E diele, 28.04.2024, 06:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Vaso Papaj

E merkure, 02.03.2011, 08:38 PM


Vaso Papaj

 

 

Aurora*

 

“Orkestrës së ëndrrave” s’i dilnin shtat’ nota,

ti solle të tjera të padëgjuara kund.

I mblodhe  në ëndrra, nga e gjithë bota

Dhe atje, në këngë, i shpalose  pafund.

 

Legeni na dukej porsi  një daulle

Fshesa me bishtin ishte  kontrabas.

Shtizat e trikos tela violine,

jasteku me pupla si piano vinte pas.

 

Dërrasat e barrakes ngjanin si kitara,

Luga e drurit  godiste baterinë.

Grupit të valltarëve  nuk u cekte këmba,

mes tyre, ti  vogëlushe, edhe balerinë.

 

Me fustan të kaltërt, si  një lulebore,

ndeze mrekulli, mrekulli  pa fund.

Atë natë, moj bijë, ishe krejt hyjnore,

ndaj ç’ishin në skenë, s’mbetën pa u tund.

 

Me xhuxhin e përrallës, me borën dhe erën,

atë natë Rozhaja përjetoi pranverën.

Skena ish e jotja, skena edhe salla,

ne e ndjemë veten si nëpër përralla.

 

*Poezia i kushtohet vogëlushes Aurora Kapo, nxënëse e shkollës 9 vjeçare jo publike “Iliria” që fitoi çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar të këngës për fëmijë, në Malin e Zi  Shkurt 2008.

 

 

Zonja Kitarë

 

Moj zonja kitarë, kështu  të kam thërritur,

që kur Rollynstonsat mëndjen ma kan’ ngritur.

Kudo që kam shkuar, në krah të kam  marrë,

shumë kam dashuruar, ishim ëndrrimtar.

 

 Shum’ kohë ka kaluar, keq të përkëdhela,

 moj kitara ime , mbeta nëpër tela,

 por s’ësht’ faji im, s’ pata  fantazi.

 Çdo njeri si mundet ofron dashuri.

 

Fshihet malli i vjetër, më rrëshqet ndër duar,

moj kitarëza ime, koh’ e gjatë ka shkuar.

Nuk i prek dot telat, kam frikë se këputen,

mes tyre pandjerë, përjetë do të strukem.

 

Moj kitara ime, mos më mbaj në gojë,

që s’arrita dot, nga pas  të të shkoj.

Te moll’ e  lulëzuar s’ të bëra shoqëri,

nuk isha poet, isha thjesht’ njeri.

 

Ah, zonja kitarë, mikja ime e krisur,

në dorë fëmije, jet’ të re ke nisur.

Ca sinjale feste, ca të dëshpëruar,

përherë do të mbetesh, zonjëza ime e çmuar…

 

 

Puthja e parë      

 

Puthjen e parë do të ta fal,

ditën kur ti do t’më premtosh.

Do heshti bota e pafjalë,

mundohu, të lutem, t’ më besosh.

 

Puthjen e pare kur ti ma dhé,

të mbyllur syt’, më ngjan, i kisha.

Mbi ballin tënd u ngrit një re

dhe era shkau leht nën pisha.

 

Mos vall’ si stinët ndjenjat janë?

(Nuk i përgjigjem, s’ mund ta di)

Po ësht’ një dallgë që brënda kam,

një botë e bardhë me dashuri.

 

E para puthje si  sekret,

desha të rrij’ mes nesh, për besë.

E nëse ndodh, një ditë  humbet,

kujtimi yt le të më mbesë .

 

 

Këshillë murale*

 

Dhe nata dhe dita, ësht’ shtegu drejt reales.

Është koha e çmuar, ku fle historia.

Nga hëna tek dielli, në mes të murales,

ikonë e internetit, të çon për tek dija…

 

N’enigma na zhyt, kjo erë që jetojmë,

me imazhe gjithfarë bombarduar,

informata ngado na rrethojnë,

kujdes, s’ësht’ gjithçka  e besuar

 

Çdo ditë më e hapur ësht’ bër’ shoqëria.

Si gjellë e gatshme  na serviret gjithçka.

Po kocka në trup  ende mban njerëzia.

Të vëmë në punë trurin, na duhet vëlla.

 

Në shtigjet e dijes  mendimi na grishka

Fëmijë në udhëkryqe, ndaloni, reflektoni;

Nga Arkimedi e deri tek Fishta,

me gishtat e zemrës klikoni, klikoni…

 

*Bëhet fjalë për muralen e vendosur në oborrin e shkollës së re 9 vjeçare ” Neim Babameto” Spitallë.

 

 

Sa strehëza… 

 

Po të më pyesje, nëse të doja

Unë isha zog dhe fluturoja

Sa strehëza kisha, për veten time

Tani janë plagë dhe kujtime.

 

Dhe pse të doja, dhe pse të doja

Si  garip rrotull shikoja

Sa lule kishte në lagjen time

Të gjitha me sillnin gëzime.

 

S’e bëre zemrën time të vuaj

Mbeta për  ty krejt i huaj

Edhe të desha dhe të urreva

Nga erdha ika e më s’u ktheva.

 

Po të më pyesje, nëse të doja

Unë isha zog dhe fluturoja

Përsëritej kënga, në buzët e mia

Kështu më  shkoi e gjithë rinia.

  

Dhe pse të doja dhe pse  të doja

Si gjithë  garipat dhe unë harroja

Sa strehëza kisha, për veten time

Tani janë plagë dhe kujtime.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora