 Sabit Rrustemi
Sabit Rrustemi
 
SI NUK U MËRZITA PREJ TEJE, ASPAK
 
 
PO MUNGOVE DHE TI 
 
Aty ku nuk ka lumë 
Mos kërko freski 
 
Ku s'ka mal  
Mos prit puhi 
 
Me shtëpinë  buzë rruge 
Nuk ke qetësi 
 
Po mungove dhe Ti
S'ka as dashuri
 
23.07.2009
 
 
PUHI MBRËMJEJE
 
Mbrëmja vjen 
Me pjesën tjetër të ditës  .
Dhe flokët tu
Mbi fytyrën time
 
Si puhi flladitëse
 
(30.07.2009)
 
 
MIDIS VERE
 
Ende nuk e zura mes duarsh
Atë Maje 
 
Mbeta e treta
Duke e parë
Vetëm nga larg
 
E duke u përbetuar
 
Do nisem n’mot
Për tim zot.
 
(2.08.2009)
 
 
POROSI
 
Kurseni të dashurat fjalë
 
Po u hatruan
S’mjaftojnë as njëmijëenjë fjalë
Për t’i pajtuar
 
(3.08.2009)
 
 
LUTJE
 
Natë e mirë  
 
Na  mbyll gojën 
Sa jemi në gjumë
 
4.08.2009
 
 
PAQJA IME
 
Paqja ime
Fshihet shtigjeve të Çepurit
Dhe syve T’u
Thellë diku
 
Sa tek ai sa tek ti
Paqen time s’ e gjej asesi
 
(9.08.2009)
 
 
LEXIMI I HËNËS SË RE
 
Kur e pashë Hënën e Re
Thashë 
Pa u bë e plotë
Nuk ka shi
 
Nuk më besuan
Që lexova nga larg
Shenjat në fytyrën e saj
 
Majevetullat e ngritura
Thik
Tek luteshin pa pushim
 
Qeshën
E më përqeshën
 
Ndërkohë ditët ecën 
Nëpër vapë e kaltërsi
Pa asnjë Pikë Shi
 
As për dashuri. 
 
Kur u mbushë Hëna
 N'Pesëmbdhjetën ditë
U mbarsën retë
 
Ra shi e shi
Tokës së etur gjithandej
 
Paqe mbolli
Dhe Ty të solli
Mbi qiellin tim
 
Fytyrëpogaqeje
 
(11.08.2009)
 
 
BILETA QË DIGJEN
 
Ç’fat i pashkruar
 
Ëndrrat e natës 
Nuk ikin me mëngjes
 
Biletat e tyre 
shpesh na digjen nëpër bebëza
 
(19.08.2009)
 
 
PËRJETËSIA
 
Ëndërr e përkohshme
Është jeta
.
Në momentin që nxinet 
Kjo ëndërr 
Fitohet përjetësia
 
(19.08.2009)
 
 
NGJASHMËRI
 
Grishëse është mbrëmja 
Përgjatë detit 
Po qe dhe krejt vetëm
 
Kur i sheh ato dallgë
Të të vijnë valë - valë
Se si ëndërron
Mbështjellur me to 
Dhe atë nimfë
 
Valët sa afrohen e tërhiqen
Në ëndërra të reja mblidhen  
E kthehen 
 
Në pritje harron që je vetëm
 
Ngjashëm dhe  këtu rrëzë Çepurit
Ndez ëndërrat puhi e malit
Po ajo Orë
Humb diku shtegut t’kroit
 
Si vetë mbrëmja syve t’ mi
 
(19.08.2009)
 
 
PJESA TJETËR
 
Me ag
Fillon vetëm njëra pjesë e ditës
 
Pjesa tjetër nuk përmbyllet pa ty
 
(20.08.2009)
 
 
HATRI I NJË DASHURIE
 
Deti nuk perplaset në mua
 
Mes nesh ka male e male 
Nuk e trazoj atë krua
Ku pijnë ujë buzët tua
 
Rri këtu ku jam 
Buzë mali 
E deti atje në fushëgropë
 
Sall trupi yt 
Dridhet e përdridhet në mes 
 
Lidh një det e një varg me male 
Hatri një dashurie
 
(20.08.2009)
 
 
BRAKTISE PËRPAK
 
Braktise përpak
Atë vapë betoni
 
Rrëzë Çepurit
Po shtrihet çasti flladitës
I mbrëmjes 
 
Puhia e malit 
S'ka  se si na  ikën
 
Përmes gjethesh 
Erëlehtën përpushim 
Një serenatë zogjsh tek pemët 
Tutje dritares grishim
 
E nuk vonon as hëna
Tek ajo maje mali
 
(21.08.2009)
 
 
PO FJALËT
 
Mesnata nxjerr në skenë pastruesit
Me krejt aletet 
 
Rrugët lahen prej njollave   
Pështymave
Prej mbetjeve
Që la dita 
 
Po fjalët
Kush na i pastron fjalët
 
Ëndrrat e liga të natës
 
(22.08.2009)
 
 
MELODI  E ETUR
 
Dita e parë e javës
Me peisazhin e fshehur të Hënës
E pritjen e pasosur të Vashës
Mbështillet fundit të lëmës
Në melodinë e etur të këngës 
 
As përpushja  ime
Nën qiellin me re
Heshtjen e saj 
Nuk e kthen në shi
  
Dashurisë i mbet veç hiri
Tek ato rrënjë bliri
Pas një gjethi
Rrah flatrat kolibri
 
(24.08.2009)
 
 
MËKATESH S’U KTHELLËM
 
Me orë e orë 
Nata u la nën rrëketë e shiut
 
Ih sa ujë i turbullt rrodhi
Nga mëkatet tona
 
Të vogla ishin përrockat e shpirtit
Ai lumë zemre
Për ta mbajtur brenda vetes
Atë vërshimë
 
U deshën dhe rrugët
Dhe krejt hapësira rreth nesh
Dhe i madhi shesh
U desh
Për t'u shpërlarë mëkatesh
 
U zbrazën krejt retë
U shterrën për pikë
 
Mëkatesh ende s’u kthejllëm
mbi/ për t'u kthyer sërish të paqtë/ të freskët/ nëpër qeniet tona/ deri te kjo ditë e re/ dashuri.
 
(25.08.2009)
 
 
JAM ATY
 
Jam Aty 
Ku mbinë Ti
Lëshon shtat e aromë 
Përmes gjethesh 
Petalesh
 
Dhe frut te ri
Shije e bukuri 
 
Jam aty 
Ku një botë ngazëllen 
Me dashuri
 
(27.08.2009)
 
 
LEGJENDË E HESHTUR
 
Një legjendë e fshehur
 E harruar është Çepuri
 
Mes dy lumenjsh njomë buzët 
Lanë faqet
E trupin me një rigë shi
 
Flokët i krehë e shkrehë 
Për dritë të hëne
 
Rrobat i thahen 
Me një paradite dielli 
Vetëm hijes ngrinë dimrit 
 
Nuk lëshon gjëmë
As ofshanë
Kur ngusht e nxënë 
 
Përmes gjethesh shushurinë 
Qanë e k'non si shpend mali 
Kur e shkundë jugu
 
Ushton prej malli 
Për atë Zanë fushe 
Që s'ju bë Orë mali.
 
(28.08.2009)
 
 
 MË MJAFTON
 
Ecjeve të mia
Shpesh zura në thua
Më vonuan plagët
Nuk arrita ku dua 
Pa strehë nuk mbeta
E një cung nën kokë
Dhe  të gjyshit tokë
Ai që isha prapë jam
Më mjafton dhe kjo që kam
 
28.08.2009
 
 
RETË 
 
Enden qiellit tim 
Mbi kokën time 
Enden e s'ndalen 
As hiqen as zbrazen 
 
Më mbajnë me fytyrë kah to 
Me dro 
Nëpër një mal vetëtimash 
Bubullimash 
 
Zot  o zot 
Do shuajnë etjen tonë përngadalë 
Apo do i  vërshojnë qeniet tona 
 
Ec e dije 
 
Mbi kokën time
Qiellit tim
Ato endjen s'e ndalin 
 
Një rrebesh shiu 
Mbi buzëçarat e dheut 
Shprazin 
ës në këtë fundverë dhe tuat flokë të shkunden mbi mua njëherë
 
(30.08.2009)
 
 
PASDITJA E ETUR
 
Pasdijta e vrantë 
Mbi qytetin tim 
Nuk sjell shi
As puhi
 
As edhe ty
Si ngushëllim i syve t’mi 
 
Kjo pasdite
Vetëm shton  etje 
Ngadalë ikën pa një buzëqeshje
 
31.08.2009
 
 
LE TË BIE SHI
 
Le të bie shi
Me erë e furi 
Le të bie 
Vetëm le të bie 
 
Oh
Po si të mos bie
Kur e dëshirojmë 
 
Rrëmbyeshëm 
Le të vërshojë 
Buzëve shkrum
 
Le ta flakë dhe këtë mëri
Që struket plasave të pritjes
Tej detit të zi
 
Se pas shiut
Shfaqesh Ti  hënë e plotë
Në qiellin e syve të mi
 
(2.09.2009)
 
 
HIJE IMAZHI
 
Vjeshta ante portas
Sa nuk ka trokitur
Ajo hënë tash ka zbritur
Përmes gjethesh
Parkut të rilindur
Në Gjakovë 
 
Se si një imazh
I dikurshëm mbrëmjeje 
Syve më katrriset
E sa mote kanë ikur
Nën urën e Terzive
Tabakëve
Dhëmbët kanë thyer  
Kalldrëmit të Çarshisë  së Vjetër
Në pakthim
Si shtrydhjet e ndrydhjet e  Pashtrikut
 
Përvidhem nga ajo majë mali
Për hije t’ hënës
Shtratit të atij lumi
Tek ai stol parku
 
Ajo vashë fytyrë hëne
Ku ta dish ku ka tretur
Në Parkun e Gjakovës
Hije imazhi ka ngelur
 
(3.09.2009)
 
 
LERMË PAK PËR NESËR
 
Lermë pak për nesër
Mos më shterrë të tërin
Se si gdhinë ditë e re
Kush të pret Ty
 
Po i mbylli veç pak këta sy
Ta shijoj atë ëndërr të ëmbël
Që thellë diku 
Ma ke ndry
 
(05.09.2009)
 
 
MË MUNGON
 
Më mungon ai gjeth bliri
Që na solli hije –shi
E përlau para vetes era me furi
 
Dhe ajo palë floku 
Që mbulon tëndin sy
E s'është dora ime aty
 
Ajo fjalë imja 
Që shpëton me pahirë
Dhe Ti për një natë të mirë
 
E dashur
Kjo largësi
Ka bluar me miliona dashuri
 
(08.09.2009)
 
 
IMJA DASHURI
 
Imja dashuri
Je Ti
Po
E
Zi
 
Të hanë të tjerët
A unë 
Gjithnjë kam uri
Etja 
Ime 
Poezi.
 
Mund të ikë 
Unë
Në  një tjetër botë
Me një mal të pathëna
 
Po Ti
Do mbetesh këtu. 
Ku mbolla rrënjët tua 
E i mbulova me dheun e trupit tim 
Imja 
Po
E
Zi
 
Do mbetesh këtu
Me etjen dashuri
 
(12.09.2009)
 
 
STINA QË NUK E SHIJUAM
 
Ikën dhe një verë
Me vapë
Me shi e stuhi
E një mal kujtimesh
Që fshihen në mua
Tek ty
 
Stinë e re vjen
Na bën me sy
Përmes yllit të mbrëmjes
Të mëngjesit yll
 
Shushurinë i blerti pyll
Tek e lëmë në mëshirë të erës
Shtëpisë ia mbyllim derën
 
Marrim udhë
Ngado që shkojmë
Stinë tjetër kërkojmë
 
Stinën që nuk e shijuam
Atë ëndërr që na iku
Moj 
 
(22.09.2009)
 
 
IMAZH I BRAKTISUR
 
Shtëpi e rrënuar ish aty
Ajo dardhë ujce vjeshte 
Që pikonte nga më e vogla erë
 
Dhe kopshti i bërë livadh
Ajo arë brije ku rrëshqitnim dikur
 
Mungonin vetëm njerëzit e sh'pisë
Ata zogj mali
Po jo dhe mbrëmja 
Që na m’lonte ngadalë
 
Tutje 
Tek ai sfond qielli
Ai rrisk i ri hëne 
Zbriste shpejt pas bjeshkëve
Si hapi yt 
 
(22.09.2009)
 
 
BRENDA TEJE
 
Mos iu tremb këtij mëngjesi
Ëndrrës që posa iku 
Prej syve tu
E dashur
 
Aty
Brenda teje jam 
Shtresave të shpirtit
 
Me dashuri t’i njomë rrënjët
Përjetësisht
 
(25.09.2009)
 
 
MBETA NË ATË STREHË ZEMRE
 
Gjelbrimi tej dritareve pret e fton
Dhe ai det i kaltërt
 
Ato valë që vijnë e kthejnë
 
Po si t’i prekë 
Si t’i nxë
T’i shijoj 
Si
Kur Ti je larg
  
Mbeta në atë strehë zemre 
Tek ata  sy 
Në  të cilët jam thelluar 
E nuk hiqem dot
 
(26.09.2009)
 
 
PIKOI
(variant)
 
Një diell pogaqeje  
Me mbrëmjen pikoi 
Në këtë fushë të kaltërt e pambarim. 
 
S'di ishte faqja jote e zjarrtë 
Apo ai lot zemre më kërkoi
 
Tërë natën prita e prita 
Deri tek kjo Ditë e re
 
Ajo fushë e kaltërt 
Vezulloi  lart 
Universit 
Skaj më skaj 
Përmes dritës sate
E si mos të kthehem  kah Ti, 
Dashuri
 
Gjirin tënd kërkoj përsëri
 
(28.09.2009)
 
 
HARRESËN S’DI TA AKTROJ
 
Nuk mund ta aktroj haresën 
Në raport me Ty
Po e Zi
Dash Uri 
Vashë Ëdrre 
A cilado qofsh Ti
 
Portën nuk e mbyll as Natën 
Dritarja është po aty
 
Sa stina ka ardhur e ka shkuar 
Pa pyetur e trokitur 
Sa lule ka rritur mbledhur
Aromë e tyre brenda ka ngelur
Si  Ti tashmë 
S’pipëtinë
Pazëshëm shfleton dashurinë
 
A ka nevojë të të thërras 
Të këlthas
Kur e di ku je
Si rri 
 
Nuk mund të t’ harroj
Kur lenë ky diell
A shi kur bien
 
Kur hëna përmes hije pemësh
Tek dritarja vjen
 
E dashur
Në raport me ty
Harresën s’ di ta aktroj
 
(29.09.2009)
 
 
DERISA PRITJA TË GJUNJËZOHET
 
Nuk mërzitem në pritje 
As vritem prej saj 
Duke pritur ardhjen tënde
 
Kur Ti vonohesh
Nuk shfaqesh
Unë 
Mungesën tënde pres
 
Pres dhe kur endesh 
Nëpër të tjerë rreth meje
Endjet tua i mirëpres
 
Nuk heç dorë nga pritja
As kur mbetem i papërkëdhelur faqesh
I patrokitur dritaresh
 
Sepse të ndjej dhe në pritje
Ty idhnakja ime
Pritje e papritshme
Gjumë të ëmbël 
E zgjim të hershëm
Në pritje
 
Nuk e gëzoj pritjen
Përmes një ikjeje
Pres
 
Derisa pritja të gjunjëzohet
Prej pritjes sime
 
(2.10.2009)
 
 
AROMË  ËNDËRRE
 
Nën dritare
Trëndafilja e egër 
Zhveshet prej lulesh
Shijimesh
Mbetet vetëm shtat 
Peisazh i trishtë
Që dhemb pa zë
 
Kopshtare e zemrës sime
Zgjohu 
Lëviz
Përpush
 
Rrënjët sëpaku t'ia ruajmë
Qenieve tona 
T'i strehojmë
 
Pa këtë lule 
Si do ta ndiejmë
Si do ta shijojmë
Aromën e ëndërrës sonë
 
2.10.2009
 
 
ETJEN FLAKIM
 
Çepuri lahet nën shi
Lahet e sh'plahet përngadalë
Për timin mall 
Nga pluhur erërash 
Ditësh me mërzi 
Lahet e më merr në gji 
Bashkë me Ty 
Fshehur thellë 
Shtresave të shpirtit
Si ajo pikë uji 
Shtresave të gurit.
 
Zbresim tok Çepurit
Deri tek ajo majë e etur rrënje
Etjen flakim
 
(3.10.2009)
 
 
UNIVERSI I ZEMRËS SIME
 
Murana reshë
Mblidhen e mbështillen
Mes meje e teje
 
Murana reshë
Përzihen e enden kot
Mes meje e teje
Të pafuqishme janë 
 
Këto lojëra resh, 
Fytyrën tënde 
Se' mbulojnë dot
 
Se këtu e kam 
Në universin e zemrës sime
 
(4.10.2009)
 
 
VIJ E T’PËSHPËRIS
 
Gjumë të ëmbël dashuri 
Kudoqofsh
 
Po pse s'mbyllen këta sy
 
Hapur rrinë 
Të presin Ty. 
 
Merrmë në krah 
Në tëndin gji, 
Më përkëdhel si puhi 
 
E 
Ma vajto njëherë 
Sall dhe njëherë
Atë synë e zi 
Tek jep shenjë 
Për nën  lamë
Tek ai bli 
 
E 
Lahet me hanë 
Floktë i thanë  
Me  timin zjarr 
 
Ndizem 
Sa herë mendoj për ty
 
Kurrë nu fiket
As kur t’mbulohet 
Prej  dheut të zi
 
Vij tek veshi
T’pëshpëris si gjithnjë 
Gjumë të ëmbël dashuri
 
(4.10.2009)
 
 
MËLLENJA E TREMBUR
 
Mëllenjë është
E dashur
 
Mos u tremb
 
Nga fushë e zhveshur iku
Në mal u struk
 
Ku ta dish ç'hoqi atje në rrafsh
Nga kush u tmerrua 
Që ik kështu me britmë
 
Po ti
Mos ke frigë
 
Ecë e qetë
E plotë
Si  Hana në t'pesëmbdhjetë
 
Mbrëmë e pashë
Qiellit të kthejlltë
 
Shëndriste si fytyra jote
syve të mi
 
Mos u tremb 
Po u shfaq sërish
 
(6.10.2009)
 
 
QIELLIT TËND
 
Së njejtës rrugë u ktheva
Me atë imazh hëneje të plotë
 
Ehoja  e zërit tënd
Çante eterin
Butësisht 
Dashurisht  
Si pëshpërimë mjaltore
 
Mbrëmjes së kaltërt
Më përfshive qetësisht
Ti vashë a hënë  
Qiellit tënd
 
(6.10.2009)
 
 
KJO DASHURIA IME
 
Kjo dashuria ime
E pafundshme 
E pandalshme
Si vetë jeta
S' është krejt dashuri
As poezi
 
Ka dhe pak mërzi
Pak mëri
E ku ta di
 
Nuk jam si krejt tjerët
Kur jepem
jepem i tëri
 
E dashura ime
Cilado qofsh ti
Vashë a poezi
Pusho një çikëz nga unë
Pusho
Se të lodha me fjalë
Vargjeve lumë
Të lashë pa gjumë
 
S'do ndahem nga ty
Do të të ndjej gjithnjë
Këtu 
Anës tjetër do rri
Shfaqem kur më thërret Ti
 
(7.10.2009)
 
 
FJALË MAGJIE
 
Le të shkëlqejë kjo ditë
Përditë 
Nëpër atë fjalë magjie 
Që na drithëron 
Kur e shqiptojmë
 
Oh 
Sa kohë na duhet 
Për ta thënë atë që ndjejmë
 
As shekujt nganjëherë 
S'e përthekojnë
 
(10.10.2009)
 
 
LUM NDJENJASH
 
Ky qytet nuk zhvendoset gjetkë
Mësa unë prej asaj strehë zemreje
 
E dashur
Prej ndjenjash tona
Një lumë dashurie 
Shtrat do krijojë
 
Njerëz e bimë
Gjallesa të mbidheshme 
E të nëndheshme
Do freskohen
Nën himnin e ri 
Për dashurinë
 
(11.10.2009)
 
 
SHIJA
 
Asnje varg 
S' mund ta përshkruaj 
Shijen e një puthjeje 
Kësaj  mbrëmjeje
Në këtë çast
 
(12.10.2009)
 
 
MËNGJES TETORI NË ÇEPUR
 
Lulet shijojnë Brymën e Parë
Puthjen rrënqethëse të vjeshtës
 
Akull e kanë atë trup të blertë 
Ato faqe
 
Nata
Ah nata 
Tinëzisht zhveshi qiellin prej reve 
E volli nëpër të blertat gjethe
 
Ky diell mëngjesor
Nuk  ngushëllon
As imja dorë
 
Bryma 
Që me natë
Puthi rrejshëm Çepurin
 
Kur mua
Sapo më kish nxënë 
Ai gjumi i parë
 
(15.10.2009)
 
 
E PALËKUNDUR
 
Ende nuk jam nisur 
As zë të kam lëshuar 
 
E Ti pret
E palëkundur
Pret  
 
Si nuk të mposhtën pritjet 
A s'ma thua tashti
Dashuri
 
(17.10.2009)
 
 
ACAR FJALËSH
 
Ftohet moti
 
Mërdhinë nga fjalët
Nëpër ecejaket
Pas një ëndrreje
 
Nuk na nxenë as mali
 
Drutë e prera
Të çara 
I ka lagur shiu
 
Nata na nxë ndaras
E dashur
A na shpëton imagjinata
Ajo përrallë nastradini
Tek ndez koftor në kodër
E dridhet në të pandezurën
Votër 
 
Mbylli veshtë
Sytë
E mbulohu 
Me trupin tim deri në mëngjes
 
E dashur
Acar fjalësh
mërdhinë motin 
 
Mua 
Jotja mungesë
 
(18.10.2009)
 
 
PARA TEJE FJALËT ZBEHEN 
 
Se si më kthen në botën time
Tek ajo strehëz
Poezi
Kur më shfaqesh Ti
 
Oh 
Se si ndjehem
Fjalët s'e përshkruajnë
Zbehen
Derisa qenia ime ngazëllehet
Paqtohet
Për të satën herë
Rinohet 
E niset kah ti
 
Je e ku s'je
Poezi
 
(20.10.2009)
 
 
HAJNISHT
 
Dikush përvidhet kah unë
Hajnisht nëpër dhomat intime të shpirtit
E nuk gjenë asgjë pos dashurisë
Dhe dhimbjes 
 
Ai s’ ka emër
Ka veç thasë të mbushur 
Me uri
Ku s’futet kjo pasuri
 
(23.10.2009)
 
 
STREHA E PAPREKUR
 
Një dorë tinzare
Fshinë mesazhet e mia
Në ballinë
 
Prekë dhe portretin 
 
S'di ç'kërkon 
Ky haker ziliçar
Kur kjo vjeshtë  thanë
Dushk e bar
 
Vetëm në profil ende s'ka hy
Tek ajo strehë e paprekur
Në tëndin sy.
 
(23.10.2009)
 
 
MES PETALE LULESH
 
Nën ata qerpikë 
Mbyllet e nuk zbehet
Dashuria 
 
Përjetshëm shpirtërohet 
Nën emrat tanë
Mes petale lulesh
 
Stinëve 
Nëpër kohë
 
(24.10.2009)
 
 
NATA GJUNJËZOHET PARA NDJENJËS
 
Nëse kjo Natë vie me Ty 
Mirë se ardhtë
Po erdhi vetëm
Do ta përzë
 
Me mbyllje sysh
Përmes ëndrrash 
Malin e dashurisë shprush
Hapësirën e shpirtit tim
E të gjej
 
Nuk lejoj natën 
Të tallet me mua 
Për tënden mungesë
 
Imazhin tënd 
Kam gravuar syve të mi
 
Nata gjunjëzohet 
Ndjenjat tona e kanë pushtuar
 
(26.10.2009)
 
 
AMA E JETËS NA BEKOI
 
Nëpër detëra ndjenjash 
Thellë jemi zhytur
Fundeve të parekura të shpirtit
E dashur
 
Nëpër vargojt e zjarrtë të dashurisë
Jemi regjur
 
S'ka rëndësi më
Në ç'kohë u takuam
U njohëm
A shihemi përditë
A s'shihemi hiç
 
Ama e jetës 
Me nektar lulesh na bekoi
 
Ngado që të shkojmë
Të vetëm s'jemi 
Asnjëherë
Drita e paqtë e shpirtërave të dashuruar
Përjetshëm në qeniet tona 
Vend ka zënë.
 
(31.10.2009)
 
SI NUK U MËRZITE PREJ MEJE
 
Mesazhi yt shkyen ajrin
Të ftohtën natë
S'pyet në ra brymë e dytë a e tretë
Hyn dritareve
Para syve të mi
Me shpirtin tënd të ktjelltë
Mëngjesor
Më kthen brenda vetes
Më përkëdhel
Përmes asaj puhie të aromtë
Zërit të ëmbël
Që ngroh
Tërë ditën me ty e në ty
Nuk të braktisa moj
Asnjë çast
Si nuk u  mërzite prej meje 
Aspak
Aromë e shpirtit tim
 
(2.11.2009)
 
 
PREHJA JOTE JAM PARRESHTUR
 
Dheu që mbulon e ushqen rrënjët tua
E të njomë me ujë mali
Betohet heshtur
Para teje 
Lulja ime
Prehja jote jam parreshtur
Në vazo
Në tokë
Në jetë
Kudo atje ku mbinë...
Ti hapë fletët
Drejton shtatin 
N' secilën ditë
Stinëve të jetës 
Më ngazëllen 
Me tënden aromë
Nateditë
Ditenatë
 
(5.11.2009)
 
 
RRI E QETË
 
E dashur
Rri e qetë
 
Secilës ditë 
Në çdo çast 
Kudoqofsha 
Përmes penës 
Me ngjyrë zemre 
Një varg poezie 
Do nis andej ku je 
Tek pret ti
Për ta thënë atë magji  
Me dy fjalë 
 
Po u vonua ai varg 
Po ngeci udhës diku 
Ti më ndjej
Më beso
Tjera fjalë më nuk mbaj mend. 
 
Në vend timin
Pëshpëritja vetes ti 
Atë magji
Që buron nga unë 
Buron nga ti
Imja dashuri
 
Të dua
 
(6.11.2009)
 
 
NË SECILËN DITË
 
N'secilën ditë
Kudoqofsha
Përmes penës me ngjyrë zemre 
Një varg poezie do nis 
Tek pret ti
Për të ta thënë atë magji jete 
Me dy fjalë
 
Po u vonua ai varg 
Udhës diku
Ti më ndjej 
Më beso
. 
Tjera fjalë
Nuk mbaj mend.
Më
 
Vargu im je ti 
Pëshpërite atë magji
Që buron imja dashuri
 
(7.11.2009)
 
 
TEK AJO STINË
 
Pas premtimeve  boshe
Reklamave neveritëse
Nëpër sheshe
Rrugë
Mure
Dhe ekrane
 
Pas gjithë asaj zhurme
Që na bëri të nemitur
Nuk shoh gjë tjetër
Kësaj dite me diell
Sall fytyrën tënde që ndritë
 
Rikthehem tek ajo stinë
Tek ajo dashuri që stolis
Fronin e zemrës
 
17.11.2009
 
 
ËSHTË PAK
 
Një Mëngjes i Mirë
Me aurorë dielli
A një zemër luleje
Nuk mjafton
Është pak
Për një zgjim të ngrohtë
Dashuror
 
Ti 
Dëshiron dhe një puthje
Dhe një përqafim
Dhe një seancë dashurie
Për një ditë tërësisht të mbarë
Ti pret 
 
Pritjen tënde
E dëboj unë
 
(21.11.2009)
 
 
ËMBËLSIRË E ZJARRTË
 
Çepuri shkrihet nën diell vjeshte 
Njësoj si unë tek Ty
Nën atë zjarr dashurie
 
Zgjate Zot
Këtë Ditë 
Mos të na ikë 
Pa u kthyer dhe ajo stinë 
Ajo Grishëz
Këtu nën çati
 
Tek buzët 
Që ëmbëlsohen  me zjarmi
 
(23.11.2009)
 
 
PËRPLOT
 
Jam plot
Përplot me Ty
Jam
 
Në secilin ag
Hap krahët
Dritaret
E të përqafoj
Gjirit tim  
Të marr
 
Si këtë ditë të re
Këtë kaltërsi
Që lind e vjen tek unë 
Prej syve t’u
Imja dashuri
 
(26.11.2009)
 
 
MAJA E ËNDRRËS
 
Për t'a prekur Majën e Ëdrrës
Mos ndalo
Ec e mos nxito
 
Po u mbushe frymë
Nga rrugë e gjatë
Në këmbë 
Ecjeve pusho
 
Mburojë e ëndrrës sate 
Bëhu parreshtur
 
Dhe shigjetat kur të ngulen mishërave
( Se nuk do të kursehesh, jo ) 
Deri në zemër
Ti ecë
Ecë
 
Klithma mos lësho
As gjëmë
Se vrëhet ai qiell
Fytyra e saj
 
Ah
 
Edhe gjunjaz
Edhe zhagas
T’lumes tokë
Nëpër t’ëmblën baltë
Mos u dorëzo
 
Kur ta mbërrish atë Maje ëndrre 
Për asgjë më
Mos lakmo
 
Ajo që e deshe përnjëmend
Në zemrën e saj 
Të bëri vend
 
(30.11.2009)
 
 
PUTHË ATË ËNDËRR
 
Nuk dua të të trandë
 
Fli e dashur
Fli
 
Aty skaj dritares
Ballkonit
Fli
 
As rrezja e mëngjesit 
Nuk të ngacmon
 
Është fshehur prapa reve
As era rreth e rrotull kopshtit
 
Fli 
Si ajo lulja në vazo
Fli 
E buzëqesh ëmbël
Tek ëndërron...
 
Vij qetas
Pa të trembur
Për ta  puthur 
Atë ëndërr të pafund me mua...
 
(2.12.2009)
 
 
LULES QË S’HAPET
 
Ke lëshuar rrënjë 
Thellë shpirtit
Ke prekur
Moj shtatngrehur
 
Me freskinë e lumit
Njomesh
Me puhinë e mëngjesit
Lahesh
 
Faqesh sh’ndritë
Universit të pafund
Aurorë
 
Malit i bëhesh orë 
Për t’ ia shprushur atë gji
 
Një strehë të bukur 
Ngritë mbi tëndin  sy 
 
Hajde tash
Çile atë  zemrën
Aë ëndërr jete
Ta shijoj me fund
Përmes ndjenjës  që mrekullon
 
(4.12.2009)
 
 
HAPËSIRË E VIRGJËR
 
Ti Letër e bardhë
Hapësirë e paqtë
Natyrë e pazhurshme e shpirtit tim
 
Të falem çdo çast 
Të falem përjetësisht
Që po më pranon hapur
Qetësisht
Të tërin 
Ashtu si jam 
Me krejt këtë dashuri 
Këtë zjarr që vlon në gji
E derdhet shrkonjash 
Vargjesh në Ty
 
E nuk rudhesh 
Nuk ikën nga unë
Shtrihesh para meje
Me krejt këtë bardhësi 
Per timen dashuri.
 
(11.12.2009)
 
AJO ...
 
Ajo LULEZEMËR
Ka lëshuar rrënjë
Nëpër çdo pore  
Emër ka bërë
 
Ajo LULELOÇKË
Çdo çast
Lulëzon për timin sy
Mbushë aromë 
Timen jetë
 
Ajo
Lule e Jetës Sime
Vetë
 
(13.12.2009)