E shtune, 27.04.2024, 05:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Sarë Gjergji: Libri për të Lumën Nënë Terezë - një komunikim me kohën dhe vendin

E enjte, 03.03.2011, 09:58 PM


 

LIBRI PËR TË LUMËN NËNË TEREZË - NJË KOMUNIKIM ME KOHËN DHE VENDIN

 

Rrok Berisha: NËNË TEREZA – SHPIRTI I DRITËS SË AMSHUAR, Fishta,Prishtinë, 2010, f. 224

 

Nga Sarë GJERGJI

 

Gonxhe Bojaxhiu –Nënë Tereza e botës, me jetën dhe veprën e saj u bë burim frymëzimi dhe trajtimi jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në atë botërore. Për më tepër, kjo humaniste, ky model i pashembullt i shpirtit altruist nuk u trajtua vetëm në gjinitë e artit letrar. Ajo u bë model dhe personazh i të gjitha formave të të shkruarit, i të gjitha llojeve të artit. Prandaj, Gonxhen, do ta gjejmë tek trajtohet vazhdimisht edhe në publicistikë, në dokumentarë të ndryshëm, në pikturë, në skulpturë, në muzikë, në film, në shkencat humane e  kudo tjetër.

 

Numrit tejet të madh të autorëve, që në veprat e tyre trajtuan personalitetin e    Përsëdytjes së Krishtit mbi tokë, siç do të shprehej Visar Zhiti për Nënë Terezën, i bashkohet edhe gazetari e krijuesi Rrok Berisha, i cili pas publikimit të disa librave me poezi e publicistikë, kësaj radhe, në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, na vjen me një art krejt të veçantë poetik, me librin: Nënë Tereza – shpirti i dritës së amshuar. Librit, në gjuhën shqipe dhe angleze, të sistemuar në pesë cikle: Agimi i përjetshëm, Duke u bërë pjesë e uratës, Ëndrra e bukur, Rikthimi dhe Bamirësia, çelës i hyjnisë qiellore, i paraprin poezia Sari mori shpirt me ty, sari, kjo veshje indiane që në botë u lartësua dhe u bë shenja dalluese e humanizmit terezian.

 

Do thënë se libri i Rrok Berishës, Nënë Tereza – shpirti i dritës së amshuar, është një komunikim me kohën dhe vendin. Koha, me të gjitha manifestimet e saja, shtrihet gjer në skajet më të largëta të historisë, ndërkaq që vendi, para se të shënojë  hapësirën, vendet e shumta ku Gonxhja jonë kishte shtrirë aktivitetin e saj, shënjon gjeografinë shpirtërore dhe fizike të atdheut të saj e të autorit, atdheut të  natyrshëm, atë faktik, atdheun në origjinë dhe jo të ndarë me kufij politik. Prandaj poeti shprehet:

 

Në gjeografinë e trupit tonë

            Nuk do duhej të kishte kufij

            Për lirinë e të nesërmes

            As për dashurinë e tashme

(U riktheve në folenë tënde, f. 44)   

 

Ose:  

            Shkupi, qyteti i krenarisë dhe i dhembjes dardane

            .....

            Dikush ndryshe do ta shkruajë historinë

                        (Shkupi, kryeqyteti i Dardanisë, f. 196)

           

 

Janë koha dhe vendi dy kategori që hapin gjithnjë dilema të shumta në libër dhe që polemizojnë jo vetëm me të kaluarën historike, por edhe me aktualitetin, me përditshmërinë tonë. Kështu vendi i tij është një tokë katedralesh, katedralesh të rrënuara nën rrebeshet e kohës:

 

            Heshtja rëndoi mbi supet tona

 

            Rrënuan katedralet

E zërin  e kambanave përvetësuan

 

Dikush na vodhi historinë

Biografinë tonë shkroi

            (Tokë katedralesh është kjo, f. 132)

 

Varre mbollën në tokën tonë

Hi e plojë tempujt tanë i bënë

            (Gjashtë shekuj, f.104)

 

E rrënimi do të thotë jo vetëm stërkeqje e etnisë, jo vetëm thyerje shpirtërore, por edhe një  degradim total, pasojat e të cilit i bart shoqëria:

 

            Juda merr një fytyrë të re

...

            Ndaj mallkimi nuk pushon

                                    (Juda, f. 138)

 

Kush janë këta judë të rinj? Të tillë ka shumë dhe kudo. Ata shfaqen në forma të ndryshme nëpër kohë të ndryshme. Dikush duke ofruar kinse dashuri (S’na duhet dashuri e shtirur, f. 144), të tjerë duke dënuar me ferr e duke mohuar Unin e vlerat më sublime të kombit, edhe pse shenjtërisë së saj (Nënë Terezës) i përkulen kombet:

 

            Nga bota amë

            Biri yt plangprishës

Me ferr të dënon

(Na fal o nënë, f.164)

 

Këtij anakronizmi, këtij përçudnimi të psikes sonë, gjithsesi edhe të klasës sonë politike që shpërfytyron atdheun duke denigruar figurat simbole të kulturës, të qytetërimit e të etnisë sonë, besoj t’i kushtohen edhe këto vargje, për të cilat çdo koment yni mbase do të ishte i panevojshëm:

 

Dashuria për Atdheun lind nga palca e shpirtit

E shpirti e mbron Atdheun

Edhe nga drita edhe nga bukuria e mashtrimit

 

Nënë – shpirt i dashurisë

Mungon në ne

 

E themi:

“E duam Atdheun”

 

                        (Nëse nuk di të duash, f.124)

 

Këta palaço që thonë se e duan Atdheun e nga ana tjetër fyejnë çdo ditë të jetës së tyre figurat më emblematike të kombit tonë, janë po të njëjtit që ndër kohëra kanë kontribuuar në ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë natyrore, prandaj poeti pohon:

 

            Shqipen kemi vrarë me dorën tonë.

                                    (Shën Mari, f. 108)

 

Dhe kjo gjendje  (aspak e mirë) në të cilën ndodhet Atdheu i Nënë Terezës dhe i autorit, e bën këtë të fundit të klithë përplot dhimbje:

 

            Në gjendje inerte sot

            Si t’i rrëfehemi Zotit Shqip

                                    (Mendjelehtësia, f. 110)

 

Janë këto dy vargje që shprehin dramën shqiptare, tragjedinë tonë, e cila bëhet edhe më e madhe për faktin se kjo gjendje vlerësohet krejt normale nga ne. E, kur antivlera dominon jetën, shoqërinë tonë, atëherë çfarë do i themi të nesërmes, nëse jo:

 

            Ditë morti janë këto

                                    (Nënë Terezë, f.114)

 

Por janë shenjtërit, heronjtë tanë, ata që kujdesen për etninë tonë, është Gonxhja që:

 

                        Shpresën e humbur rikthen

Sa herë që rrugën zemra jonë tret

ajo që:

Vetë Shqipëria u bë

            (Gonxhja, f.66)

Duke kujtuar këtë figurë të madhe, duke iu referuar asaj si vlera më sublime, vetë Shqipërisë pra, autori iu  heq maskën maskarenjve të ditëve tona, dhe shprehë nevojën që kjo vlerë sublime, ky shpirt hyjnor, kjo ndërgjegje e botës, siç shprehet poeti për Nënë Terezën, të jetë model i jetës sonë. I bindur se kjo figurë qëndron në themele të qytetërimit tonë mijëravjeçar, njëherësh duke qenë dëshmia më e mirë  e këtij qytetërimi – emblema e tij, poeti shpallë kredon e tij:

 

Edhe nëse hidhërohet Bizanti

Edhe nëse hidhërohen osmanët

Edhe nëse hidhërohen sllavët

Sërish

Kambanat e katedraleve të rrënuara

Kumbojnë

                        (Në këtë kohë moderne, f.140)

 

Është ky kumti i ripërtëritjes, i ringjalljes tonë në vlerat më fundamentale.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora