E diele, 28.04.2024, 06:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Më thërret vendlindja

E enjte, 03.03.2011, 09:57 PM


Demir KRASNIQI:

 

MË THËRRET VENDLINDJA

 

M’ thërret vendlindja , m’ thërret Gollaku,

M’ thërrasin burrat , m’ thërret konaku ,

Më thërret kënga prej meraku ,

M’ thërret oborri , m’ thërret oxhaku,

Haj , more vendi im !

 

Malli zemrën seç ma ndezi ,

Më thërret Kulla te Merçezi ,

Më thërret pupëza , m’ thërret turreci ,

M’ thërret Malësia , m’ thërret Tugjeci ,

Haj , more vendi im !

 

M’ thërrasin vatrat në themel ,

M’ thërret kavalli i Bacit Nel ,

M’ thërrasin mrizet , Kodra e Hanit ,

M’ thërret kavalli i Xha Selmanit,

Haj, more vendi im !

 

M’ thërret mezhnica e çiftelia ,

Ku i binte Bacë Hamdija .

M’ thërrasin lojërat dhe bylbylat ,

Muhabeti hiç pa shibla ,

Haj, more malli im !

 

M’ thërrasin delet përskaj pyllit ,

T’ ia dëgjoj jonet e fyellit ,

Që i binte Bacë Sadria ,

T’ hedhin valle çobania ,

Haj, more malli im !

 

M’ thërrasin krushqit , atje te Hani –

Për maramë , ku është mejdani ,

Më thërret surlja , m’ thërret tupani ,

Gurapeshi e filxhani ,

Haj, more malli im !

 

M’ thërrasin dasmat  gjithë kah  shkova ,

Kur këndohej “Sen Rugova”?!

Këndon Shabani e Shefkija –

Kërcet pushka e alltia ,

Haj, more loti im !

 

Kur përmallshëm bien kavalli –

Zgjon kujtimet , shuhet malli ,

Derdhen tinguj , derdhen lot ,

Ndryshku i zemrës s’ hiqet dot ,

Haj, more loti im !

 

N’ hije t’ dardhës, atje tek fieri –

Ulë këmbëkryq , ai Xha Demiri ,

Muhabete t’ kohës s’ vjetër ,

Seç e zbuste atë dardhë të egër ,

Haj, more malli im !

 

Xha Ymeri – plak me mjekër ,

Plak si ai, nuk kishte tjetër !

Xha Bajrami – burrë derja ,

Ishte magje për fukara ,

Haj , more malli im !

 

Nën gërmadha , atje tek Kulla –

S’ kishte ushtarë, as s’ kishte burra !

Bënte hije qershia plakë,

Që i ndizej zemra flakë ,

Haj, more loti im !

 

Këndon qyqja , banë “kuku” –

Tanë ky popull, kah  ka shku’?

Unë ika në dhera t’ nxehta –

Kur u ktheva, asnjë s’i gjeta ,

Haj, more loti im !

 

Nuk e di se kah kanë shkua ,

N’ këtë Malësi, vetëm m’ lanë mua ,

Prej së largu kam shtegtua ,

Por s’ kam kujt ma me i këndua ,

Haj, more loti im !

 

E pyes Hanin legjendar –

Ku i ke ata tregtarë ,

Që në ty bënin tregti ,

T’ gjithë katundet n’ këtë Malësi ,

Haj, more vendi im !

 

Hani , flet si me habi :

“Nuk banë kush ma këtu tregti !

Tregtarët shkuan nëpër Evropë –

Mua m’ kanë ba podrum për lopë,

Haj, more vendi im !

 

Pyes xhaminë:”Ku e ke xhematin ,

Që mbulonin kodrën, shpatin ?”

-Shumë kanë vdekë, shumë shkuan n’ kurbet ,

Me mua mbet veç hoxha vet,

Haj , more loti i shkretë !

 

E pyes shkollën:”Ku i ke nxënësit ,

Që dikur t’ jepnin gjallëri ?”

-Në qytete e dhera tjera ,

Ikën e m’ lanë në vetmi ,

Haj , more loti im !

 

I pyes delet:”Ku janë çobanët ,

Që s’po i bien as fyellit ma?”

-Çobanët na shkuan n’ kurbet ,

Fyelli e kënga mbetën shkret ,

Haj, more malli im !

 

I pyes arat:”Ku janë plugjet ,

Që në ju, nuk kanë lëvrua ?”

-Plugjet tanë janë ndryshkë e tretë,

Bujqit tanë kanë shkua n’ kurbet ,

Haj, mori tokë e shkretë !

 

Pyes livadhet :”Ku janë kostarët ,

Që në ju, nuk kanë kositë ?”

-Kosa ndryshket , bishti i kalbet ,

Se në duar s’e marrin t’ rinjtë ,

Haj , mori kosë e shkretë !

 

Pyes bylbylat :”Ku janë oborret ,

Ku janë odat dhe shtëpitë?”

-N’ vend të tyre – mbeten vorret ,

Që me shekuj këtu kanë pritë ,

Haj, more loti im !

 

Vajton fusha , gjëmon mali ,

Krojet, gurrat shterë nga malli ,

Dergjen arat dhe livadhet ,

Nuk kanë kujt me ia qa hallin ,

Haj, more loti im !

 

Gjëmë të madhe banë Gollaku –

Mallkon burra e mallkon bijë :

“Fort po druaj do t’ ju zënë haku ,

Ma kthyet shpinën në pleqëri ,

Haj , more bijtë e mi!...”



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora