në faqet e këtij libri si gurët e çmuar në një mozaik të moçëm.

“Realitete shqiptare në dritën e filozofisë” e ka emërtuar shkrimin e tij meditativ për njërin nga figurat më të shquara të kombit tonë, për Prof. Isuf Luzaj. 
Autori analizon mjedisin shoqëror në të cilin jetojmë nën dritën e kësaj filozofie, mundohet të meditojë mbi këto thënie dhe të shohë realitetin shqiptar, i hidhur apo i këndshëm qoftë ai në të gjitha aspektet që shfaqet, duke dhënë gjykime konkrete dhe origjinale që mbajnë vulën e mendimit dhe të gjykimit të poetit dhe studiuesit Mihal Gjergji.

“Le t`i referohemi mendimtarit tonë të shquar,Isuf Luzaj. Ai analizon parimin: “Përtej së mirës dhe së ligës”. S`e përmenda për paralelizëm, por për të analizuar realitetete shqiptare në dritën e filozofisë.” Në përpjekjet mes këtyre dy koncepteve është zhvilluar e tërë drama e… qytetërimeve që njohim deri më sot…këto dy koncepte kanë farkëtuar e modeluar historinë e njerëzimit”. E  mira të imponon harmonizimin e vlerave, shijen e jetës dhe paqen e shpirtit. Po çfarë mirësie do të gjejnë politikanët tanë përtej së majtës dhe përtej së djathtës? E mira u mishërua në kategorinë e njerëzve të virtytshëm si Nënë Tereza. Mund të shpresojmë midis politikanëve tanë të ketë njerëz të tillë që s`i kemi njohur ende”?  Mihal Gjergji, Ngjyrat e mendimit, Tiranë 2010, fq. 24.

Politikanët janë larguar shumë nga kategoria e njerëzve të virtytshëm, nga kategoria e njerëzve të mirë. Të shënjestrojnë, po u preke interesat në çifligun e tyre që quhet Shqipëri. Nuk e kanë për gjë të shesin një shtrat lumi a një pjesë lugine sikur ta kishin pronë personale.  Të gjitha i bëjnë…, vetëm të mos u preken interesat e tyre apo dhe të grupit të vogël që përfaqësojnë. Këta politikanë nuk janë më pjesë e së mirës, ata janë bërë pjesë e së keqes. Këto mendon teksa lexon këtë libër.

“ Kush  guxoi të nxjerrë në tregjet e botës trupin e drobitur të atdheut, kufirin detar apo troje brenda vendit t`i zhndërojë në kisha, manastire apo varreza për fqinjët tanë jugorë ( si piketa të një konflikti të ardhshëm fetar, të papranueshëm e të panjohur deri tani për vendin tonë)”? Mihal Gjergji, Ngjyrat e mendimit, fq. 26.

***
Politikanët tanë nuk u bënë dot pjesë e së Mirës, nuk u lartësuan dot që të arrinin deri aty sa t`u afroheshin kufijve të Mirësisë, një pjesë sa kanë dalë apo mundohen të dalin nga kufijtë e së ligës, të tjerët vazhdojnë të jenë pjesë e saj.  Lufta politike që ata bëjnë midis tyre të kujton  primitivitetin, të kujton luftën midis Zeusit dhe Poseidonit (dy perëndive të para pellazge) këtu e tre mijë vjet më parë. Luftojnë për krenari dhe fodullëk. 
Zeusi : “ Shko Iridë e shpejtë e lajmëro Poseidonin,
siç po t`urdhëroj,... 
Ai të heqë dorë nga lufta dhe beteja,
...E po qe se mbahet 
baras me mua, zemra ime s`tundet,
Poseidoni: “ He! Mendjemadhi! Qenka më i fuqishëm
e me pahir të ma ulë pahun reket,
mua që më përket baras si atij nderimi”. Homeri, Iliada, fq 333.
*****
Po nëse ata stërgjyshërit tanë Zeus e Poseidon, nipërit e tyre i quajtën perëndi sipas parimit: i vjetri vetëm nderohet, këtë nuk do ta gëzojnë dot Zeusat e Poseidonat e kohëve moderne. Për ta historia ka rezervuar tjetër fat. 
“ Burrin e shquar të shtetit grek, Perikliun (499-429 para. Krishtit), ndërsa ishte duke vdekur e pyetën se përse ishte aq krenar në jetën e tij. Dhe oratori olimpik u përgjigj: “Për shkakun tim asnjë në Athinë s`ka mbajtur zi”.  Kur Perikliu vdiq, e gjithë Athina mbajti zi për të. Simbolika është e qartë. Shikoni ndryshimin mes burrave të përkushtuar për kombet të cilave u përkasin, bëni dhe një krahasim me drejtuesit tanë të vegjël”. Mihal Gjergji, Ngjyrat e mendimit, fq. 25.
II

Përtej së mirës  dhe përtej së ligës qëndrojnë poeti, filozofi, shenjtori dhe profeti,- thotë filozofi ynë Isuf Luzaj.
Dhe ka të drejtë. Poetët drithërohen kur shohin se diçka nuk shkon mirë, por ç`të bëjnë? Poeti vuan, ngaqë nuk ka gjë në dorë, kur sheh politikanin kusar që vjedh, dhunon, tjetërson atë që është e përbashkët, kur sheh që i bëhen popullit një mijë të këqia, por ndihet i pafuqishëm për të ndërhyrë drejtpërdrejt, megjithëse nuk rri duarkryq. Ka vetëm fjalën dhe atë e ka të ashpër kur i duhet. 
Kjo strofë e Dritëro Agollit e tregon mjaft qartë këtë ndeshje midis së ligës nga njera anë dhe poetit, filozofit, shenjtorit dhe profetit nga ana tjetër.
“Ah, s`mbetet bota krejt pa shikas,
e ndrydhin botën me pahir
dhe vrasin bardët dhe poetët,
vëlla i dashur Xhevahir”.
****
Poetët me vargjet e tyre i kënduan dhimbjes së popullit të vet, por u ndien të trishtuar se nuk mundën të bënin më shumë për të, në zgjidhjen konkrete të halleve të tij. Poeti i jep vdekjes përmasa universale për t`ia bërë më të lehtë ikjen njeriut. Vdekja vjen natyrshëm si një riciklim i jetës njerëzore. 
Arben Duka:
 ”Në deje gjaku më ka ngrirë,
Qiriri në të fiku,
Tani si hëna në të gdhirë, 
Jam gati në të ikur”.

Ashtu si hëna që në agim shënon fundin e një nate edhe vdekja e njeriut shënon fundin e një segmenti të një jete njerëzore.  Po hëna rikthehet përsëri, veçse për të përcjellë të tjera jetë njerëzore. Kështu në vijimësi  dhe pambarim. 
Duke lexuar vargjet e Arben Dukës, njeriu, në këtë proces lamtumire, nuk ndihet aq i trishtuar. I duket sikur po largohet bashkë me hënën dhe do të rikthehet përsëri bashkë me të. Nuk ikën aq kollaj njeriu nga kjo botë. Çastet e hidhura që mund të ketë patur, treten para këtij momenti të ndarjes së përjetshme. E nesërmja do të vijë si përherë: e bukur, e mirë. Veçse ai nuk do të jetë më.  Ikin njerëz e breza, po jeta mbetet përherë si blerimi. Mekanizmi që siguron ekzistencën e jetës mbi tokë e sjell njeriun këtu përkohësisht për ta marrë përsëri, duke vazhduar kështu në një proces të pambarimtë.
****
Pëtej së mirës dhe së ligës do të gjesh poetët, filozofët, shenjtorët dhe profetët e tjerë që gjejnë pasqyrim në këtë libër, pikturuar e skalitur me kujdes nga mjeshtri Mihal Gjergji. Zë kryet e vendit një nga figurat e shquara të letërsisë dhe mendimit shqiptar, Rexhep Qosja, krahas mjaft figurave të tjera që i rrinë në krah dhe e pasurojnë mozaikun e mendimit. Aty do të gjesh Xhevahir Spahiun dhe Agim Shehun, Petraq Riston dhe Nuri Dragojn, Koçi Petritin dhe Moikom Zeqon, do të gjesh Irakli Koçollarin, Gëzim Vodën dhe shumë të tjerë ku lexuesi do të ndjehet i ledhatur dhe i përkëdheluar nga fjala e tyre, por do të ndihet i përtërirë dhe i freskët nga mendimet e filozofëve, shenjtorëve dhe profetëve që mbushin faqet e këtij libri. 
III
Mihal Gjergji ka bërë të vetën një nga temat më të diskutuara këto kohët e fundit, marrëdhëniet midis vendeve dhe raportet mes tyre. Si sfond i ka shërbyer libri i Nuri Dragoit “ Shqiptarët dhe grekët” për të shprehuar edhe ai mendimin e tij në këto çështje të ndërlikuara. 
“ Fatin e popujve të vegjël e kanë përcaktuar interesat e vendeve të mëdha. Pushtuesit kanë zëvendësuar njeri-tjetrin, ndërsa popujt, të lodhur nga lufta, kanë ëndërruar paqen e munguar me fqinjët natyrorë dhe me të tjerët matanë deteve. Kështu është dhe historia e popullit tonë dhe marrëdhëniet e tij me fqinjin verior, sërbin dhe me fqinjin jugor, grekun”. Mihal Gjergji, Ngjyrat e mendimit,fq. 86.
Autori, ashtu si dhe Rilindasit tanë, kërkon fqinjësi të mirë dhe miqësi midis popujve, por jo përulje e nënshtrim, ndaj të cilit revoltohet dhe ngre fuqishëm zërin e tij. Nuk mund të durojë kur në mënyrë cinike shfaqen ndienjat e një shovinizmi ekstrem, që kërkon përuljen dhe nënshtrimin ndaj më të mëdhenjve, shoqëruar edhe me humbje të pjesëshme të sovranitetit. 
“ Shovinizmi ballkanik është gati i hipotekuar dhe pronësia e tij njeh si zotër grekët dhe serbët. Vetëm dhimbja mbetet përherë shqiptare”. 
… Ofensiva e helenizimit të trojeve shqiptare, asnjëherë s`i ka ndalur ritmet, duke ecur kështu mbi shinat paralele: Kisha dhe shkolla greke kudo, duke i përdorur pastaj si prova autentike të besimit dhe kombësisë”. Mihal Gjergji, Ngjyrat e mendimit, fq. 87, 89.

Jehona e kësaj këmbane që i bie autori, si duket nuk arrin deri në majat e shtetit dhe pushtetit shqiptar. Duhen deklarimet e konsullit grek të Korçës,  për të dalë nga përgjumja vetëm një pjesë e shtetit, pjesa tjetër nuk dihet pse tulatet pra një shovinizmi të tillë. 
Mihal Gjergji duke na sjellë në kujtesë këtë libër të mrekullueshëm të Nuri Dragojt “Shqiptarët dhe grekët” na kujton se shovinizmi i vendit fqinj është po ai që ishte edhe më parë kur, për të fshirë nga kujtesa ndërgjegjen kombëtare të popullit tonë, djeg një nga burimet më të pasura arkivore të Prefekturës së Ilirikut, atë të Manastirit.
Autori i vëllimit “Ngjyrat e kujtesës” kërkon që këto të vërteta  të hidhura që jepen tek libri “ Shqiptarët dhe grekët“ i Nuri Dragojt, të mos fshihen. Aty nuk ka asnjë thirrje shoviniste; përkundrazi, libri është i mbushur tej e tej me dashurinë që popujt kanë për njeri-tjetrin; aty  tregohet se vetëm fryma e miqësisë do ta mposht shovinizmin që ngjitet deri në instancat shtetërore. 
Shovinizmi nuk është tipar i më të voglit. Shqipëria asnjëherë nuk i ka ngacmuar fqinjët. Përkundrazi, janë ata që shpopulluan një krahinë të tërë siç është Çamëria, janë ata që kryen masakrat në jug të Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë, duke vrarë mijëra njerëz si në Korçë, Ersekë, Përmet, Tepelenë dhe kudo ku mundën, dogjën dhe shkretuan fshatra të tëra dhe hiqen sikur nuk ka ndodhur asgjë, asnjë pendesë nuk është shprehur për të gjitha këto. Si vend i Bashkimit  Europian, Greqia duhet të kërkojë falje për genocidin ndaj shqiptarëve. Është e pafalshme, që një vend si Greqia vazhdon presionet ndaj Shqipërisë, me preteksin se na paska në dorë të ardhmen në këtë bashkësi europiane. 
Përse e ardhmja e Shqipërisë duhet të kalojë nëpër rrugën e ferrit për të mbritur në parajsën europiane? Emigrantët shqiptarë në Greqi kanë frikë të përmendin emrin që kanë patur.
Janë pak, fare pak ata që nuk i tremben një shantazhi të tillë. Po jetojnë jashtë atdheut dhe ndihen të pambrojtur. I pambrojturi e kërkon një strehëz dhe strehëza është ndërrimi i emrit dhe i kombësisë.  Në biseda shtrohet pyetja se a është në dijeni Bashkimi Europian për këto. Detyrimisht që është.  Po para se të flasë Europa, le t`i thonë me zë të lartë shqiptarët dhe le t`i mësojnë edhe ata që ndodhen larg atdheut të tyre.  
“ Le t`i mësojnë këto të vërteta të hidhura edhe nxënësit shqiptarë (të cilët janë më shumë se 200 mijë) jashtë atdheut që, për fat të keq, gjuhën e nënës e mësojnë si gjuhë të dytë, në mos e kanë braktisur fare, nën presionin e vendit “mikpritës” apo të detyruar nga kushtet. Fëmijët tanë duhet të falin, por s`duhet të harrojnë” . Mihal Gjergji, Ngjyrat e mendimit, fq. 91.

Duke folur për rëndësinë e këtij libri të Nuri Dragojt “ Shqiptarët dhe grekët” autori shprehet me konsideratën më të lartë për vlerat që mbart ky libër në edukimin me dashurinë për atdheun, por edhe në planin akademik, i cili sjell për lexuesin shqiptar, por edhe për shkencën e historisë një material të bollshëm për të bërë analiza të hollësishme dhe për të arritur në konkulzione të drejta për shumë fenomene të reja dhe të vjetra që kanë shoqëruar marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe atij grek.
“ Shqiptarët dhe grekët” i studiuesit dhe plubicistit Nuri Dragoj, për nga shumllojshmëria e informacionit është një Enciklopedi, si i tillë, duhet të qëndrojë në tavolinën e ministrit, për të patur njohuri sa më të plota e për t`u orientuar drejt në kontaktet që ka me homologët e tij; mund ta marrë në dorë deputeti e të ndriçohet kur ka përpara çështje që kanë të bëjnë midis dy vendeve tona dhe të mos ngrejë përpjetë kartonat që më vonë do t`i sjellin kobe kombit; mund të bëhet pronë e lexuesit shqiptar dhe atij grek për të parë më mirë të sotmen dhe të ardhmen dhe frymën miqësore që shpërndahet në rreshtat e këtij libri. 
IV
Është mjaft interesante analiza që i bën Mihal Gjergji librit të studiuesit Ilir Cenollari “Profecitë e Zotit të Tomorit”, i cili evokon një nga periudhat më të largëta historike të popullit tonë, atë të pellazgëve dhe ilirëve, të cilët patën në trojet e tyre një nga hieroret më të moçme të njerëzimit, atë të Dodonës.
Poeti dhe studiuesi Mihal Gjergji, duke depërtuar në analizat e hollësishme që bëhen në librin “ Profecitë e Zotit të Tomorit” me të drejtë pyet: 
“Cila është e vërteta për shenjtërinë e këtij mali? Cila është lidhja mes Tomorit, Zeusit dhe Dodonës”?
Mbështetur në dëshminë e parë për Dodonën, në dëshminë e Homerit, që Zeusi është i pandashëm nga Dodona: “
O Zeus, mbret dodonas e pellazgjik, që banon larg,
që kujdesesh për Dodonën dimërkeqe, ku përreth janë selët”, i ka detyruar mjaft autorë, midis tyre edhe dijetarin e madh Sami Frashëri, që Dodonën ta kërkojë jo në në rrethinat e Janinës ku e cakton Karapano, por në veri të Epirit, atje ku ka edhe një mal me emrin Tomor. 
“Dodona ka qenë një qytet në Epirin e vjetër, d.m.th. në vilajetin e Janinës, i çquar me tempullin e pashëm dedikuar adhurimit të Jupiterit, Atit të hyjnive. 
Vendi i këtij qyteti dhe tempulli akoma nuk është diktuar si duhet. Z. Karapano prej Arte, prezanton se, pas disa gërmimeve dhe vjetërsinave arkeologjike të zbuluara ndërmjet Janinës dhe Artës, Dodona duhet të jetë atje e për këtë ka botuar edhe disa broshura; por ky vend nuk pajton me karakteristikat që na njoftojnë Omiri dhe historianët e poetët e tjerë të lashtë. Omiri e karakterizon Dodonën me frazat: "shumë në veri". "tepër e ftohtë dhe me borë". dhe "shumë e lartë". Mirëpo gërmadhat që ka zbuluar Z. Karapano janë në një fushë të ulët ku s`bie kurrë borë". .....
Atëhere Dodona duhet kërkuar në tjetër vend. Afër qytetit të Beratit, kah ana veriore e Vilajetit të Janinës, ka një mal të lartë e të vetmuar dhe të njohur me emrin Tomor, i cili konsiderohet i shenjtë”. Sami Frashëri,  Enciklopedia, vëll. III, faqe 2172.

Mbështetur mbi këtë konstatim të dijetarit të madh Sami Frashëri, një tjetër dijetar, Perikli Ikonomi, i cakton vendet rrotull malit të shenjtë të Tomorit si njerin nga vendit ku mund të ketë qenë Dodona pellazgjike, duke e argumentuar këtë me dëshmitë e autorëve të vjetër.
 Shënimet historike të Herodotit, Hesiodit, Plinit, Pindarit, Plutarkut, Dionisit Perigjitiut, Athanas Stargjiritit, Eustathit, dhe shënimet gjeografike të Strabonit, Skymnos, Hiosit, të Meletiut e Barthelemit e largojnë natyrshëm Dodonën nga Janina dhe e sjellin vetiu në veri të Toskërisë”. Perikli Ikonomi, Tomorri dhe Dodona pellazgjike, Tiranë 2008, fq. 7.

Mbështetur në këto dëshmi të autorëve të vjetër, por edhe të Sami Frashërit dhe Perikli Ikonomit, që ishin të  bindur se Dodona nuk ndodhet në fushë të Janinës, e ka nisur kërkimin e tij Ilir Cenollari, i cili u shton autorëve të mëparshëm dëshmi të reja që argumentojnë qënien e Dodonës në veri të Epirit, në hapësirat rreth malit Tomar. 
***
“Sipas Homerit eninët banojnë pranë lumit Europë. (Enciklopedia dell` Antichita Classica “ Garzanti libri s.p.a. faqe 468, Itali, 2000)…
 
Prej këtej eninët u dëbuan nga lapitët, duke u bashkuar me ethikët, pastaj pushtuan Paruenë. Më vonë u vendosën në Kirra (Sirra ose Hirra), pranë Inakut (Arrathit) argë, ku krijojnë një shtet të pavarur. Ndër qytetet kryesore të tyre janë Ipata dhe Enea. 
Dëshmia e Homerit  paraqet rëndësi të madhe, sepse e lokalizon Dodonën Pellazge brenda hapësirës, brenda territorit të eninëve, fill pas tyre vijnë perrebejtë. Më tej Homeri përshkruan zhvendosjen e eninëve drejt ethikëve, parauejve, luginës së Arakthit. Shkaku i kësaj zhvendosje gjeografike është presioni i  ushtruar nga fisi i  lapitëve. Në analizë të fundit këto fise gjenden pranë njeri-tjetrit, kufi me njeri-tjetrin përderisa kanë marrëdhënie të ngushta mes tyre. Lapët sipas shpjegimit të mësipërm gjenden në territorin  e sotëm të Labërisë, parauejtë në luginën e sipërme të Vjosës, ethikët në Pind, kufi me paruejtë. Në rast se enianët do të gjendeshin në Dodonën e Janinës, krahu i  lëvizjes do të ishte i ndryshëm: Nga Dodona në luginën e Arakthit, pasi ky lumë gjendet më afër saj, pastaj në drejtim të Paruesë dhe Ethikisë. Prej këtej duhet të ktheheshin përsëri për t`u vendosur në luginën e Arkatit. Ky itinerar lëvizje nuk më duket logjik dhe bindës edhe për një arsye tjetër. Mali Europë duhet të ishte pikërisht Arkati, në rast se enianët do të banonin aty ose në kufi me ta. Përkundrazi , Arkati në kohët homerike quhej Inak dhe më pas Argeia, përkatësisht Arkato” Ilir Cenollari,Profecitë e Zotit të Tomorrit,Tiranë 2009, fq.84-85.
***
Shohim se Ilir Cenollari sjell argumentet e tij për ekzistencën e Dodonës pranë malit Tomor dhe të fiseve që banuan rreth saj në kohët parahomerike.
Dosja “ Tomari” apo “Tomori” që mban brenda Dodonën pellazgjike, e çelur së pari nga dijetari i madh i Rilindjes sonë kombëtare, Sami Frashëri, ka ardhur vazhdimisht duke u plotësuar, megjithëse me ngadalë. Materiali i shtuar aty nga Perikli Ikonomi, Ilir Cenollari, Mihal Gjergji (me shkrimin të cilin po analizojmë) dhe mjaft të tjerë me shkrime apo fragmente shkrimesh si dhe ata që do të vazhdojnë në të ardhmen në këtë rrugë, do ta  plotësojnë atë një ditë për ta sjellë në formën e një Dëshmie të plotë, Dëshmi që ka të bëjë me  origjinën e popullit tonë, më të vjetrit në gadishullin ballkanik.

Po e mbyll këtë shkrim me fjalët e akademikut të madh Rexhep Qosja në lidhje me këtë libër të cilin po shqyrtojmë të autorit Mihal Gjergji.
 Rexhep Qosja: “ Libri juaj “Ngjyrat e mendimit”, është shumë interesant. Në artikujt, në sprovat dhe analizat Tuaja, keni trajtuar çështje të ndryshme, qoftë të ngritura në librat e autorëve të tjerë për të cilët shkruani, qoftë prej vetë Jush.
Me idetë e këtij libri, me gjykimet dhe me vlerësimet ju e pasuroni jetën tonë intelektuale të sotme. Ju po ashtu, me pasurinë e gjuhës i kontriboni shumë si shprehjes artistike, ashtu edhe shprehjes sonë shkencore…”.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora